back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Studiuesi Kastriot Dervishi zbulon një dokument me rëndësí – nga Mërgim Korça

Gazeta

Mërgim Korça
Mërgim Korça

Studiuesi Kastriot Dervishi zbulon një dokument me rëndësí

nga Mërgim Korça

Lexuesit të nderuar po i vemë në dispozicion një dokument të nënshkruar nga Enver Hoxha, (Ministër i Mbrojtjes Kombëtare i asaj kohe), me datën 28 janar të vitit 1948, ku i drejtohet Presidiumit të Kuvendit Popullor me kërkesën të mos u pranohen lutjet për faljen e jetëve të shtatë të dënuarve me vdekje, ndërmjet të cilëve figuron edhe Surja Selfua, (babai i gruas s’ime, Mimozës), shok edhe mik i Enver Hoxhës!
Të dënuarit ishin: Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi, Surja Selfua, Hilmi Hysi dhe Hasan Reçi!
Studiuesi Kastriot Dervishi e ka shoqëruar botimin e këtij dokumenti edhe me tekstin vazhdues:
Më 22.01.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin kundër grupit të dytë të deputetëve, disa prej të cilëve u dënuan me vdekje. Para se të kryhej ekzekutimi, të dënuarit i u drejtuan me lutje të veçanta Presidiumit të Kuvendit Popullor, organit kolegjial që ishte në rolin e kryetarit të shtetit.
Para shqyrtimit të kërkesave, në mënyrë të fshehtë, ministri i Mbrojtjes Kombëtare i u drejtua Presidiumit duke i kërkuar refuzimin e faljes së jetës së të dënuarve me vdekje. Ndër të dënuarit ishte edhe Surja Selfo, ish mik dhe shok i E. Hoxhës. Në pleqëri të thellë, diktatori shkroi (gënjeu siç bënte zakonisht) se pushkatimi i Selfos ishte punë e Koçi Xoxes. Nënshkrimi që shihet në dokument është ai i Enver Hoxhës me të cilën kërkon refuzimin e faljes së jetëve të personave të dënuar me vdekje.
Nisur nga fakti se sa edhe si ka ndikuar shkresa e publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi në krye të shkrimit në vazhdim, po ia lemë lexuesit ta gjykojë vetë gjendjen e doemos, nisur nga përfundimet e nxjerra mbështetur në të gjitha normat e etikës si edhe moralit të paraqitjes dhe interpretimit ngjarjeve, të nxirren përfundime me këndvështrim më të gjerë se si historianët e trashëguar nga epoka e diktaturës komuniste, (veprat e atyre që tashmë nuk jetojnë më së bashku me ato të atyre që i mbushin faqet e teksteve shkollore të librave të historisë bashkëkohorë), i kanë mbushur faqet e këtyre teksteve me ngjarje krejtësisht të shfytyruara!
.
Letra Hoxhws per mosfaljen e Surja Selfos
Letra Hoxhes per mosfaljen e Surja Selfos
Kjo është arsyeja përse unë, i mbështetur në ato fakte që ne vetë të parë i kam njohur mirë, kam shkruar dhe përsëritur rreth shfytyrimeve që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë historisë sonë kombëtare këta historianë!
Unë, në librin tim me titullin: “Çështja Kolaboracionizëm e të tjera”, botim i vitit 2014, në faqen 267 kam botuar shkrimin me titull: “Nexhmije Hoxha, vazhduese e mashtrimeve të të shoqit” me pikësynim që lexuesi, duke më besuar mua lidhur me faktet që doja të paraqiteshin ashtu siç kishin ngjarë dhe pa asnjë ndryshim ose shfytyrim, ia kam rikthyer lexuesit disa ngjarje nga jeta ku shkresa e botuar në fillimin e këtij shkrimi në vazhdim luan një rol të madh. Me pak fjalë vetë lexuesi sa u takon ngjarjeve që unë kam përshkruar, me të dhënat që kam disponuar kur i përshkrova ngjarjet në vazhdim, t’i drejtpeshojë edhe një herë ato… tashti q’e ka lexuar shkresën e sipërbotuar!
As largësia e cila na ndan, thuajse të pozicionuar diametralisht në skaje të kundërta të globit tokësor, nuk na mbron dot akoma nga djallëzit’ e asaj krijese përbindëshe e cila do ta shuajë etjen e saj gjakësore duke nxjerrë nga varri i panjohur viktimën e Enver Hoxhës si dhe të sajin sot, 60 vite mbas krimit të kryer! Atëbotë e lanë vejushë 24 vjeçare të shoqen e si dhe fëmijë 4 vjeçar të bijën e të ndjerit Sureja Selfo. I vetmi faj – krim i tij, për të cilin edhe u pushkatua, kishte qenë se ishte shok e mik i Enver Hoxhës dhe gjatë luftës i kishte strehuar çiftin Hoxha dhe Enverit ia kishte mbajtur familjen ekonomikisht. Sot Nexhmije Hoxha vazhdon e flet e akoma edhe nuk kërkon ndjesë! E pati pohuar i shoqi në librin e tij “Kur Hidheshin Themelet e Shqipërisë” e sot e përsërit e shoqja, (në të gënjeshtër), se mirëbërësin e tyre Sureja Selfon ua vrau Koçi Xoxe. Nuk e vrau Koçi Surejanë, por bukëshkali mosmirënjohës Enver Hoxha. Edhe sot, shpirti djallëzor i N. Hoxhës mbushet me ngazëllim tek para së bijës atij të pushkatuari, tashmë 64 vjeçare, duke e rrotulluar Nexhmija thikën e përgjakur brenda skeletit të asaj viktime… do ta bëjë të rriturën jetime nga babai, të qajë me ngashërim! Dhe ia arrin, ia arrin plotësisht. E un’ i them: vazhdo e kënaqu me vuajtjet që u shkakton njerëzve. Britmat e viktimave si edhe të familjarëve të tyre që i bëtë të vuanin gjithë jetën, sa më të larta në tone që të ishin, aq më shumë ju mbushnin me vetë-lavdí ty Nexhmije edhe tët shoq! E pra vazhdo e kënaqu edhe sot me këtë gjellë shtrigash! Sa për kujtesë, po të lexoni: Raport në Kongresin e I-rë të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Raport mbi punën e Komitetit Qëndror dhe detyrat e reja të partisë, 8 nëntor 1948, në faqen 223 thuhet nga ana e Enver Hoxhës… “Mbeturina të ballit kombëtar të kamufluara po organizoheshin në ilegalitetin më të fshehtë kundër pushtetit popullor. Këta elementë që në fillim të vitit 1945, me Uan Filipin në krye organizuan një komitet provizor të ballit… në program kanë patur organizimin e atentateve dhe rrëzimin e regjimit popullor me forcë. Kjo organizatë u zbulua dhe krerët e saj si Uan Filipi, Abdyl Kokoshi, Surja Selfo, etj. kaluan para gjyqit dhe muar dënimin e merituar…” Do t’i kërkoj tashti leje lexuesit e ta kthejë 27 vite mbrapa dhe pa i bërë asnjë koment intervistës N. Hoxhës, t’i hapw një dritare me fakte. T’i mësojë këto që nuk i di, t’i gërshetojë me ato që di e të nxjerrë vetë përfundimet e duhura! Më 8 Nëntor të vitit 1981 doli nga shtypi, me bujë edhe reklamë të madhe, libri i Enver Hoxhës “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë”. As sime shoqeje e as mua kurrsesi nuk kishte se si të na shkonte në mendje atëbotë se sa netë pa gjumë tonat do të ishin pasoj’e atij botimi. Po ta marrim me radhë e të bëjmë nga një hyrje respektive për secilën ndodhí si edhe personat e përfshirë në to që situatat lexuesi i këtyre radhëve t’i kuptojë më mirë. Ndodhía e parë. Në qershorin e vitit 1974, nëna e ime pëson një hemorragji cerebrale, si pasoj’e së cilës u shtrua në Spitalin e Lushnjes dhe u trajtua përgjat 12 ditësh. Ditën e fundit gjendja e saj u keqësua shumë aq sa e morëm në shtëpi dhe të nesërmen ndërroi jetë. Gjatë ditëve që nëna ish e shtruar, ime shoqe i qëndroi pranë dit’e natë, e kësisoj ajo kryente edhe detyrën e mjekut të rojes 24 orësh për spitalin. Kjo gjë i lehtësoi kolegët e saj që duhej të bënin shërbimin e rojes gjatë atyre ditëve. Rastësía e solli që po në atë periudhë u shtrua në spital për një gjendje para-infarkti edhe një burrë i moshuar tepelenas. Kësisoj ime shoqe, duke qënë për 12 ditë me radhë mjeke roje e spitalit, siç kujdesej për vjehrrën e saj, doemos dit’e natë kujdesej edhe për të gjithë të sëmurët e tjerë e mes tyre edhe për plakun tepelenas. Mirëpo i biri i tij, Jaup Aliaj, ishte asokohe instruktor kuadri në Komitetin e Partisë të Lushnjes. Ky i fundit ia diti për ndér sime shoqeje dhe nuk ia harroi këtë përkujdesje. Për ta kuptuar Jaup Aliajn duhet të shtoj se ai kishte kaluar nëpër një furtunë partie. Ai kishte qenë sekretar i parë i Komitetit të Rinisë Tepelenës kur dy të rinj aktivistë, të dashuruar njeri me tjetrin, nën trysnínë e opinionit publik ishin vetëvrarë të dy. Kjo ngjarje bëri që E. Hoxha mbajti t’ashtuquajturin fjalim të tijin programatik mbi thashethemet e doemos kurban u bë sekretari i parë i rinisë Tepelenës që përfundoi instruktor partie në Lushnje. Ai kishte mbaruar gjuhë-letërsi në Leningrad, i vetmi qytet i B.S. që siç thonin ishte disi më perëndimor dhe i lidhur me traditën e kulturës së vjetër ruse e kësisoji Jaupi ishte më i prirur t’i shikonte me një sy më dashamirës intelektualët e ardhur në Lushnje, (duke qenë vetë i ardhur atje). Në vazhdim atë e rritën së rishmi në pozitë dhe nga instruktor kuadri kaloi në përgjegjës kuadri. Ndërkohë kaluan vitet. Erdhi edhe 8 nëntori i vitit 1981. Mbas disa ditësh kthehem vonë në shtëpi nga Durrësi i lodhur edhe e gjej time shoqe të mërzitur. Tek e pyes se ç’kish ngjarë, më tregon se si e kishte ndaluar në rrugë Jaup Aliaj dhe i kishte thënë se ajo duhej t’i shkruante një letër falënderimi E. Hoxhës i cili në librin “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë” kishte shkruar përgjat librit lidhur me babanë e gruas sime, Sureja Selfon, duke treguar se si ai e kishte patur shok dhe Surejai, gjatë luftës, e kishte ndihmuar jashtëzakonisht familjen e tij duke ia mbuluar të gjitha shpenzimet e jetesës familjes së tij. Pastaj shtonte se Koçi Xoxe, për ta komprometuar E. Hoxhën, e kishte arrestuar Surejanë, shokun edhe mikun e tij, me akuzën e bashkëpunimit me aleatët anglo-amerikanë për ta rrëzuar pushtetin. Unë, i lodhur siç isha, e mora përciptas atë ndodhí edhe i rashë shkurt duke i thënë sime shoqeje… i a ka ngenë Jaupi do e merret me letra. Kaluan disa ditë. Veç kur e kishte takuar sërishmi Jaupi gruan time dhe e kishte pyetur:
“Doktoreshë Mimoza, ia bëre letrën e falënderimit shokut Enver?”
Ime shoqe ish ndodhur ngushtë dhe i kishte thënë se akoma nuk e kishte shkruar. Jaupi atëhere i kish thënë se nuk duhej kurrësesi ta linte mbas dore e duhej ta dërgonte sa më parë. Tek e bisedonim me gruan këtë herë më seriozisht problemin duke i drejtpeshuar të gjitha rrethanat, arritëm në përfundimin se nuk kishim si t’i drejtonim një letër falënderimi E. Hoxhës që… si bukëshkalë që ishte, ia kishte vrarë babanë! Edhe e fjetëm mendjen mos të shkruhej ajo letër e mallkuar. Mirëpo nuk e mendonte kësisoji Jaupi. Kaluan disa ditë të tjera e veç kur një të djelë pasdreke bije zilja. Dal unë edhe e hap portën e ç’të shoh? Jaupin vetë! Doemos hyri brenda dhe pak mbasi zuri vend, filloi e na shpjegonte se si ishte një nder i jashtëzakonshëm q’i bëhej Mimozës tek vetë E. Hoxha e reabilitonte Sureja Selfon botërisht, gjë për të cilën patjetër Mimoza duhej ta falënderonte. E pamë se si kishte ardhur puna nuk po i shmangeshim dot shkruarjes së letrës. Ajo këmbëngulja e Jaupit u pa qartë se e kishte zanafillën tek ndjenja e detyrimit që ai ndjente për si Mimoza vite të shkuara ishte përkujdesur për prindin e tij. Dhe letra u shkrua. Por Jaupi nuk e dinte se ç’ishte shkruar në të… Ta dinte Jaupi atë, mendoj se nuk do t’ia falte vetes që me këmbënguljen e tij na shtynte mbase të merreshim në qafë si familje! Me fjalë të tjera, se pa dashur po na e shpërblente mirësínë me një të keqe të madhe! Ja tashti edhe ana tjetër e medaljes, ajo që Jaupit as i shkonte ndërmend. Me t’u mbyllur porta e apartamentit prapa krahëve të Jaupit, u detyruam burr’ edhe grua ta diskutonim edhe një herë, me seriozitetin më të madh, atë rrethanë. I kundruam pro-të edhe kundra-t. Përfundimi qé ta shkruanim letrën, në mënyrë sa më dinjitoze që të qé e munduar, duke marrë parasysh edhe rrezikun që mund të pasonte. Letrën në fakt e shkrova unë. E fillova n’orën shtatë të mbrëmjes dhe për të shkruar vetëm katër a pesë faqe me shkrim dore, na zuri ora një e gjysëm mbas mesnate. E vura pikën e fundit në të, u ktheva nga Mimoza dhe i thashë: Dëgjo grua e dashur. Enveri gjithë të mirat që pati nga i ndjeri Sureja ia shpërbleu me plumbin ballit! Unë nuk i them dot faleminderit atij farë vrasësi për këtë veprim të tijin, (se letër falënderimi i kërkohej Mimozës të shkruante – shënim i imi M.K.). Lexoje me vëmendje ç’kam shkruar. Kije parasysh se ai mbase as e lexon fare letrën; por ama ka mundësí që të na presë burgu ose Grabjani (zonë internimi në rrethin e Lushnjes). Këto i thashë edhe ia dhashë Mimozës ta lexonte e pastaj eventualisht edhe ta nënshkruante. Ato njëzet minuta, teksa Mimoza e lexonte letrën, qenë të pafund! Ajo lexonte edhe qante me dënesë! Ndokush mendon se ajo qante nga që e shihte se po ta nisnim atë letër mund të katandiseshim keq. Jo, nuk qe fare kjo arsyeja. Ato radhë e kishin kthyer Mimozën 33 vite mbrapa kur urdhëri i Enver Hoxhës kish bërë që para pushkatimit i ati të hiqte mbi trupin e tij të zeza të ngjashme me ato të Jezú Krishtit kur e gozhduan në kryq! Dhe i kujtohej se si përgjat atyre viteve, nëna e saj stoike Bibika e ndjerë, e mbetur e vejë 24 vjeçe, kishte kaluar tamam nëpër kalvar për ta rritur dhe edukuar të bijën që Surejai ia la veç katër vjeçe! E të gjitha këto i rikujtonte se në letër ish shkruar pak a shumë (me sa arrij të mbaj mend akoma sot)… e kuptoj shoku Enver se në ç’trysní psikologjike jeni ndodhur ju nga Koçi Xoxi i cili ju vinte në dijení se Surejai qe arrestuar si bashkëpunëtor me anglo-amerikanët. E kur e pyesnit ju Koçin mos e kishin torturuar Surejain, ai ju thoshte se me vendim Byroje Politike tortura ishte hequr nga praktikat e hetuesisë. Por unë e dija nga nëna e ime e ndjerë e cila më kish treguar se në palën e llastikut të të mbathurave të t’im Eti ai kishte futur një fletë cingareje ku me dorë të dridhur kish shkruar “Po shkoj viktimë e Enverit”. E bashkë me këtë shënim ishin edhe thonjët e duarve që ia kishin shkulur hetuesit Josif Pashko me shokë! (E. Hoxhës i qahej gjoja halli se kishte qenë nën trysnin’ e K. Xoxes, kurse Sureja Selfos i ishin shkulur thonjët). I kujtonte Mimoza me vete se ç’kish hequr i ati i ndjerë e si pasojë edhe e shkreta e ëma, e shkrihej në lotë. Gjithashtu në letër ishte shkruar edhe…
.
Vjene 1927 - Levizja e Qershorit - Ulur Ahmed Dakli, Riza Dani, Mustafa Kruja, Xhevat Korça
Vjene 1927 – Levizja e Qershorit
Ulur Ahmed Dakli, Riza Dani, Mustafa Kruja, Xhevat Korça
unë i kam ditur të tëra këto nga nëna e ndjerë, e cila më kishte treguar se kur kishin sjellë për t’i larë ndërresat e babait të shkretë, në kanotiere ishte e ngjitur edhe lëkura e kurrizit të tij e rrjepur e doemos këto ishin edhe trysní të forta që përjetonit ju, shoku Enver nga Koçi Xoxe! E me këto pohime vazhdonte deri në fund letra. Në sipërfaqe i shprehej diktatorit keqardhje për pozicionin e tij të vështirë përballë Koçit, (si mik i Surejait që kishte qenë), por nga ana tjetër e gjithë letra nuk ishte tjetër gjë veçse një akt akuzë së cilës, po t’i hiqej mbulesa e sheqerosur, dilte në shesh hidhërima e kininës. Ishte e dukshme se ajo formën vërtet e kishte falënderuese që e kujtonte Sureja Selfon, ish mikun e tij, por qartë nënkuptohej se titulli i letrës nuk ishte gjë tjetër veçse:
Unë të akuzoj ty, Enver Hoxha, si torturuesin edhe vrasësin e tim Eti!
Ndodhía e dytë. Kur fillova punë në Drejtorínë e Ndërtimit Hekurudhës Rrogozhinë-Fier, puna e solli që të njihesha e doemos edhe të kisha marrëdhënie me kryeinxhinierin e Drejtorisë Qëndrore të Hekurudhave në Durrës, Gani Goranën. Ish djalë i sjellshëm dhe gjithashtu edhe inxhinier shumë i aftë. Kontaktet si edhe puna së bashku na miqësoi. Kur mbaroi së ndërtuari hekurudha Rrogozhinë-Fier, mua më transferuan në SMT-në e Lushnjes dhe me Ganinë… u harruam.  
Mbas shumë vitesh, tek pashë të montuar në stacionin e hekurudhës Tiranës një vinç urë tip “cjap”, i dërgova Ganiut një kartolinë ku i shkruaja: “Vinçi i projektuar prej teje që u montua në stacionin e Tiranës më pëlqeu jashtë mase. Të lumtë mendja si edhe duart!”
Mbas shumë kohësh, kur Ofiçina Qëndrore e Hekurudhave në Durrës i kishte mekanizuar stacionet me nga disa vinça cjap, e takoj Ganiun. Në bisedë e sipër më tha se unë isha i vetmi koleg që e kisha përgëzuar për vinçat e ndërtuar prej tij. Kritikat e pafund, rezultat i një xhelozíe profesionale të sëmurë, i kishin nxjerrë lloj-lloj bishtash vinçave të tij… jo janë të ngadaltë në çvendosje… jo i ka kopjuar nga vinça hekurudhorë të Gjermanisë Lindore… e nuk e di se çfarë përrallash të tjera. Kështu që Ganiu kishte mbetur i befasuar nga sinqeriteti im. Kaluan vitet. Ndërkohë Ganiu qe emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave e në vazhdim N/Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Durrësit.
Një ditë tek ecja rrugës në Durrës tamam përpara ish maternitetit, shoh se në të njejtin trotuar, përballë meje, po vinte më këmbë Gani Gorana i shoqëruar me një person tjetër. Unë desha t’i bëj bisht dhe ndalova para një vitrine dyqani këpucësh që ishte atje duke i kthyer kurrizin. Veç kur ndjej një dorë në sup dhe… Ganiu më përqafon, më paraqet me atë personin tjetër edhe për krahu më merr ta kapërcejmë bulevardin e Durrësit që të më fuste në kafenénë përballë. More se i këmbëngulja unë se ai e dinte që unë nuk pija kafe, ai nuk pati derman e duke më thënë se kishte muhabet me mua e shyqyr që më takoi, më futi në kafené. Me t’u ulur ne, erdhi edhe kamarieri q’e mori porosínë, e veç kur Ganiu e hodhi bombën që thashë se më shkaktoi hemorragjí cerebrale:
-More Mërgim, po sa i poshtër e maskara që qenka ky Enver Hoxha? Mua më ra tavani kokës e mezi e mblodha mëndjen dhe i thashë:
More Gani, të dëgjojnë veshët se ç’të flet goja? Përgjat atyre pak çasteve që pasuan, çfarë nuk më shkoi në mendje! Pa le që pohimi qe bërë edhe në sy të një dëshmitari! Mora të vazhdoja të flisja, po Ganiu ma preu fjalën e filloi të më tregonte se si kur e kishte lexuar librin e E. Hoxhës “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë”, atë kalimin ku ai fliste për Sureja Selfon si mikun e tij më të ngushtë dhe se si Koçi Xoxeja ia kishte arrestuar e pastaj edhe pushkatuar, Ganiu e kishte lexuar dy herë se i kishte lënë mbresa të thella. E pastaj iu drejtua atij personit të tretë në tavolinë, që si duket Ganiu e kishte shumë mik të afërt, dhe i kujtoi se si Ganiu i kishte pas thënë atij se i vinte shumë keq për atë burrë të ri 32-vjeçar që ishte pushkatuar pa asnjë faj e vetëm se ishte mik i Enverit, ku Koçi donte ta komprometonte Enverin se kishte miqësí aq të madhe me një pasanik që Koçi i shtonte edhe veprimtarí antipushtet. Por ama, i kishte shtuar Ganiu, fëmijët e të shkretit, mbas pushkatimit të Koçit, duhet të kenë bërë jetë qejfesh nëpër ambasadat tona! E Ganiu vazhdon e tregon se si ai miku i tij i kishte thënë se Sureja Selfua i ndjerë, vetëm një vajzë kishte lënë edhe e kishte pyetur Ganiun nëse e dinte me kë qe martuar vajza e tij? Pohimi i tij pastaj jo që e kishte revoltuar skajshmërisht Ganiun, por kjo qe edhe arsyeja që Ganiu desh patjetër të më takonte mua që të më thoshte: “Po ky Enver Hoxha, a ka si bëhet më i poshtër?” Vajzën e vetme të atij Surejait, të martuar me ty e le edhe kalbet baltrave të Myzeqesë? E tashti na e nxjerr burrë të mirë Surejanë? Përse heshti që nga 1949-ta që u pushkatua Koçi? Si e la nënën e saj si edhe të bijën të trajtohen si grua edhe bijë e një armiku të pushkatuar? Apo vetëm me faktin që e lejoi vajzën të studiojë mjekësí mendoi se e lau veten? Jo more, po ky është maskara e kaluar maskarait! Me pak fjalë ky qe thelbi i bisedës me Ganiun derisa u ngritëm e dolëm nga kafja. Ganiu me shokun e tij, në punë të tyre, e unë në timen. Pa mbaruar trysnía psikologjike e letrës që iu dërgua diktatorit me të gjithë frikën që lidhej me të, ja edhe takimi me Gani Goranën. Besoj se lexuesi e kupton mirëfilli se atë periudhë ishte e pamundur që së bashku me gruan ta bënim gjumin të qetë! Bile nuk dij të them se cila ndodhí ishte më e frikëshme për pasojat që mund të sillte mbas vetes. Lidhur me t’ashtuquajtur letrën e falënderimit, donim e shpresonim që sadopak vrasja e ndërgjegjes nuk do ta linte diktatorin të hakmerrej për faktin se e bija e Surejait, që kur e mbante mend veten… i kishte ditur të tëra ato të vërteta rrënqethëse që ai mundohej t’ia vishte K. Xoxes! Kjo qe e vetmja shpresë. Kurse në rastin e Ganiut puna ndryshonte kryekëput dhe mundësitë ishin të disallojta. Së pari dhe më e mundshmja, mendja shkonte se Ganiu po më provokonte mua. Hajde po e pranoja se nuk qe provokim, por përfundim i logjikshëm i një njeriu të ndershëm që e kuptonte sheshit se sa djallëzor e mashtrues ishte E. Hoxha. Po si mund të kisha unë besim veçanërisht tek i treti i panjohur, i cili fare lirshëm mund të shkonte e të denonconte?! Pse të denonconte ai duke qenë se ishte mik i Ganiut? Sepse ai nuk më njihte e mund të trembej se rrezikohej ai vetë po të denoncoja unë! Pra qerthulli i krijuar qé shumë i ngatërruar e si pasojë gruan edhe mua… na shoqëronte pagjumësía, kurse Ganiu, së pakut me shokun e tij, ishin dy me një po të vinte puna që të dëshmohej!
Falë Zotit puna nuk erdhi tek dëshmitë. Pikërisht kjo edhe arsyeja që ma rriti skajshëm respektin edhe simpatinë për Gani Goranën. Ndërsa keq më vjen që atij personit të tretë nuk ia mbaj mend emrin, se vërtet e meritonte ta vlerësoja qëndrimin e tij publikisht, po stresi të cilit iu nënshtrova dhe fare papritmas… e justifikon harresën. Tashti i erdhi radha t’i japim kokë muhabetit, siç e përdorin lebërit.
Me pohimet e bëra publike më 8 Nëndor 1981, E. Hoxha mendonte se kush ta lexonte veprën e tij do të bindej se në vrasjen e Sureja Selfos ai nuk kishte dorë dhe se ishte K. Xoxe strumbullari i problemit. Po E. Hoxha, i verbuar nga egoizmi si edhe deliri i madhështisë së tij, nuk arrinte ta mendonte se njerëzit llogaritë dinin t’i bënin mirë e nuk hanin bar… siç u rekomandonte ai, 33 vite mbas pushkatimit të të ndjerit Sureja Selfo. E të mbetej me kaq, prap plag’e rihapur do të zinte kóre. Por kalojnë edhe 27 vite të tjera dhe po atë plagë mëton dhe e rihap hieja djallëzore e diktatorit, Nexhmija. Si dhe përse e rihap ajo atë plagë? Sepse do t’i a shesë, pas të shoqit edhe ajo vetë, K. Xoxes vrasjen e mirëbërësit të tyre Sureja Selfos. A thua vetëm të tijën? Në asnjë mënyrë. Mëton ajo t’i shesë të gjithë krimet e të shoqit! Po le ta mësojë ajo se si mendonte rreth gënjeshtrave të E. Hoxhës ish N/kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, inxhinier Gani Gorana! Dhe të kuptohemi, z. Gani Gorana nuk ishte i deklasuar, por i barrikadës së saj. Po ç’e dallonte z. Gorana nga N. Hoxha si edhe nga i shoqi? Inxhinier Gani Gorana ishte njeri i ndershëm dhe nuk i gëlltiste dot profkat e E. Hoxhës për të dalë i pastër nga vorbulla e krimeve të tija!
Duke e intervistuar, natyrshëm ia sjellin në shteg dhe sapo i venë mbi kokë butaforín’e një cope qielli natën me hënën e plotë në mes, thirrja e gjakut e transformon atë! E hedh Nexhmija gëzofin e qengjit, i drejtohet hënës me dhëmbët e ckërmitur ende të etur të shqyejn’e të sakatojnë, dhe me atë zërin e saj të çjerrë si prej bishe kërkon që heroi i saj, (q’e drejtoi vendin i rrethuar veç nga tradhëtarë e të shitur tek imperializmat angloamerikano-jugosllavo-sovjetiko-kinezë), të rivihet në vendin që i takon, në krye të mauzoleumit të ndërtuesve të Shqipërisë
Ja, këtë kërkon sot Nexhmie Hoxha e tallet me të gjithë popullin! Po, tallet se a ka vend ku të rrijë të diskutuarët nga ana e saj a ka faje ajo për të cilët të kërkojë ndjesë apo nuk ka? Ç’kërkim falje? A ka falje që edhe mbasi u dënua K. Xoxe dhe paska dalë në shesh se ai i kishte trilluar akuzat kundra Sureja Selfos, që nga 1949 e në vazhdim, mëm’ e bijë shikoheshin si gruaja dhe e bija e të pushkatuarit si tradhëtar i Atdheut!(?) Dhe unë pyes: Deri kur do të lejohet kjo praktikë që inkuizitorët të vazhdojn’e t’i nëpërkëmbin dhe torturojnë shpirtërisht edhe sot viktimat e luftës së tyre të mallkuar të kllasave? Ndërsa ndërgjegja gjithashtu më shtyn të shtoj se si nuk kam se si t’i mbyll këto radhë të shkruara sot në muajin Korrik të vitit 2019, e mos ta falënderoj nga zemra studiuesin Kastriot Dervishin i cili me shkresën e botuar në krye të këtij shkrimi na i përforcon dukshëm, për rastin konkret, shfytyrimet që Enver Hoxha ua diktonte historianëve të tij si shembull paraqitjeje të ngjarjeve historike!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.