back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 15 Mars, 2026

UÇK! UÇK! UÇK! – poezi nga Çun Lajçi

Gazeta

Aktori & poeti Çun Lajçi
Aktori & poeti Çun Lajçi
UÇK! UÇK! UÇK!
poezi nga Çun Lajçi

Ju dolët në protestë dhe mirë bëtë.
Të bashkuar na duheni – si dje, si sot.
Për nesër s’po flas,
sepse e nesërmja është gjithmonë e pasigurt dhe e brishtë.

Ju pashë unë dhe ju e patë vetveten, në pasqyrat e kamerave,
në ekranet e telefonave.
Madje nuk hezitonit t’u bënit me dorë; “ktheje kamerën këndej,
demek, shiko, unë jam këtu!”

Isha aty, me një xhup të rënduar nga vitet,
i mbështjellë si një buburrec dimri që ruan pak ngrohtësi
për të mos u mpirë nga acari.

Mua nuk më kërkonin kamerat,
as ju që më njihnit, e që ju njihja.
Unë s’isha për lajmet e mbrëmjes.
Isha për ata që gjykohen, për fajet tona.

Isha aty ku ishit edhe ju.
Flokët e borës më pickonin fytyrën,
sepse unë kam ende një fytyrë
që s’e duan kamerat,
një fytyrë që s’kërkon dritë projektori.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Ju filmonit veten,
ndërsa dikur brohorisnim bashkë.
Dikur zërat dilnin nga gjoksi,
jo nga altoparlantët e telefonave.
Dikur liria thirrej me zë të plotë,
jo me një foto për rrjetet.

Sot, shumëkush kujdeset të duket,
më pak të dëgjohet.
Kujdeset të jetë në kornizë,
më pak në ndërgjegje.

E megjithatë, thirrja mbetet e njëjtë,
edhe kur zërat lodhen e fytyrat rrudhen,
edhe kur kamerat fikën.

Liria nuk është pamje, s’është pozë.
Nuk është një shenjë me dorë drejt objektivit.
Ajo është përgjegjësi që nuk filmohet,
është kujtesë që nuk del në kronika,
është zë që duhet të ngrihet edhe kur askush nuk e regjistron.

Prandaj, mos u mjaftoni të jeni në protestë;
bëhuni arsyeja e saj.
Mos kërkoni vetëm kamerën;
kërkoni ndërgjegjen.
Mos u kënaqni me praninë;
kërkoni kuptimin.

Sepse një ditë, kamerat do të mbyllen,
telefonat do të shuhen,
por ajo që mbetet
është vetëm zëri i vërtetë i një populli
që di pse del në rrugë e për kë brohoret:
UÇK! UÇK! UÇK!

Prishtinë, 18.02.2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.