back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Mars, 2026

Tre Vllaznit… – Humor e histori, jo përrallë…! – nga Lukë Luka

Gazeta

Tre vllaznit...
Tre vllaznit…
Tre Vllaznit… – Humor e histori, jo përrallë…!
nga Lukë Luka
(Me motive të marrë prej poezive të poetit shkodran Fabjan Çoba)

Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore (rusi, amerikani e inglizi), ne shqiptarëve na lanë dhuratë tre vëllazën.
Vëllai i parë kje Jugosllavi. Titoja, ai kroati, rritë me çorbë ruse e japrak, na u tregue vëlla dhelprak e hilexhi. U ba mik me nji teneqexhi korçar e me të filloi me ba do qare! Filloi në Shkodër me shtetizimin e fabrikave e konfiskimin e mallnave të tregtarëve të ndershëm shkodranë!
Për katër vjet me radhë, shkepën, vjelën dhe vodhën njerëz, pare e mall e për peng mbajtën Kosovën! Tregtarët e bijtë e tyne i mobilizuen me përdhuni, me ngarkue mallin, vue me djersën e ballit të baballarëve, prej portit të Durrësit në portet jugosllave!!
Shkodra u vorfnue. Trisketimi u vu, arrestime e burgime! (Mbi 20 burgje kishte në kët qytet)!..

Kur u prish vëllaznija e parë, vëlla të dytë bamë ate Stalinin me mustaqe të Kremlinit, kriminelin e rruzullimit. Sa për sy e faqe, u duk se u përmirësue pak jeta. Në Shkodër, si gjithnji, humor, kangë e barcoleta! U ndërtue nji kinema e nji teatër dhe nji ndërtesë e madhe 5-katëshe afër Kirit, që gjatë ndërtimit u thirrte uzina e fermentimit (duhanit). E në Tiranë u trombetue me të madhe si kombinati i tekstilit, që prodhonte stof me lesh dhije! Rrobaqepësi Filip Daija e krahasonte me lëkurë iriqi… Erdhën edhe do gra të bukura sovjetike e simpatike (i prune studentët që shkuen për studime akademike!!)!
Kështu vazhdoi jeta derisa erdh ai tullaci, Hrushovi pa mustaqe, qi me udhëheqësit tonë servilë u rrok e u puth faqe m’faqe. Në Pazar, për hatër të tij u mbushën gropat, e entuziazmin e muer vesh gjithë Europa!
Por edhe ky rusi, vëllai i dytë, e kishte pasë me hile edhe me sherr, e iku e na la n’hije e n’terr!..

Porsi kurva që s’rrin kurr’ vetëm, me përdhuni e prej hallit, gjetëm vëllaun e tretë, Mao Ce Dunin (atë që me not kish kalue lumin)! Kina e madhe na e lehtësoi disi hallin. Me ma shumë njerëz se male e tokë, për nji flamur me shetitje në det, u bamë me kinezët vëllazën e shokë! U rregullue disi jeta. U ndërtuen disa fabrika, uzina e diga (H/C i Vaut të Dejës), e Shkodra u mbush me biçikleta!.. Me tregu sa mirë kem shkue na shqiptarët, ata kinezë, bante nji vjet në hartë me i kërkue! Kur Ismajlit, nji kinezi i shkeli kambën, kalaja e vëllaznisë u rrëzue! Fryni nji erë e fortë verì dhe vëllaznit kinezë, si dy të parët, na i përzuni Enveri!

Nuk po shkruej ma gjatë (se po më kritikoni si profesoreshë Zenepen) për vëllaznit tonë këtu binjakë e baxhanakë, që sa mirë shkojnë!?
Gratë, për lehtësi gatimi, kishin pjatën “miqësia shqiptaro-kineze” (pilaf orizi me groshë)!
Lukë Luka – Saluzzo

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.