back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Të tjerët për Moisiun… (kujtimet e Amalia de Rada – Moisiut) nga Pjetër Logoreci

Gazeta

Aleksandër Moisiu me nënën e tij Amalia de Rada
Aleksandër Moisiu me nënën e tij Amalia de Rada

Të tjerët për Moisiun…

kujtimet e Amalia de Rada – Moisiut

nga Pjetër Logoreci

Pёr Aleksandër Moisiun ёshtё folur, shkruar e debatuar shumё. Pёr shumё kohё ai ka qёnё objekti kryesor i gazetave e revistave nё fushën e artit skenik, ku komentet ishin tё shumёllojёshme. Pat kritika tё ashpra, nganjёherё dhe fyerje, por pat edhe objektivitet, simpati e dashamirёsi.
Edhe miqtë  e tij, kolegёt apo drejtuesit e teatrove, pёrcollёn shpesh në shtyp kujtime nga karriera e tij profesionale, aktiviteti si dhe jeta e tij private. Dëshëroj të sjell këtu disa fragmente kujtimesh,  kritikash, vlerësime nga jehona e shfaqjeve dhe e lojës së tij aktoriale, të panjohura deri tashti për lëxuesin shqiptar, pra cfarë të tjerët kanë shkruar dhe folur  për Moisiun duke filluar nga nëna e tij Amalia de Rada.
Në revistën “Die Komödie” që botohej në Vjenë, ku trajtoheshin problemet e jetës teatrore, vendosja e kontakteve të aktorve dhe artistëve austriak me pjesën tjetër të botës, ku publikoheshin talentet e reja e po ashtu kritikat e ndryshme,  në numrin e saj 35, të vitit 1921, u botua një intervistë me Amalia de Raden, nënën e aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut. Gazetari e titullon këtë intervistë “Bei Moissis Mutter” (tek Nëna e Moisiut).
Mendoj se është interesante për lexuesin të njohë disa pjesë të kësaj interviste e po ashtu edhe shenimet personale të familjes që gjinden në arkiven e Teatrit Kombëtar Austriak, ku përfshihen edhe kujtimet e nënës, për mbretin e skenës Aleksandër Moisi.
Autori e fillon shkrimin me fjalët e Franz Molnár1):

Aleksandër Moisiun në të përjaveshmen artistike Komödie (Foto P. Logoreci)
Aleksandër Moisiun në të përjaveshmen artistike Komödie (Foto P. Logoreci)

Çdo ditë mund të jetë një festë e vogël Krishtlindjeje… Vetëm se ju nuk mund ta kuptoni. Çdo ditë mundet që një grua e zgjedhur,  të lindë atë që është “ i shumëprituri”… Që ta sjellë për ju,  shumë ore e ditë mbi tokë… Edhe kur  Moissiu u lind, askush nuk e kuptoj  që ishte një Krishtlindje e vogël…
Autori vazhdon: Mund të duket qesharake apo fëmijërore, por sa unë shkela te pragu i shtëpisë për të takuar zonjën Moisi, në një shtëpi plot dritë e mikpritëse, hoqa këpucët (me qëllim  të  mirë) dhe pata një ndjenjë mbrenda vehtes: “…ja… toka e shenjtë…
Këtu Nënë Amalia jeton me vajzat e saj, të cilat e  rrethojnë atë me dashuri e kujdes. Kjo grua e pastër dhe e fortë në karakter, mban në muret e  dhomave të ndritëshme të shtëpisë, me qindra foto të djalit të saj Të Madh… Në mënyrë të pandërprerë, si frymëmarrja apo rrahjet e zemrës, të shoqëron në këtë ambient një ndjenjë mirësie e ngazëllimi nga prezenca e kësaj zoje e amvise shtëpie. Përmes toneve të zhurmave dhe bisedave ditore, duket se kumbon në kujtimin e saj në çdo minutë, ai tingull i këndshëm i një zëri që është i veçantë dhe i papërsëritshëm, ai i Aleksandrit. Me sy të mbyllur apo të hapur ajo arrin të përceptojë vetëm një figurë. Mendimet e saj sillen pa pushim në një rreth, e mbajnë një emër: Alessandro. Ditë e natë digjen për të qirinjtë, në altarin e dashurisë prindërore.
Për nënën Amalia de Rada, Aleksandri si më i vogli ndër fëmijë ishte i përzgjedhuri i saj. Ajo e thërriste atë Sandro…

Shkrimi “Te nena e Moisiut” në të përjavëshmen  “Komödie” (Foto P.Logoreci)
Shkrimi “Te nena e Moisiut” në të përjavëshmen  “Komödie” (Foto P. Logoreci)

Në çdo jetë njerzore ndodhin gjëra të trishtuara, apo jo? – bisedon ajo me intervistuesin, por unë nuk duhet  të ankohem për çka kam pasur  në jetë. Ju nuk mund të përfytyroni sa i mirë është Alessandro. Ai përpiqet të ndihmojë të gjithë, ai dhuron shumë, edhe aty ku nuk njeh…

Sandroja është mё i miri, anjeri tjetёr (…në mes miliona njerzve…) nuk ёshtё kaq i mirё si ai. Nuk flas më tepёr mbasi ai ёshtё djali im. Tё gjithё ato qё e njohin e dijnё kёtё gjysmёn e rrogёs qё merr ai e dhuron… Çdo njeri që i vjen, ai e dёgjon me vёmendje dhe i jep… i jep sa mundet me vehte. Kurrё nuk e dëgjon të flasë apo të mburret për ato që jep… sikur ai vetë të ishte milioner… Shumё nga ato që vijnë e gënjejnё: njëri paraqitet si njё piktor i rёnё në fatkeqёsi, një tjetër tregon një “fatkeqsi” tjetër, gjëra që nuk janë aspak të vërteta. Ai beson dhe dishron çdo të mirë për njerzit. Kur ndokush i tregon diçka të keqe, ai mundohet ta ngushëllojë duke i thënë: “…mos e beso këtë të lutem, kjo nuk mund të jetë e vërtetë, kjo është e gjitha një trillim…!” Ai dhuron shumë, më tepër seç duhet… por ai duhet të mendojë edhe për të ardhmen e jetës së tij… ai ka një zemër të dhimbëshme e kjo nganjëherë më frikëson.
Dëshira e tij është që t’i bëjë gjithë njerzit të kënaqur e të gëzuar… Qysh fëmijë ishte kështu, ka patur gjithmonë një shpirt të dhimbshëm. Më kujtohet që kur shikonte ndonjë të rritur duke keqtrajtuar një kafshë, ai reagonte menjëherë duke e dënuar gjestin… Çdo krijesë e uronte dhe e bekonte Alessandron. Ishte për t’u habitur që ai nuk e vuante personalisht varfërinë që ne përjetonim… Dikur ne ishim e pasur. Burri im ishte tregëtar i njohur në Trieste. Çdo ditë shkonin dhe vinin nga porti anije të ngarkuara me mallrat e tij. Alessandro ishte edhe femijë i bukur. Të gjithë e donin. Talentin e tij e tregoi shumë herët, qysh i ri duke recituar pjesë nga Shakespeare… dhe ne menduam që talenti i tij ishte në zërin e tij të kumbueshëm, prandaj e dërgova qysh 16 vjeç në Konservatorin e Vjenës. Po ai kishte një zë të mrekullueshëm. Kësaj i qëndroj edhe sot. Kur i them që unë njoh vetëm dy zëra hyjnorë – ti  e Caruso, ai tallet me mua dhe ia tregon këtë episod të gjithë të njohurve tonë… Unë dhe Caruso… dhe qesh me gjithë zemër. Por, unë ju siguroj ju, që po dëgjuat djalin tim duke kënduar një këngë italiane, do të kënaqeni shumë, megjithëse me papjekurinë e rinisë ai e ka dëmtuar mjaft atë (zërin). Pat një kohë që ai këndonte gjithë ditën me zë të lartë. Ne e ndigjonim me kënaqësi, pastaj i tërhiqnim vëmendjen që të ruante zërin, por pa sukses. Ai ndoshta do të ishte sot një këngëtar i madh. Unë zotëroj një gramafon dhe shumë pllaka ku djali im ka folur dhe kënduar, po ashtu edhe këngë të Carusos. Kur Alessandro udhëton larg, ky gramafon është argëtimi im. Për të gjithë familjen tonë Caruso është shumë i dashur, ai është një shok i mirë i djalit tim qysh kur u njohën bashkë në Paris. Na ka ardhur keq që Caruso vdiq i ri, ai ishte për ne si një pjestar i familjes.

 Letër që Aleksandër Moisiu i dergon nënës së tij, gjatë turneut të tij jashtë vendit. (Foto P.Logoreci)
Letër që Aleksandër Moisiu i dergon nënës së tij, gjatë turneut të tij jashtë vendit. (Foto P. Logoreci)

Sa isha akoma e zonja të udhëtoja, shkoja me tim bir kudo dhe e kam parë duke luajtur në skenat e Berlinit e të Mynihut. Eshtë një fat dhe nder i madh për mua të shoh se si njerzit e duartrokasin, e duan dhe e nderojnë atë. E kam parë atë në pothuajse të gjithë rolet deri tani, por tek Fausti akoma jo e po pres me padurim javën tjetër ta shoh edhe në kët rol. Askush nuk di më mirë se unë se si ai ndjehet kur luan në skenë. Zemra e tij vajton me të vërtetë se bashku me rolin, prandaj ai depërton në shpirtërat e njerzve që e shikojnë dhe i bën të lotojnë. Mbas shfaqjes ai vjen në garderobë i lodhur, i cfilitur, krejt i pafuqishëm sikur ai vetë të kishte përjetuar fatin e personazhit të tij.
Në dokumentet e familjes që gjinden në arkivë me mbishkrimin – “Was Die Familie Sagt” (Çfarë thotë familja), nënë Amalia e kujton të birin me këto fjalë…
https://albemigrant2011.wordpress.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.