back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Siluruesi katërsh sovjetik – nga Muçi Xhepa

Gazeta

 

Siluri Sovjetik i Flotes Shqiptare
Siluri Sovjetik i Flotes Shqiptare

Siluruesi katërsh sovjetik

nga Muçi Xhepa

Krishtlindje. Mukja është ulur në stol i vetëm. Dallgët e Adriatikut fillojnë të ngrihen e përplasen me forcë në molin e betontë. Shtrëngon shallin e leshtë. Dhuratë prej duarve të arta të nënës.  
“Po afrohen, është ngritur niveli i ujit”, iu bë zëri i oficerit. “Muke, njofto komandën qendrore se Flota e 6-të po i afrohet ujërave të detit Jon. Shto këtë. Jemi në gatishmëri të plotë… ta ndalojmë të shkelë ujërat tona…”. 
Buzëqesh. Sa të marrë, thotë me vete. Në horizont shfaqet aeroplanmbajtësja e flotës-gjashtë. Forca amerikane në Mesdhe. Ka ditë që flitet për praninë e saj në ujërat italiane. Në kufirin e Kosovës janë vendosur njësite luftarake serbe. Me armatime ruse. S’kanë zënë mend. Buzëqeshja i kthehet në të qeshur me zë.  
-Presioni u shtua. Këmbënguljes së përfaqësuesit nga Tirana iu ngjit edhe arsyetimi i një të afërmi të familjes. 
“Do të kesh rroba falas. Kostum teritali. Shkollën gratis. Dhe mos harro! Ushqimi është i cilësisë së lartë. Jo si në shtëpi”. 
Më tregon Mukja në mësinxher. Jeton prej një çerek shekulli në Itali. Kemi qenë shokë klase që nga e para deri në të tetën. Nxënës studioz dhe i dashur me të tërë. Kur mbaroi maturën s’pranoi të vazhdonte studimet në shkollën e lartë të sigurimit. Të bëhej qen padroni. Zemra e butë s’kishte dhëmbë që të kafshonte. 

Aeroplanmbajtese Amerikane
Aeroplanmbajtese Amerikane

-Më kot u përpoqa t’i bind. Është jashtë natyrës sime u thashë. Shkolla e sigurimit kërkon të tjerë njerëz. Unë prekem lehtë. “Do të të kalisim ne!” – ngulnin këmbë. Në fund më lanë. Por, s’më dhanë shkollë tjetër. Më dërguan ushtar në Sazan. Tre vite të rënda.
-Përsëri të besuan.
-Ç’e doja besën e çmendurisë tyre.
-Ushtar kufiri. Mund t’iu ikje.
-Ke parë filimin “Duel i heshtur”.
-Po, marinari Skënder që u përlesh me armiqtë dhe arriti ta kthejë anijen në Shqipëri.
-Në film. Aty nuk lëvizte miza e jo njeriu. 
U iku i tërë populli, mendoj dhe më dalin përpara syve anijet e rrëmbyera nga një popull i pashpresë që braktiste vatanin e pushtuar për një gjysmë shekulli nga “çlirimtarët”. 
-Ushtari të rrëmbente siluruesin? Nuk mund të ndodhte. Kurrë!
-Përse siluruesin?
-Aty e kam bërë ushtrinë. Brenda një kafazi hekuri.
-Motorist?
-Jo, me aparatin radiodhënës e radiomarrës.
-Mësove të japësh sinjale me anë të valëve të radios. Radio dhënës.
-Përgjonim lëvizjet e Flotës 6-të. Kamikazë.
-Përse do të vetëvriteshit? Mendonit se do të asgjësonit marinarët amerikanë.
-A ha! Jo, jo miku im. Do të futnim në luftë Kinën Popullore. Të shkatërronim botën.
-E kuptova. Ta bënit komuniste.
Aeroplanmbajtësja merr drejtimin nga jugu. Për në Mesdhe. Duket se misioni është kryer. Armët moderne rusë nuk mund të ndeshen me të. Mukja fshin sytë. Lot gëzimi.
-Gjyshi, gjyshi hajde po të presim. Sonte lind Krishti. 
Nipi i hidhet në qafë. Bukuria e jetës.

Anijet shqiptare të vitit 1991
Anijet shqiptare të vitit 1991

Marrë nga muri i FB i Muçi Xhepes , 25 dhjetor 2021 

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.