
Sulltan Rama, zbret në Vlorë…*
nga Gëzim Zilja
Dy ditë më parë Sulltani Rama, zbriti në qytetin e Vlorës të transformuar sipas shijeve të tij në beton, duke i humbur çdo shenjë të një qyteti me histori dhe plot gjelbërim. Premtoi më 2013, kur hypi në fronin e Shqiptarëve, se do të sillte ujë 24 orë. Nuk e solli. Premtoi se në Sherishtë do të ngrihej një vend për asgjësimin e plehrave, nuk e bëri. Premtoi se kanalet e ujrave të zeza gjatë Lungomares do t’i displinonte por ato vazhdojnë e derdhen (nja gjashtë të tillë) të shumëfishuara nga Skela te Rrapi. E të tjera e të tjera. Sot vjen në Vlorë, nxjerr shpatën dhe vret e pret për punë të pabëra që ai vet i ka premtuar…!
Pardje pashë një skenë ku përveç Kryetarit Dredha, që i rrinte drejt, në krah të sulltanit, të tjerët, kryetarë partie, drejtorë, këshilltarë e shefa e ndiqnin në distancë si harabela e lepuj të trembur. Dikush që guxoi të afrohej, desh theu këmbët duke u larguar.
Unë kam plot miq socialistë të ndershëm, plot respekt per veten. Por ky poshtërim që u bën Rama, duke i trajtuar si legena e tejkalon njerëzoren. Përse kini frikë o nëpunësa të Bashkisë? Pse lejoni të tallë prapanicën, një piktor i dështuar, një megalloman, një gënjeshtar, një antishqiptar që zhduku kujtesën historike të qytetit, që shiti Sazanin e Zvërnecin dhe nuk mban asnjë premtim të dhënë mes shesheve e publikut të gjerë!
Dhe gjëma ndodhi!?
Gjithë drejtorat e kryetari e nënkryetari i partisë të shkarkuar, pa një analizë pune, pa një motiv. Po si nuk doli një burrrrë, të thosh dy fjalë, por si lepuj e lepurushka shkuat e hëngrët akullore për t’u freskuar!? Po ujin 24 orë dhe heqjen e plehrave, vlonjatëve nuk ua premtoi Bashkia, as Kryetari… por Kryeministri, sepse investimi është i madh dhe duhet financuar nga qeveria. Atëherë pse mbani në kurriz e ktheheni në milingona para një gënjeshtari e prepotenti?! Keq e më keq do të shkojnë punët me këtë kryeministër dhe servilizmin e nëpunësve e sahanlëpirësve të bashkisë. Po citoj për ta mbyllur:
“…Guximin ke humbur/ Gjithçka ke humbur
Të jesh i bindur/Më mirë të mos kishe lindur…”
J. W. Gëte.
Ps. Titulli redaksional: Origjinali “Kryeministri dhe sjellja prej diktatori në Vlorë”