back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Tridhjetë vite bashkëjetesë me dhunën… nga Zonja X

Gazeta

Dhunë... dhe heshtje
Dhunë… dhe heshtje

Tridhjetë vite bashkëjetesë me dhunën…

nga Zonja X…

(Rrëfim i nji gruaje të panjohur)

Familja ime jetonte prej vitesh në një nga kampet e shumta të internimit në rrethin e Lushnjes, së bashku me plot familje të tjera, që ndanin fat të ngjajshëm me tonin. Ne ishim katër fëmijë: dy vajza e dy djem dhe unë isha fëmija më i madh.
Familja jonë ishte një familje e qetë, nuk përziheshim fort me hymje e dalje, dhe ndër ne mbizotëronte mirkuptimi dhe dashuria. Vërtet prindët e mij punonin në bujqësi dhe lodheshin shumë, (rraskapiteshin është fjala më e saktë), por babai jonë i kishte duart e arta… dhe pa ra në sy punonte me aq sa mundte edhe privat në shtëpi. Si fëmija i parë unë isha shumë e lidhur me babën, dhe ai më trajtonte si krahun e djathtë të vetin, pra qysh fëmijë unë isha edhe djalë edhe vajzë për prindët e mi, mbasi edhe fëmija mbas meje ishte po vajzë… Kështu u rrita pak para kohe dhe u bëra pjesë e lodhjes, qysh në moshë të re. Kur isha nja tetë-nëntë vjeçe, i them motrës më të vogel se: “Ne jemi me biografi të keqe…” dhe kur ajo e habitur më pyeti  se “çfarë kemi të keqe ne?!” – unë nuk dija si t’ia shpjegoja, veç i thashë: “Shumë shpejt ke për ta kuptuar, kur të shkosh në shkollë, pse ne jemi ndryshe!”
Pra edhe unë u rrita me atë përçmimin e gjithë atyre fëmijve… “që ishin ndryshe nga të tjerët!!” Dhe dallimi i parë ishte në shkollë. Aty, kurrë as mua, as ata si unë nuk na lavdëronin mësuesit dhe pse ishim shumë të mirë me mësime. Kurrë nuk mbrrinim as në tabelë të nderit, as fletë lavdërimi, as te dhuratat e vitin e ri, as në konkurse… Unë si mjaft nga shokët e shoqet e ia isha fëmijë i përjashtuar!
Kur isha në klasë të pestë, na erdhën për kontroll nga Drejtoria. Mësuesja më ngriti në mësim dhe mbasi u përgjigja shumë mirë, më vuri 10… Të nesërmen shoqja e bangës më tha: “Drejtoresha i bërtiti mësuese B. pse të vlerësoj me 10… Jepu më pak atyre! – i tha…
Mbasi mbarova klasën e tetë, dhe dëshiroja ta vazhdoja më lart, prindët e mi s’lanë portë pa rrahur e zyrë pa shkelur, që edhe unë të gëzoja së paku të drejtën e vazhdimit të shkollës së mesme në qytetin e Lushnjes. Me javë të tëra ata u rropatën të shkretët, dhe gjithkund përgjigja ishte një: Jo! – e madhe! Po Babi im nuk rreshti së këmbënguluri. Me dëftesën time në dorë ai hynte te një zyrë dhe dilte te një tjetër, derisa me shpirt nëpër dhëmbë një ditë mbrriti ta ma sigurojë letrën e regjistrimit tim… që unë të vazhdoja gjimnazin e qytetit.
Kurrë nuk e kam pa më të lumtur tim atë se atë ditë… Më dukej sikur kishte fituar betejën më të madhe të jetës së vet, dhe unë s’mund ta harroj fytyrën e tij atë ditë…
Kështu e fillova gjimnazin me vetëdijen e plotë se nuk do të shkoja asnjë hap më lart… e megjithatë, mendova se kultura dhe shkolla do të ishin e vetmja vlerë dhe paja që do të mbetesh brenda meje… Në të njejtën kohë vazhdoja të punoja me Babin në shtëpi, duke e ndihmuar gjithnji familjen në vështërsitë e papërshkrueshme të jetës së kampit…
Nuk mund të them sa e zonja, apo sa e bukur isha n’ato vite të Gjimnazit. Ndjehesha një vajzë e thjeshtë, fytyra gjithnjë me qeshte, e ndoshta edhe mund të kisha ndonjë mërzi, po atë kurrë s’e shfaqja, isha mjaft e sjellshme dhe e dashur me shokët e shoqet, mundohesha gjithsesi ta harroja se nga vija, po ishte e pamundur. Mund të them se kishte mjaft djem në shkollë e jashtë saj që përpiqeshin të më binin në sy e të me dëshmonin ndjenjat e tyre, bile ndonjëherë kërkonin të me ndalonin edhe pak me forcë që unë t’i dëgjoja ndjenjat e tyre… por dyshimi dhe mosbesimi im ishte aq i madh, sa në heshtje i kisha dhënë vetes një betim: “Nuk do të lejoj askënd të luajë me mua dhe ndjenjat e mia, vetëm e vdekur!” Mbasi, kishte pasur edhe raste kur histori të kësaj natyre kishin pasur fund mjaft të dhimbshëm…
Me kët betim… e mbarova gjimnazin dhe tashmë vajzë e hijshme 19 vjeçe, plot dëshira dhe ëndrra, vendosa që atë verë mbas provimeve të Maturës të shkoja për ca kohë me pushime te njerëzit e mamit, mbasi tash s’më priste tjetër veç punët e rënda të të bujqësisë!!
Kështu, e ndodhur mes të afërmve të mi, atë verë njoha edhe nji djalë mjaft serioz, i cili mbas ca kohe çoi fjalë ndër njerëzit e mi atje se ishte gati të ma kërkonte dorën për fejesë!!!
U ktheva nga pushimet, me njifarë lumturie të brishtë, dhe pashë se prindët e mi at verë kishin filluar përpjekjet stërmunduese nëpër zyra, për regjistrimin në shkollë të mesme të motrës tjetër… të cilën një vit më parë s’e kishin lejuar ta vazhdonte gjimnazin. Prindët ishin të mërzitur prej pengesave që u nxirrnin fëmijëve të tyre, që nuk i lejonin të vazhdonin shkollën, po edhe për mua, që mbasi u futa në punë, më dërguan të punoj në bujqësi me një brigadier komunist, bir i një komunisti të thekur. I vetmi “fat” nëse mund ta quaj kështu, ishte se në atë brigadë gjeta katër gra të interrnuara nga familje shumë të mira, që më afruan të punoja me to. Lodhja vërtet qe e madhe, por ngrohtësia dhe dashuria e atyre zonjave, më bënë të mos i ndieja edhe aq shumë vështirësitë e fillimit… mbasi gjithnji do të kisha fjalën e mirë dhe ndihmën e tyre të përditshme.
Në atë kohë sapo mbusha 19 vitet, dhe gjithçka po më shkonte mirë. Familja e djalit që më kishte njohur më kishin pëlqyer, dhe atë vjeshtë qe lënë edhe dita “të pinim kafet” e të shpallej edhe fejesa…
Në fund të Marsit të vitit 198…, arrestohet një komshiu jonë, i cili qe edhe shok i babit tim, dhe shpesh punonin bashkë. Motivacioni dihej… ai i përhershmi që i ndiqte si fantazëm familjet tona: “Agjitacion e propagandë… dhe pjesëmarrje në grup armiqsor…!”
Ishte fillim prilli, dhe punonim në prashitje luledielli. Diku ishin këputet nja dy fidane të vogla. Kur shohim brigadierin që bërtiste si i xhindosur, dhe me një harbutëri bishe na u drejtua: “Ju, armiqtë e popullit, sabotoni gjithandej punën e Partisë…!” Ishte e para herë që përballsha me një situatë të tillë, dhe me thënë të drejtën, u tremba pak…  Durova, durova po kur pashë se ai po vazhdonte avazin, ju ktheva: “Shih mirë se kush i këput ato fidane. Ne jemi puntore dhe jo armiq të popullit, apo pse ti qenke komunist ke të drejtë të sillesh me ne, si të do qejfi ty…” Pa e mbaruar mirë fjalën, më përzuri nga puna, dhe më tha se duhej t’u paraqisja te sekretarja e partisë, një përbindëshe, që ashtu si e kishte fytyrën të zezë, më të zi e kishte shpirtin. Kthehem në shtëpi, e prerë në fytyrë dhe ju tregoj prindërve fije për pe çfarë më kishte ndodhur atë ditë. Mërzia e tyre qe aq e madhe sa ata u shqetësuan seriozisht si do shkonte fati im… Mbas ballafaqimit me sekretaren e partisë, si masë ndëshkimore ndaj meje u vendos të më hiqnin nga ajo brigadë, duke më caktuar në një brigatë e cila i kishte tokat shumë larg…
.
Violence...
Violence…
Ndërkohë që prisja të filloja punë, vjen një burrë nga ata të shërbimeve (edhe sot ia kujtoj fytyrën) dhe i bjen derës. Isha krejt vetëm në shtëpi dhe pak u tremba nga ajo trokitje e egër… Mbasi e hapa derën me kujdes, njeriu që m’u shfaq më tha: “Të kërkon operativi i zonës, në zyrë… Mos u vono! More vesh!” Më shkoi një e dridhur në trup, po s’e dhashë veten. I bëra nji shenjë habie: “Muaaaa operativi?!? “Po, po, ty!” – ma ktheu dhe iku si hije, pa mundur të sqaroja asgjë më tepër… Në sekondë, kujtova se e kisha takuar atë djalë me prindët për probleme të ndryshme. Në atë çast vdiqa. Ashtu siç isha e veshur pa shumë kujdes, u nisa te zyrat e sektorit. Ishte një ditë e bukur dhe me diell, dhe unë s’e di pse isha veshur trashë si të ishte kulmi i dimrit. E ndërsa ecja rrugicave për çfarë s’më shkonte mendja: ndoshta më pyet për shokun e babit që kishin arrestuar; ndoshta për zënien me brigadierin; o mos ndoshta më bën presion për babin që punonte nganjëherë privat në shtëpi… E ndërsa më vinin gjithfarë mendimesh, ai më shfaqej, ashtu djalë i pashëm e i hijshëm aq sa binte në sy, mbasi ishte edhe nga Tirana… U përpoqa ta shlyej at imazh, dhe të mendoja hallin që duhej të përballoja… E vendosa të flisja fare pak, o aspak. Ndërkohë kisha mbrritur te zyrat e sektorit dhe zyrën e tij e dija ku ishte. Mora frymë thellë dhe i rashë derës. Kur dëgjova një zë nga mbrenda “Hyrë”, e shtyva derën ngadalë dhe u futa gjithë droje. Kurrë s’kisha parë një zyrë si ajo. Përballë derës ishte një shtrat. Dhe përballë shtratit nji tavolinë pune nga ato të kohës, ku rrinte operativi, i veshur me një kostum gri, sigurisht i krehur e i parfumosur. E përshendeta “Mirëmëngjes!” po nuk mora përgjigje prej tij. Vetëm se pashë që ai u çua nga tavolina dhe u drejtua nga dera. Mendova, se po dilte jashtë. Nuk di pse ndjehesha si e mpirë. Nga pas ndjeva rrotullimin e çelsit në bravë me nji zhurmë që m’u duk si krismë. Më shkoi gjaku në fund të këmbëve… S’pata kohë të mendoj asgjë më tepër, veçse ndjeva dy duar të fuqishme që më mbërthyen nga mbas dhe u ndjeva në një fluturim të paimagjinueshëm dhe veten e pashë të shtrirë në krevat dhe atë njeri të ngjeshur mbi mua. Gjithçka ndodhi me nji shpejtësi që as mund ta imagjinoja. Si ishte e mundur që gjendesha aty në shtrat, pa asnjë dialog, pa as një “mirëmëngjes”, pa asnji fjalë të vetme. Nuk po arrija ta mblidhja veten, më dukej sikur nuk isha unë… di vetëm që po i ndieja të puthurat e tij kudo nëpër fytyrë,, në buzë, në gushë… po përpëlitesha si nji njeri që s’ka asnji kontroll mbi veten, derisa nisa të ndjej që po më hiqeshin rrobat e para prej trupit dhe të ndjeja duart e tij fuqishme të më nguleshin si kthetra në trupin tim… Aty u përpoqa ta mbledh veten, nuk e di nëse kam klithuar, mbasi njera dorë e tij ma bllokonte gojën… Si duket njeriu mbrrin nji çast dhe gjen nji fuqi prej bishe të egër… Ashtu u ndjeva dhe e kam shtyrë me gjithë fuqinë e trupit dhe shpirtit, atë njeri që me kish xhveshur mjaft… dhe e kam hedhur në anën tjetër duke e larguar nga vetja. Jam çuar në këmbë dhe e kam kërcënuar: “Mos guxo të më prekësh më, se do ulëras me sa fuqi të kem! More veeeesh!” – thirra dhe me shpejtësi u përpoqa të vishem e të mbulohem, dhe me xhaketën e vjetër në dorë kam shkuar te dera, duke u përpjekur ta hap me forcë, por nuk munda. Atëherë u kujtova se ishte e mbyllur me celës.
“Ti s’e ke bërë asnjiherë?” – dëgjova të më pyeste nga pas… “Jo, asnjiherë, kurrë!” – i thashë dhe lëviza me nervozizëm çelsin në bravë, derisa e ndjeva që dera u hap. “Shpëtova” – mendova me vet. U shpupurisa disi ta fshihja tronditjen dhe u turra ngutshëm nëpër korridorin e zyrave, aq sa edhe sot më bëhet sikur dëgjoj zërat e administratës së sektorit.
Dola në rrugë dhe e ktheva kryet pas mos po me shihte a ndiqte ndokush… Asgjë. Atëherë u dhashë këmbëve dhe drejt e në shtëpi. Ndjehesha aq e tronditur sa nuk arrija ta besoja atë që më  kish ndodhur atë ditë… Më dukej sikur kisha dalë nga një ëndërr e keqe që kish ndodhur sa hap e mbyll sytë.
Po kur pashë xhaketën e shqyer dhe shenjat e e duarve në fytyrw e në trup… besova se nuk ishte ëndërr. Dosha ta ulërija atë që më kishte ndodhur, po kujt t’ia tregoja. T’ia tregoja prindërve, e çfarë do të bënin ata për të më ndihmuar, motra dhe vëllezërit ishin të gjithë më të vegjël. T’i tregoja të fejuarit “A do më besonte vallë?!” E ku e dinte ai jetën tonë të internimit!!! S’di kujt mund t’ia tregoja… dhe kjo s’di kujt mund t’ia tregoja… ka tridhjetë vjet që jeton brenda meje… Sepse s’mund t’ia tregoja askujt, mbasi kështu mund ta shkatërroja veten time, familjen time, fatin tim… Frika ishte e madhe, se mund të dëmtoja të gjithë ata që më donin.
Kështu vendosa të hesht, dhe t’i falem Zotit që më kishte dhënë forcë bishe për ta hedhur atv bishë që kish ngulur kthetrat ne trupin dhe shpirtin tim.
Kështu vendosa dhe heshta, po kurrë nuk kam mundur ta largoj këtë tmerr nga vetja. Ai më shfaqej herë mbas here, dhe herë mbas here më duket sikur dikush afrohet të më dhunojë…
Mbas ca kohe ai e thirri edhe të fejuarin tim në pyetje, dhe i bëri mjaft presion ndaj meje, duke i përmendur krejt biografinë e familjes sonë… Më pas e akuzoi edhe Babanë për “Tentativë arratisje”, gjithnji me forma nga më të ndyrat që unë ta kuptoja se do të isha vazhdimisht nën kërcënimin e tij nëse do të guxoja të hapja gojë…
Falë Zotit mbas ca kohe u martova dhe ika prej andej, po edhe komunizmi me të gjithë të keqen e vet, s’kaloi shumë dhe e mori teposhtën… Veçse ajo e keqe e asaj kohe, edhe sot mbas 30 vitesh është ende e gjallë në shpirtin tim…
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. “Kush më vjedh kuletën, më vjedh diçka pa rëndësi. Paratë ishin të miat, u bënë të tijat. Kanë qenë skllave edhe të shumë të tjerëve: Por kush më merr NDERIN, me vjedh diçka që atë vetë nuk e pasuron, por mua më le me të vërtetë të Varfër…” William Shakespaere.
    NDERI ka qënë edhe është në çdo kohë. Po Koha e Diktaturës ishte koha më e ndyrë e njerzimit. Diktatura të dënonte për imoralitet, por ata s’kishin mëshirë për (të deklasuarat) të ishin lojrat e tyre të ndyra, të ishin bashkëpunetoret e tyre. Nga krimet më të ndyra mund të gjesh të asaj kohe, por asnje s’i dinte, se rrinte goja e kyçur (po me gjen diçka, edhe më e keqe se kjo!!!). Tani lexojmë dhe dëgjojmë çfarë mizorish ka pasë në atë kohë, qysh nga pushkatimet, burgosjet, internimet e syrgjynosjet e deri te merrja e NDERIT.
    E respektoj këtë zonjë që ka gjetur forcën t’i thotë JO asaj bishe, por e falenderoj që e ndau me ne atë Dramë të hidhur të jetës së saj. Në çfarë gjendje mendore, do ketë qenë ajo, që e ka mbajtë për vete atë të keqe, dhe ndoshta është dashtë ta shohë përditë atë bishë.
    Respekt për këtë zonjë e për të gjitha ato gjyshe, nena e vajza që u përballën me situatat më çnjerzore në ato kampe internimi…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.