
Të lutem, të lutem, shpëtoje babin tim…!
nga Xhorxhina Roci
Dhimbje e rrëfyer me shpirt fëmije…
që dhëmb fort edhe ndër të tjerë…j.r.
Isha rreth 11-12 vjeç.
Prindët e mi kishin shitur shtëpinë e tyre dhe ne jetonim me qera ne katin e 5-të në një nga pallatet e ndërtimeve të para 2000-it.
Kjo ishte shtëpia e dytë që ndërronim brenda të njejtës lagje. Roli im ishte i qartë.
Do të ruaja orenditë e shtëpisë derisa mami, babi, motrat t’i transportonin nga shkallët në shtëpinë e re.
Do ishte gjithnjë një shtëpi e re dhe pse s’do të ishte kurrë shtëpi e jona. Kështu u njoha me vajza të moshës sime në pallatin e ri. Por isha shumë e mbyllur. Ajo që bëja shumicën e kohës ishte të rrija te shkallët, të luaja me kukullat dhe të lexoja herë mbas here revista për fëmijë. Më pëlqenin shumë revistat “Mrekullia”. Sidomos gjëegjëzat.
Kështu kalonin ditët.
Shkolla vazhdonte të ishte e njëjta. Shoqet e mia nuk ishin si dikur. Ato silleshin ndryshe. Shumica ishin zgjatur. Unë nuk ndryshova më gjatësi. Kjo më bëri të qëndroja në vend.
Ditën që e pashë tim atë të shtrirë në tokë, ishte një ditë si gjithë të tjerat.
Por babi nuk ishte si çdo ditë. Mami ulëret. Fqinjët vinë. Unë i shoh teksa çirren dhe e shtrëngojnë tim atë duke u përpjekur t’i gjejnë gjuhën…
Nuk qaj. Nuk di çfarë të bëj. Nuk kuptoj pse babit i iku gjuha dhe pse mami ulëret.
Por ne kishim dy dhoma. Të gjithë ndodheshin në korridor. Unë ulem në gjunjë, shoh ata dhe para meje ishte nje portret i Jezusit, një panoramë e vjetër e zakonshme. Mendoja se ai ishte Zoti ose një njeri më i fuqishëm se mua.
Dhe u ula në gjunjë. Lashë kukullën, shtrëngova grushtet e vogla dhe iu luta disa herë me mendime: “Të lutem, të lutem, të lutem, shpëtoje babin tim”
Mbylla sytë. Dhe prita. Babai shpëtoi.
Herën e dytë pësoi një parainfarkt. Herën e dytë u luta sërish. Babai im shpëtoi.
Herën e tretë unë u sëmura me bronkopneumoni.
Babai u shtrua sërish në spital. Ditën që shkova ta takoja për herë të parë ai ishte i rrethuar nga tuba në një krevat të ftohtë, brenda mureve të bardha.
Babai ngre sytë, më sheh, merr frymë me vështirësi. Përpiqet të më thotë diçka…
Bija ime…
Nuk durova dot… Vrapoj në tualet dhe ulem në gjunje. Motra vjen pas meje.
Kthehem dhe i buzëqesh. Mbase më buzëqesh dhe ai. Atë ditë nuk lutem për të. Ditën tjetër babai im ndërroi jetë. Kjo ndodhi pasi kishim ndërruar sërish shtëpi… dhe pas hedhjes sime nga kati 4…
Marrë nga Muri i FB, Xhorxhina Roci, 14 korrik 2026