back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Tumorët poetikë – tregim nga Rezart Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi

Tumorët poetikë

tregim nga Rezart Palluqi

Mbrapa bibliotekës duhet të ketë ngrodhur ndonjë mi, ndryshe s’kam si e shpjegoj këtë duhmë kërme që del prej andej. Po, macja jonë gjahtare si nuk e paska gjurmuar miun? – murmurita me vete. Iu afrova raftit të bibliotekës dhe kontrollova me durim gjithë cepat e saj, faqet anësore, por s’pashë as edhe një mi apo insekt të ngordhur. Macja, u shfaq si me porosi në cepin e perdes. E ndolla qëllimisht dhe luajta me të fare pranë raftit të librave. Por ajo ndenji e shtrirë, me shqisa të fjetura, ndërkohë që disa javë më parë, me të parë një mi në kopësht sulej me të katër putrat, gjysmë në ajër drejt tij.
Era filloi të kutërbonte pak më shumë, kur unë ashtu si pa e kuptuar vendosa të nuhas librat. Hunda më shkoi drejt ciklit tim me poezi.
O zot, kërma vinte prej barkut të tij prej letre, ose mishit të vargjeve poetike.
Faqet e kalbëzuara, ose prekura prej tumorit poetik, ishin nxirë sterrë. Tek disa poezi ishin kalbëzuar pothuajse të gjithë vargjet, ndërsa tek disa të tjera, vargjet e parë, të mesit ose të fundit. U përpoqa t’i bëj autopsinë tumorëve dhe rezultova se fjalët kyçe, dashuri, paqe, ajër, dritë, që unë i përdor shpesh, ishin rrethuar prej grumbujsh të tjera fjalësh boshe, të cilat kishin krijuar një mur të lartë të rrumbullakët. Pothuajse tek të gjitha poezitë e kancerosura, fara e frymëzimit kishte qenë shumë e paktë, e mjaftueshme vetëm për çerekun e poezisë. Por, unë, egoisti, kisha këmbëngulur dhe përfunduar poezinë. Rrjedhimisht, fjalët magjike, dashuri, paqe, dritë ishin pezmatuar për vdekje. I grisa të gjitha poezitë pa pikë mëshire. Nga tridhjetë e pesë poezi, mbetën vetëm tre. Në trupin e tyre nuk vërejta pjesë të qelbëzuara.
Por kërma e tumorëve nuk u zhduk. Ajo vinte prej librave të tjerë poetikë. I zhvendosa ato menjëherë në bodrum, përveç vëllimeve poetike të poetëve të vdekur, tashmë të afirmuar. Prej tyre avullonte herë pas here një erë e thatë gjethesh trëndafili!
Holandë, 2015

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.