back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Të rrëfesh nji traumë dhune… Nji e grua rrëfen mbas 30 vitesh

Gazeta

Jo, heshtjes ndaj dhunes...
Jo, heshtjes ndaj dhunes… 

Të rrëfesh nji traumë dhune…

Nji e grua rrëfen mbas 30 vitesh

Para pak kohe mora nji mesazh të ndrojtun, prej nji gruaje të panjoftun… ku në pak rreshta më shkruente: “…nëse ishte e mundun, me rrëfye një traumë përdhunimi të jetës së saj…?!”
U trondita jo pak, dhe u përpoqa të shpjegohem me shkrim… Menjiherë vërejta se ajo Grua, jo vetëm ishte e sigurt në ato çka mendonte e më shkruente, po me shumë pak fjalë më dëshmoi se ishte edhe mjaft e kulturueme, shumë e qetë dhe tejet familjare…
Ajo kërkoi me ma shpjegue krejt ngjarjen përmes nji telefonate… po unë ju luta, se do të ishte shumë ma mirë dhe ma e drejtë që ajo vetë ta merrte përsipri me e shkrue, njashtu me qetësi prej fillimi në fund traumën e jetës së vet… “Nuk di nëse mundem?!” “Të jeshë e sigurt, se mundesh…!” – i shkrova. “Do ta provoj, – më tha… – po frikem…!” “Mos u frik hiç, se për gjithçka ke me pasë edhe mbështetjen time të plotë…!”
Dhe prej atij çasti nis rrëfimi i saj…

Zoti Radi,
Ju nuk më njihni, ashtu si edhe unë nuk ju njoh.
Megjithatë mbas shumë kohe sot mora guximin t’ju shkruaj për diçka të rëndësishme të jetës sime. Nuk e di nëse me kët veprim po bëj mirë a keq… vetëm e di dhe e ndiej të domosdoshme t’ju shkruaj e të shkarkoj nji barrë të rëndë…
Kam një jetë, që mbaj në shpirt një ngjarje tmerri pa mundur t’ja rrëfej askujt… është një ankth që ka jetuar bashkë me mua, e që ende sot e kvsaj dite ma bren shpirtin e ma prish gjumin…
Nuk e di se si mundem të vlirohem prej tij. Ndërsa ju shkruaj, as vetë s’e di, pse po ju drejtohem juve…!!! Vetëm se më duket gjëja më e drejtë që po bëj në jetën time, të shpetoj prej një ankthi, dhe mendova se njeriu më i përshtatshëm për kët rrëfim, jeni ju, mbasi jo vetëm kemi afërsisht mjaft jetë të ngjashme e të përbashkët mes nesh, por edhe pse shumë dëshmi të vërteta i kam lexuar përmes punes suaj…
Ky, simbas meje, ështe njëkohësisht edhe guxim për të gjithë ata, që mund të marrin mundimin të më lexojnë…
Ende nuk mund të them, nëse ku veprim është i drejtë a jo, por e quaj të domosdoshëm të “shkarkohem”, jo për të demaskuar nji kohe që u vetëdemaskua por ta theksoj faktin se si ai pushtet nxiste përdhunuesit dhe i ngjiste në hierarki ata!
E theksoj se as ju njoh, as ju kam pare kurrë, e gjithatë e gjykoj se duke e treguar të vërtetën time, e çliroj jo vetëm veten, po dëshmoj para bote, se sa e lehtë ka qenë për një regjim kriminal përdhunimi i njerzve të pafajshëm, dhe sa e vështirë ishe të ishe njeri i ndershëm dhe në punë tënde… dhe se kjo shtazëri nuk ishte thjesht e një njeriu, por shtazëri e krejt një sistemi të ndërtuar fund e krye mbi të gjitha format e përdhunimit të njerzve të pafajshëm, e kryesisht mbi ata njerëz që përfaqsonin Vlerat e Vërteta të Traditës Shqiptare…
Unë, zoti Radi, sot jam një grua e realizuar. Me familje, me burrë me shumë fëmija si drita, me motër dhe vëllezër… me shtëpi e katandi, me punë e mirqenie, e s’i lakmoj askujt asgjë… veçse ankthi i asaj ngjarje të rëndë të jetës sime, akoma edhe sot më përzien gjithçka, qe kam ndertuar me aq mundim e sakrifica…
Ju kërkoj ndjesë për shqetsimin, po mbetem e bindur, se vetëm duke gjetur guxim ta tregoj këtë ngjarje, qe ende ma rrënqeth trupin, dëshmoj se si unë, mund të jenë shumë ato vajza dhe gra, që kanë pësuar këtë lloj dhune dhe s’kanë gjetur e as gjejnë forcë, për njëmijë arsye të dëshmojnë të vërtetën…
Falë Zotit, unë mendoj dhe besoj se e kam forcën për të dëshmuar…
Të vetmen gjë kërkoj, të mos përmendet emri im, për të mos i shkaktuar lëndim fëmijëve dhe familjes sime… Por ju premtoj se gjithçka që do t’ju tregoj është e vërteta ime, pa asnjë zbukurim, pa asgjë të tepruar, pa paraqitë askënd dhe asgjë më zi, si sa e kam përjetuar dhe akoma vazhdoj ta përjetoj…
Ju falenderoj me gjithë shpirt për punën dhe kontributin tuaj, dhe mbetem një lexuese e rregullt e krejt punës suaj…
me respekt… X

E palejushme dhuna e individit ndaj gruas... imagjino dhuna e pushtetit!!
E palejushme dhuna e individit ndaj gruas… imagjino dhuna e pushtetit!!

***

E nderuar Zonjë…
Së pari me duhet me Ju falenderue për kët besim që më jepni, duke kërkue të dëshmoni publikisht nji ngjarje tronditëse të jetës suaj shumë vite të shkueme, e që edhe sot ajo mbetet nji traumë trazuese, të cilën ende po e vueni. Ju shpreh dhimbjet e mia.
Unë e kuptoj fort mirë gjendjen që keni kalue, dhe e vlersoj pa masë gjestin tuej të dëshmisë. Nji guxim të cilin e respektoj dhe ju premtoj se keni edhe mbështetjen time të plotë… në kët dëshmi që ju keni gjetë guxim me e ba publike…
Me që asht dëshira Juej, për mbrojtjen e të dhanave tueja, për mos me lëndue ta afërmit tuej, të jeni e sigurt se unë kam me i qëndrue deri në fund vullnetit tuej.
Le të mbetet guximi juej nji shembull se vetëm duke e dëshmue të vërtetën nji shoqni mundet me u çlirue prej së keqes që e ka kaplue…
Ju falenderoj për për guximin e gjetun mbrenda vedit dhe për besimin e dhanun… njiherit ju uroj që qetësia e plotë të mbretnojë edhe në shpirtin tand prej gruaje fisnike…
me respekt të thellë
Jozef Radi

p.s Nesër do të paraqitet rrëfimi e plotë i zonjës në fjalë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.