
Siç nisi… do bitisi!
nga Adriatik Riza Dosti
Kështu thotë populli… dhe unë personalisht i pëlqej dhe i vlerësoj fort këto shprehjet popullore, se veç mençurisë kanë brenda edhe filozofinë dhe vërtetësinë e jetës.
-Nisi me Gramoz Pashkon, të birin e kriminelit Josif Pashko… por edhe me Avokat Takun të birin e Kiço Ngjelës… madje edhe me të birin e Kristaqit – Edvinin e sotëm kryeministër që betohej se në çdo shtyllë elektriku do të varte nga një komunist…!!
Edhe pse shkëndijën e parë e dhanë studentët dhjetoristë me Azem Hajdarin në krye, të cilët u manipuluan e u tradhëtuan shpejt prej ustallarëve të Ramiz Palaços.
Vazhdoi me një Sekretar partie spitali që mjeshtërisht arriti të dalë në krye të PD duke i zbythur të gjithë… me pas me Eduart Selamin, që mbronte disertacionin me veprat e Enverit… me “filozofin” Genc Pollo, të birin e Prof. komunist Stefanaqit… me Dash Shehin e Bamir Topin që u “rrebeluan” të parët e krijuan Partitë e tyre… etj, etj,
Për t’u mbushur pastaj e shkreta PD, e para dhe e vetmja parti opozitare e Shqipërisë plot me komunistë të tjerë e ish sigurimsa pa hesap, të llojit Emin Gjana, Preç – çiftelia me shoke e shoqe.
Erdhën radhazi: Ridvan Bode që ish nisur së bashku me fshatarët e tij për të na sjellë bustin e Enverit në Tiranë të cilin e mbanin në krah e në një tezgë si Komisarin Memo në filmin “I teti ne Bronx”
Pastaj erdhi Bujar Nishani, që na kërcënonte me armë së bashku me oficerët e skënderbegasit e tij që nga Shkolla e Bashkuar se do ta vendosnin shtatoren e Komandantit në shesh qoftë edhe me dhunë aty ku ka qenë e siç ka qënë!!
Në PD kishte vend edhe për Tritan Shehun që së bashku me të rinj e të reja të soj-llojit të vet s’kish lënë Kishë e Xhami pa prishur e hedhur në erë…
Por edhe për Jozin prej Shkodre që të kapte për zhelesh e të qiste jashtë prej sallës së Parlamentit me një lëvizje gishti… ani pse më vonë “u pendua” e krijoi Parti me vete…
Po në PD e në kryesinë e saj do të qe edhe aktori Arben Imami, i cili në ‘97 sipër tankut në Vlorë me kallash në sup e në krah të Zan Caushit e Frrok Çupit bënte thirrje për të sulmuar Tiranën e për të vrarë malokun Berisha… e ky i fundit me pas do t’ua shpërblente duke e bërë Ministër të mbrojtjes…!
Në PD e parë qe edhe Neritan Ceka që frenoi revoltën popullore që kish destinacion larjen njëherë e mirë të hesapeve me Bllokun komunist kriminal shqiptar.
Në vijim, në PD do të kishte vend edhe për Mulin e Kukësit, Çollakun, Dash Sulen, Flutra Açkën e Albana Vokshin mbesën e Bijes që gjatë luftës e ktheu shtëpinë e vet në mejhane partizanësh…
Po edhe për të birin e Fahri Balliut, kryespiunit të kohë-kolerës që lamë pas. Madje edhe Kaçin e Zi që do na thyente kafkat arritëm dhe e bëmë Demokrat(???)
Në krye të PD me porosi, urdhër e amanet të Doktorit do të vinte edhe Basha… që së bashku me Ramën “kundershtar” e Kimeten “aleate” vuri piketat e përçarjes dhe të shkatërrimit total të së ashtuquajturës opozitë shqiptare.
Po do të vinin edhe daullexhinj si puna e Xhelal Mziut me shokë apo edhe ish sekretare rinie komuniste, si puna e atij Luanit të Fierit…
Me pas në PD kishte vend edhe për anonimen e “konservatoren atllantikase” Evi Kokalari po edhe për Norën e Kelmendit – Gridaren… e sigurisht edhe për provincialin e “civilizuar” që hiqej si i persekutuar politik, Alibeaj.
Sikurse sot në PD e në krye të saj janë edhe janaristët e neveritshëm që na dolën për të na rrahur me shkop bejsbolli që nga brenda selisë sonë e që më pas kërkuan edhe ndihmën e policisë së Ramës për të na helmuar me gaz serb e për të na gjakosur: Bardhi, Salianji, Gjekmarkaj etj..
Dhe historitë e trishta e zhgënjyese të historisë së PD dhe listat e emrave pa fund që nga blu e bënë atë të zezë blozë vazhdojnë e i përngjajnë atij thesit të Miellit që edhe pse bosh, sa herë ta shkundesh po pluhur do bëjë.
Kush nuk hyri e kush nuk doli nga PD… ndërkohë që ne që besuam dhe e deshëm PD… s’na donte PD!!!!
Ndaj thotë mirë e saktë populli se siç nisi do bitisi…
Trishtim, zhgënjim e pse jo edhe fatkeqësi kombëtare.
A.R.D