Të Lindet Rinia! – nga Kristaq Jorgo

Gazeta

Kristaq Jorgo
Kristaq Jorgo
Të Lindet Rinia!
nga Kristaq Jorgo
[“A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo.” Faik Konica ]

Para thuajse nëntë dekadash, duke i bërë një diagnozë të hidhur shoqërisë shqiptare të të gjitha kohëve, Faik Konica i vuri përpara një sfidë të rëndë Shqipërisë së ardhme. Këtë sfidë asnjëri prej brezave që ndoqën njëri-tjetrin prej vitit të largët 1937 e deri më tash nuk e ka fituar gjer në fund. Fitimi i kësaj sfide do të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për gjithë Shqiptarinë.
Cila është diagnoza e hidhur dhe cila sfida e rëndë?
Shkruante Faik Konica në artikullin “Të Rinjtë”:
“Disa probleme shtrohen këtu përpara vëzhgonjësit. E par’e punës, ç’është rinia a djalëria? Një profesor i Universitetit Yale, dr. Howard Haggard thoshte para disa javësh se […] “…ka njohur njerëz që ishin pleq kur arrijtën dyzet vjet, edhe të tjerë që ishin të rinj ndonëse shtatëdhjetë vjetsh nga vërsa. […] Rinia s’ka të bëjë me moshën…”
[“Ç’është rinia, ç’është i riu?] Të riut i ndizet mendja me ëndëra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesë vetiake, është i zoti të vuaj për ideale; dridhet nga padrejtësitë dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja…”
“A ka të rinj në Shqipëri? Unë përgjigjem se jo. Në Shqipëri (…) shohim djem të ngrysur, me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak!”
“Nuk ka shqipëtarë të rinj, po vetëm ca shqipëtarë të lindur më parë, ca të lindur më pastaj, – të gjithë pleq, të thatë nga zëmëra e tyre, e cila s’ka njohur kurrë enthusiasmë për gjësendi.”
“Dhe me që janë të gjithë pleq, është më mirë për vendin të qeveriset nga pleq me jetë të gjatë që kanë patur rastin të njohin botën se sa nga pleq me jetë të shkurtër që dinë vetëm një gjë: të bërtasin që duan të bëhen gjeneralë pa patur qenë kurrë ushtarë!”
Kështu shkruante Faik Konica në 1937-n.
Dhe sa e vogël, ende sot, është Çeta e të Rinjve të Vërtetë në mesin e kësaj Gjindjes sonë!
Të lindet Rinia Shqiptare, pra!
E cila të mund të thotë:
“I ndritur Faik Konica, të ndritur Paraardhësit tanë, e sotme dhe e ardhme, Atdhe e Botë: Ne Sfidën e madhe e fituam. Sëmundjen shekullore e mposhtëm.”
Pasi ta shihte këtë Ndryshim, shpirti i Faik Konicës do ta rimerrte atë që shkruante 88 vjet më parë – mundet – kështu:
“A ka të rinj në Shqipëri? Po! Të riut i ndizet mendja me ëndrra fisnike; I riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interesa vetjake, është i zoti të vuajë për ideale; dridhet nga padrejtësitë dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja. Rinia s‘ka të bëjë me moshën. Shqipëria më në fund e ka dhe do ta ketë përgjithmonë Rininë e saj.”
Marrë nga Muri i FB, Kristaq Jorgo, 08 dhjetor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit