
Sindromi i Kukuvajkës
nga Robert Martiko
Kukuvajka dëgjohet zakonisht kur fshati më në fund është mbyllur në vetvete. Punët kanë mbaruar, kazma është vendosur pas derës dhe dyert janë të tërhequra nga brenda. Rojtarët e heshtur të mendimit, ata që quhen më të zgjuarit e vendit, janë zhdukur në strofkat e tyre, të bindur se dita ka dhënë fjalën e fundit. Shpendi nuk vjen për të thirrur askënd, as për të kujtuar praninë e vet të moçme sa nata e shekujve; ai thjesht lëshon zërin e tij të vjetër, që bie mbi qetësinë pa kërkuar leje dhe pa pritur përgjigje.
Zëri i saj nuk është i fortë. Nuk pret fjalë, as nuk e ndalon dot një mendim. Hyn mes heshtjes si diçka e njohur, që nuk të pyet nëse je gati. Disa bëjnë sikur nuk e dëgjojnë. Të tjerë thonë se është thjesht një zog nate. Kështu e shpjegojnë zakonisht ata që kanë gjithnjë një përgjigje të gatshme, për çdo gjë që s’kanë dashur kurrë ta dëgjojnë.
Kukuvajka nuk sjell lajme të reja. Ajo sjell kujtimin e pyetjeve që nuk janë bërë kurrë, fjalët që kanë mbetur pezull brez pas brezi, gjërat e shtyra deri sa janë bërë gur. Prandaj zëri i saj nuk kthehet në përgjigje; kthehet në një ndjesi që zgjon diçka të lashtë nën lëkurë.
Në vendet ku jeta mbahet në këmbë nga marrëveshje të heshtura, kukuvajka as nuk përjashtohet, as nuk pranohet. Ajo thjesht bëhet pjesë e errësirës – si era që nuk pyet, si lehja e një qeni të largët që askush nuk e pranon si ogur. Zëri i saj nuk sjell ndryshim, sepse ndryshimet nuk zbresin natën.
Thonë se dikur ajo ishte shenjë mençurie. Jo sepse jepte mend, por sepse shihte atje ku drita nuk hynte dot. Dallonte urtësinë pa zë, dijen pa tribunë dhe pa sheshe – gjëra që as të zgjuarit e fshatit nuk i shkelën kurrë, ndonëse i rrotulluan në gjuhë për vite me radhë.
Kur çel mëngjesi, gjithçka kthehet në vendin e vet. Fjalët rregullohen, zakoni rimerr pushtetin, mendjet e ditës zënë vendin e vet të sigurt. Zëri i natës venitet, si të mos kishte ekzistuar kurrë.
Vetëm ankthi mbetet pak më gjatë – si kujtimi i një pyetjeje që u dëgjua qartë, por që askush nuk pranoi ta mbante.
Robert Martiko 13 dhjetor 2025