back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Të prishësh një Monument Kulture – nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Berati i Vjetër
Berati i Vjetër
Ky shkrim i zotit Agim i Sh. Dishnicës,
është një hymn për qytetin e tij të lindjes dhe ëndrrave Beratin,
një nga qytetet jo vetëm më të lashta po edhe më karakteristike të vendit…
Ky shkrim shfaqet njëherësh si hymn i një dashurie eterike
të trazuar me një dhimbjen e thellë, që vetëm njerëz që e jetojnë deri në qelizë
qytetin e tyre mund të gjejnë te magjia e fjalës një violinë të tillë shpirti,
që na e sjell aq dhimbshëm e aq madhërishëm qytetin e “njëmbinjëdritareve”
në atë mbijetesën me shpirt nëpër dhëmbë dhe humbjet e njëpasnjëshme
të pësura nën diktaturë e postdiktaturë…
jozef radi, 6 qershor 2021

Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica

Të prishësh një Monument Kulture

nga Agim Xh. Dëshnica

Shembja barbare, papritur natën e Teatrit Kombëtar me ndihmën e policëve të dhunshëm, të Edvin Ramës të fshehur pas shpinës së shkatërrimtarit të Tiranës Erion Veliajt, na kujton pushkatimet në mesnatë me urdhër të atyre që rrafshuan me dinamit ndërtesën neoklasike të Bashkisë edhe të Kafe Kursalit të kohës së paraluftës, më te bukurat në Sheshin Skëndërbe; shkatërrimet e monumenteve te kulturës, si Pazari i Vjetër në Tiranë me vlera historike e turistike; hedhjen për tokë me dinamit të Bezistenit në Shkodër, – treg i gjerë, i mbuluar me çati, ku shiteshin mallra e këmbeheshin monedha të vendeve ballkanike. Na kujton edhe shembje, mbyllje kishash, xhamish e teqesh të vitit 1967; shkallmimin aty nga vitet 70, e qyteve si Berati të shpallur formalisht Muze.
Sarajet e Pashallarëve rënuar aty nga viti 1947, nga pushteti i diktaurës në Berat.
.
Berati i viteve '20
Berati i viteve ’20

Çdo shtëpi ka veçanësitë e saj. Qindra syresh krijojnë një qytet me tërë vlerat dhe historinë e tij. Si gjithmonë, trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të mirëmbajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta, si vazhdim të jetës në kohëra të reja. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli, Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj, siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive tragjike, mjerisht vetëm me tri lagje, Mangalemin, Goricën e Kalanë, edhe këto të prekuara nga ndërtime të gabuara. Asnjë popull dhe asnjë shtet në botë nuk prish monumentet e veta të kulturës, sipas manisë perverse të një njeriu, pra: “nuk prish shtëpi të bëjë kasolle!” Nga një revistë italiane mësohet se, pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin, kur ktheheshin atje dhe gjenin pallatet klasike, kafet, parqet e rrugët e kohëve të bukura të rinisë së tyre.

Në Shqipëri, në mbarim të luftës, pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndje fryma dhe pesha e një jete të re; për disa – e lumtur, ndërsa për mjaft të tjerë – e panjohur, e dhunshme dhe e frikshme.
Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me një vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Pra, shteti i ri tashti e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla. Do të kujdesej për Kalanë me dramat tragjike, për shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lumë e urë, për xhamitë e kishat, për zejtarinë, legjendat e këngët.
Por, ç’ndodhi në të vërtetë? Pas ngritjes së fabrikave, ardhjes nga rrethet e tjerë të nëpunësve dhe punëtorëve, qyteti u mbipopullua dhe mori pamjen e një qendre industriale pa të ardhme. Si një akt hakmarrës i pakuptimtë, qysh në vitet e para u bë rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lumë e shumë elementëve arkitektonikë! Sot, ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për hijeshinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit që e shpalli atë qytet muze, qendra e tij me sheshe, pazare e një varg dyqanesh, u shemb dhe u tjetërsua! Ndërtesa neoklasike e hotelit Kolombo u rrafshua për një lulishte! Edhe Shkolla qytetëse, ku dikur mbërrinte Felbani (treni) austriak Shkodër-Berat, u hodh përtokë! Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën, disa u shembën! Po atë fat patën edhe lagjet e tjera. Emrat e vjetër, që dëshmonin historinë, u ndryshuan. Mbijetuan vetëm përmendorja e Dëshmorëve të Kombit dhe busti i Babë Dudë Karbunarës, të përuruar qysh në vitet ’30. Kalimtarët, në hyrje të parkut të madh, kundër natyrës së qytetit, haseshin me bustin e Stalinit, kurse heroi ynë kombëtar Skënderbeu, përfaqësohej vetëm, gjë që ndodh edhe sot, nga një përkrenare e bardhë, pa kurrfarë vlere artistike, sipër një shkëmbi.
.
Berat - Ulliri 2000. vjeçar
Berat – Ulliri 2000. vjeça
Gjithsesi, njëra nga lagjet vazhdoi të mbronte emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut me qendër në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, dhe emri i ri zyrtar “Çlirimi” përdorej vetëm nga postierët dhe policët. Karrocierët e pajtoneve, para se të hiqeshin nga qarkullimi, thërrisnin “Hajt, Çelepi!”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i plotë, shtrihej nga hyrja e Beratit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohej për disa shkolla, për Kullën e Sahatit, për puset e çesmat, për xhamitë, teqetë e tyrbet, për parkun plot me lule, për ndërtesat monumentale e për bahçetë, që kufizoheshin me fushat e fshatrave përreth. Njëra nga mëhallët e saj, afër lumit dhe përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, se si ato saraje madhështore të Omer Pashës, me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadha brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur, me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Për një kohë të gjatë, askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura, që endeshin si hije poshtë e lart me veshje të ndritshme dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak, përbri mureve gjysmë të rrënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë, kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamionë. Njëri prej sokakëve fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartësohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur ajo qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjyshit tim Sulejmanit, me prejardhje nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenjë, i respektuar nga të gjithë, herë – herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia e tij qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Ajo ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani asokohe oficer me gradën kapiten, e bleu atë dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve, u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në të katra anët, me të dyja pjesët në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kishte falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, me oborr, pus e kopsht. Nga oborri kryesor, dy dyert e gjera të çonin në mjediset e ndërtesës së bardhë, që e shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë ajo, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë, e ndërtuar me mjeshtëri, ashtu si e vjetra në krahun e djathtë, qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj, nëpër shkallët e brendshme, ngjiteshin në dhomën e pritjes, që njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra, figura zogjsh, zambakësh e trëndafilësh, gdhendur në kanatat e derës, të kamareve dhe musandrave. Në dhomë shkëlqente gjithçka: muret, vatra me rrasa guri gri, daullja e saj e bardhë dhe dyshemeja e mbuluar me qilim persian. Llampadarët në tavan dhe disa shandanë shumëdegësh mbi dyshemé, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur tërhiqnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin e dytë ndodheshin edhe dy hamame, si edhe dhoma e gatimit, (açillëku, apo kuzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokrra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej, pas një dere, kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, rrobalarësja me një korridor të zgjatur, që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë, brenda një dere të gjerë me dy kanata ngjyrë kafe, shtrihej hajati i gjatë e i gjerë i mbuluar me pllaka guri të gdhendura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga kuzhina, nëpërmjet një shkalleje të fshehtë me kapak sa një derë. Në fund të hajatit hapej dera tjetër për në odën e freskët, që përdorej gjatë muajve të verës. Majtas, përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me voza druri, me shtëmba e qypa të mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendshme me parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqve, e treta – tek e zjarrit, e katërta – për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor, që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të mëdha. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej, shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjesit, shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit, herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lumë, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zëri i myezinit nga minarja. Në oborr kryheshin jo rrallë rite fetare. Në raste festash e dasmash ushtonin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.
.
Foto e ekspozita Berati i vjeter
Foto e ekspozita Berati i vjeter
Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zogj. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e rremës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e rremës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte me gurgullimë ujë në vijën që vadiste perimet e u bënte mirë edhe pemëve. Kalimtarët, tek kalonin përtej rremës, deri në kohët e shqetësuara të pasluftës, ndaleshin dhe sodisnin pamjet e pemëve me fruta gjithfarësh, si fiq, kumbulla e rrush të bardhë e të zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre – arra, lajthi, bajame, mana, ftonj, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjojet e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër bregun tej rremës, vraponin fëmijët e mëhallës me pipëzat e borijet prej druri të njomë. Disa hidheshin topçe në rremë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin nën ujë dhe shfaqeshin larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zogjve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet e pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë, ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat nën lartësitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.
Gjysh Sulejmani në ditë të kremte priste në atë shtëpi, madje edhe në bahçe, në një qoshk apo në verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, e mësues, si Babë Dudë Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë krahinën. Aty bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në Berat e në Vlorë.
Çfarë ndodhish ndoqën njëra – tjetrën në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rrallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj?
Ajo u ndërtua nën pushtimin osman.
U gëzua, kur lindi djali, Xhevdeti, që do të shquhej më vonë si patriot.
Kremtoi në kohën e Pavarësisë.
U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.
U vlerësua nga albanologët austriakë në kohën e Austro-Hungarisë.
Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.
U gëzua më kot në ngjarjet e qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës së tij me të shoqin telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën.
Në një mëngjes të atyre ditëve ndodhi diçka e papritur.
Trokitën në portën e madhe dhe hynë me vrull në oborr një togë xhandarësh me teneqe vajguri në duar. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast ai u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri:
– Po të jeni burra, digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi!
Kapteri u hutua edhe më, teksa atje ia behën me vrap tërë ata burra e gra nga mëhalla. Atëherë, me urdhrin e kapterit, xhandarët morën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.
Në kohën e Luftës italo-greke, me urdhër të Bashkisë, u vendosën në katin e parë të shtëpisë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italian, që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla, e shqetësuar për shtëpinë, u fliste oficerëve të hynin brenda.
.
Berati i Vjeter
Berati i Vjeter
Pasi ikën italianët, në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë dhe pa helmetë, me kapelen me strehë në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e me kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se kërkonte të merrte ca kumbulla te një pemë e rritur vetiu buzë rremës, kokrrat e tharta të së cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin, binin në rremë dhe i rrëmbente me vete rryma e ujit. Merr, merr sa të duash! – ia bëri me shenjë halla ushtarit gjerman. Pas pak, ai mori dhe u kthye, e falënderoi hallën dhe u largua drejt urës me dërrasa, tek e priste një shoku i tij.
Një ditë tjetër halla pa një ballist, që kishte mundur të ngjitej te një nga kavakët dhe po hante nga rrushi i verdhë i pjekur mirë. O djalë, i bërtiti ajo, kjo bahçe ka zot! Hë, moj hallo, ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot unë! Ja, mbarova! Zbriti poshtë ai dhe, duke qeshur, kaloi urën e u zhduk.
Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe nga gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë.
Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjesit, një zyrtar njoftoi se, sipas vendimit të Komitetit të Partisë dhe të atij Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për t’u mbjellë me grurë e misër. Halla, aktiviste e guximtare e luftës, u lodh më kot t’i bindte shefat, që pemët të mos i pritnin. Pa kaluar as tri ditë, dhjetë punëtorë me sharra e sëpata në duar e me një përgjegjës në krye, u futën në bahçe dhe i prenë pa mëshirë pemët e ëmbla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pati hipur ballisti për një veshak rrush, këputjen e dhimbshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me lloj-lloj rrushi, shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degët e gjelbra si direkë anijesh, plandosjen e mënit të lartë, përmbysjen e kumbullave, të fiqve e të pemëve të tjera me fruta gjithfarësh!
Merreni me mend dëshpërimin dhe fyerjen e hallës!
Më pas i erdhi radha tragjedisë së shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture!
U panë në oborr disa ustallarë. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër të bardhë, tek shkruhej urdhri i qeverisë për ta rrafshuar shtëpinë. Atëherë halla nuk jetonte më. S’mund ta mbronte dot me vetmohim. Po edhe trashgimtarët e saj ishin të pafuqishëm. Me lot në sy e jetoi dhimbjen edhe nipi i tyre, shkruesi i këtyre radhëve, me punë larg Beratit. Punëtorët, të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, e nisën rrafshimin me kazma, lopata, sharra, sëpata e sqeparë, ganxha e qysqi. Pra, bënë rrafsh me tokën një nga shtëpitë më të bukura të lagjes Murat Çelepi, tok me historinë e saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur! U goditën e u hodhën në tokë muret e gurtë rrethues, porta e madhe me hark! U shembën tavanet dhe çatia e gjerë, dhomat me oxhakë e llampadarë, nimet e shkallët, furra e qilari me qypa, hajati e konaku i kafesë, biblioteka… Gjithçka – me vrull revolucionar! Përse, vallë, u shfaros ajo mrekulli bujare!? Mister!
.
Berati i Vjeter
Berati i Vjeter
Ndoshta në arkivin e Kinostudios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot ndonjë film dokumentar, për atë shtëpi të bardhë, tek u strehua e sigurt Margarita Tutulani, e tek më vonë fshehën kokën rreth tridhjetë hebré dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar, në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti në atë lagje një rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të zhdukur pa nam e nishan, si nga ndonjë bombardim i egër.
Tashmë trualli i rrafshuar i saj ka mbetur shkretë. Nuk dëgjohen më atje zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë, që lindën, u rritën, banuan dhe shërbyen në arsim, në shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen as cicërimat e zogjve, as kënga e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në rremë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Rrezet e ngrohta të diellit e ajri i pastër i Shpiragut më kot kërkojnë dritaret varg të shtëpisë së bardhë dhe kurorat e blerta të pemëve. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemërgjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshua edhe shtëpia e dijetarit dhe poetit Vexhi Buharaja, edhe shtëpitë e mësuesve, tregtarëve dhe të zejtarëve të njohur të qytetit. Nuk dëgjohet më uturima nanuritëse e lumit, as kambana nga Kulla e Sahatit e hedhur në tokë bashkë me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi.
Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë që merret me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Përmetit për zonat historike, që nuk janë mbrojtur si duhet, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, jeton një gjendje të dhimbshme për shkak të shkujdesjes së atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës të sotëm, që mburren me librushkat për turistët.
Në troje të harruara të Beratit të tanishëm shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e hijshme të mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçeve të dhunuara kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç është bërë me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë, mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rrethonte shtëpinë dhe bahçenë. Shega, qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrra të shëndosha, duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre se jeta vazhdon…
Kështu do të ndodhë edhe me Teatrin Kombëtar, tashmë rrënojë e heshtur, nëse Shoqata për mbrojtjen e tij do të shtojë rradhët duke kërkuar me vendosmëri në protesta ringritjen e ndërtesë së artit dramatik, ashtu siç ishte me kulmin e hijshëm. Atëherë në skenën plot me kujtime aktorësh artistë, do të ringjallen, Hamleti, Laerti, Otello, Shekspiri e Noli, ndërsa në sallën e gjerë, do të shpërthejnë duatrokitjet e munguara…
 .

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.