back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Takim me Gëzim Lumin… përtej Detit! – nga Jozef Radi

Gazeta

Gezim Lumi - Beslidhja e Madhe
Gezim Lumi – Beslidhja e Madhe

Takim me Gëzim Lumin… përtej Detit!

nga Jozef Radi

Gëzim Lumi në kujtesën time, është ende ai djaloshi i një thjeshtësie të rallë, të cilin n’një kohë të hershme, qysh fëmijë, pata mundësi ta njoh ashtu fluturimthi. Prej tij kam mundur të kuptoj se shpesh pasionet e njeriut në kohë të vështira bëhen shkak për të deformuar vlerat e tyre, talentin e tyre, e pse jo edhe atë thelbin e mirësisë së tyre…
Në vitet 1968-1972, kur unë, një adoleshent kureshtar, e kam njohur Gëzim Lumin si një djalë të talentuar, e plot energji E kujtoj mirë se ai me origjinë ishtë nga Devolli, por që kishin zbritur në Kooperativën e Saravës, si të dëbuar nga vendi i tyre, e nuk e di as sot se për ç’arsye. Mbasi kishte mbaruar një kurs pikture, ai kishte tentuar të vazhdonte liceun, por biografia e “zezë” s’e kishte lejuar. Kështu e kujtoj e ndoshta mbas mbarimit të ushtrisë, atë e vendosën në punë në repartin e pikturës së ndërmarrjes bujqësore më të madhe në Shqipëri: “29 Nëntori”, ku punonin dy figura të rëndësishme intelektuale si Lek Pervizi dhe Lazër Radi. Sjellja e Gëzim Lumit, ende djalosh edhe pse i talentuar, aty ku ata punonin, dy intelektualët e njohur, e konsideruan si një mënyre që po përdorte Sigurimi i Shtetit për t’i mbajtur nën kontroll. Kështu që ajo lehtësia e mëparshme e bisedave mes tyre, u ndal, dhe ata u bënë gjithnjë e më të kujdesshëm, gjatë gjithë kohës së punës.
Gëzimi, edhe pse kishte një fytyrë të pafajshme e ndjeu këtë shmangie të kujdesshme të tyre, jo pse ata s’kishin të drejtë, por edhe pse djaloshi tashmë ishte në një betejë me ndërgjegjen e vet…
Një ditë, ndërsa Lazri dhe Gëzimi po ktheheshin me biçikleta në shtëpi, duke ecur bregut të Lumit të Zi, (një emisar i famshëm që kishte tharë kënetën e Tërbufit) në një çast Gëzimi e ndali biçikletën dhe i thotë: Dëgjo, o xha Laze, unë e kuptoj që ti dhe Leka ruheni nga unë, por unë të them vetëm një gjë, ata vertet më kanë shtrënguar që unë të shkoj e të raportoj gjithçka që ju bisedoni me njëri tjetrin, dhe unë vërtet u kam treguar bisedat që bëni, por ato që unë u kam treguar atyre nuk u pëlqejnë. Sepse ata kërkojnë të tjera gjëra që unë t’ju provokoj, gjë që unë nuk do ta bëj kurrë edhe skur të më fusin në burg, sepse unë kam shumë respekt për ju, qoftë edhe për ndihmën që më keni dhënë me vërejtjet tuaja! Ata le të më bëjnë çfarë të duan! Unë nuk mundem të shpif as për ty o Xha Laze që je burrë i vjetër dhe as për Lekën, që është njeriu më i talëntuar që kam njohur! Siç ishin duke ecur, Lazri u ndal, e lëshoi biçikletën dhe më përqafoi, djaloshin nga Sarava!
.
Gezim Lumi - Autoportret
Gezim Lumi – Autoportret
Mbas disa muajsh Gëzim Lumin e larguan nga reparti i pikturës në Pluk! Po të njejtën gjë e bënë edhe me Lazër Radin mbas me pak se një viti e gjysëm. Në atë kohë ai ishte 58 vjeç.
E kujtoj shumë mirë një detaj nga mardhëniet mes tyre. Gjatë kohës që punonin në Plug, Gëzimi iu lut Lazrit që të pozonte për një portret, me aq sa ai e njihte pikturën e portretit. Mbas dy-tri orësh Lazri i lodhur nga e ndenjura në pozim, i thotë Gëzimit: A mbarove, a jo, se ma more shpirtin!? Ndërkohë kishte ardhë edhe Lek Pervizi, i cili mbasi e pa punën e realizuar, e vlerësoi mjaft po i bëri edhe vërejtje… Atëherë i tha Gëzimit : Kur arrin të bëhesh piktor i vërtetë s’do keshë nevojë me e gërmue gjatë një portret, por e fotografon mirë dhe mandej e punon… Ja me shih mua, unë do ta bëj Lazrin për 5 minuta, me shpinën e kthyer. Dhe vërtet ai mori një copë kartoni, dhe mbasi e pa me vëmendje Lazrin u kthye me shpinë nga ai dhe i bëri një profil të tij në formë busti! E gjithë ajo punë nuk zgjati më shumë se 10 minuta. Me mjeshtrinë e tij Lek Pervizi e kishte gdhendë Lazrin përmes pikturës.
Atë darkë, Lazri u kthye nga puna me 2 portrete të vetat , një të bërë nga Lek Pervizi dhe tjetri nga Gëzim Lumi, punë që për fat të keq humbën në ato spostimet e vazhdueshme, dhe sigurisht nga një pakujdesi e pajustifikueshme. Para pak kohësh, mbas gati 30 vitesh, ashtu si rastësisht pata mundësi të flas me piktorin Gëzim Lumin. Kështu na u rikrijua rasti të rrëfejmë histori të lashta e të trishta! Njëherësh munda të shoh se pasioni i pikturës ishte ende dashuria më e madhe e jetës së tij. Më tha se kishte krijuar rreth 700 kuadro të punuara në vaj… dhe se jetonte prej më shumë se 20 vitesh në Vicenza të Italisë, se kishte tre vajza që ia kishin bërë jetën plot dritë…
Për të dëshmuar diçka më shumë, e për të hyrë sadopak në kontakt me botën e artit të Gëzim Lumit ju ftojmë ta ndiqni vazhdimin e kësaj bisede, që ma merr mendja se ia vlen ta ndiqni…
.
Gezim Lumi duke punuar në studio
Gezim Lumi duke punuar në studio

“Unë besoj se vetëm arti është i gjithpushtetshëm!”

Bisedoi me piktorin Gëzim Lumi, Jozef Radi.

Kur ka lindur ideja e pikturës te Gëzim Lumi, dhe çfarë sakrificash keni bërë në emër të pikturës? – Pikturën e kam filluar me letrat e thasëve të çimentos, kur isha rreth 8-9 vjeç, në Shtyllas, ku na kishin internuar. Aty bëheshin ca ndërtime, ku unë merrja thasët bosh dhe me to vizatoja ç’të mundja. Më pëlqente të bëja gjithfarlloj figurash. Shkollën fillore e bëra në Shtyllas, shtatëvjeçaren në Pojan të Fierit.
.
A keni studiuar në shkollë pikture dhe nëse jo, a e ndjeni mbas kaq vitesh punë e përkushtim që ju mungon shkolla e artit? – Shkollën e pikturës s’e kam mbaruar. Mbasi u liruam nga internimi, erdhëm në Lushnje. Ishte viti 1962, kur shkova në Tiranë në Lice. Arrita nja 2 orë me vonesë, mbasi nuk e dija ku ndodhej liceu. Mësuesi mezi pranoi të më merrte në provim, megjithatë me futi në një provë. Kur mbarova, më përcolli deri jashtë liceut e më tha: Mirupafshim në shtator! Më vonë mora vesh, se ai kishte qenë piktori Abdurrahim Buza. Në shtator, shkova në Komitet Ekzekutiv, për të marrë vesh nëse më kishin dhënë të drejtën e studimit. Gruaja që lexonte listën më tha se nuk mund ta merrja të drejtën e studimit… dhe kjo e “drejtë studimi” do të vinte vetëm mbas 28 vitesh!!!
.
A keni pasur ndonjë vlerësim në Shqipëri, dhe a keni hapur ndonjë ekspozitë pikture gjatë kohës që keni jetuar në Lushnje? – Po, kam hapur një ekspozitë dhe kam shitur vetëm 2 punime. Mos harro, unë isha i përjashtuar për të mos u marrë me art! Më morën dy kuadro: “Manastirin e Ardrenicës” dhe një “Natyrë të qetë”, por më kryesorja, kur shkoja në kursin e pikturës në Lushnjë, profesori i thoshte një punonjësi të Shtëpisë së Kulturës: Shihe këtë si punon… Sikur ka mbaruar liceun! Kursi zhvillohej në shkollën e kulturës. Njeriu që dëgjoi këto fjalë ishte shefi i muzikës, kurse ai që foli ishte shkrimtari dhe piktori Faslli Haliti!!
.
Gezim Lumi - Venezia
Gezim Lumi – Venezia
Mbas shumë vitesh ndoqa disa nga pikturat e tua, ato janë një dëshmi që ju keni luftuar për të ruajtur një nga pasionet e mëdha të jetës! Ajo që më ra në sy njëfarë drite dhe fryme impresioniste në artin tuaj. Si do ta përcillnit këtë mendim?  – Më pëlqen shumë impresionizmi edhe pse jam pak naiv në mënyrën e përcjelljes së kësaj fryme, por them shyqyr që jam pak naiv! Po të isha modern s’do më dhimbte aq shumë ajo çfarë shikoj në këtë botë! E them këtë, sepse mendoj se më dhemb çdo gjë që s’është e mirë, dhe i gëzohem si fëmijë asaj që është e bukur e magjepsem mbas saj.
.
Në rininë tuaj të hershme, për një kohë të shkurtë keni patur mundësinë të takoni dy personalitete, piktorin Lek Pervizi dhe intelektualin Lazër Radi. A mund të na thoni diçka për këta dy njerëz, dhe a kanë patur ndonjë ndikim tek ju dhe arti juaj? – Eshtë e vërtetë! Kam punuar me të dy këta Njerëz për më shumë se një vit dhe kam mësuar shumë prej tyre, duke filluar me historinë e xha Lazrit që më tregoi për rininë e tij, idealet kohës së rinisë; për vrasjen e Qemal Stafës; dhe se kur studionte në Romë e kishte ndihmuar të mos binte në sy për idetë e tij. Qemali kishte qenë student me Lazrin dhe kishin mbaruar të njëjtën gjimnaz. Kalemxhinjtë e Tiranës shkruanin çdo gjë për Lazrin! Kur i kam treguar Lazrit se mua më kishin shkruar në Sigurimin e Shtetit që të rrëfeja për çdo gjë që thoshte ai, e unë nuk kisha pranuar, ai e lëshoi biçikletën dhe me lot në sy më tha: Dëgjo Gëzim, kam dy djem, por tani edhe ty të kam si djalin tim. Do t’ua them edhe atyre se kanë edhe një vëlla tjetër.
Unë e kam njohur pikturën italiane përmes syve të Lazrit po edhe Romën, Barin, Firencen, Venezian e qytete të tjera ku ai kishte qenë student apo kishte shetitur! Më ka treguar si e kishte fituar të drejtën e studimit në Itali; si kishte takuar një njeri të mirë që e ndihmoi të shkonte me studime në Romë, emrin e të cilit e kam harruar!
Flisja me ta për librat dhe letërsinë franceze, italiane, spanjolle e gjermane. Lazri më kishte thënë se kishte mbaruar studimet për drejtësi, filozofi e letërsi. Miqsia me xha Lazrin dhe Lekë Pervizin edhe pse u largova nga Pluku, unë shkoja vazhdimisht atje, po edhe në shtëpinë tuaj në Savër kam qenë. Ju ishit të vegjël, ai vinte edhe në S.M.T ku punoja unë.
S’e harroj Lek Pervizin! Ai ishte një person i thjeshtë që më jepte libra të pikturës. Kishte shumë katalogë të pikturës ruse. Kur këshilli popullor më kërkoi të bëja një portret të Hoxhës, që të më çonte me punë në S.M.T, këtë punim ia kërkova Lekës, se falë zotësisë dhe mirësisë së tij, unë përfundova si dizenjator në S.M.T.
Kujtoj një herë kur xha Lazri kishte ardhur te vendi i punës sime dhe unë po e përcillja. Posa u ndava me të, dhe u ktheva te dhoma ime e punës, mbas meje hyn zv.sekretari i byrosë së partisë. Me një frymë agresive dhe me zë të lartë më tha: Ku e njeh ti atë njeri?! Po na sjell këtu, lloj-lloj njerëzish! Mos ta shoh më atë njeri herë tjetër këtu!!!
Kur punoja në Pluk, dhe ishin duke bërë parulla tek Ofiçina e Madhe e ndërmarrjes, nga ana e perëndimit, atje më priti një jevg e më tha: Mos të kanë dërguar ata reaksionarët për të ditur çfarë thonë e çfarë bëjmë… Hapi sytë mirë, se ti je i ri dhe do ecësh përpara! Quhesh Fadil Kiptiu, dhe kishte një urrejtje të lindur klasore.
.
Gezim Lumi - Emigrimi i Arberve
Gezim Lumi – Emigrimi i Arberve
A keni ndonjë kujtim apo ndonjë histori interesante nga koha që kaluat kohe se bashku me këto dy figura? – Historitë tona s’kanë të mbaruar. I ri, mundohesha të shkruaja sa më mirë, Lazri përgatiste tekstin, Leka dhe unë e shkruanim nëpër llamarina, në kartona ose edhe në beze! Shumë herë na ftonte Leka për drekë, meqë e kishte shtëpinë afër! Unë isha i dhënë mbas rrëfimeve të Lazrit. Na tregonte për librat që kishte lexuar, për historitë e shkollës në Shkodër dhe Romë; për vitet e burgut. Më kujtohet njëherë më tha: Sa i padjallëzuar je ti more djalë, sikur je rritur andej nga kam qenë unë! Punoja në S.M.T me Mërgim Korçën, bile Sigurimi më dërgoi në një dhomë me të. Njëherë kisha gjetur një libër, “Tri pyetje dhe tri përgjigje mbi Skënderbeun”, ishte i vitit 1925, shkruar nga Xhevat Korça. U mundova t’ia jap Mërgimit po ai nuk pranoi! Mendova se më merrte për ndonjë provokator! Kur u kthye nga Amerika në 1996, dhe mori vesh se unë iakisha mbajtur sekret për shumë vjet, më përqafoi. Këto janë ca histori që sot më japin shumë trishtim… e më duket sikur u zgjata pak tepër. Mund të them, se jam i lumtur që punova e jetova me figurat vërtet të ndritura si: Lazër Radi, Lek Pervizi e Mërgim Korça, i biri Xhevat Korçës.
.
Si ju lind sot ideja e një pikture, çfarë kërkoni nga vetja kur jeni përballë një telajo të bardhë? – Kjo pyetje më mundon shumë. Kam në shpirt një dashuri të madhe për artin e pikturës, por kam edhe urrejtje të madhe për shumë ndodhi të asaj jete, për ata njerëz që mendojnë se janë të gjithpushteshëm në këtë planet. Unë besoj se vetëm arti është i gjithpushtetshëm!
Kam pasqyruar jetën në shumë aspekte në tabllotë e mia. Kujtoj, që kur isha fëmijë dhe një mesnatës na erdhën e na nxorrën me forcë të gjithëve nga shtëpia. Unë isha vetëm 5 vjeç. Familja ime ka qëndruar në kanalin Levan-Fier për 4 ditë e ruajtur nga 4 policë. Xhaxhanë tim e kishin degdisur në Tepelenë qysh në 1948-ën, ndërsa ne u internuam në 1951. Përfunduam në Shtyllas të Fierit. Kam përfunduar 4 tabllo të titulluara: Histori e Skënderbeut. Historia e Pellazgëve e dhënë në 3 tabllo dhe Historia e Hoxhës, me dy-tri tabllo. E kam shumë problem gjetjen e një ideje. Ah, sikur të kisha afër një njeri si ti, të më ndihmonte me vërejtje.
Varjen në litar të xhaxhait tim së bashkë me 9 të tjerë; vrasjen e djalit të këtij xhaxhai, i cili sapo kishte mbaruar shkollën në vitin 1946, në Golem të Kavajës, një vrasje tejet tragjike. Këto janë disa nga tablotë ku unë i rikthehem historisë, dhe dramave të familjes nën frymën e pikturës…
.
Gezim Lumi
Gezim Lumi – Arrestimet
Jetoni prej 20 vitesh në Vicenza të Italisë dhe keni punuar pa u ndalur asnjë çast… Ç’është mërgimi për një artist, dhe a keni arritur ta shfrytëzoni Italinë për t’i dhënë një përmasë të re artit tuaj?
Siç e theksuat edhe ju tek unë vihen re gjurmë impresionizmi, ndoshta edhe të artit naif, por këto të dyja duke u bashkuar ndoshta nxjerrin ndonjë “Van Gog” të vogël…!!Hahahahah! Disa më thonë se piktura jote ka ndikim nga piktura ruse. Nuk e gjej shumë të motivuar këtë ide. Për mua Italia është vendi më i bukur në botë! Edhe pse jetoj mjaft i mbyllur, në një dhomë 3 me 2.5 metra, në këtë kantinë jeton shpirti im artistik. Nuk është e drejtë, po më duhet ta them se: Nuk më merr malli për njerëzit e atij vendi… edhe pse më digjet shpirti për Shqipërinë.
.
Si punon Gëzim Lumi sot? – Prej 10 ditësh po punoj për një vrasje të ndodhur në fisin tim. Ali Lumi quhesh ai djalë! Sapo kishte mbaruar shkollën bujqësore kur u vra në Golem të Kavajës. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1946. I ati kishte qenë tre muaj partizan në luftë dhe kishte ikur nga partizanllëku! Ngriti çetën e Ballit Kombëtar në Devoll! Ishte i njohur e janë shkruar edhe libra për këtë. (por atë pak jetë që jetoi, e përfundoi si tradhëtar i Shqipërisë, gjë që s’është aspak e vërtetë!!!) Po le të kthehem te djali i tij. Si e mbaroi shkollën erdhi në fshat. I ati i thotë që të shkonte të bënte dru në pyll. Aliu merr dy kuaj dhe shkon në pyll, ku takon 5 burra. Këta i afrohen djalit dhe e pyesin se i kujt ishte! Jam djali i Qamil Lumit! – u thotë ai, – Ma jep pak atë sëpatën që ke me vete! – i thotë njëri prej tyre! Ai ia mori dhe ia pret kokën. Trupin ia bëjnë copë-copë dhe ia vendosin sipër pjesëve të trupit kokën. Në pyll ishte një rrugë këmbësorësh, ku kaluan dy gra me një fëmijë. Ato e shohin atë skenë makabre dhe nxitojnë në fshat për të rrëfyer se ç’u kishin parë sytë. Kur e merr vesh i ati, çmendet dhe vret mbi 50 veta e bashkohet me grupet e rezistencës së veriut. Mbas dy vitesh atë e kapën dhe në vitin 1949, e varën në Bilisht së bashku me 9 të tjerë.
Mbasi i vranë djalin, e shoqja na vinte në Shtyllas. Shtëpinë trekatëshe ia shkatërruan, një xhaxha tjetër e futën në burg për 15 vite dhe sapo doli nga burgu mbas dy javësh vdiq. Një xhaxha e kishin internuan në Tepelenë, ne na internuan në Shtyllas në vitin 1951. Kur erdha në Lushnje, e kujtoja me mall Shtyllasin, sepse aty në Lushnje, një herë në muaj kryetari i frontit na bënte mbledhje për të demaskuar gjyshin dhe babanë. U thoshte sa dyqane keni pasur në Korçë, e plot gjëra tjera, që s’ia vlen t’i përmend!
.
Gezim Lumi - Peisazh me Selvi
Gezim Lumi – Peisazh me Selvi
A ka ardhur koha të paraqiteni përmes një ekspozite retrospektivë të punëve tuaja? – Koha ka ardhur bile them se ka kaluar. Një vit më parë, në korrik të 2018, isha në Muzeun Kombëtar ku paraqita 90 punime. Nëpunësja që punonte atje më tha të shkoja mbas tri orësh se u duhej kohë t’i shihnin me kujdes! Shkova mbas 3 orësh dhe më thanë se ma kishin pranuar kërkesën, dhe se mund të shkoja të nesërmen!! Shkova edhe tek Galeria Kombëtare… edhe atje u pranova, por jo nga drejtori, sepse ai nuk ndodhej në galeri. Një jurist i saj më tha se isha pranuar! Nga shtatori e deri tani në mars kam bërë 12 kuadro të reja. Dyshoj se këto kuadro që kam bërë gjatë kësaj kohe dhe për situatën që kalojmë, të mos pranohen!! Me atë çka po dëgjoj në TV, po vjen koha që shqiptarët t’i kthejnë sytë nga burgjet, dhe vrasjet! Në Shqipëri duhet të kenë personalizim vetëm me naftën, hekurin dhe bakrin, shqiptarët duhet të jetojnë se zoti u ka dhënë vendin më të bukur në botë, siç janë edhe vetë të bukur. Mendoj se kuadrot e mia më të mira janë ato mbi Skënderbeun. Le të shpresojmë se punët do të shkojnë mirë! Kur ta hap ekspozitën, dëshiroj të jeni edhe ju, e t’i shijoni si njeri i artit, e të ma thoni sinqerisht se çfarë kam gatuar unë gjithë këto vite!
mars – prill 2019
.
Gezim Lumi - Mbas Betejes
Gezim Lumi – Mbas Betejes

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.