
Terrori Komunist – nga Nebil Çika
Arbënia, e shtunë, 5 shkurt 1944
Pardje, komunistet bënë tre atentate, në Tiranë, kundra jetës së disa Shqiptarëve. Këto atentate u benë me shtytjen e pasionit, njëkohësisht edhe me qëllim tmerrimi. Pasion këtu domethënë etje për gjak dhe sadizëm kriminal. Kriminalët që i bënë atentatet pa dyshim kanë pandehur se, pasi ta kënaqnin instinktin e gjakpirësisë se tyre, do te shkonin në ndonjë pijetore të humbur dhe do t’ia ngritnin dollinë vehtes, plot gas e krenari për veprën e kryer. Por kësaj here ndërrmarien e tyre e paguan mu aty me gjakun e tyre dhe me gjakun e shokëve të tyre.
Këtë radhë gjindarmët nuk e bënë veshin të shurdhër kur krisi pushka dhe nuk ndënjën të qetë duke mbyllur një sy.
Kësaj here, gjindarmët vepruan.
Ka qenë e madhe kënaqësija e atyreve që duan Shtet dhe që e urrejnë tashma anarkinë, sepse tashma është kuptuar se komunistët nuk duan veçse shkatërrimin dhe prandaj përpiqen ta mbajnë këtë vend n’anarki duke përdorur tmerrimin për të penguar rimëkëmbjen e Shtetit.
Përnjimendi, edhe Shqiptari më i besueshëm tashma ka filluar të bëjë këtë arsyetim: Ç’kërkojnë vallë këta komunistët? Okupatori fashist nuk është më; Gjermanët s’janë okupatorë, por edhe sikur të jenë, komunistët s’po bëjnë më as veprimin më të vogël kundra atyre; tashma ata janë ngritur kundra Shqiptarëve të thjeshtë! Ku e kanë hallin…!?
Të thuash se duan ta marrin fuqinë, kjo nuk është e mundur veçse po të vijnë Rusët këtu e Rusët nuk vijnë këtu, sepse ashtu është dëshira e komunistëve tanë; edhe nëse Rusët kanë për të ardhur sepse kanë për të ardhur, atëhere pse komunistët nuk durojnë edhe pak dhe pse nuk e lënë për më vonë vrasjen e Shqiptarëve që s’janë me ta!?
S’e merr mendja, pra, terrorizmin e tyre. Mendja të thotë se ata kanë një qëllim tjatër. Ç’të jetë vallë ky qëllim!?

Qëllimi është açik, mor i dashur; qëllimi është ta mbajnë në tmerr popullin e kështu ta ndalojnë këtë që të mblidhet rreth Qeverisë, e cila nuk dëshiron tjatër veçse të mëkëmbë përsëri Shtetin dhe të organizojë përsëri popullin me qëllim që ky të jetë gati për t’i bërë ballë çdo rreziku që mund t’u vijë nga jashtë, nesër. Kur komunistët s’e duan dhe e kundërshtojnë këtë gjë, a ka dyshim më se ata janë armiqtë e betuar të Shqipërisë?
Qeverija bëri ç’ishte e mundur dhe e pamundur për t’i sjellë në vehte me të mirë komunistët. I këshilloi, i ftoi në llogjikë, iu lut. Ju kujtoi se gjaku lyp giak. Pastaj i këshilloi prap, i ftoi prap me qetësi. Ata refuzuan të dëgjojnë. Tashma është marrë vesh se ata janë të vendosur të mos dëgjojnë kurrgjë.
Atëhere?!
Atëhere Qeverija ju ka dalë borshit. Tani duhet t’u bjerë. Duhet t’u bjerë me rreptësinë dhe me ashpërsinë më të madhe. Dhe kur ata të bëjnë një veprim tmerrimi, Qeverija t’u përgjigjet me armën që përdorin ata, menjëherë dhe me egërsi.
I tërë populli është me Qeverinë në këtë pikë.
Marrë nga gazeta Arbënia, e shtunë, 5 shkurt 1944