back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

Skalionet e pamposhtura elektorale të Rilindjes – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Skalionet e pamposhtura elektorale të Rilindjes
nga Gëzim Zilja

Mua në fakt më pëlqen më shumë skalioni i intelektualnave, shpesh “profesionistë”, oportunistë të lindur që ia justifikojnë vetes pisllëqet që bëjnë me shprehje të tipit “ça t’i bësh, ti e di si është ai…!”, që s’i dëgjon kurrë të thonë gjysmë fjale për rrokullimën ku po shkon Shqipëria, konformist të pashpirt për sa kohë rregullohen interesat e tyre. Një bord, një specializim, një rrugë shërbimi, një pozicion këshilltari, etj, etj.
Blerta Zilja

Skalioni i parë
Është i përbërë nga oligarkët që janë majmur me paratë publike, dhurime tokash për rezorte, lehtësira fiskale etj, që u ka bërë e iu bënë çdo ditë KM-ja. Nëse Rama ikën, pasuria dhe biznesi i tyre rrezikohet nga konkurenca e ndershme. Prandaj gjithë ndikimin që ata kanë mbi punonjësit e tyre (u heqin koromanen) dhe paratë e vëna pa mundim i derdhin lumë për blerjen e votave për kryekomandantin e shpurën e tij. Po në këtë skalion hyn “të fortët” krerë të krimit të organizuar, që mbajnë lidhje të forta me krerë të qeverisë. Ata financojnë rilindjen, blejnë vota dhe kërcënojnë, shantazhojnë e dhunojnë votuesit e thjeshtë nga shtëpia deri te kutia e votimit.

Skalioni i dytë
Është skalioni më i egër, më i pamëshirshëm, më i pamoral, më hajduti, më çnjerëzori, më i babëzituri dhe më i organizuari në fushata. Përfshin ministrat, kryetarët e bashkive, zv/ministrat drejtorët e drejtorive, shefat e departamenteve, përgjegjësit e sektorëve dhe komisionerët e tenderave. Me një firmë dhe bekimin e KM-së, ata gdhihen miliarderë, ose investitorë strategjikë. Kryekomandanti e le të vjedhin e të pasurohen, duke i përdorur më vonë për betejat elektorale. Nëse nuk i binden, i dorëzon në SPAK.
Gjatë fushatës ushtrojnë terror zinxhir mbi vartësit, duke i kërcënuar me vendin e punës, nëse nuk votojnë Rilindjen. Janë të gjithë të shkolluar, njohin hiletë kompiuterike dhe shpikin çdo herë mënyra të stërholluara për vjedhjen e votës, fillimisht duke vjedhur të dhënat e KQZ-së e duke kryer manipulimin e listave. Mbajnë lidhje me komisionerët e tyre gjatë procesit të votimit dhe të numërimit, duke u informuar me hollësi se çfarë ndodh aty, duke dhënë udhëzimet përkatëse. Ata janë tamam si qentë Dingo të xhunglës (Hienat nuk janë gjë para tyre) që jetojnë në tufa, (si 5D-të e Bashkisë së Tiranës) që kafshojnë, heqin zvarrë, “vrasin,” kthejnë në ushqim, edhe një buall apo një rinoceront. Çështja e fushatës elektorale dhe manipulimit të votuesve për këta hajdutë të kualifikuar e shkolluar edhe jashtë shtetit, është çështje jete a vdekjeje. Këta edhe po i fute në burg nuk flasin, madje kur dalin nga burgu kryehajduti Rama i përdor sërish fshehtas ose hapur.

Hije dhe Hijena
Hije dhe Hijena

Skalioni i tretë
Janë minjtë e administratës, nëpunësit e thjeshtë, që mbushin zyrat e bubrrojnë rrëzë mureve të korridoreve pa zhurmë; jetojnë çdo ditë me frikën e largimit nga vendi i punës. U mjafton rroga që çojnë në shtëpi, jeta prej legeni pa personalitet e prej skllavi të bindur. Janë të lumtur/a që shefat i kanë me sy të mirë dhe i dërgojnë shpesh në orar të punës për t’u blerë nja dy byrekë e një bidon dhallë. Këta bëjnë jetën e hijeve dhe shkojnë në botën tjetër, si hije.

Skalioni i katërt
Janë kryesisht familje të lidhura me luftën çlirimtare, me dëshmorët që Enver Hoxha nga shtatëmijë i bëri 28.000. I kanë dhënë fjalën partisë se nuk shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, a thua dëshmorët lanë amanet të duan regjimin komunist të Enverit, të Nanos apo regjimin autokrat dhe hajdut të Edi Ramës. Këta edhe sikur t’i qëllosh me “plumb” në kokë, plumbi nuk i çpon, po bën rikoshet aq të patundur janë në bindjet e tyre.

Skalioni i pestë
Janë ata që shkojnë pas berihajt, që mendjen e kanë të spostur në stomak nga varfëria. E shesin votën për një thes miell. dy shishe vaj, tre pako makaronash, dy sheqer, dy oriz. Kjo është ushtria-makineri e Rilindjes, që prodhon vota në kundërshtim me ligjin, për autokratin, megallomanin, delirantin dhe skuthin Edvin Rama.

Nuk mjafton të kesh të drejtë
Këtë ushtri që hedh pesë skalione (pa llogaritur patronazhistët) të organizuara si reparte lufte ka përballë Partia Demokratike. Kjo nga ana e saj është një ushtri pa skalione, me plot filozofë kafenesh, mburravecë, përtacë, thashethemexhinj, me fare pak idealistë, ku lideri prej 30 vitesh bën listën e kandidatëve jo sipas vlerave të vërteta të kandidatëve, por sipas simpative personale me servila të oborrit me miq e shokë të stërsprovuar për paaftësitë e tyre proverbiale. Është e teta herë rradhazi që demokratët ankohen me të drejtë se u vjedhin votat. Qysh pas vitit 2013, PD-ja në qendër e në rrethe, ka një shkëputje të madhe nga baza. Seksionet, grupsesksionet. degët e partive në rrethe, janë rrudhur, e kanë humbur frymën luftarake dhe besimin në fitore. Nuk është e mjaftueshme të kesh të drejtë. Që ta fitosh të drejtën duhet të punosh të ndryshosh mendjet e njerëzve, të zgjedhësh njerëz të ndërgjegjshëm, që duan Shqipërinë, të luftosh e të sakrifikosh nga vetja dhe të provosh me fakte që e drejta është në anën tënde dhe jo me bandën e rilindjes.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.