
Udhëkryqe historike
nga Artan Kafexhiu
Pamuk, nobelisti turk në librin e tij “Emri im është e kuqja”, me kujton pengesën, hendekun kulturor, që akoma nuk e kemi kapërcyer ne shqiptarët. Ndoshta, ndoshta, nga që fatkeqësisht, kemi jetuar në periferi të perandorive. Periferia është vrastare.
Ishte fundi i shekullit të XVI-të, kur janë vendosur ngjarjet e romanit të Pamukut, e pikërisht, në qendrën perandorake otomane, në Stamboll. Sulltan Murati II-të, ka urdhëruar të punohej në mënyrë sekrete për përgatitjen e një libri, ku do të kurorëzohej, festohej, jeta e tij dhe historia e perandorisë. Në një fshehtësi të pazakontë projekti kishte nisur, kishin filluar punën e tyre, mjeshtrit e mëdhenj të miniaturistikës dhe artit osman në traditën e moçme të teksteve persiano-islamike. Përse gjithë kjo fshehtësi? Ilustrimet do të ndiqnin modelet e Rilindjes Europiane, do të sillnin realizmin rilindas në stil dhe në konceptet hapsinore; do të përdorej teknika chiaro-scuro (hije-drite) Rinascimento-s, perspektiva si përqafim tredimensional i hapsirës në vizatim, dhe gjithçka e re, që ofronte arti i ri europian.
Flitej për një herezi në sytë e Islamit, nën hundën e standartmbartësve të dishepujve islamike. Madje herezia kapërcente të paimagjinueshmen. Në libër do të përfshihej edhe një portret i sulltanit, do të ishte në prominencë figura e Mehmetit të II-të, portret real, njerëzor, ashtu siç mund ta nxirrte një mjeshtër europian i portreturës. Mehmeti po thyente tabunë, ku piktura e gjallesave, sidomos fytyrat, portretet e njerëzve, ideolatria e tyre ishte haram. Ndërkohë kur, sipas traditës, kërkohej e duhej, që çdo përmendje e sulltanit, të shihej dhe paraqitej me lajle e lule fjalësh të Allahut. Libri sekret i sulltanit ndërkohë që sillte të renë, të dëshirueshmen, ndryshimin, përballej me traditën strikte islame, ishte në thelb një shprehje e sekularizmit, që i kundërvihej teokracisë mendjengushtë, intolerante.
Ndërkohë, përtej kufijve perandorake osmanë, Europa po përjetonte jo padhimbje, – ashtu siç janë të forta dhimbjet e lindjes, – debatet e ashpra filozofike e shkencore, mbi të vërtetat e sistemit kopernikan, ku Toka nuk ishte më në qendër të Gjithësisë, ashtu si edhe njerëzimi, që ngjante të ishte krejt insinjifikant, përballë një Universi, që duhej medoemos të eksplorohej, e të njihej. Europa po reformohej dhe teologjia kristiane nuk ishte më monolite. Gjithçka po shkërmoqej; një lloj përqasje tjetër, pa të cilën nuk mund të kishte progres, ku individi është në qendër si krijues dhe nxitës i kreativitetit, ndërkohë që shkenca duke rrëzuar autoritetin e teologëve dhe filozofëve aristotelianë, që kishte sunduar për mijëra vjet, po thyente kallupin mijëravjeçar të dogmës. Revolucioni shkencor ishte i paevitueshëm, por fillimet e veta, i kishte veçse në transformimin në arte, përqafimin, përqasjen me realiste e kreative të jetës në artet e bukura.
Duke shkuar përsëri pas në kohë, në kohën e përgatitjes së librit të Mehmetit të II-të, atje ndoshta, e potencialisht do t’i kishte fillimet edhe transformimi i perandorisë. Pamuku përdor artificën e tij artistike të vrasjes di modus operandi, duke na vënë përballë dy vrasjet misterioze, që na mbajnë peng deri në mbyllje të librit, në faqet e fundit të librit. A është e mundur që dy vrasje të kthejnë mbrapa rrotën e historisë? Shekulli i XVI-të për osmanët ishte shekulli i iluzioneve dhe zhgënjimeve të mëdha. Fillimi ishte shumë premtues, civilizmi islam, nën flamurin e sulltanëve, po kalonte periudhën e artë. Ngjante sikur, brenda një periudhe të shkurtër do të dominonte kontinentin europian, të tërin. Por ja që jo, nuk ndodhi. Konstelacionet dhe kombinimi i yjeve e planetëve, nuk ishte në krahun e osmaneve, t’i ndrisnin fatin. Turqit hoqën dorë nga rrethimi i Vjenës në 1529. Më vonë, në 1571, humbën, në një disfatë të madhe, betejën detare të Lepantos. Por këto dy thyerje, nuk tregojnë historinë e plotë: përse osmanët humbën shkëlqimin e zenithit të tyre. Europa i kishte sfiduar në një realm tjetër, në revolucionin e mendimit, transformimin në botën dhe realm-in e ideve. Fati i perandorisë, nuk u vendos në ndeshjet fizike midis Europës dhe perandorisë osmane, nuk u vendos në fushëbetejat. Europa e fitoi betejën në fushën, realm-in e progresit të mendimit filozofik e shkencor, supremacisë teknologjike.
Është shumë simbolike fati i orës mekanike që mbretëresha e Anglisë, Elizabeta I-rë, i dërgoi sulltanit, Mehmetit të II-të. Ora me avantazhet teknologjike në matjen e kohës, ishte në thelb, simboli i asaj çfarë i duhej të ndiqte, të merrte si shembull. Ishte simbol i progresit shkencor, inovacionit, që e kishte kthyer teknologjinë, si artin e kohës. Sulltani, Mehmeti II-të, ndoshta e kishte kuptuar këtë, ndoshta, prandaj kishte dashur të fillonte në fshehtësi, në heshtje, transformimin e imazhit të perandorisë, në sytë e vet osmanëve. Përgatitja e librit, ishte simbolika më e fuqishme e shembullit europian, që i duhej perandorisë për të ndjekur.
Pamuku përdor vdekjen e Mehmetit të II-të, si momentin e humbjes së shpresës, e kthimin mbrapa, regresin. Trashëgimtari i fronit, Ahmeti I-rë, me topuzin perandorak, e bëri dhuratën e Elizabetës I-rë, orën mekanike, copash. Gjithë kjo, në emër të Allahut. Po ashtu edhe librin e mbuloi si dikur, sërishmi me lajle e lule, si ilustrime mondane të islamizimit, ku figura, silueta, fytyra njerëzore, individi, si krijues e transformues mungonte. Njeriu, individi sërishmi mbetet i padukshëm, i humbur, pa emër në ilustrimet e ngarkuara, si zgjatime të predikimeve kuranike, në emër të Allahut, e të yshur, justifikuar, prej frikës ideolatrike.
Së fundmi, si një prapamendim, që tërhiqet zvarrë edhe pas leximit të Pamukut, është edhe mendimi pesimist rreth fatit të shqiptarëve, që gjithmonë ka ngjashmëri me fatin e perandorive që e sunduan. Duke qenë gjithmonë në periferinë perandorake, lajmet dhe ndryshimet janë përherë te vonuara. Një nga arsyet është edhe se sundimi i shqiptarëve në terren, është lënë në dorë të “perandorëve të vegjël”, si miniatura lokale, kopje të vobekta, të shëmtuara, të sovranëve perandorake.
Marrë nga muri i FB, Artan Kafexhiu 2 janar 2026