back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Sot gjithçka duartrokitet paksa… Edoardo Sanguineti në një bashkëbisedim

Gazeta

Poeti Edoardo Sanguineti (1930-2010)
Poeti Edoardo Sanguineti (1930-2010)

Sot gjithçka duartrokitet paksa…

Edoardo Sanguineti në një bashkëbisedim
Dhe Sanguineti vazhdon: Në fund të fundit, nëse nuk ekziston perspektiva e fishkëllimit, edhe gëzimi i duartrokitjes zvogëlohet së tepërmi… Dikur, besoj se thuhej që Italia është edhe vend heronjsh, por shprehja e Brehtit se “vendi që nuk ka nevojë për heronj është i bekuar”, pa dyshim që më duket me vend. Përsa i përket poezisë, sot ajo është tepër e ndjekur. Madje, kjo është koha kur prodhimi poetik ka marrë përmasa të papritura. Por nuk më duket se poetët e rinj sot janë të lumtur.
Edoardo Sanguineti ka lindur më 1930 në Gjenova, ku ende jep leksione të letërsisë italiane në Universitet. Një pjesë e jetës dhe e krijimtarisë së tij i takojnë Torinos, qyteti ku u afirmua si poet. Ai është gjithashtu edhe kritik i spikatur, një nga kritikët më të shquar që studioi Dante Aligerin dhe letërsinë e shekullit të njëzetë. Autori i disa veprave dhe çmimeve letrare, në fushën e letrave ka udhëhequr rrymën e neo-avangardizmit.
 
Dashuria juaj me fjalën poetike, a ishte një dashuri me shikimin e parë? – Jo. Nuk mbaj mend ndonjë ngjarje të tillë të rrufeshme. Sigurisht, është diçka shumë e lashtë. Por kujtoj një çast tjetër të rëndësishëm, atëherë kur vendosa të botoja disa poezi që po shkruaja. Kjo ndodhi në vitin 1951, me Laborintus, që më parë doli në revista e më pas, në vitin 1956, u botua në një vëllim.
Përmbledhja e përmbledhjeve. Kështu është quajtur “Maçoku ujks”, që përmban vepra të botuara, por edhe të tjera, të pabotuara. Përse ky titull i këndshëm dhe këndellës? – Titulli i përket një poezie të kohëve të fundit. Në të vërtetë, ai është i vjedhur, në kuptimin që ekziston një poemth i shek. XIII, i titulluar pikërisht “Maçoku ujks”. M’u duk si një personifikim shumë i veçantë dhe fantastik, me tipare tejet enigmatike, e ku dallova atë lloj personazhi rrëfimtar që jam rrekur të përvijoj në dy dekadat e fundit.
.
Segnalibro - Poesie di Edoardo Sanguineti
Segnalibro – Poesie di Edoardo Sanguineti

Nëse bëjmë kujdes, në rrjedhën e viteve, poezia juaj ka ruajtur një marrëdhënie të thellë me formën. Eksperimentimi gjuhësor, edhe në rastet kur ka qenë përmbysës, nuk ka lënë kurrë mënjanë një ngarkesë formale të përvijuar mirë. A priret përdorimi i një forme të parapunuar, të qarkojë forcën anarkike dhe shpërthyese të fjalës? – Besoj se shkrimi është një punë ku fjalët “formohen”. Kjo formë mund të jetë tejet e hajthshme ose mund të pranojë parime të ngurta, shpesh të ardhura nga tradita. Të shkruash një sonet sot, do të thotë të mos luash brenda një strukture të ndier si “e natyrshme”, por të ndier si një pretekst, që aludon fjalëpërfjalë për një formë, dhe njëkohësisht, ndërhyn për ta shformuar. Me fjalë të tjera: unë mund të përdor fare mirë njëmbëdhjetërrokëshin, por përsa është një nga format e pafundme me të cilat shprehet vargu i lirë.

Pra, shkrihen risia dhe tradita. Në rishpikjet tuaja vetjake, a gjendet edhe diçka nga gjesti teatral? – Me kalimin e viteve e kam përdorur gjithnjë e më shpesh fjalën “maskim”, lidhur pikërisht me skenaret teatrore. Herë-herë, nga Orlandi i tërbuar te Fausti i Gëtes, është bërë fjalë për të marrë lirisht tekste dhe materiale të mëparshme, për t’i përpunuar në mënyrën më të çlirët. Kjo lidhet edhe me çështjen e përkthimit, me jehonën e qartë të teksteve të lashta apo relativisht të reja në forma gjithherë të ndryshme. Në librin që do të botojë Feltrinelli, për shembull, ka një përnderim për Katulin dhe një për Pascoli-n. I pari është praktikisht një përkthim shumë i modernizuar, por në thelb, një kopje e modelit fillestar. I dyti është një rishkrim i çlirët, arbitrar dhe i qëllimtë, aq sa, kur e lexova për herë të parë me rastin e një takimi paskolian, pati njerëz që e quajtën të turpshme për kujtimin e poetit.
Një element tjetër me të cilin poezia juaj matet vazhdimisht është tingulli. Aq e vërtetë është kjo, sa që sot e kësaj dite, Ju jeni poeti italian i gjallë më i muzikuar. Berio, Lombardi, Gorghi, Globokar, Razzi, janë vetëm disa nga kompozitorët që kanë hedhur në muzikë tekstet tuaja… – Janë arte simotra dhe, aq sa mund ta marrim me mend, kanë lindur njëherazi. Në të gjitha kulturat, në rastet më të njohura, poezia është përjetuar gjithmonë si diçka që “këndon”. Sipas të gjitha gjasave, ajo çka qëndron në bazë të çdo dukurie poetike është një ceremoni me zanafillë magjike. Fillimisht, kjo mosndarje bën që të mos mbizotërojë njëra kundrejt tjetrës. Besoj se mjaft nga lumturia dhe kënaqësia që ndonjëherë mund të ngjallë një tekst poetik, ka të bëjë pikërisht me rigjetjen e kësaj lidhjeje të ngushtë kuptimore dhe tingullore, qysh te kompozimi i thjeshtë verbal.
.
Edoardo Sanguineti (1930-2010)
Edoardo Sanguineti (1930-2010)

Duke folur për muzikën, do të prisnim të gjenim te vepra edhe ndonjë rap, ndoshta një nga llojet e sotme (shih Arbasino-n) më efikase që shprehin modernitetin. Por jo. E megjithatë, ju keni qenë një nga intelektualët e parë në Itali që jeni interesuar për të… – Historia e Rap-it ngjall mjaft kureshtje. Liberovici më propozoi të shkruaja një rap që duhej të bënte pjesë në repertorin e tij si kantautor. Asokohe, unë i bëra një kundërpropozim, për të organizuar një spektakël. Mua nuk më interesonte të shkruaja një tekst rap-i, përveçse me synimin e një realizimi muzikor. Mund të kënaqem duke lexuar Arbasino-n, por nuk di t’i kisha shkruar kurrë tekstet e Arbasino-s apo diçka të ngjashme, sepse do të mendoja për një destinacion të veçantë muzikor. Kur sajova Rap me Liberovici-n, i dhashë materiale verbale edhe në prozë, përveç lirisë së zgjedhjes midis disa teksteve të mia poetike, duke ia lënë atij organizimin dhe montimin e veprimtarisë skenike dhe muzikore. Rap-i është një mënyrë “recitimi duke kënduar”. Ose më mirë, është një lloj recitimi i ritmuar. Në këtë kuptim, nuk kisha pse të ndërtoja tekste të posaçme, sepse veprat e mia e lejojnë tanimë një lexim të tipit ritmik.

Në thelb, të hysh në trupin e një gjuhe tjetër të posaçme, për një poet, a do të thotë të përkthehet? Ju jeni i lexueshëm edhe i përkthyer? – Ka gjuhë tek të cilat kuptoj nëse përkthimi mund të jetë pak a shumë i kënaqshëm. Herë-herë provoj mëdyshje, por edhe kënaqësi. Ndoshta, rastet më të mira kanë qenë kur shkrimtarët kanë përkthyer tekstet e mia dhe siç më pëlqen mua të them, i kanë maskuar. Pastaj, natyrisht, është e pamundur ta ruash tingullimin origjinal të fjalëve.
Kohë më parë, Italia quhej si vendi i shenjtorëve, i poetëve dhe lundërtarëve. Por sot, duket se qarkullojnë pak shenjtorë dhe lundërtarët mizërojnë, e për më tepër në detet e thatë e të patrazuar të Internetit. Si është gjendja e poetëve të rinj? – Mendoj se poezia është një rrugë e lodhshme. Nuk dua të bëj përqasje me shenjtët, edhe pse jetojmë në një kohë ku shenjtërimi është pak i thellë, dhe rrjedhimisht, ndoshta shumë më i rrallë se në epokat e tjera. Lavdia e lundrimit tanimë më duket një gjë e kapërcyer, edhe pse ekziston ndonjë sportist i rafinuar që rreket të ushtrohet me rreziqe të tilla. Dikur, besoj se thuhej që Italia është edhe vend heronjsh, por shprehja e Brehtit se “vendi që nuk ka nevojë për heronj është i bekuar”, pa dyshim që më duket me vend. Përsa i përket poezisë, sot ajo është tepër e ndjekur. Madje, kjo është koha kur prodhimi poetik ka marrë përmasa të papritura. Por nuk më duket se poetët e rinj sot janë të lumtur. Unë kam jetuar në një kohë kur debati rreth poezisë ishte një element i fortë dhe vendimtar kulturor. Tashmë, ky shpirt nuk gjendet më. Sot, duartrokitet paksa gjithçka. Në fund të fundit, nëse nuk ekziston perspektiva e fishkëllimit, edhe gëzimi i duartrokitjes zvogëlohet së tepërmi.
Përktheu Erion Kristo
.

Erotosonet

Sikur të të sajdiste veçse një sonet,/ Arketip i ashikërisë së athët paprani,
Ndën emrat e tu hiçi im do të rri,/ Getoja ime, flugeri im, gjiri im në det:
Unikorn i unjët, unik me ngutësi,/ Insekt intim, tek ti shenja do skalitet,
Nyje e nyjeve, nudo gjaknxeht’,/ Emfazë ekstreme, epigramë që del përmbi:
Tërësisht e tultë, torrë torturimi,/ Infarkti im i nginjur, idhull, skëterror,
A po më avitesh, me age të afshta agimi:/ Meduzë me gojë mbyllur, muskul mëmësor,
A dëgjon, gjarpër ashk, ja edhe aprovimi:/ Tutem me ty, trembtas, terno që del me zor.
Marrë nga Gazeta Albania, 7 Dhjetor 2008

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.