back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Svetlana Alexievich – Nobelistja e Letërsisë 2015 – nga Klodi Stralla dhe Ilir Seci

Gazeta

Svetlana Alexievich - Lulet e Nobelit 2015
Svetlana Alexievich – Lulet e Nobelit 2015

Svetlana Alexievich – Nobelistja e Letërsisë 2015

Të skalisësh një epokë

nga Klodi Stralla

Çmimi Nobel për letërsi 2015, iu akordua bielloruses Svetlana Alexievich, e cilësuar si “shkrimtare e angazhuar”, që për shumë vite, me librat e saj, denoncoi luftën, dhunën, gënjeshtrën dhe mashtrimin, që karakterizoi gjithë historinë e epokës sovjetike. Eshtë e para grua ruse dhe njëra prej 14 grave në botë, që e merr këtë çmim… dhe e katërta mbas Pasternakut (1958), Solzhenicinit (1970) dhe Brodsky (1987). Ajo nuk parapëlqeu shkrime të natyrës fiction, por ato që zbulojnë të vërtetat dhe kërkojnë drejtësinë.
Libri “Lufta nuk ka fytyrë femre” (1985) përmbledh kujtime të luftëtarëve të LDB, duke e cilësuar luftën si një “nevojë njerëzore ç’njerëzore”. Ndonëse nga kritika e kohës ajo u cilësua antipatriotike, Mihail Gorbachev nuk ia ndaloi botimin.
Libri “Arkivolet prej zingu” (1989), i kushtohet luftës në Afganistan dhe 7 vjet më vonë libri “Lutje, Çernobil, kronikë e një botë pas Apokalipsit”, e përkthyer në 18 gjuhë, e bëri të njohur në mbarë botën. Në 2013, boton një libër tjetër denoncues, “Fundi i njeriut të kuq”, që i kushtohet “homo sovieticus”, që me shumë mundim përpiqet t’i shpëtojë gënjeshtrës dhe të kërkojë drejtësi. Ajo thotë se “Të skalitësh një epokë – ky është misioni i saj. Jo aq duke iu referuar arkivave e dokumentave, por shpirtit të njerëzve të gjallë, emocioneve të tyre, ekperiencës njerëzore.
Një kriter që, me sa duket, e ka bërë jurinë e Stokholmit ta vlerësojë atë me çmimin më të lartë për Letërsi për vitin 2015.

Svetlana Alexievich - Kohe e dores se dyte
Svetlana Alexievich – Kohe e dores se dyte

Pak rreshta mbi Svetlana Alexievich

nga Ilir Seci

Nobelistja e 2015, Svetlana Alexievich,  është nji shkrimtare librat e së cilës janë përkthyer dhe botuar në shumë vende si: SHBA, Gjermani, Britani të Madhe, Japoni, Suedia, Francë, Kinë, Vietnam, Bullgari, Indi, etj… gjithsej në 19 vende të botës… Ajo është autore e 21 skenarëve të filmave dokumentarë si dhe autore e tre dramave që janë vënë në skenë në Francë, Gjermani, dhe Bullgari… Shkrimtares Svetlana Alexiyevich i janë dhënë shumë çmime ndërkombëtare si:
Çmimi “Kurt Tucholsky” për “Kurajo dhe Dinjitet në Krijimtari”, (PEN Suedez),
Çmimi “Andrei Sinyavsky” “Për Fisnikëri në Letërsi”,
Çmimin e Pavarur të Rusisë “Triumfi”,
Çmimin e Leipzigut “Për Mirëkuptim Reciprok Europian – 1998”,
Çmimin gjerman: “Për librin më të mirë Politik” dhe
Çmimin “Herder”…

Svetlana Alexievich - Nobeli i Letersise 2015
Svetlana Alexievich – Nobeli i Letersise 2015

Pjesë nga intervistat

***
“E dua botën ruse, të mirë dhe humaniste, para së cilës përkulet e gjithë bota, atë të baletit, muzikës dhe letërsisë.
Por nuk e dua atë të Berias, Stalinit, Brezhnievit apo Putinit, atë Rusi që gëzohet kur njerëzit vdesin në Dombas, apo qeshin me viktimat në Ukrainë; atë Rusi që beson se çdo gjë mund të rregullohet me forcë…”
Pjesë e shkëputur nga një intervistë e 2014 në Minsk kushtuar dëmeve që solli në shoqërinë ruse “homo sovieticus” (Klodi Stralla)

***
“Fakti që isha bërë e njohur ishte mbrojtja ime. Megjithatë unë gjithmonë kam thënë atë që besoja se ishte e nevojshme ta thoja. Për këtë shkrova libra pa u shqetësuar që ato do t’i pëlqenin apo jo pushtetit. Isha e bindur se gjithmonë do të kish njerëz që do të dëshironin t’i lexonin librat e mia dhe kjo ishte mbështetje për mua… Sot (nga që Lukashenko flirton me Europën) librat e mi të botuara në Rusi lejohen të futen në Biellorusi, por… ime bijë, që është mësuese në një shkollë merr 300 euro në muaj, ndërsa libri im kushton 30 euro(!)… pra një censurë indirekte. Lexuesit e mij, mësuesit, mjekët, përfaqësuesit e inteligjencës janë sot pjesa më e varfër e shoqërisë…”
Pjesë e shkëputur nga një intervistë e saj e vitit 2013) (Klodi Stralla)

***
“Nëse ktheheni mbrapa dhe shikoni në të gjithë historisë, të dy periudhat, si ajo sovjetike edhe ajo post-sovjetike, janë një varr i madh i përbashkët dhe një dush gjaku. Një dialog i përjetshëm mes xhelateve dhe viktimave. Pyetjet e mallkuara ruse: Çfarë duhet të bëhet dhe kush duhet fajësuar?! Revolucioni, Gulagët, Lufta e Dytë Botërore, Lufta Sovjeto-Afgane qe u mbajt e fshehur nga populli, rrënimi i perandorisë së madhe, rrënimi i tokës gjigande socialiste, toka-utopi, dhe tani një sfidë e përmasave kozmike – Çernobili. Kjo është një sfidë për të gjitha qeniet e gjalla në Tokë. E tillë është historia jonë. Dhe kjo është temë e librave të mi, ky është shtegu që kam zgjedhur, rrathët e ferrit tim, nga njeri tek tjetri…”
Fragment nga një intervistë e saj (Ilir Seci)

Svetlana Alexievich - Botime  te saj
Svetlana Alexievich – Botime te saj

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.