
Sindroma e Ulërimës
nga Robert Martiko
Në pyll, ulërima nuk është thirrje për ndihmë. Ajo lind vetëm kur tufa është e plotë. Ujqit nuk ulërijnë kur janë vetëm; ata presin. Vetëm kur numri mjafton, dalin zërat e parë.
Ulërima nuk tregon uri. Uria zgjidhet në heshtje. Ajo nuk tregon frikë, sepse frika nuk njoftohet. Ulërima është shenjë. Vizaton kufij që nuk shihen.
Kafshët e tjera ndalen. Jo nga tmerri, por nga pranimi. Drerët ulin kokën dhe ndryshojnë drejtim. Zogjtë heshtin për pak çaste. Edhe era, sikur ta njihte rregullin, kalon më ngadalë.
Ujqit nuk presin përgjigje. Askush nuk iu përgjigjet. Ulërima nuk është dialog. Ajo nuk kërkon dëgjues; kërkon hapësirë.
Në këtë pyll, kush ulërin vetëm quhet i humbur. Shihet si një qenie e rrezikshme, sepse nuk përfaqëson rend. Vetëm zëri i shumëfishuar njihet si i ligjshëm.
Njëherë, një ujk i ri ulërin para kohe. Zëri i tij del i hollë dhe i paqartë. Tufa nuk lëviz. Ulërima bie për tokë si një degë e thatë. Ai mëson shpejt se zëri nuk mund të hapë rrugë pa pasur një tufë qeniesh ulëritëse pas vetes.
Kur në errësirën më të thellë të natës zërat rikthehen më të fortë se kurrë, rendi pushon së përkufizuari – ai thjesht dëgjohet.
Marrë nga Muri i FB Robert Martiko, 6 maj 2026