U rrita me unazën me gurë të mirë… – nga Denata Rroji

Gazeta

Denata Rroji
Denata Rroji
U rrita me unazën me gurë të mirë… 
nga Denata Rroji

Gur i mirë quhej
po t’ ishte diamant, smerald ose rubin.
Gurët e tjerë, quheshin “koti”
nga gratë shkodrane.

Mama e kishte një të tillë, të trashegueme nga vjehrra, gjyshja ime të cilës ia kishte dhuru vjehrra e saj, stërgjyshja ime.
Unaza mbetej gjithmonë në familjen e burrit brez pas brezi.
Unaza e mirë, i kishte shpëtu luftrave, diktaturës dhe shpërnguljeve të strapacueme për shkak të sistemit nga njena shpi në tjetrën. 
Meqënëse gratë e zotnive nuk lejoheshin me punu në profesionin e tyne që kur “u çliru Shqipnia”, mamën e hoqën nga arsimi, dhe në punën e randë ku e caktuan, nuk mund ta vinte unazën, përveçse në raste gëzimi apo idhnimi.
Unaza diamant si pasuri e vetme dhe dëshmi e famIljes, ruhej nga mama si sytë e ballit, aq sa kur vinte koha e nji “rasti”, çonim shpinë peshë me e gjetë, se ku ajo ia kishte fsheh, jo vetëm hajdutit, por edhe vetes.
Kur unaza dilte nga pala e jorganit, apo e çarçafëve, dyshekut, apo kllefëve, të gjithëve na dilte para fytyra e butë, e rrumbullaket e gjyshes sime, si bekim për unazën e gjetun.
Une fëmi, u rrita me “unazën andërr”, për me e pasë nji ditë në dorën time.
Gjithmonë besoja te dobsia e babës ndaj meje, për me ma falë mu unazën e brezave, unazën ma shumë se 100 vjeçare dëshmi e rasteve të mira, apo të këqija.
Kurrë nuk ia kisha shprehë këtë dëshirë.
Nuk ndodhi.
U martova pa unazën e mirë, pa unazën time “taksun vetes”, prindët nuk e prishën traditën.
Prej pak viteve, dëshira e mohume, u realizu në nji përvjetor ditëlindjeje, kur prindët dhe vëllai ma sollën dhuratë “unazën e mirë”, që e kam dhe sot.
N’ dorën e mamës ndriçonte fort, sytë e njerëzve ndaleshin te dora e saj, te unaza me diamant në gisht, se sa të vetë ajo, qoftë dhe kur fliste për politikë me pasion.
Në dorën time dhe pse dorë ma e re dhe ma e mirëmbajtun, e njëjta unazë, nuk me ndrin sa ç’i ndrinte asaj, mamës sime.
Me sa duket asht në dorën jo të duhun, e larg derës ku duhej të rrinte.
Pres vëllanë me u martu, që unaza me marrë shkëlqimin e mungum.
Marrë nga Muri i FB, Denata Rroji 17 tetor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit