
Tifozët Kuqezi dhe “Edepsëzët” Kuqezi
nga Gëzim Zilja
Edepsëz është fjalë turke. Ajo rrjedh nga “edep” (edukatë/moral) dhe prapashtesa “-siz” (pa), duke nënkuptuar fjalë për fjalë “të paedukatën”.
Përkthimi: I paedukatë, i paturpshëm, i ndyrë, imoral, i pahijshëm.
Konteksti: Përdoret për të kritikuar dikë që shkel normat shoqërore ose sillet me mungesë respekti.
Edepsëzë gjen kudo në Shqipëri: në autobusët urbanë, në zyrat e shtetit, në shkollat nëntëvjeçare, në universitete, në fasoneri, në ministri, madje edhe në rrugë e trotuare. Edepsëzët nuk janë të organizuar; ata paraqiten të veçuar, por ta bëjnë jetën të vështirë me sjelljet e tyre. Shoqëria ka kohë që është e sëmurë nga imoraliteti që ndesh kudo, por kur ai organizohet në turma dhe shoqëria – e sidomos organet shtetërore – bëjnë sehir, atëherë kemi të drejtë të themi se po zhytemi në fekale e po na mbyt “edepsëzllëku”.
Është fjala për një pjesë të konsiderueshme të tifozëve vlonjatë, të cilët, të paktën për dhjetë vjet rresht, krahas thirrjeve plot qytetari si “Flamurtar, Flamurtar!” ose “Flamurtar, je zemra jonë!”, përdorin në kor thirrje të pamoralshme. Jo një apo dy herë, por gjatë gjithë ndeshjes, për minuta të tëra. Kam parë tri ndeshje radhazi të Flamurtarit në stadium dhe një herë në Tiranë. Thirrjet fyese nuk kishin të pushuar; nisnin për arbitrin (duke mos kursyer as lojtarët e as trajnerët e kundërshtarit) që, sipas tyre, nuk po arbitronte drejt.
Ajo që të trondit më shumë është se këta tifozë edepsëzë tashmë janë shtuar edhe në ekipet e tjera. Të më falni, lexues të dashur, por unë do t’i shkruaj në shqip sharjet siç ata çirren pa pushim, duke përsëritur për minuta të tëra: “O arbitër, të q… motrën!” Sipas rastit, fjala “motër” zëvendësohet me fjalët “grua” ose “robtë”. Ka edhe sharje të tjera që nuk po i përmend, mbase edhe më të shëmtuara. Duket sikur ka një garë se kush të shajë më shumë e më shëmtuar.
Në ndeshjen e fundit në Vlorë para ca kohësh (në stadium nuk shkoj më), vërejta posaçërisht drejtuesit e klubit sa herë përsëriteshin sharjet. Dikush qeshte, dikush thoshte: “Filluan këta legenat prap”, ndërkohë që presidenti i klubit përdrithte tespihet e shtrenjta turke dhe buzëqeshte – jo i lumtur, por as i mërzitur.
“Flota Kuqezi” janë vetëquajtur këta edepsëzë, që as një parullë, siç duket, nuk dinë ta shkruajnë saktë. Kanë mbi dhjetë vjet që sokëllijnë stadiumeve, madje jo rrallë guxojnë e përleshen fizikisht thjesht për argëtim me “armiqtë” (skuadrën mike).
Ju pyes ju, tifozë të “Flotës Kuqezi”: A keni motra, nëna, gra ose të dashura?! Kur shkoni në shtëpi, a u tregoni motrave, nënave, grave apo fëmijëve se çfarë bëni në stadium? Merreni një herë familjen tuaj në stadium që t’ju dëgjojnë! A do të kishit guxim të silleshit si “shkërdhata” (fjalë e përdorur nga vetë ata) me to në krah? Po sikur dikush t’ua kthejë sharjen juve?
Ti president i klubit, ti drejtor sportiv dhe gjithë stafi: a jeni dakord me edepsëzët e tifozërisë, që qeshni, rrini indiferentë ose dridhni tespihet? Ju, tifozëria qytetare vlonjate, si lejoni t’ju mbysë llumi dhe turpi?
Futbolli është sporti më i bukur, më popullor dhe më i ndjekur në botë. Njerëzit shkojnë aty për të ndjekur skuadrën e zemrës, për ta inkurajuar atë, për t’u argëtuar dhe për të kaluar dy orë plot adrenalinë. Si i lejoni këta edepsëzë që me sjelljet e tyre të “shkelmuan” kulturën, qytetarinë, traditën, humanizmin dhe respektin për futbollin?
Ju drejtues të policisë dhe të bashkisë, zgjohuni! Një sharje në kor apo një e pështyrë mund të mos përbëjë vepër penale për burg, por ekziston një kod moral, një vijë e kuqe që shoqëria e sotme nuk duhet të lejojë të kalohet. Përndryshe, kthehemi në kafshë xhungle.
P.S. Ne nuk mund të kthejmë Kanunin e Lekë Dukagjinit, por mund të mësojmë se sa e kanë çmuar të parët tanë kodin moral, ose thënë ndryshe: Nderin. Një fyerje apo sharje dikur paguhej edhe me jetë, dhe për këtë nuk kishte hakmarrje. Kjo kohë ka kaluar, por nderi mbetet nder.Po botoj pa koment një pjesë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit (botimi i vitit 2022 nga Françeskanët):
• Neni 251, pika b: “…Burrit i merret ndera me e sha, me e pështy, me e matë, me e shty, a me i ra kush…”
• Neni 252: “…Ndera e marrun gjobë nuk ka, as nuk shpërblehet me gja, por me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht përmes ndërmjetësisë së dashamirëve.”