back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Të dekriminalizohet kuvendi! nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Të dekriminalizohet kuvendi!

nga Ilir Hashorva

Ç’do të thotë të dekriminalizohet kuvendi?
“Të largohen apo të mos mund të bëhen dot deputetë disa persona me të shkuar kriminale, disa persona me veprimtari si të Al Kapones,” – është mendimi i përgjithshëm. Por, në qoftë se do të largohen apo do t’u pengohet hyrja në kuvend këtyre personave, vërtet do të përmirësohet ai kuvend, vërtet do të dekriminalizohet?
Mendoj se të kuptuarit e çështjes në këtë mënyrë është shumë e cektë. Kriminel nuk është vetëm ai klasiku, ai që të ngul thikën para apo pas shpine; ai që të vjedh apo të grabit në kundërshtim me ligjin; ai që të rrëmben, të mban peng apo të përdhunon; por është edhe ai që, pa shkelur ligjin, madje, në emër të tij, pa e kuptuar edhe ti vetë, të dëmton dhe të dëmton rëndë.
Kur Ali Pasha ishte ende në mal, kur vidhte e grabiste, kur vriste e përdhunonte, një ditë, pasi kishin vjedhur një cjap së bashku me bashkëluftëtarin e tij, Sulon, pasi e poqën dhe filluan ta hanin, nisën një bisedë:
-Sulo, kështu do të hamë përditë, prit sa të marrim kryen e vendit.
-Po atëherë, nuk do të vjedhim dot, se do të na shohin e do të jetë turp.
-Do të vjedhim Sulo, do të vjedhim e nuk do të na shohin, do të vjedhim me ligj.
Të dekriminalizojmë vërtet kuvendin, do të thotë që ai kuvend të paraqesë, të diskutojë dhe të miratojë ligje të drejta e morale; do të thotë që kuvendarët, para se të miratojnë një ligj, të mos pyesin: “ç’përfitoj unë nga ky ligj?”; do të thotë që kuvendarët të mos miratojnë ligje që u vinë në ndihmë kusarëve, grabitësve e mashtruesve se, po bënë kështu, bëhen të gjithë ata vetë kriminelë dhe kuvendi mbetet i kriminalizuar.

Nuk ish gjë hajduti malit,/ ai vidhte atje ku kish,
por hajduti brenda gardhit,? të thyen brinjë e kërbisht…

– thotë populli… Dhe kuvendi ynë, që nga ai i pari i vitit 1992, ka miratuar disa ligje që në vetvete janë kriminale dhe është për t’u habitur se të gjithë: “të majtë” e të “djathtë”, edhe pse për ligje të tjera krejt të parëndësishme kacafyten keqas me njëri tjetrin, për këto ligje (po të përdorim një neologjizëm të Edi Ramës) janë në “dakordësi” të plotë.
Disa prej këtyre ligjeve po i rendis më poshtë.
Një kuvend që ka miratuar ligjet e pronave që kemi, është kuvend kriminal. Të vendosësh që pronën e X-it, që ia ka marrë apo grabitur Y-i, t’ia ligjërosh Y-it dhe t’i thuash X-it se po ia “kompenson” financiarisht, ke hartuar dhe ke miratuar një ligj të pastër kriminal. Përse?
Së pari, se ke promovuar vjedhjen dhe grabitjen dhe ke vrarë ligjshmërinë, ke mbrojtur shkelësin e ligjit dhe ke dënuar respektuesin e ligjit.
Së dyti, ç’të drejtë ke ti që të marrësh paret e taksapaguesve shqiptarë dhe, në vend që t’i shpenzosh ato në dobi të vendit, në dobi të përgjithshme, shkon e ua jep atyre të cilëve u ke marrë pronat për t’ua dhënë të tjerëve?
Së treti, vetë pronarët, të cilëve u ke marrë pronat, nuk duan shuma qesharake parash kompensimi, para që shumica nuk do t’i marrin në jetë të jetëve. Ata duan pronat e tyre.
Së katërti, metoda e kompensimit financiar nuk është krijuar për të dëmshpërblyer vërtet në njëfarë mënyrë të gjithë ata të cilëve u janë grabitur pronat, por për të ngushëlluar me pak para një grusht të vogël ish-pronarësh të afërt me pushtetin si dhe për të shpërblyer një numër zyrtarësh, përsëri të lidhur me pushtetin, të cilët e shfrytëzojnë postin e tyre për të marrë ryshfete prej atyre të cilëve u akordojnë njëfarë kompensimi.
Ka edhe aspekte të tjera shumë negative që lidhën me tjetërsimin e pronave, por edhe kaq mjafton për ta karakterizuar ligjet e pronave si kriminale dhe kuvendin tonë që ka miratuar ato ligje si kriminal. Të mos harrojmë se ligjet e pronave janë hartuar që në vitin 1992. Që në këtë kohë kuvendi mori fytyrën e një institucioni kriminal dhe që në këtë kohë u ka dhënë të drejtën kryetarëve të qeverive, por edhe zyrtarëve të rangjeve më të ulëta, që të dalin e të mburren lart e poshtë nëpër Shqipëri, duke shpërndarë vërtetime pronësie për pronësi të grabitura, madje të futen edhe në garë për numrin e vërtetimeve që ka lëshuar njëri apo tjetri dhe të lënë dyerve të zyrave të shtetit dhe të gjykatave që prej 25 vjetësh ata të cilëve iu grabitën pronat. Ç’interes kanë për këtë? Ata përdorin pronat e grabitura për të blerë votat.
Një kuvend që miraton ligje për të shtuar herë pas here pagat dhe privilegjet e anëtarëve të tij, në një kohë kur niveli i jetës së shtetasve ulet e taksat ngrihen, është kriminal. Anëtarët e kuvendit janë bërë nga njerëzit më të pasur të këtij populli të varfër. Që në vitin 1992, nga ligjet e para që miratoi kuvendi, ishte ai i pagave dhe i privilegjeve të deputetëve. Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, ua ktheu mbrapsht kërkesën deputetëve dhe një deputet i zemëruar i asaj kohe, tha: “Vetëm zogu knon pa lekë”. Sipas tij, fjalët që thonë deputetët në kuvend janë perla e kaluar perlave që duhen paguar dhe duhen paguar mirë. Kuvendi e miratoi ligjin për përfitimet e deputetëve dhe që nga ajo kohë ato përfitime u shtuan herë pas here.
Një kuvend që, në vend që të merret me ideimin dhe hartimin e ligjeve të mira e të drejta për popullin dhe vendit, merret me grindjet rrugaçësore midis anëtarëve të tij, është kriminal. Ja një grindje e kohëve të fundit e zhvilluar në kuvend:

Seance e Kuvendit popullor shqiptar
Seance e Kuvendit Popullor Shqiptar

Koço Kokëdhima: “Fillimisht dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për z. Ristani, i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte Pllatua. Pllatua ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatonin e kishte bërë Baxhia, motra e Mitros. Mund të kishte zgjedhur Saliu një burrë tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë Komision. Ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, njëherë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës” (të gjithë anëtarët e shumicës në parlament gajasen).
Arben Ristani: “Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Kokëdhimën m’u kujtua një shprehje e të parëve të mi që thoshin: “Në fshat ka qenë një rregull që mos të bënin krushqi me Kokëdhimat”. Tani që po e shikoj Kokëdhimën, e kuptoj se pse ata kishin të drejtë” (të gjithë anëtarët e pakicës në parlament gajasen).
Në vend që deputetët të vlerësohen nga idetë që hedhin dhe nga mbrojtja e atyre ideve, vlerësohen nga sharjet që shkëmbejnë midis tyre kur grinden, nga ato që quhen “batuta” e që janë thjesht budallallëqe e banalitete. Për këto marrin ato paga të larta dhe sigurojnë një mori privilegjesh të tjera, të gjitha të paguara nga populli i varfër shqiptar.
Një kuvend që vendos të ketë 140 përfaqësues në një vend të varfër me më pak se 3 milionë banorë, dhe këta t’i mbajë me të gjitha të mirat, është kriminal. Vende shumë më të mëdha me popullsi se Shqipëria dhe me shumë më shumë probleme reale se Shqipëria, kanë shumë më pak përfaqësues. Përveç kësaj, mbi gjysma e deputetëve janë thjesht parazitë, janë thjesht mumie që, as nuk japin dhe as nuk marrin, as nuk flasin as nuk dëgjojnë, as rrinë e as ikin. Edhe të tjerët që flasin jo se kanë ndonjë mendim personal, ata thjesht shquhen në zotësi për të mbështetur ato që thotë i pari i tyre.
Një kuvend që miraton ligje për financimin e partive politike si dhe të fushatave të tyre zgjedhore tepër të kushtueshme, është kuvend kriminal. Përse duhet të paguajnë shqiptarët para për të mbajtur ato farë partish politike? Përse duhet të paguajnë shqiptarët fushatat zgjedhore të atyre partive të cilat mbledhin dhe paguajnë mijëra njerëz që të dëgjojnë e t’u bëjnë dekor disa injorantëve që mbajnë gjoja fjalime në të cilat përsërisin pa pushim budallallëqe e banalitete të neveritshme? Dhe, të mos harrojmë: financimi i partive politike shtohet nga viti në vit, ashtu siç shtohen dhe pagat dhe privilegjet e deputetëve. Partitë të vetëfinancohen nga anëtarët e tyre dhe të mos marrin asnjë lek nga buxheti i shtetit, nga paratë e popullit, përndryshe, parlamenti mbetet kriminal.
Një kuvend që nuk është në gjendje të nxjerrë një ligj për të qenë për të zbuluar krimet dhe kriminelët e komunizmit, është vetë kriminal. Ka 25 vjet që flitet për hapjen e dosjeve, për gjënë më të lehtë që mund të bënte shoqëria shqiptare, për të zbuluar dhe për t’u ndarë me të shkuarën mizore komuniste dhe kuvendi nuk e bën.
Për derisa kuvendi do të vazhdojë në këtë mënyrë, sado Mark Froqër të largojë apo të fusë në burg, ai është dhe do të mbetet kriminal.
Nju Jork, 26. 05. 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.