back to top
30.5 C
Tirana
E diel, 21 Korrik, 2024

Siamezët e politikës shqiptare! – nga Paulin Paplekaj

Gazeta

Paulin Paplekaj
Paulin Paplekaj

Siamezët e politikës shqiptare!

nga Paulin Paplekaj

Në një letër të Tahir Kolgjinit drejtuar Mustafa Merlika-Krujës, për të pasqyruar realitetin e kobshëm të politikës së Shqipnisë, mbas ikjes së elitës intelektuale dhe pushtimit të vendit nga fara e keqe e injorantëve komunist, ndër të tjera ilustrohej halli: “Moti, n’Egjypt, prodhimi i pambukut paska pas dhanun përfundim te keq. Në Hejeti Vyqelá qenka biseduem kjo fatkeqësi ekonomike. Njâni prej Shkëlqesave, në formë kritike ose qortimi paska bërtitun:
“Më vjen keq për këtë popull; pse vallë nuk mbillet lesh, por, gjithnji e çon mundin kahmund me pambuk?”
Njeriu qi nuk kishte qenë në gjendje me dijtun ndryshimin medis leshit e pambukut kishte pas fatin e bardhë m’u bamë edhe ministër…”
Teksa e lexoja këtë anekdodë, m’u kujtua simetria absolute me politikën aktuale.
Në vitin 2013, Partia Demokratike dhe Sali Berisha, dështuan njësoj si egjiptianët në prodhimin e pambukut. Sali Berisha dështoi, sepse “në arën e pambukut” (pushtetit) kishte futur “krimbat e pambukut”, vemjet e LSI.
Lideri historik i Partisë Demokratike, u dorëhoq nga pozicioni i tij.
Në krye të Partisë Demokratike, erdhi “sivëllau i leshit” që fitoi zgjedhjet.
Ai që kishte propozuar të “mbillej lesh”, dhe që u ba Kryeministër, gjatë kohës së qeverisjes u kujdes të gjente mbështetje të “siamezi” tjetër.
Ma parë “Lesh-mbjellësi”, Kryepushtetar, i udhëhequr nga deviza:
“Prish shtëpi e ndreq kolibe…”, kishte shkatërruar Partinë Socialiste nëpërmjet kancerit “Rilindje”. Thuhet se nëpërmjet së njëjtës filozofi të diktuar nga Vejusha e Zezë bashkë-mentorje e “siamezëve”, vëllau “Lesh-mbjellës” i sugjeroi “sivëllaut” të tij, të shkatërrojë Partinë Demokratike duke larguar “Malet” e duke ofruar “halet”, në Partinë Demokratike, për të themeluar atë që quhet “Republikë e re”.
Tash më shumë se pesë vite, “urrejtje-dashuri”, finalizuan dy protesta, dukshëm rrjedhojë e marrëveshjes ndërmjet tyne.
Atij, qi i duhej konsolidimi i kryetarllikut të tij, të rrënuar në Partinë Demokratike, iu dha mundësia të shkatërronte një “nevojtore” para Kryeministrisë, dhe për pasojë do të burgosen edhe ca hallxhi malësor që s’durojnë dot këtë kryellum të politikës, që vazhdon të varfërojë skajshmërisht familjet e tyre.
Nga ana tjetër “siamezi” pushtetar, nëpërmjet një antimitingu të organizuar në Vlonë, tenton t’iu tregojë shqiptarëve, se ai është ende i fortë në pozitën e tij.
A nuk është kjo pjesë e marrëveshjes?!!!
A nuk është kjo tallje me shqiptarët?!!
Apsolutisht Po!
Për të vetmen gjë që kujdesen këta “Siamezw” të llum-politikës, shqiptare, është të mos dëmtojnë njëri tjetrin në mënyrë të pavullnetshme.
E për të pasqyruar këtë politikë të flliqtë, të “siamezëve”, bashkë me ndjenjën e pështirjes mu kujtua një anekdodë.
 
“Në një fshat të thellë të malsisë, dy vëllezër të roptuem nga lodhja, prej se u duhej me shtegtu me ba treg në Shkodër, me zhaba krype në shpindë, vendosin me mbjell krypën.
E sitin “farën” duke ndarë kokërr-mëdhatë e krypës. I hynë arës kryq e tërthuer dhe e banë ugar, si për kopshte kepësh.
Hedhin faren e krypës, e me zor pritshin të mbinte. Prej se krypa “u vonue” me mbí, vëllezërit shkuan me pa ugarin.
“Pasha tokë pasha qiell, do na ketë hangër faren diçka, qê s’na ka mbí” – tha ma i “mençmi” vëlla. E tjetri, po lypte tuj qukurmue në dhé për “kriminelët e farës”.
Kur qe… ! Po shfaqen do karkaleca e do bubrreca që ua “vërtetuan” shqetësimin…
E të dy vëllezrit marrkotës, me shyetên ndër duar, iu turren karkalecave nëpër ugar, me ua qit shpirtin, atyne krijesave hajdute.
Kur e qet dreqi e njani prej atyne karkalecave kërcen e pushon në ball të vëllait ma të “mençëm”. Vëllai “trim” po i thotë këtij ma të “mençmit”:
– Mos luej vëlla! T’ia qes zorrët qatij hajni si t’u ndal në ballë.
E t’ia këput n’tù të shatit mu në lule të ballit. Nuk u muer vesh a u vra karkaleci, por vëllai i “mençëm” e la këtë jetë me shkue pranë Zotit.”
Ka më shumë se pesë vjet që dy vëllezërit “siamez”, “mbjellin” lesh e “mbjellin” krypë në ekonominë dhe në ardhmërinë e këtij vendi.
Por sot kanë vetëm një shqetësim.
Të ruajnë njëri-tjetrin nga goditja e pavullnetshme e “shyetêve” që i kanë marrë në dorë.
Pë ta, populli janë turma e “karkalecave”, që u rrezikojnë kultivimet e tyre.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.