back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Tufina’s Dinasty… tre shekuj që vërtit orët e shqiptarëve! esse Jozef Radi

Gazeta

Sahati i Madh i Tiranës
Sahati i Madh i Tiranës

Tufina’s Dinasty…

Tre shekuj që vërtit orët e shqiptarëve!

esse nga Jozef Radi

Rrallë është përdorur ndër shqiptarë termi Dinasti… sepse s’ka pasë kuptim…!
Që të kishte kuptim ky term, veç të tjerash i nevojitesh domosdoshmërisht nji konstante.. dhe duke qenë se në krejt historinë tonë s’ekziston nji konstante të tillë, kjo fjalë mbetet pothuaj e përjashtuar prej përdorimit normal… Sepse sot s’ekziston asnji traditë e veçantë e shtrimë në kohë dhe e ndjekun me breza; nji vazhdimësi familjare doradorës e përfaqsueme bashkarisht prej nji shtrese sociale të përcaktuar saktësisht; së bashku me at ngjitjen graduale si në lartësitë e hierarkive shoqërore dhe ekonomike, po detyrimisht edhe të atyre politike; ku përfshihej edhe statusi i mardhënieve me familje të tjera të përafërta; e ku mbi të gjitha si shenjë dalluese mbetej ajo konstantja e shtrime në kohra; progresi ngjitës i kësaj Familjeje, lidhjet dhe interesat që ajo krijonte dhe shtrinte në funksion të nji projekti afatlargët…
Shqiptarët janë t’njohur historikisht që s’i gëzon fort ngjitja e dikujt që ata njohin… prandaj shfaqen herpashere si përmbysësa të mëdhenj, kështu që Dinastitë o janë shuar thjesht qysh n’embrion, po edhe nëse e kanë kaluar ndonji fazë, s’e kanë kapërcyer dot pasardhsen, kështu që brezi i tretë i asaj që pretendonte të shfaqej si Dinasti e ka gjetë veten në pikiatën drejt greminës… dhe sa ma e fuqishme shfaqej kjo tendencë dinastike aq ma të rrezikuara ishin ato familje pretenduese, dhe aq ma n’teh të shpatës e gjenin veten përfaqësuesit ma në zë të tyre…
Veç, Tufinët jo… Tufinët përbëjnë nji përjashtim…
Ata janë ndër të vetmit e familjeve shqiptare që arritën t’u mbijetojnë kohrave, edhe pse me at konstante që shkoi deri në kufijtë e këputjes… por që ata me nji kujdes shembullor arritën jo vetëm t’i kapërcejnë hendeqet po edhe greminat e mëdha të historisë shqiptare, në veçanti ato të komunizmit, që urrente gjithçka që përbënte traditë, duke paguar shpesh edhe haraçe të rënda, por që në fund fundit qëllimi i ruajtjes së idenditetit dhe i mbijetesës së Dinastisë së Tyre, i bën Tufinët sot të ndjehen pse jo, e vetmja familja dinastike triumfuese, që mundi t’i mbijetojë komunizmit… Atij që s’mundi t’i mbijetonte dot askush!
E pra, Ata mundën… dhe kjo përbën Librin Artë të Lavdisë së tyre, po edhe librin artë të lavdisë së këtij vendi të palavdishëm, që ende jeton në urrejtje me çfardolloj lavdie të mbetur nga e shkuara…
Tufinasit, ende sot përfaqsojnë Dinastinë e Orëve Shqiptare… Prej gati treqind vitesh ata merren me zemrekët e kohës së këtij vendi, ku shpesh ma e pavlerë gjë në qarkullim: është koha… Pra ndër ne, orët e humbura kot kafeneve, klubeve, dominove, basteve, lloqeve mund të jenë ndër më të gjatat… e megjithatë Tufinasit mbeten luftëtarë të mëdhenj që luftuan dhe luftojnë sot e kësaj dite, që shqiptarvëve të mos u mbeten orët pas… ata duan t’i japin kuptim kohës së këtij vendi…si në krejt vendet e tjera të qytetëruara…
Janë plot tridhjetë e pesë burra të këtij fisi po dhe nji grua, që e kanë mbajtë lart dhe të papërkulur, në gati treqind vjet Bajrakun e Dinastisë Tufina… Prej ma të parit sahatçi Ismail Tufinës deri te ma i fundit i tyre Albani, janë gjenerata të kësaj familjeje që me shpirt nëpër dhëmbë e sollën si maratonomakë deri në ditët e sotme zanotin treshekullor të orëve…
Kjo është diçka që i bën të ndjehen krenarë dhe të vazhdojnë pa u epur në at rrugë që ua hapë të parët dhe që ata e ndjejnë të domosdoshme ta ruajnë si sytë e ballit… sepse të qenit Dinasti, s’është thjeshtë nji term fjalori… është nji stërmundim historik… që në fund të fundit ta ofron lavdinë…
At lavdi që ndjen sot çdo Tufinas i Tironës…

Shënim: Falenderoj, Marsida T. Najdenin, mbesën ma të dashtun të Bahri Tufinës, për informacionin e bollshëm që më ka ofruar për kët esse, po edhe at shpirtin e traditës tufinase që ajo e ka aq të plotë dhe aq të kollajtë me e dëshmu… Mbetem i mendimit se ky akt mbijetese meriton të studiohet dhe të mbështetet, si ndër të vetmit në kët vend, që përbën të ashtuquajturën Dinasti… e më konkretisht: Dinastia Tironase e Tufinasve… Ata që vërtisin prej treqind vjetësh orët e shqiptarëve… 12 gusht 2013

Marka Tufina 1920
Marka Tufina 1920

Breznitë e Tufinëve –

Dinastia e Sahatçinjve të Tiranës

Belinda Budini (Shekulli 2003)

Adrian Tufina, një nga sahatçinjtë e dinastisë Tufina rrëfen historinë shekullore të këtij zanati dhe biznesi të zhvilluar në Tiranë. Nga vitet 1700 deri në ditët tona, 35 djem dhe një vajzë, Elira Tufina, nga ky fis ndërtuan historinë e kësaj dinastie orëndreqësish.

Tironsa qindravjeçare, Tufinasit, ose si njihen ndrysh edhe dinastia e sahatçinjve të Tiranës. Thesari i tyre një orë e Sulltan Hamitit II. Historia e familjes së tyre ështe odiseja treshekullore e orëve në Shqipëri. Në listën e familjeve ma të vjetra të Tiranës si Bargjini, Jella, Toptani, Petrela, Tabaku, Maçi, Kaceli… figuron edhe kjo familje me breznitë e orëndreqësve. Ndryshe nga Toptanët e Bargjinët, veprimtaria e Tufinasve nga njera brezni ne tjetrën është një veprimtari tregtarësh dhe zanatçinjsh… dhe gjithçka zen fill në mes të viteve 700 me sahatçiun e parë të dinastisë, Ismail Tufinën që ka jetuar 104 vjet, vijuar nga Haxhi Arif Tufina, që vdiq në moshën 114-vjeçare dhe deri në ditët tona kjo dinasti ngërthen 35 djem sahatçinj dhe vetëm një vajzë, Elira Tufina, që e përvetsoi këtë zanat jetëgjatë. Pinjollët e sotëm të Tufinëve, që jetojnë ende në shtëpitë e të parëve të tyre dhe me zanatin e baballarëve, e kanë ndërtuar historinë sipas rrëfimeve gojore të mbrrituna brez pas brezi dhe pemën gjenealogjike e nisin pikërisht me Ismail Tufinën, para të cilit Tufinësit kishin qenë tregtarë të thjeshtë.
Adrian Tufina, 41 vjeç, një nga sahatçinjtë e brezit të mesëm të kësaj familjeje, ku edhe nipërit tanimë punojnë në këtë zanat, tregon për “Shekullin” aventurën e kësaj familjeje që nga gjyshi i pestë i tij në vitet 1700 deri në ditët e sotme. Historia e një biznesi shqiptar që i ka mbijetuar shekujve dhe që vazhdon të jetë suporti ekonomik i Tufinëve pas shumë luftërash, regjimesh të reja dhe me gjithë taksat. Ndërkohë të gjithë Tufinët vazhdojnë të jetojnë në trojet e vjetra në rrugën “Hoxha Tahsim”. Adriani është duke e restauruar shtëpinë e vet 80-vjeçare, në bodrumin e së cilës do të ndërtojë një tavernë antike. Me propozim të një biznesmeni nga Preza, orëndreqësi ynë thotë se do të verë në punë edhe një herë Orën e Pezës në kullën me të njejtin emër. Një mision tjetër do ta shpjerë zanatçiun në Itali ku do të rregullojë dy orët e Manastirit të Parmës.

Ardian Tufina me te birin
Ardian Tufina me te birin

Historia e familjes nga orët diellore…

Në kohën kur fillon kjo histori, tregu i orëve kishte 300 vjet që kishte lindur. Ismail Tufina nuk dinte asgjë rreth tij, megjithatë ai ishte tregtar, njiherësh edhe besimtar. Të udhëtoje deri në Mexhimedine asokohe, duhej të dridhje napolonat. Si duket Ismaili kishte me se dhe u nis për haxh shane Mexhmedine, ku qëndroi një vit. Siç tregon Adriani, orëndreqësi ynë, atje Ismaili paska fjetur në një bujtinë, ku paska takuar një orëndreqës boshnjak. Molin (siç e thërrisnin shkurt në Tironë) e pat tërhequr fort “ky biçim zanoti” dhe për një vit e përvetsoi nga zanatçiu boshnjak. Masandej u kthye prapë n’Tironë ne çeli i dyqan përballë xhamisë, aty  te ish-bar Krimeja. Takimi me engjëllin e fatit kishte ndodhur pikërisht në udhën e Zotit dhe shënoi zanafillën e një itinerari të gjatë nga Ismaili tek Arifi, Haxhiu, Tahsimi, Shabani, Zija, Fiqiri, Bahri… e një mori pasardhësish që të gjithë orëndreqsa deri te 14 orëndreqësit Tufina sot…
Orët e Tufinasve sot dhëshmi e vjetërsisë së këtij zanati në Tiranë.
Gjen mes tyre edhe ora diellore, nga ato të parat, primitivet dhe antiket me vlerë për koleksionistët, që janë klientët më të mirë të sahatçinjve Tufina. Trashëgimtarët meshkuj të Tufinëve, të gjithë u bënë sahatçinj dhe instaluan në Tiranë edhe tregun e orëve.

Bahri Tufina gjatë punës
Bahri Tufina gjatë punës

Marka “Vëllaznit Tufina”

Zvicra në vitin 1936, për nder të familjes Tufina, prodhoi ora muri dhe tavoline me markën “Vëlleznit Tufina”, – tregon orëndreqësi. Njëra prej këtyre orave gjendet ende në paradhomën e Presidentit të Republikës, ndërsa ora tjetër në Kryeministri. Ndërkaq një ekzemplar tjetër e posedojnë vetë Tufinët. Në vitet ’30, siç tregon Adriani, familja Tufina arriti të marrë ekskluzivitetin e orës “Erberhart” për gjithë Ballkanin. “Sot një orë e kësaj marke ka vlerën e 3 mijë dollarëve”, – tregon Adriani. Dhe Tufinet ruajnë ende të tilla syresh. Pas vitit 1750, tregtia e Tufinëve u zgjerua edhe me bizhuteri, kozmetika, ndërsa sot këtyre produkteve u janë shtuar edhe celularët. Klientët e këtyre orëve janë të shumtë dhe kryesisht të huaj e koleksionistë. Ndërsa shitjet e sotme dhe të dikurshme kanë konsistuar në ora të markave “Erberhart”, “Vasheron&Konstandin”, “Rolex”, “Zenith”, “Longines” si ora muri ose ora-kulle nga dy metra dhe në variantin orë xhepi apo orë dore. Ora më e shtrenjtë që ka shitur Adriani thotë se është një orë antike e markës “Vasheron&Konstandin”, me vlerë 32 mijë dollarë. “Kjo orë dore, e cila është një nga dhjetë tipat e rrallë të këtij modeli është blerë për 32 mijë dollarë nga një koleksionist italian financier”, – tregon Adriani. Përveç orëve, Tufinëve u njihet edhe ndërtimi i një urë, Ura e Mzezit, që dikur quhej dendur Ura e Molit, pasi u ndërtua nga Ismail Tufina, pararendësi i famshëm i dinastisë, rreth vitit 1800.

Orët e Tufinsave
Orët e Tufinsave

Familja Tufina dhe historia e Sahatit
 te Tirones

Një orë elektrike kineze është ajo që mat aktualisht kohën mbi Kullën e Sahatit. Kërkesa për blerjen e një mekanizmi antik drejtuar nga ana e familjes Tufina Bashkisë së Tiranës, nuk është marrë parasysh ende edhe pas përsëritjeve të shpeshta. Për blerjen nevojiten fonde, ndërsa Tufinët marrin përsipër ta instalojnë falas. Edhe historia e Kullës se Sahatit është e lidhun me Ismail Tufinën, i cili ka blerë mekanizmin e orës së parë të sahatit në Londër tek vëllezerit Eduart dhe James Prior. Ora u instalua në Kullën e Sahatit në vitin 1828, në at kullë që ndërtoi Et’hem Beu me kontributin e të tjerëve. Ora ishte e pajisur me një këmbanë që peshonte 100 kg, 40% e së cilës përbehej nga material i çmuar, aliazh ar dhe argjend. Sipas gojëdhanës, tingulli i kambanës dëgjohej deri në Dajt. Ky sahat punoi deri në vitin 1916, mandej ushtria Austro-Hungareze, e grabiti orën dhe në vitin 1928, Haxhi Arif Tufina me fondin e mbledhun prej 660 napolonash flori bleu në Zvicër orën “Jugens” për vendosjen e së cilës Kullës iu shtuan edhe 5 metra të tjera. Kjo orë punoi deri në vitin 1944 dhe gjatë Luftës së Tironës orën e goditi një predhë dhe e nxorri jashtë përdorimit. Në vitin 1946, në Komitetin Ekzekutiv thirret Zija Tufina (gjyshi i orëndreqësit tonë) dhe i thuhet se për të marrë triskat e bukës që jepeshin në atë kohë duhej të rregullonte orën. Me anë të një mekanizmi ore nga Kisha e Shkodrës dhe një tjetri të prodhuar nga vetë ai, e rregulloi orën dhe familja Tufina u kujdes për oren e Tiranës deri në vitin 1973!!
“Me pas novatorët soc-realiste e hoqën orën antike dhe e çuan në Korçë dhe në vend të saj vendosën një orë elektronike kineze që është edhe sot”, – përfundon Adrian Tufina tregimin e tij për historinë e Orës së  Kullës së Sahatit.

Ora e parë: Made in Albania


Kush e mban ende mend, ajo ishte një orë tavoline dhe e kishin pagëzuar si Sahati i tavolinës “Tirana”. Eshtë ora e parë e prodhuar në Shqipëri. Mban datëlindjen 1973 dhe është prodhuar në ish-Uzinën Tirana. Sigurisht që meritat për këtë i ka një sahatçi nga Tufinët. Bëhet fjalë për Bahri Tufinën, që ishte i pari dhe i fundit që realizoi një ore Made in Albania.

Alban Tufina
Alban Tufina

Ora e Sulltan Hamitit II, thesari i paçmuar i Tufinëve

Ajo është vërtet një thesar (po të kihet parasysh vlera e pretenduar) dhe Tufinët e ruajnë si të tillë. Vlefta e saj i kalon qindra mija dollaret. “Dy të tilla janë prodhuar në botë, njera prej të cilave gjendet në Turqi dhe tjetrën e posedojmë ne”, – thotë orëndreqsi. Megjithatë, kjo orë nuk e ka parë dritën e diellit prej kohësh. Tre pinjollë Tufina posedojnë secili një pjesë nga kjo orë, të cilën e kanë çmontuar për ta ruajtur. Njëri ruan makinërinë, njeri fushën dhe tjetri kasën e florinjtë 280 gram. Adriani thote se: “Nuk e ka parë qysh prej kohësh të plotë kët orë, pasi ajo gjatë gjith kohës qëndron e çmontuar. Thotë se nuk bëhet fjalë për një orë të madhe por për orën e xhepit të Sulltan Hamitit II, që ka mbrritur në duart e Tufinëve në rrethana jo fort të qarta, por siç thotë Adriani nga ndonjë ankand i berë në atë kohë dhe është ruajtur me fanatizëm duke marrë vlerë më të madhe pas gjithë këtyre vjetëve. Madje i ka shpëtuar edhe konfiskimeve të shumta që u janë bërë orëvë të Tufinëve në kohën e regjimit komunist, pushtetarët e të cilit kanë grabitur një pjesë të konsiderueshme të koleksionit të orëve të familjes Tufina…
(Shekulli. – Nr. 247, 7 shtator, 2003)
(Tirona – al.com)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Familja Tufina – ndoshta e vetmja Dinasti Shqiptare, që ka përcjellë në tre shekuj 36 burra e gra që janë marrë me orët e shqiptare… Nji shkrim i gazetës “shekulli” i vitit 2003 dhe nji esse mjaft interesante në përcjellje të kësaj familje të lavdishme shqiptare…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.