back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Tefta Tashko Koço – Bilbili shqiptar Një urë lidhëse mes Shqiprisë dhe Kontinentit Europian

Gazeta

Sopranoja Tefta Tashko (1910-1947) - Foto Marubi
Sopranoja Tefta Tashko (1910-1947) – Foto Marubi

Tefta Tashko Koço – Bilbili shqiptar

Një urë lidhëse mes Shqiprisë dhe Kontinentit Europian*

Zëri i saj është melodioz dhe me një ngjyrë të mrekullueshme që të bën të mahnitesh dhe të rrish e ta dëgjosh kudo që mund të ndodhesh. Madhështia e saj është aq e jashtëzakonshme sa do bënte edhe francezët të mahniteshin me të. Po kush është kjo soprano lirike dhe Artiste Populli? Legjendarja Tefta Tashko Koço.
Tefta lindi më 2 nëntor 1910, në qytetin Fajum të Egjiptit.
Në vitin 1921, në moshën 11-vjeçare sheh për herë të parë Shqipërinë. Familja e saj me origjinë nga Frashëri i Përmetit, braktis kurbetin dhe kthehet në Atdhe. Në kujtimet që na vijnë nga të afërmit e saj në ditët tonë, thuhet se ka qenë një fëmijë gjithmonë i etur me kuriozitetin e moshës dhe me mall prej të rrituri për vendlindjen e prindërve, pasi në vogëli, pëlqeu shumë gjuhën dhe këngët shqiptare që dëgjonte në festa dhe gëzimet familjare.
Dera e Athanas Tashkos ka qenë e hapur gjithmonë për mysafirët, për më tepër ata që ishin ajka e patriotizmës shqiptare në Egjiptit. Kur u rrit, ndjehej krenare që kishte parë Çajupin, Spiro Dinen, Jani Vruhon, Filip Shirokën…
E rritur në atë ambient atdhetar, kur erdhën në Korçë me familjen e saj, ndjehej më shqiptare se shqiptarët. Për fat zgjodhën për të jetuar, atë qytet që në vitet ’20, ishte kryeqyteti i kulturës shqiptare. Ishte periudha kur u shfaq për herë të parë, nga disa të rinj që kishin ardhur nga Rumania, drama e Mihal Gramenos “Vdekja e Pirros”.
Personazhet e saj ishin veshur me kostumet e kohës, ndërsa dekoret ishin punuar me shije nga piktori Vangjush Mio. Por, më shumë gjallëri dhe freski i dha jetës artistike banda e shoqërisë “Vatra”, e cila kishte ardhur nga Amerika. Dirigjenti i saj, Thoma Nasi, një muzikant i talentuar, grumbulloi disa muzikantë amatorë dhe krijoi një orkestër të vogël, e cila jepte koncerte me muzikë të lehtë. Pak më vonë u krijua edhe një orkestër me mandolinën e famshme korçare. Të gjithë të pasionuarit pas muzikës dhe artit formuan shoqërinë e “Arteve të Bukura”. Jo më pak e njohur në aktivitete ishte edhe grupi muzikor “Lyra”.
.

Tefta Tashko (1910-947)
Tefta Tashko (1910-947)
Ajo ndjesi që i ishte shfaqur në Egjipt për këngën shqiptare tani 11-vjeçares, iu kthye në dashuri. Shoqet e saj më të rritura, kënaqeshin me zërin e bukur, kur e dëgjonin Teftën, duke kënduar në shkollë ose në mbrëmjet e vogla familjare. Ajo interpretonte këngë të ndryshme, duke shpalosur qartë kujtesën muzikale, sensin e ritmit, shijen për meloditë e bukura…
Në ditët e para të janarit të vitit 1922, në Korçë erdhi Fan Noli.
Për të festuar ditëlindjen e këtij demokrati të shquar që e kishte më datë gjashtë, u organizua një koncert. Nga nxënësit e korit të asaj shkolle u dalluan dy vajza. Njëra ishte Tefta dhe tjetra e kishte emrin Jorgjia Truja. Një urim dhe përqafim nga Noli i madh, ishte kujtesë e mjaftueshme për mësuesit e muzikës, që të vlerësonin talentin e tyre. Në vitet që vijuan, u shtuan koncertet artistike, ku pjesëmarrja e Teftës dhe e Jorgjisë ishin të pa diskutueshme.
Gjatë periudhës 1927-1931, Tefta studio në Konservatorin e Muzikës në Montpellier dhe në vitet 1932-1936 studioi në Conservatorie National de Musique et de Declamation të Parisit. Për të hyrë në këtë konservator, Teftës iu desh të këndojë në sallën Gaveu, aktin e katërt të operas “Traviata”. Juria e përbërë nga personalitetet muzikore më të shquara franceze, i akordoi Çmimin e Dytë. Në koncertin e dytë po për të njëjtin rast, ajo këndoi La cavatine du Page nga opera “Les Huguentos”, fitoi Çmimin e Parë.
Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 Qershor 1926, mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në Shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore,
Qëndrimi nëntë vjeçar i Teftës në Francë, shënoi jo vetëm kalimin nga faza e rinisë (17 vjeç) në atë të maturimit fizik dhe intelektual (26 vjeç), por dhe i përshtatjes në një ambient krejt të ndryshëm nga ai i Korçës. Gjithsesi, ajo nuk e zbehu për asnjë çast, dashurinë për Shqipërinë. Ndoshta në këtë mirësi dhe ndjesi të saj, ndikoi edhe qëndrimi pranë saj i familjes (nëna, vëllai dhe motra e madhe). Pra, ishte po ajo jetesë dhe tradita shqiptare që e shoqëruan në gjithë kohëqëndrimin e Francës.
Kështu për dhjetë ditë me radhë, ajo u shkëput nga Montpellier dhe qëndroi në Paris. Gjatë gjithë kohës, Tefta punoi me pasion dhe përkushtim për të realizuar sa më mirë regjistrimet. Shtangu dhe u emocionua shumë kur dëgjoi disa nga këngët polifonike. Një bashkëpunim që i la mbresa të pashlyeshme, duke ia shtuar edhe më shumë dëshirën dhe merakun për perlat e këngës popullore shqiptare.
.
Tefta Tashko Koço ne Shkoder (l. radi me x)
Tefta Tashko Koço ne Shkoder
Gjatë studimeve në Francë, ajo u vlerësua shumë nga pedagogët e Konservatorit të Parisit, drejtues artistikë të Radios së Parisit dhe kritikë muzike. Edukimi në Francë, bëri që ajo të asimilojë në mënyrë të veçantë, repertorin vokal klasik francez, ku prioritet për përgatitje ishte njohja mirë e mjeteve karakteristike shprehëse muzikore si dhe e gjuhës frënge. Tefta ishte pjesëmarrëse në dy konkurse që organizoi Teatri i Operas komike franceze.
Ajo interpretoi në rolet kryesore të dy veprave të mëdha dhe shkëlqeu me madhështinë e saj. Vlerësimi që iu bë këngëtares sonë nga kritikë të njohur parisienë, përmes artikujve të botuar në gazetat kryesore të kohës, janë pika më e lartë që ajo arriti gjatë karrierës së saj studenteske në Francë.
Pjesëmarrja e saj në konkurse, koncerte, opera, dhënia e programeve në Radiostacionin e Parisit dhe fitimi i çmimeve dhe i diplomave të ndryshme në këto manifestime muzikale, dëshmojnë për një këngëtare me vlera të padiskutueshme. Pikërisht në këtë kohë, Teftës i krijohet shansi për të lidhur kontratë me një nga drejtuesit më të mëdhenj të teatrove të operave të Nju-Jorkut.
Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.
Përgjigjja, e Tefta Tashkos tashmë dihet… Me kthimin në Shqipëri në vitin 1936, përveç programeve koncertale me muzikë dhome dhe operistike, ajo iu përkushtua interpretimit të këngës lirike qytetare shqiptare.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, në mes të fletëve të një pasaporte të huaj, me të cilën këngëtarja jonë ishte e pajisur kur ndodhej jashtë, gjendet një gjeth i vogël i tharë.
Mbi të, Tefta ka shkruar me kujdes frëngjisht, vetëm dy fjalë: “Vdes dhe s’tërhiqem”.
Ishte motoja e jetës së saj, e shkurtër, por e denjë për të mbetur përjetësisht, Artiste e Popullit!
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.
Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta janë edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Lasgush Poradeci do të shprehej për Teften në këtë mënyrë: “… Tefta ishte një artiste e cila kishte vendosur të merrej me Art në kuptimin e vërtetë të fjales dhe jo ta përdorte atë thjesht si një instrument për t’u ushqyer. Ajo edhe pse kishte mundësi të punonte si docente dëshironte të jetonte me frytet e artit dhe të koncerteve të saja. Në drejtim të Teftës nuk mund të them thjesht gjëra informuese, por unë jap gjithë zemrën time.” Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37 vjeçare.
.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet '30.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet ’30.

Këngët popullore të kënduara

nga Artistja e Popullit, Tefta Tashko Koço

-Çelni ju, moj lule, çelni.
-Edhe ky bilbil.
-Fryn veriu. (Teksti: L. Poradeci).
-Kur më vjen burri nga stani.
-Ishin dy kunata.
-Kroi i fshatit tonë (Teksti: L. Poradeci).
-Të dua, moj goc e vogël.
-Dolla në penxhere.
-As aman, moj lule.
-As u gremis, moj lejthatë.
-Moj hyrije, bukurie.
-Kur më shkon sokakut.
-Fol e qesh, moj sylarushe. (Teksti: M. Gura).
-Qante lulja lulen.
-Ku do shkosh, moj goc e vogël.
-M’at’fush’ t’mejdanit.
-Kënga e bilbilit.
-Fustani me pika.
-Po këndon bilbili fushave.
-As aman, o syri i zi.
-Ma ven dorën përmbi dorë.
.
Koliqi - Asdreni - Lasgushi - Tefta Tashko etjerë në Shkodër
Koliqi – Asdreni – Lasgushi – Tefta Tashko etjerë në Shkodër

Këngët popullore të incizuara në shoqërinë

fonografike “Columbia” – Milano 1942

-Un’, o ty moj të kam dashur.
-Kjo – dashtnija kjoft mallkue.
-Kenke nur’i bukurisë.
-Për një ditë, kur del gaca në pazar,
-Këndon kumrija.
-Metelikun ta kam falë.
-Ma ven dorën përmbi dorë.
-Dallëndyshe vaj, vaj.
-Qante lulja lulen.
Moj fëllanxë.
-Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën.
-Dy gisht përmbi vetull.
-Moj Hyrije; bukurie.
-Shamija e beqarit.
-Iku nata.
-Del një vashë prej hamami
-Zare trëndafile.
-Të dua, moj goc’e vogël.
-As aman, moj lule.
-Kroi i fshatit tonë.
-O moj sylarushe.
-Dolla në penxhere.
-Bilbil çapkëni.
-As u gremis, moj lejthate.
-Dashtnuer tu bana.
-Ani, moj Hatixhe.
-Seç kënd on bilbili mali te.
-Shkaperceva dy-tri male.
-Edhe ky bilbil ç’ka qenke një zog.
-Kam shtëpinë e vogël.
-I kam hypë vaporit.
-Fry, moj er’e malit.
-O në atë fushë t’mejdanit.
-Edhe gurët e sokakut.
 
Tefta Tashko Koço iku shpejt edhe pse erdhi “vonë” në Shqipëri.
.
*shprehja është e zonjës Suela Pulaha Brown
.
Shkrimi u bazua në gazetën “Diana”, 1938

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.