back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Televizioni dhe mjerimi moral i shqiptarëve – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja

Televizioni dhe mjerimi moral i shqiptarëve.

nga Gëzim Zilja

Jeta kulturore-shpirtërore-argëtuese e shqiptarëve sot është një katastrofë. Mundësitë e ofruara janë: shtëpi-kafene-punë dhe punë-kafene-shtëpi, përjashto një numër të vogël, që me paratë e prindërve bëjnë jetë nate. Në darkë, shqiptari pas një vakti me kos apo një “lugë” gjellë të mbetuar nga dreka, shtrirë në divan, fillon e gëlltitë si ëmbëlsirë deri në mesnatë programet televizive. Ndjek lajmet në njëzetë kanale, që japin kronika për kriminelë e hajdutë, qeveritarë të korruptuar, aksidente rrugore, vrasje në familje, vrasje me pagesë, përleshje bandash etj etj. Pastaj fillojnë llogjet dhe këshillat e neveritshme të kryeministrit të gjithëditur, që është pilaf e nuk i mbyllet gryka gjithë ditën nëpër televizione.
Sikur të mos mjaftonte pilaf-kryeministri, pesë ditët e javës në shumicën e televizioneve do të shikosh rracën e poshtër të gazetarëve miliarderë alias opinionistëve, të një shteti të rreckosur, mbuluar nga varfëria e krimi, që tallin rrapin e trapin nja dy orë të mira, duke gënjyer e dezinformuar, sipas kërkesave e porosive të atyre që i paguajnë. E vetmja gjë e sigurt nga këto cirqe televizive (me ndonjë përjashtim) është që urrejtja dhe varfëria midis shqiptarëve rritet e rritet deri në pafundësi. Është një megasistem propagande, (harrojeni rastësinë) i ngritur nga parallinjtë e politika, ku analistët miliarderë iu tredhin trutë shqiptarëve, të mos dinë ku është e keqja e të ngrihen kundër saj. Kjo lloj propagande dhe disa emisione televizive si do e shohim më poshtë, ia kanë dalë t’i shndërrojnë shumicën e shqiptarëve në pula, që kur i zë flama, ecin kuturu, derisa ngecin në ndonjë bodrum, gardh a shkurre e aty presin ngordhjen.
Pastaj vijnë ato emisione të papërshtatshme, në çdo orë të ditës e të mbrëmjes, që pa hezitim do t’i emërtoja fëlliqësira, lapërdhira e kurvërira. Ato japin modelin më të zi të arritjes së suksesit, famës e të jetës prrallore. Për këtë mjafton një trup i bukur dhe nxjerrja në shesh e të gjitha hireve, të mbuluara shpesh me gjethe ulliri dhe më tej si një automat, të kryesh veprime dhe të flasësh ato fjalë, që t’i kanë mësuar më parë ustallarët e emisionit. Në “Love Story,” nën dritat verbuese e luksit të shfrenuar, kamera nuk e heq fokusin nga shalët dhe “ballkonet” e vajzave të cilat përpiqen t’i zbulojnë sa më shumë. Një treshe opinionistësh, bëjnë gjasme zihen, e quajnë njëri-tjetrin idjot e legen ndërsa moderatorja i jep një shkop opinionistes të qëllojë me të kolegun e paedukuar.

Big Brother - Albania
Big Brother – Albania

Fillon pastaj diskutimi i “princave” me “princeshat.” Shumë prej tyre flasin budallallëqe, pa lidhje, me një fjalor të varfër, kryesisht seksist, që nuk i kalon pesëdhjetë fjalë dhe shikuesi vërtetë ndjen keqardhje e mëshirë.
Emisioni “Përputhen” është një tjetër gallatë. Qëllimi aty është të gjesh dashurinë, d.m.th njeriun me të cilin do të kalosh jetën. Dashuria midis mashkullit e femrës është diçka hyjnore, është si të vdesësh e të ngjallesh sërish, të prekësh ferrin e të jetosh parajsën, është bekim nga Zoti. Kur kjo ndodh aty flet zemra dhe shpërthen lumturia. Njerëzit nuk llapin e zihen por këndojnë, nuk ecin e zvarriten por fluturojnë. Poeti i madh skocez Robert Bërns shprehet: “Asnjëherë s’kam pasur as mendim as dëshirë për t’u bërë poet, para se të bija në dashuri.” Në praninë e ekranit, të një dyzine njerëzish e mijëra të tjerëve që të ndjekin vështirë, që këto të ndodhin. Në “Përputhen” mund të shikosh modelin më të shëmtuar të femrës teleshmëne, llafazane me një fjalor rruge të papranueshëm për një emison televiziv. Një dyzinë djemsh bukuranë, duke pritur të thirren në takim, shndërrohen nga sektori i femrave në lolo e gaztorë, (njëra madje do vetëm fëmijë nga një mashkull i bukur dhe aq!) rrotullojnë sytë në orbita rrethore nga akuzat e ofendimet, që u adresohen, duke zhvilluar dialogë kilometrikë me një shqipe për të vajtuar e që nuk kanë lidhje me dashurinë. Është thjesht shfaqje teatrale, zënka banale, pazare të shumllojshme miushësh e miushesh.
Është dhe emisioni i “Fratellos” i motivuar gjithsesi, se fiton 100.000 euro. Mund të dalësh me brekë po edhe pa to, mund të bësh seks në vaskë për hir të spektaklit, (të fitosh mijëra ndjekës, që diskutojnë e bënë vërtetë apo me gjasme) të fërkohesh me partneren e re në çdo cep të mundshëm, të bërtasësh si dikur në rradhën e vajgurit, të llomotitësh e mjaullish gjithë ditën e perëndisë si maçokët e macet majë çatisë. Gjysma e kohës aty kalon me zënkat mediokre të “yjeve” që pse nuk lajnë pjatat, pse i lënë këpucët në tavolinë e brekët ku të munden. Në këto emisione televizive më qyqarët, e më të leqendisurit janë të ashtuquajturit opinionistë gra e burra, që nuk janë të gjithë rrota djathi apo karroce. Këta të dhimbsen, sepse për hir të pagesës që marrin, duhet t’i japin vlerë e justifikojnë emisionin dhe djemtë e vajzat jashtë standardit të moralit shoqëror. Në dreq të venë ato para, nëse kanë pak sedër, kur e kuptojnë, që aty luhet keq e shpifur, ndërsa dëmi, që i sjellin këto emisione shoqërisë shqiptare, veçanërisht rinisë i kalon kufijtë e të pakorrigjueshmes. Fals (i pavërtetë) emisioni, fals skenari, fals aktorët, fals pjesëmarrësit, opinionistët, fals dëgjuesit, fals dhe gjithë ai luks i çmendur. Veç propagandës për të paraqitur një Shqipëri ndryshe nga e vërteta mjerane, shuma e parave të hedhura e harxhuara është marramendëse.
PS. Pjesa dërrmuese e rinisë shkollore e studentore, me politikat arsimore qeveritare të ndjekura deri sot, e kalojnë ditën në kafene, duke parë celular ose ëndërruar sesi do të gjejnë një mënyrë për t’ia mbathur nga Shqipëria. Sikur paratë e “Përputhen,” “Love-s” dhe “Fratellos” që nuk deklarohen kurrë (janë miliarda lekë) të shkonin në pasurimin e bibliotekave të shkollave e universiteteve, në organizimin e festivaleve të ansambleve artistikë, të teatrove, të kampionateve sportive të ndryshme, në konkurse historie, letërsie e gjeografie, pse jo dhe bukurie, midis shkollave apo universiteteve, në vend të këtyre emisioneve pocaqi, do të kishim mijëra të rinj e të reja të aktivizuara në veprimtari sportive e kulturore gjithëvjetore, Dhe aty lindin dashuri të vërteta e familje të lumtura, plot dëshira e të shëndetëshme.

marre nga mủi i fb i Gezim Ziles, 27 janar 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.