
Udha e gjatë e tre profesorëve
tregim nga Ndue Hoti
Prolog – Ora e fundit e paqes
Tirana e vitit 1941 frymonte me një ethe të padukshme. Në korridoret e Shkollës Femërore “Nana Mbretneshë”, zhurma e hapave të nxanseve përzihej me lajmet e mjegullta që vinin prej fronteve të Europës. Lufta po afrohej çdo ditë e ma shumë dhe askush nuk mund ta merrte me mend se sa thellë do të hynte ajo në jetën e shqiptarëve.
Megjithatë, arsimi vazhdonte rrugën e vet.
Për herë të parë në disa gjimnaze të vendit, djemtë e vajzat po ndiqnin mësimin në të njëjtat banka. Për shumkënd ishte vetëm një risi shkollore; për profesorët ma të ditun ishte shenja se Shqipëria po kërkonte vendin e saj në Europën moderne.
Pranë dritares së zyrës së drejtorit qëndronte Profesor Filip Llupi.
Kostumi i prerë me hijeshi vjeneze, ecja e matur dhe vështrimi i qetë e dallonin menjëherë. Kishte studiuar matematikë e fizikë në universitetet austriake dhe besonte se një komb ndërtohej mbi dijen, disiplinën dhe karakterin.
“Perandoritë shemben, – mendonte shpesh ai, – por ligjet e dijes mbeten.”
Në të njëjtën kohë, në gjimnazin “Naim Frashëri”, profesori i Letërsisë Klasike Frano Alkaj po mbyllte regjistrin e klasës.
Në lëvizjet e tij ndihej ende rregulli i hekurt i kolegjit “Illyricum” të Shkodrës, ku për shtatë vjet kishte ndarë bankën me Filip Llupin. Miqësia e tyre ishte farkëtuar ndër libra latinë, filozofi klasike dhe ideale europiane.
Qysh më 1940, Frano Alkaj ishte bashkpunëtor i revistës prestigjoze, “Hylli i Dritës”, ku botonin mendjet ma të ndrituna shqiptare. Pas ndarjes nga jeta të At Gjergj Fishtës, drejtimin e revistës e mori At Gjon Shllaku, bashkstudent i Franos në Kongregacionin Françeskan të Weert-it në Holandë. Ishte pikërisht ai që e nxiti të vazhdonte te botonte përkthimet nga Homeri e Virgjili.
Pak ma vonë Frano Alkaj do të zgjidhej edhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare me drejtor Ernest Koliqin.
Nga Shkodra në Gjirokastër, nga Korça në Tiranë, ai kishte shërbyer si profesor i Letërsisë Klasike, duke mbjellë te brezat dashurinë për qytetrimin europian.
Martesa e Mbretit Zog me Mbretreshën Geraldinë, bijë e një familjeje aristokrate hungareze, i ishte dukur si një shenjë, se Shqipëria po lidhte fatin e saj me Perëndimin.
Por historia kishte plane të tjera.
Një mbramje kur ishte në Korçë, ndërsa po ecnin përgjat bulevardit të qytetit me kolegun nga Labëria, ky i fundit, Isufi u ndal dhe e pa drejt e në sy.
-Frano, po hyjmë në kohë që nuk ngjan me asnjë tjetër.
-Luftërat kanë ardhë e kanë shkue gjithmonë.
-Jo kjo. Kjo nuk asht vetëm luftë. Kjo asht luftë idesh.
Frano heshti.
-Sistemet mbretnore po rrëzohen, – vazhdoi Isufi, – Pas tyne mund të vijë një juntë ushtarake, ose diçka edhe ma e rrezikshme. Një pushtet që nuk njeh Zot, nuk njeh mësues dhe nuk njeh mendim të lirë.
Frano ngriti sytë nga qielli i mbramjes.
-Atëherë do të mbesë vetëm dija.
-Pikërisht për këtë kanë m’e luftua dijen.
Pak muaj ma vonë, fjalët e Isufit do të merrnin një kuptim krejt tjetër.
Në Liceun e Korçës kishte nisë një përplasje, që askush nuk e mendonte se do të hynte në histori.
Në pamje të parë ishte një debat akademik.
Në të vërtetë ishte lindja e një ndarjeje, që do të përcaktonte fatin e Shqipërisë për shumë dekada.
Mbas dyerve të sallës së profesorëve kishte filluar të formohej ajo që, shumë vite ma vonë, do të kujtohej me një emër të vetëm: “Dosja e Korçës”.

Dallgët t e Atlantikut dhe tensionet e fshehuna
Anija “General M. B. Stewart” kishte lanë pas brigjet e Evropës. Dallgët e Atlantikut ngriheshin herë të qeta e herë të ashpra, ndërsa qielli dukej sikur bashkohej me detin në një vijë të pafundme.
Në kuvertën e sipërme, tre profesorët shqiptarë dilnin çdo mbramje në të njëjtën orë.
Filip Llupi mbështetej te parmaku i anijes dhe vështronte horizontin. Frano Alkaj ecte ngadalë me duart mbrapa shpine. Isuf Luzaj pinte cigaren e zakonshme, duke ndjekur me sy dallgët.
Për disa ditë kishin folur vetëm për udhtimin, familjet dhe pasigurinë e së nesërmes.
Por një mbramje, heshtjen e theu Filip Llupi.
-Frano, a e kujton ende Korçën?
Alkaj buzëqeshi lehtë.
-Korça nuk harrohet. Atje lamë ma shumë se sa libra. Lamë një copë të ardhmes sonë.
Isufi hodhi cigaren.
-Korça nuk ishte vetëm një lice. Ishte laboratori ku u përplasen dy mënyra të menduari për Shqipërinë.
Për pak çaste askush nuk foli.
Zhurma monotone e motorëve mbulonte gjithçka.
Më në fund Franoja e theu heshtjen.
-Unë atëherë besoja se Shqipnia duhej të ndërtonte shkollën, administratën dhe shtetin mbi modelin austro-gjerman. Mendoja se vetëm disiplina, universiteti dhe kultura europiane mund ta nxirrnin vendin prej prapambetjes.
Isufi e dëgjoi pa e ndërprerë.
Pastaj u përgjigj qetë:
-Ndërsa unë besoja se drejtësia shoqërore ishte po aq e domosdoshme sa kultura. Frika ime ishte se një shtet i fortë, pa liri, mund të kthehej në një burg të madh.
Filipi i shikoi të dy.
-Ndoshta secili prej nesh shihte vetëm njërën anë të medaljes. Shqipnia kishte nevojë për dije, por kishte nevojë edhe për drejëtsi. Fatkeqsia ishte, se historia nuk na la kohë t’i provonim idetë tona me libra; na detyroi t’i provonim me luftë.
Një dallgë e madhe goditi anijen.
Tre profesorët heshtën.
Franoja nxori nga xhepi një bllok të vogël shënimesh.
Në faqen e parë ishte shkruar vetëm një fjali:
“Dosja e Korçës, nuk u mbyll kurrë.”
Isufi e pa me buzqeshje.
-Ndoshta nuk duhet të ishte quajtur dosje. Ishte një debat ndërmjet profesorësh. Historia e shndërroi në akuzë.

Dallgët e Atlantikut dhe shpirtnat e trazuem
Trageti “General M. B. Stewart” kishte lanë pas brigjet e Europës. Për ditë të tana nuk shihej tjetër veç qiellit dhe oqeanit. Dallgët e Atlantikut ngriheshin si male blu e mandej shuheshin në heshtje, ndërsa trageti vazhdonte lundrimin drejt hemisferës tjetër.
Në kuvertë, aty ku era frynte ma fort, rrinin shpesh tre profesorët shqiptarë.
Secili kishte lanë pas nji botë të ndryshme.
Filip Llupi kishte lanë auditorët e Vjenës dhe bankat e Shkollës Femnore “Nana Mbretneshë”. Bashkshortja Elena dhe dy fëmijët e vegjël ishin pranë tij, por shpirti i mbetej te Shqipnia, ku kishte shpresua me ngritë nji brez të ri intelektualësh.
Frano Alkaj i kishte lanë librat për bibliotekën që do të hapte në Romë dhe në Shkodër, përkthimet prej Homerit e Virgjilit dhe, mbi të gjitha, dorshkrimet e veta te fjalorit Latinisht-Shqip, si bashkautor.
Isuf Luzaj kishte lanë pas politikën shqiptare, miqtë e Ballit Kombëtar dhe pesë fëmijët në Kaninë dhe pritej internini i tyre e shantazhi ndaj tij, për t’u kthyer mbapsht ose ma e vogla për bashkpunim me zbulimin shqiptar në radhët e shoqatës patriorike të shoqatës patriotike “Skënderbeu” krijuar me 1933, mbi bazën e shoqatës “Shpresa”, themelua me 1926 në Buenos Aires. Frano e Filipi nuk kishin pengje të tilla në Shqipëri.
Askush nuk fliste për dhimbjet e veta.
Por secili i mbante mbi supe.
Një mbramje, kur dielli po fundosej në oqean si një monedhë e kuqe flake, Isuf Luzaj iu afrua Franos.
-Francisco… – i tha me buzqeshje.
Frano nuk lëvizi.
-Më thirr Frano – Ju duk si ironi – Emni në pasaportë ndryshon. Njeriu jo.
Luzaj qeshi lehtë.
-Në Argjentinë do të duhet me u mësua me emnin e ri – i foli gegnisht.
-Emni asht gjaja ma e vogël që kam humbë.
Pak çaste heshtën.
Vetëm zhurma e motorëve mbushte ajrin.
-Ende mendon për Korçën? – pyeti Isufi.
Frano e pa drejt e në sy.
-Jo.
-Atëherë për çka mendon?
-Për Shqipninë.
Isufi ndezi një cigare.
-Shqipnia nuk shpëtohet me përkthime të Homerit.
-As me fjalime politike.
-Historia bahet prej politikanve.
-Jo.
Frano u kthye kah oqeani.
-Historinë e ban mësuesi.
Po nuk pati mësues, nuk ka as politikanë.
Luzaj nuk foli.
Ai e njihte mirë Franon.
Kur ky fliste me za të ulët, ishte ma i rrezikshëm, se kur të tjerët ngritnin zanin.
Pak ma vonë, në kuvertë u ngjit Filip Llupi.
Elena po shëtiste me dy fëmijët.
Llupi vështroi horizontin.
-Çudi…
-Çka? – pyeti Frano.
-Oqeani.
Njeriu kujton se e njeh botën.
Mandej del këtu dhe kupton se nuk njeh asgja.
Frano buzqeshi.
-Ashtu ndodh edhe me historinë.
Mendojmë se e dimë.
Mandej del një dokument i vetëm dhe rrëzon krejt çka kem besua.
Llupi e pa me vëmendje.
-Ti ende mendon si studiues.
-Mësuesi nuk del kurrë në pension.
Ai vetëm ndërron bankën.
Atë natë, tre profesorët darkuan bashkë.
Biseda nisi për universitetet europiane.
Filipi tregoi për auditorët e Vjenës.
Frano kujtoi arkivat e Romës dhe Sienës.
Luzaj rrëfente për Parisin.
Për një çast dukej sikur lufta nuk kishte ekzistuar kurrë.
Por papritur heshtja u thye.
Ishte Filipi që e theu.
-E mbani mend At Gjergj Fishtën?
Të dy ngritën kokën.
-Shqipëria vonë ka me lindë një tjetër si ai.
Frano uli sytë.
-Kur mora lajmin e vdekjes së tij në fund të vitit 1940, m’u duk sikur ishte shue nji kumbonë.
Luzaj kujtoi me mend telegramin e ngushllimit me të cilin Alkaj ia pati dërguar komisionit të ceremonisë së vorrimit të korifeut shqiptar dhe shtoi: më kujtohet lista me telegramet që u lexuan për atë rast, ishte edhe emri juaj aty.
Të dy heshtën një minut.
Parafolsi e dinte se Fishta ishte shumë ma tepër se poet.
Ishte një epokë.
Pak ditë më vonë trageti hyri në ujërat ma të ngrohta.
Moti ndryshoi.
Ajri mbante aromën e hemisferës jugore.
Pasagjerët filluan të dalin e buzqeshnin.
Fëmijët vraponin nëpër kuvertë.
Gratë qepnin rrobat e verës.
Vetëm shqiptarët mbeteshin të heshtur.
Sepse e dinin se nuk po shkonin për të vizituar Argjentinën.
Dialog në kuvertën e tragetit “General M. B. Stewart”
Frynte era e freskët e Atlantikut. Trageti kishte hyrë në ujërat e qeta të Río de la Plata-s. Dritat e Buenos Airesit dukeshin ende larg. Filip Llupi qëndronte pranë parmakut, ndërsa Isuf Luzaj rrinte paksa i veçuar, me sytë e humbur në errësirën e detit.
Pas një heshtjeje të gjatë, Filipi foli me zà të ulët.
-Isuf… prej ditësh po të shoh të menduar. A ke marrë ndonjë lajm nga Shqipnia?
Luzaj nuk u përgjigj menjëherë. Mori frymë thellë.
-Kam marrë një letër para nisjes… Më thanë se familjen ma kanë larguar nga Kanina. Nuk di ku janë. Disa thonë n’internim, të tjerë nuk dinë me thanë asgja.
Fjalët i ranë rëndë si plumb.
Filipi uli kokën.
-Zoti i pastë në dorë… Pesë fëmijë nuk janë pak.
-Jo… pesë shpirtra. Çdo natë më dalin para syve.
-A mendon me i marrë këtu, kur të krijohen rrethanat?
Luzaj buzqeshi hidhur.
-Nëse Shqipnia mbyllet, nuk e di a do të na lejohet ndonjëherë. Ndoshta ky traget po na ndan përgjithmonë.
Filipi i vuri dorën mbi sup.
-Mos e humb shpresën. Luftrat nuk zgjasin përjetë. Regjimet ndërrohen. Fëmijët rriten. Ajo që nuk duhet të humbasë asht besimi, se një ditë do të takoheni.
Isufi heshti.
-Ti e ke familjen pranë, Filip. Gruan… Gencin… Etlevën. Nuk e di sa fatlum je.
Filipi hodhi sytë nga Elena dhe dy fëmijët që po sodisnin dritat e portit.
-E di. Dhe pikërisht pse e di, nuk mund të rri pa ta thanë këtë: mos lejo që dhimbja të të kthehet në urrejtje. Një prind jeton për ditën kur fëmija nuk ka ma frikë. Nëse e humb këtë shpresë, humbet gjithçka.
Isufi e shikoi gjatë.
-Ti flet si mësues.
-Jo. Sot po flas si prind.
Një heshtje e gjatë i mbuloi të dy.
Pak më tutje, Frano Alkaj i vështronte pa ndërhyrë. Ai e ndiente se secili prej tyre mbante një plagë të ndryshme: Isufi kishte lënë pas familjen; Filipi kishte marrë familjen me vete, por kishte humbur atdheun; ndërsa vetë ai nuk ishte më i sigurt nëse një ditë do të kthehej në bibliotekën ku kishte lënë dorëshkrimet e Homerit dhe Virgjilit.
Në atë çast sirena e anijes ushtoi mbi ujërat e Río de la Plata-s. Përpara tyre shtrihej Buenos Airesi. Pas shpinës mbetej Shqipëria.
Po kalonin në një botë tjetër.
Një pasdite, Frano po lexonte disa shënime të Eneidës. Me librin e katërt “Zbritja e Eneut në Butrint” kishte ndie ma shumë afeksion, se sa me “Rrënimi i Trojës” dhe “Vetvrasja e Didonës”.
Filipi u ul pranë tij.
-Ende me Virgjilin?
-Po.
-Nuk lodhesh?
-Jo, përkundrazi.
Sepse Eneu më duket si na.
Edhe ai iku nga nji atdhe që digjej.
Edhe ai nuk e dinte ku do të mbrrinte.
Filipi pohoi me kokë.
-Me një ndryshim.
-Cilin?
-Eneu e dinte se historia do ta kujtonte.
Ne nuk e dimë.
Frano mbylli fletoren.
-Nuk ka randsi.
Mjafton që ndërgjegja të mos na harrojë.
Atë natë, dallgët u rritën.
Anija lëkundej fuqishëm.
Shumë pasagjerë nuk dolën nga kabinat.
Vetëm tre profesorët shqiptarë dolën përsëri në kuvertë.
Asnjëri nuk fliste.
Secili shihte errësirën.
Dhe secili kuptonte se pas asaj vije të zezë nuk ndodhej vetëm Argjentina.
Ndodhej një jetë krejt tjetër.
Një jetë që askush prej tyre nuk kishte mundur ta imagjinonte kur jepnin mësim në bankat e Shqipërisë.
Mbramja po zbritte ngadalë mbi Atlantik. Dielli i kuq po fundosej në ujnat e pafund dhe trageti “General M. B. Stewart” çante dallgët me një ritëm të qetë. Në kuvertë kishte rënë heshtja.
Frano Alkaj rrinte mbështetur mbi parmak. Era i lëvizte flokët, ndërsa në dorë mbante një bllok të vogël shënimesh. Nuk shkruante. Vetëm e shikonte.
Pak hapa ma tej, një zonjë italiane, e veshur thjeshtë, me një shall të hollë mbi supe, e vrojtonte me shqetësim.
-Nuk po flini as sonte, profesor? – e pyeti ajo në italisht.
Frano buzqeshi lehtë.
-Kur njeriu lën mbrapa nji atdhe, gjumi bahet i huej.
-Do të ktheheni një ditë…
Ai tundi kokën.
-Ndoshta jo unë. Por librat e mi duhet të kthehen.
Gruaja heshti.
Ajo e njihte mirë ankthin e tij. Për javë të tëra në Romë e kishte parë të rrinte deri mbas mesnate të redaktonte dorshkrimet e Homerit dhe Virgjilit, ndërsa jashtë qyteti dridhej nga bombardimet.
-Mos mendoni ma për ato dorshkrime. Mund t’i merrni ma vonë.
Frano uli sytë.
-Jo. Librat humbin ma shpejt se njerëzit. Njerëzit lanë kujtime; librat zhduken pa za.
Në atë çast u afrua Filip Llupi.
-Profesor, Isufi po ju kërkon në sallon. Ka nisur një debat tjetër për politikën.
Frano u përngi me ironi.
-Isufi nuk lodhet kurrë duke ndryshuar botën. Unë nuk kam arritun ende të shpëtoj dy përkthimet e mia.
Gruaja italiane e pa me një vështrim të butë.
-Ndonjëherë njerëzit vlejnë ma shumë se librat.
Frano heshti disa çaste.
Pastaj tha ngadalë:
-Po. Por librat mbeten kur njerëzit largohen.
Pak ma larg, pranë një karrigeje druni të mbrojtur nga era, rrinin ulur dy gratë.
Njëra ishte Elena Llupi, zonjë kroate, me edukatë vjeneze dhe qetsinë e grave që kishin parë luftën t’u kalonte mbi pragun e shtëpisë. Në prehrin e saj mbante një shall të hollë për Etlevën, ndërsa Genci vraponte herë pas here përgjatë kuvertës.
Pranë saj ishte ulur mikja italiane e Franos. Edhe ajo e shikonte detin me një heshtje që vetëm mërgimtarët e kuptojnë.
-Fëmijët nuk e dinë se çfarë po lanë pas, -tha Elena me za të ulët.
-Ndoshta asht ma mirë kështu, – u përgjigj italiania, – Ata e shohin këtë udhëtim si një aventurë. Ne e dimë se asht një ndarje.
Etleva po ndiqte me sy pulbardhat.
-Genci më pyeti dje nëse do të kthehemi përsëri në Shqipni, – tha Elena.
-Çfarë i thatë?
-Se Zoti nuk i mbyll kurrë të gjitha portat.
Italiania buzqeshi me trishtim.
-Profesor Frano nuk flet pothuajse kurrë për veten. Kur flet, gjithmonë flet për librat.
-Filipi flet për matematikën, – tha Elena. -Frano për Homerin dhe Virgjilin. Të dy besojnë se dija mund ta shpëtojë njeriun.
Italiania uli sytë.
-Ai ka frikë vetëm për dorshkrimet në Shkodër. Më duket se po t’i humbë ato, do të ndiejë sikur ka humbur një pjesë të jetës së tij.
Elena e shikoi me mirkuptim.
-Filipi thotë se në Buenos Aires do të jetë i mirpritun. Një njeri që njeh aq shumë gjuhë me licencë, nuk mund të mbetet gjatë pa katedër.
Italiania nuk u përgjigj menjëherë, dukej si e penduar.
-Unë nuk kam frikë nga vorfnia. Kam frikë nga vetmia. Në mërgim njeriu nuk humbet vetëm vendin. Humb edhe ata që e njohin.
Në atë çast, Genci erdhi me vrap.
-Mami! Shikoni! Delfinë!
Të dyja gratë buzqeshën njëherësh.
Fëmijët nuk njihnin kufij, nuk njihnin ideologji dhe as dosje.
Ata shihnin vetëm detin.
Pak më tej, tre profesorët vazhdonin bisedën e tyre.
Elena hodhi një vështrim drejt tyre.
-Më duket se profesor Luzaj nuk ndalet së foluri për politikën.
Italiania u mendua një çast.
-Ndoshta secili mbron mënyrën e vet për të mbijetuar. Profesori Frano beson te kultura. Profesori Llupi te shkenca. Profesori Luzaj te politika. Historia do të tregojë, se cila rrugë do të jetë më e fortë.
Elena psherëtiu lehtë.
-Shpresoj vetëm që këto rrugë të mos i bajnë armiq njerzit, që dikur kanë kenë kolegë. Shqipëria asht shumë e vogël për me i humbë profesorët e saj.
Deti vazhdonte të gjëmonte poshtë kuvertës, ndërsa trageti çante Atlantikun drejt qytetportit, ku secili prej tyre do të provonte të rindërtonte jetën, por jo domosdoshmërisht të njëjtën Shqipëri që mbarte në zemër.
Një mbramje para mbrritjes
Në mbramjen e fundit, Isuf Luzaj nuk u ngjit menjëherë në kuvertë.
Qëndroi gjatë në sallonin e tragetit duke shfletuar disa letra të palosura me kujdes. Ishin adresa, emra dhe shënime të shqiptarve të Buenos Airesit, njerëz që kishin mbërritur vite ma parë nga Korça, Kolonja, Përmeti e Vlora. Disa i njihte personalisht, disa vetëm me letërkëmbim.
Herë pas here ngrinte kokën dhe vështronte nga dritarja.
Në kuvertë dallonte siluetat e Filipit dhe Franos, që bisedonin me gratë.
Për një çast pati atë ndjesinë që e kishte shoqëruar edhe në Korçë.
Ata dy e kuptonin njëri-tjetrin me pak fjalë.
Njëri vinte nga matematika, tjetri nga Letërsia Klasike, por të dy kishin të njëjtin formim perëndimor.
Ai ishte ndryshe.
Mendonte më shumë për organizimin, për njerëzit, për politikën, për shoqatat shqiptare, që mund të bëheshin një ditë zëri i mërgatës.
“Secili prej nesh, – mendoi, – po zbret në Argjentinë me një Shqipëri të ndryshme në mendje.”
Ndërkohë, dy gratë vazhdonin bisedën.
Elena nxori nga çanta një letër.
-Është nga një kushëri në Buenos Aires. Na shkruante, se na kanë gjetur një apartament të vogël pranë Floresit. Thotë se Filipi nuk do të punojë gjatë në bujqësi. Ka nevojë për profesorë matematike.
Italiania buzëqeshi.
-Edhe mua më kanë shkruar disa miq nga Roma. Thonë se universitetet dhe kolegjet private kërkojnë përkthyes e profesorë gjuhësh. Frano nuk e beson ende. Ai mendon, se do ta presë lopata.
-Jo, – tha Elena, – Një njeri me aq dije nuk mund të mbetet gjatë larg librave.
Pak më tej, Isufi dëgjonte vetëm copëza të kësaj bisede.
Për herë të parë iu duk se të tre burrat nuk po mbërrinin në të njëjtën Argjentinë.
Filipi po zbriste me një familje që kërkonte siguri.
Frano me dorshkrimet në mendje.
Ai vetë me një valixhe plot letra, emra dhe lidhje njerzish.
Secili mbante një barrë të ndryshme.

Në vend të epilogut
Kur pasditja e 11 korrikut 1948, po shuhej mbi ujnat e Río de la Plata-s, trageti “General M. B. Stewart” hodhi spirancën.
Tre profesorët zbritën nga e njëjta urë, por jo drejt të njëjtit fat.
Ata kishin lënë pas të njëjtin atdhe, por secili mbante në zemër një Shqipëri të ndryshme.
Vitet do t’i shpërndanin në kontinente, në shoqata, universitete dhe biblioteka. Do t’i afronin e do t’i largonin njerëzit, ndërsa kujtesa do të mbante vetëm atë që kishte mundur t’i mbijetonte kohës.
Ndoshta “Dosja e Korçës”, nuk ishte një dosje e mbyllur në një sirtar, por një plagë e hapur në ndërgjegjen e një brezi intelektualësh shqiptarë, të cilët u ndanë nga ideologjitë, por mbetën të bashkuar nga i njëjti mall për Shqipërinë.
Oqeani kishte marrë me vete heshtjet e tyre.
Historia do të ruante vetëm gjurmët…