
Fatos Arapi, Shtërgu që shkretoi qiellin e lirikës
nga Shaip Beqiri
Nekrologji për Fatos Arapi – 19.07.1930 – 11.10.2018
Në këtë ditë të zymtë vjeshte paska ikur edhe një shtërg i lirikës shqipe, njëri ndër më të mëdhenjtë e saj në kapërcyell të mijëvjeçarëve tanë: Fatos Arapi. Se ç’më erdhi në kujtesë të kësaj zie Arapi midis dy poetëve sivëllezër që ikën njësoj ngadalë e heshtas duke u shuar në ngjitjen e tyre të vazhdueshme lart e më lart: Poradecit e Rreshpes… dhe plejadës së shkëlqyer të poetëve të papërsëritshëm të Kosovës. Shumë prej tyre ikën në kulmin e pjekurisë krijuese, jo pak prej tyre ende të rinj, sado që prapa vetes lanë vazhdat e ndritura në qiellnajën e gjerë e të lartë të shqipes.
Fatos Arapi u shua në moshë të shkuar, njësoj si bardi i modernitetit shqiptar, Lasgush Poradeci. Të dy deri në mbarim ndoqën udhën e përjetësisë në heshtje, duke refuzuar urtësisht e llahtarisht përbuzjen që i ndoqi gjatë dhe pandalshëm.
Kjo plejadë e madhe e letërsisë shqiptare, galaktikën e së cilës e përbëjnë aq shumë autorë ndër më të mirët në përmasa shumë më të gjera se ç’janë ato provinciale, krijoi artin e vet të madh jo prej fjalësh e frazash sa prej mishi e gjaku, por fati i saj i keq qe konstelacioni i klimës së egër në të cilën i ra hise të gjëllinte.
Sa vuajti dhe ç’andralla pati Fatos Arapi nga një klimë e tillë e helmuar kulturore, e cila me parimësi të rrepta mesjetare ndëshkimin e bën me murtajë harrese dhe me heshtje të përbindshme, edhe tash dihet jo pak, por nesër do të dihet akoma më shumë…
E njoha para plot dyzet vjetësh. Desha me ngulm të ndodhesha sa më shumë që ishte e mundur me të e pranë tij. Që atëherë, me librat e parë të botuar, kishte prekur majat e lirikës shqipe dhe po jepte prova serioze ndër fusha të tjera të krijimtarisë. Më bënte përshtypje afërsia e një njeriu që rrëzëllente fisnikëri të paskajshme, lehtësia e të biseduarit me çdokë që ndërronte qoftë edhe dy fjalë.
Pas shumë vjetësh, pas kohës tepër të rëndë që pllakosi Kosovën, e takova përsëri kur u ndodha të parën herë në Tiranë. Ishte njeriu me të cilin kalova çaste të paharrueshëm. Bisedat me të më shërbyen të kuptoja lehtas e shpejt thelbin e atij realiteti kaotik që kishte kapluar tërë vendin. Tek ai nuk kishte ndryshuar asgjë: po ajo lehtësi e çiltërsi komunikimi, po ajo dashuri e pastër për njerëzit dhe brenga e pafshehur për Kosovën.
Shumë më vonë, pas mërgimit tim, u ktheva në Tiranë me shpresa e dëshira të reja, se do të jetë kthjellur ajo klimë ngulfatëse, se do të takoja e të rrija në qetësi me miqtë e kolegët e mi të vjetër e të rinj. Takova shumë njerëz të njohur që shtireshin se ishim harruar disi gand, por asnjëherë nuk munda ta takoja Fatos Arapin, atë që e kërkoja gjithnjë dhe më shumë se askë tjetër. Atë dëshirë ua shfaqja të gjithëve që takoja, sidomos mikut tonë të përbashktë Xhevahir Spahiut, por të kota mbetën të gjitha, madje edhe caktimi i çdo takimi tim me këdo tek kafeneja ku kishim ndenjur gjatë dikur me mikun e paharrueshëm dhe poetin e papërsëritshëm Fatos Arapin.
Prehu në qetësinë e përjetshme, në katedralen e së cilës hyre kaherë me urtësi të hyjnueshme!
Lamtumirë, Fatos Arapi!

Fatos Arapi dhe Republika e Kosovës
Para se ta takoja për të parën herë Fatos Arapin në maj 1978, kur erdhi i ftuar në Mitingun e Poezisë në Gjakovë dhe ndeja pastaj gjatë me të në Prishtinë, ishte takimi im me poezinë e tij tek libri “Kaltërsirat” dhe sidomos magjepsja me një cikël të gjerë poezish te “Nëntori”, ku kishte vënë në qendër motive të Kosovës. Edhe në takimet e ndejat e mëvonshme, si tek asnjë koleg e mik tjetër në Shqipëri, dashurinë për Kosovën nuk e hasa tek askush tjetër sa tek shkreptima magjike e syve të Fatosit. Ai atë dashuri e pati shumë të vërtetë e të pashuar dhe sidomos aspak të shtirur!
Një cep të kësaj dashurie e dëshmon edhe kjo fotografi tepër e rrallë, ku poeti mban flamurin kombëtar midis të rinjsh në një demonstratë në mbështetje të Republikës së Kosovës.
Ishte hera e dytë që ndodhesha në Shqipëri, në gusht 1992, kurse nga njerëzit e parë që kërkoja të takoja në Tiranë ishte gjithnjë Fatos Arapi. Ai erdhi shpejt dhe me gëzim, por, sa mori vesh për demonstratën që po bëhej kundër krye-ministrit serb Milan Paniq, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në kryeqytetin shqiptar, iku edhe më me vrull dhe u vu në ballin e atij demonstrimi për Republikën e Kosovës.
Le të jetë kjo pamje edhe një homazh për poetin e madh dhe mikun tim shumë të dashur, Fatosin!

Nderi, Haraçi dhe Lavdia e Poetit
Përkujtim i Fatos Arapi në nëntëdhjetëvjetorin e lindjes
Një koincidencë kaq e habitshme: ditë më ditë dhjetë vjetë pas Fatos Arapit paska lindur Frederik Rreshpja, dy poetët më të mëdhenj të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX e më tej.
Unë kam njohur kaq shumë kolegë e miq të dashur, por atë fisnikëri e çiltërsi tepër rrallë nuk e kisha gjetur gjetkë si tek Fatos Arapi. E takova së pari herë në rininë time të hershme në Prishtinë (1978), kurse herën e parë që mbrrita në Tiranë (1992) njeriun e parë që kërkova të takoja ishte pikërisht Fatos Arapi. Nuk ishte çfarëdo ndenje të uleshe, të rrije e të shtroheshe në biseda pa fund me të. Nuk kisha takuar dikë tjetër që do të më ndihmonte e orientonte aq shpejt e saktë, duke më futur përnjëherë në thelbin e kuptimit të asaj që po shihja me aq llahtari e dashuri përzier në kontaktin tim të parë të drejtpërdrejtë me realitetin e Shqipërisë së përfshirë nga çdo anë prej valash gjigante të një demokracie të çoroditur, e cila me dhembje të padurueshme po shkërbente faqen tjetër të diktaturës së egër.
Fatos Arapi më foli me zemër, me besim dhe me dashuri. Në sytë e tij përherë të lëngëzuar, që më shumë se lotët njerëzorë unë vija re vajin e ullinjve të vendlindjes së tij, në të vërtetë aty lexoja dhembjen e fshehur të Poetit. Edhe dhembjen ai e kishte krejtësisht të vetes, të veçantë e shumë luksoze!
Në këtë ditë të shënuar në kalendarin e poezisë shqipe, duke e përkujtuar mikun tim të shtrenjtë, poetin e madh Fatos Arapin, njërin nga krijuesit me të vërtetë të papërsëritshëm të tempullit të kësaj poezie, dua ta përmbyll me fjalët e tij mbrus me ndershmëri, me vërtetësi dhe me madhështi të llahtarshme, ashtu siç mund të bënte veç një shpirt i kulluar çfarë e ka Fatos Arapi (nuk thashë: e kishte!).
Fatos Arapi: Shqipëria e ka lirinë të më gjykojë, jo lamashët!
Personalisht, duke parë nga jeta ime 65 vjeçare sot, jetën e krijimin tim, unë pranoj ndershmërisht se në krijimtari i kam paguar haraç, dhe ndonjëherë jo të vogël, diktaturës së egër shqiptare, – por më është dashur të mbijetoja, unë nuk luftoja me pushkë, me pushkë luftoi Vllasi, unë më trim se ai nuk kisha për të qenë kurrë, e Vllasi mbeti baltërave e përrenjve të Kavajës, dhe unë s’po ia gjej dot eshtrat as sot. Unë luftoja me penë, isha vetëm një poet fillikat, dhe më shumë nuk mund të bëja. Kam bërë aq dhe atë që kam mundur. As babanë e as vëllanë tim nuk e kam turpëruar. Në qoftë se i kam bërë ndonjë padrejtësi Shqipërisë, Shqipëria e ka të lirë gjykimin e saj, por Shqipëria ama, e jo lamashët.