back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Tri Perla të Poezisë Lirike nga Magjiku i Labërisë – Ali Asllani

Gazeta

Poeti Ali Asllani (1884-1966)
Poeti Ali Asllani (1884-1966)

Tri Perla të Poezisë Lirike

nga Magjiku i Labërisë – Ali Asllani

Do t’i shtrydh të dy sytë

Un’ jam un’, saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!

"Vajza Shqiptare" Jan F. P. Portielje
“Vajza Shqiptare” Jan F. P. Portielje

Vajza Shqiptare

I
Kush të ka dërguar, hëna apo djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli?
Nëpër ato pate, madhëri e artë,
Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,
Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,
Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,
Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!
Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,
Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,
Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!
Kush të paska rritur, kush të ka selitur?
Trupi i yt i bukur si flori i situr!

Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,
Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?
Ku është ai pyll, ku është ai mur
ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

II

Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli?
Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?

Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde?
Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde?
Desha që ta dija ku është ylli yt,
Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!

Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie,
Lum kush të ka afër, kurse nata bie;
Në je ndonjë hije, hije hyjënore,
Kthema zemrën time, zemrën që ma more!

Në je ndonjë erë, një veri në ver’,
Nga se po të digjet trupi ylyver?
Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’,
Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!

Në je xhevahire, nga se ku je dukur?
Nga se xhevahiri rri në kuti futur?
Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?
Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,
fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!
Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,
Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?

– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,
Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;
Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,
Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

Çdo të mira kemi, djelli si ar
Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’,
Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel
Edhe erë e bukur na deh e na vel!

A e more vesh kush më ka qëndisur?
Është dritë e djellit që më ka stolisur,
Është drtië e djellit, është dritë e hënës,
Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!

Bukuri shqiptare...
Bukurite shqiptare…

Vidi-Vidi Pellumbeshe

Pyeta valët vogëlushe;
mu si krahët e një gushe
përmbi supe nga një shkumë,
kush më pak e kush më shumë,
venë e vinë e shkojnë e shkasën
dhe përhera për ty flasën.

Valëza, o valëza,
farë e fis me vashëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Ruaje zot nga erë e huaj!

Pyeta zoga, pyeta zogj,
pyeta zemrën që m’u dogj,
pyeta lulet nëpër baça,
nëpër baça, që un’ plaça,
muaj e vitra po të pres,
vidi-vidi pëllumbeshë!

Vidi-vidi zogëza,
farë e fis me zojëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Një minutë e gjat’ një muaj!

Vidi-vidi pëllumbeshë!
për ty qaj e për ty qeshë,
për ty qesha; gjithë jeta
me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
u bë fli për ata sy;
çdo gëzim ta fala ty!

E çdo brengë e mbajta vetë.
Tash afroi e thënë e shkretë,
dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
rroj për ty e vdes për vete!

Ali Asllani, poeti i dashurisë

Ali Asllani u lind në Vajzë të Vlorës, ku që në moshë të re mbeti jetim. Në Vlorë ai kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “Zosimea” në 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga antarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit, filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës. Më 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912, punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarsisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri në 22 janar 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princi Vidit shkoi disa kohën në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10.11.1915-1.1.1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqënëse kundërshtoi pushtimin u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 – 5 nëntor 1920, ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921-1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretari parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930-1932, ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934, përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua antar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952, mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.
Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko-Halla” në 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960-’66 përmendim: “Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960), “Shqipëria kryesorja” (1961),“Vajzat dhe dallëndyshet” (1964), “Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua në 1973 “Poezia shqipe”. Është autori i këngës së njohur “Vlora, Vlora”.
Pas viteve ’90, iu botuan disa libra si “Poezi të zgjedhura” në 1996, dhe “Vidi, vidi pëllumbeshë” në 1999.
Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.
Aktori i Teatrit kombëtar Bujar Asqeriu së fundi ka nxjerrë në treg një kasetë me poezitë më të bukura të poetit Ali Asllani
(marrë nga Wikipedia)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.