
Sorrollatje dhe Grabitqarë…
nga Meti Fidani
Gjullurdi Albanistani.
Atentat në sallën e gjyqit. Vritemi mes njeri-tjetrit. Të gjithë kemi të drejtë dhe askush nuk ka të drejtë!
Thonë çeshtje pronash, por pa e ditur në thellësi çeshtjen, më mbetet të qëndroj asnjanës, nuk mund të flas.
Megjithatë sorrollatja për çeshtjet gjyqësore është e pashpiegueshme, e tmerrshme. Jo vetëm në çeshtjet gjyqësore, por edhe në institutionet shtetërore e shërbime.
Djali im duhej të rinovonte patentën e shoferit. Sorrollatje të mëdha. I thoni shtetit të reduktojë sorrollatjen për qytetarët e vet!
Për një rinovim patente:
Një rekomandim nga doktori i lagjes. Radhë dhe 10 mijë lek. Shkon në ambulancën e qytetit. Radhë dhe 30 mijë lek. Radhë në tre doktorët specialistë, i syve, i veshëve, i mendjes. Duhet pritur deri në orën 12, të vijnë doktorët. Gumëzhijnë koridoret nga zhurma e pacientëve. Nuk mbajnë dot radhën. Për fat, shoferat kanë prioritet.
Për patentë je?
Po.
Një firmë dhe ik. As vizitë e asgjë.
Si mbaron vizitat, duhet shkuar në drejtorinë e patentave. Për fat ka më pak radhë. Paguajmë 45 mijë lek. Prisnim të merrnim patentën në dorë. Patenta vjen mbas dy javësh nga Tirana.
Sorrollatje dhe kosto. I thoni qeverisë të marrë eksperiencë nga bota. Këtu ne Florida, rinovimi i kartës së identidetit apo patentës zgjat vetëm 10 minuta. Punonjësi i zyrës ka një aparat të kontrollit të syve. Të pyet me zë të ulët, po ju përgjigje, je mirë nga veshët. Pëer mendjen, të pyet sa bëjnë p.sh. 7×7.
Po u përgjigje saktë tregon që e ke mendjen. Të nxjerr foto, i paguan 42 dollarë dhe ta jep patentën në vend. Nuk ka doktora sa për një firmë kuturu. Nuk duhen doktorat. Nuk ka arkë, si në Shqipëri. Pse duhen Arkat. I njëjti nëpunës që të jep patentën bën edhe arkëtimin. I thoni qeverisë që bota nuk paguan arkëtarë kot.
I thoni qeverisë të mësojë nga bota.
Kaq. Vetëm 10 minuta në Florida dhe me patentë të re në xhep.
Në Korçë, vetëm në Bankë nuk kishte radhë. Qetësi. Shkova të tërheq këstin e të përndjekurve…
Le këst që nuk kishte erdhur, por kisha lënë nja 200 mijë lek dhe ishin bërë – (minus) 18 mijë. Pra, ishin mbaruar dhe më duhet t’i ktheja bankës 18 mijë lek. Nuk e di a i ka ndodhur dikujt tjetër kjo?!?
Më duhet të shkoj edhe tek noteri për një prokurë trashëgimie. Radhë edhe atje. Kur më erdhi radha, më dhanë një listë me dokumente që më duheshin. Dua të bredh një muaj t’i mbledh ato dokumente. Çmenduri!
Një prokurë të tillë e bëra në Amerikë, por fare thjesht e shumë shpejt tek Apollonia Travel. Vetëm për 20 dollarë. Këtë zyrë e ka hapur Alba, një notere shqiptare mjaft e aftë dhe shumë e arsyeshme.
I thoni qeverisë të mësoje nga bota apo edhe nga shqiptarët në botë. U thoni noterëve të mësojnë nga Alba e Floridës!
Në hipotekën e Korçës, e mora me mend se ç’mund të bëhej dhe as që e mora mundimin të shkoja. Atje është kulmi i sorrollatjeve dhe gjyqeve pafund. Kjo është arsyeja që qytetarët kalojnë në veprime ekstreme, deri në ekzekutime të njeri-tjetrit.
Unë nuk kam ndonjë përvoje të hidhur në lidhje me pronat, por edhe ndonjë përvojë të ëmbël nuk kam.

Nga ligji 7000 e ca, përfitova edhe unë si gjithë të tjerët. Rreth 15 dynym tokë buke dhe pemë frutore. Pas 30 e kusur vitesh, kemi vetëm një copë letër të thjeshtë, se për hipotekim të rregullt dhe legalizim, as që bëhet fjalë.
Sivjet, kur shkoj të paguaj taksat, shikoj se mungon një parcelë me 4 dynym. Ishte e vetmja parcelë që une e kam mbjellë shpesh me të lashta, fasule, por edhe me qershi. Kur ika në USA, i lëshova tokat pa qera, po ashtu edhe parcelën në fjalë. E them pa qera, sepse, si me qera e si pa qera, njësoj është. Nuk ka qeraxhi që të paguan po mos e pate koburen në brez.
Po tani më iku fare parcela. Kush ma mori, një zot e di. Bile kjo pronë është e trashëguar. Nga disa hektarë që kishte vjehrri im me tapitë e Zogut, vetëm këtë parcellë morëm në tokat e tij. Tokat e tjera që ishin pranë rrugës nacionale i morën grabitqarët. Po tani na i morën edhe këtë tokë. Dhe është pronë e blerë me dollarë australiane që në vitin 1937.
Iku toka!!
Më thanë të hap gjyq. Por gjyqi thonë se kushton më shumë se toka. Pa me thanë, lëre fare se duhet të kesh kobure që të çash. Nuk e merr dot. Ti nuk je i kobures.
Mirë që nuk e marr dot, se nuk jam i kobures, por të paktën ta di se kush është pronari zaptues. Jam kurioz. Si e ka marrë?!
Me fat grabitësi. Para se të iknja në Amerike ma dha truri dhe mbolla qershi. Ma mori të gatshme. Por të paktën të më lerë të keput ndonjë kokërr qershie nga ato që kam mbjellë vetë. Apo do më këputë ai ndonjë koqe plumbi. Çfarë nuk bëjnë grabitqarët.
Si ma mori? Nuk di ç’të them.
Por edhe për të çuditur nuk është. Ështe luajtur me regjistrat e tokave. Secili që ka qënë në atë zyrë, ka korigjuar siç ka dashur. Paraja e ngjit ujët përpjetë, thonë.
E kam provuar vetë. Para 20 e ca viteve, shkuam me nënën për një vizë në Ambasadën Amerikane në Athinë. Garancinë e dërgoi vëllai i vogël nga Florida.
Nuk ke të ardhura të mjaftueshme i thanë nënës, pensioni yt është i ulët. Ti nuk ke as toka, se po të kishe do ta jepnja vizën, tha nëpunësi.
Toka kemi, por nuk e dinim se duheshin për t’u treguar këtu, i thashe unë.
Shkoni i merrni dhe ejani përsëri. Më kërkoni mua, tha amerikani.
U nisëm menjëherë nga Athina. Në Miras na thanë që komisioni i ndarjes së tokës, ka “harruar” t’i japë tokë nënës dhe vëllait të vogël. Ndoshta vëllai dhe nëna ime janë kooperativistët e vetëm në Shqipëri që nuk kanë përfituar as një cm tokë nga ligji 7000 e ca.
E qava hallin edhe nëpër të njohurit e mi nëpër Korçë. Mos e vri mendjen, më thanë. Vetëm 10 mijë lek, t’i japësh asaj nëpunëses së tokave dhe ta jep tapinë edhe pa patur toke fare. Nga 10 mijë, 100 mijë unë asaj të zyrës. Nuk e kuptova mirë lek të vjetra apo të reja duheshin. Vetëm të ikte nëna në Amerikë.
Asaj të zyrës i ndritën sytë nga gëzimi. Nuk e priste t’i jepnja 100 mijë.
Na dha e na dha toka, gjysmën e fermës. Nuk e di sa hektarë. As Shefqet Vërlaci nuk kishte aq toka sa nëna ime.
Shkuam në ambasadë. Amerikani e pa fletën. Ndoshta e kuptoi që ishte kartë alla shqiptarçe.
-Sa pasuri që paska kjo plaka jote, nuk ka nevojë që të shkojë në Amerikë, mirë është në Shqipëri. Me kaq pasuri edhe i biri i saj të kthehet nga Amerika. Kot rri atje në USA emigrant. As një senator nuk ka kaq pasuri të paluejtshme sa kjo nëna juaj, tha amerikani dhe na i ktheu pashaportat… Na e mbajti edhe tapinë e Shefqet Vërlacit.
Ta kisha sot atë tapi, do dilnja ne Eni Çobani e të bënja gjullurdi edhe unë. Ti thosha mbaji këta hektarët e Shefqet Vërlacit dhe më jep vetëm tokën e qershive se mezi i kam mbjellë.
Ma morën grabitësat me gjithë qershi të sapombjella. Ma morën se e dinë që unë jam i urtë e nuk jam i kobures. Unë luftoj vetëm me të shkruar, por ku duan t’ja dinë grabitësat nga shkronjat. Ja të hap edhe gjyq. Po as gjykatësi, avokati, deputeti, zyrtari, polici, nuk duan t’ja dinë nga shkronjat.
Ma morën pronën se e dinë që unë nuk gjej dot koburen.
Por ja e zemë se e gjeta një kobure.
Kë të vrasësh më parë!?
Marre nga Muri i FB Meti Fidani, 8 tetor 2025