back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Si u pushkatua mësuesja e Nexhmije Hoxhës

Gazeta

Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare
Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkenctare (Studio Sotiri)

Si u pushkatua mësuesja e Nexhmije Hoxhës

Ai, (Mehmet Shehu)
propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike
që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona
dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira.
Por, jo pa komandantin.
Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë.
Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet
dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur.
Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e
Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos,
të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës
dhe ai i njihte personalisht.
Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë nga listat.
Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajën
t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës,
i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit.

Flet nipi i shkencetares Sabiha Kasimati – Viktor Kasimati

Mjaftoi një shpërthim eksplozivi në dyert e ambasadës sovjetike në Tiranë, që 22 persona të pushkatoheshin natën e 26 shkurtit të vitit 1951 në afërsi të Urës së Beshirit.
Pa gjyq dhe pa asnjë justifikim zyrtar. Mes tyre ndodhej edhe një grua. Sabiha Kasimati, në atë kohë ishte 38 vjeçe dhe një prej intelektualeve të para shqiptare të kohës së luftës dhe pas saj. Shumë vite më pas, banorët e zonës do të përcillnin tek të afërmit e viktimave rrethanat e pushkatimit dhe gjithçka që kishin dëgjuar atë natë të ftohtë dimri, ku krisma e armëve përzihej me ulërimën e fortë të erës që frynte dhe tërbimin e Erzenit, që fshehu misterin e ngjarjes. Megjithatë, dikush prej tyre nuk e kishte pasur të vështirë që pas krismave dhe atyre pak momenteve heshtje që pasuan, në ato çaste të dëgjonte të bërtiturat e dhimbshme të një gruaje që thërriste: “Ç’i paskam bërë perëndisë”. Ishte pikërisht Sabiha Kasimati, njëra prej intelektualeve të para shqiptare, e vetmja femër mes 21 burrave të pushkatuar në mënyrë të fshehtë dhe barbare në urën e Erzenit. Ajo që banori i zonës kishte dëgjuar ishte e tmerrshme. Gruan nuk e kishte kapur plumbi dhe ushtarët po e çonin drejt vdekjes, duke e qëlluar me forcë me kondakët e armëve. Pas disa çasteve ulërimat pushuan. Heshtje. Dëgjohej vetëm era që ulërinte si e marrë dhe tërbimi i Erzenit që shkumëzonte. Gjithçka kishte marrë fund. Përsëri heshtje dhe një kamion që u ndez. Xhelatët e kishin mbaruar detyrën. Gjithçka ishte mbyllur me sukses. Askush nuk i pa dhe kush i dëgjoi nuk do të merrte kurrë kurajën të fliste. Tek e fundit, ky nuk ishte i pari krim që nata e fshihte në terrin e saj. Por çfarë faji kishin kryer të 22 personat që meritonin të vdisnin? Cili ishte krimi që kishte bërë Sabiha Kasimati që duhej të masakrohej në mënyrë makabre? Arrestimi dhe më pas pushkatimi i tyre u bë menjëherë pas alarmit dhe bombës që shpërtheu në dyert e ambasadës së Bashkimit Sovjetik në shkurt të vitit 1951. Bilanci: disa xhama të thyer dhe asnjë viktimë. Por ky shpërthim do të shërbente si mjeti për të goditur të gjithë ata që konsideroheshin “të rrezikshëm” për regjimin komunist. Menjëherë organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme u vunë në lëvizje dhe brenda natës, pa dhënë asnjë shpjegim, arrestuan më tepër se 300 persona. Pyetje, hetime, kërcënime dhe akuza për veprime terroriste. Rezultati: vetëm 5 ditë pas bombës, 22 persona do të pushkatoheshin pa gjyq. Megjithatë ky do të quhej veprim i përligjur, falë dekretit që doli ato ditë se: “…në raste të veprimtarive terroriste, gjyqi ndaj personave kryhej në mungesë dhe vendimi ishte i paapelueshëm…!” Me kaq gjithçka do të merrte fund. Asnjë sqarim zyrtar, asgjë në edicionet e lajmeve apo në shtypin e kohës, asnjë detaj për familjarët. Shumë nga rrethanat e ngjarjes, sidomos për të afërmit, do të zbardheshin vetëm pas viteve ‘90, nga komisioni i ngritur për këtë çështje. Në këtë mënyrë, intelektualja shqiptare e viteve ’30, mësuesja e disave prej emrave më në zë të politikës së pasluftës si Nexhmije Hoxha (Xhuglini), Fiqirete Sanxhaktari (Shehu) etj., do të mbetej deri vonë pa varr. Viktor Kasimati, pas më shumë se 50 vjetësh, risjell në mendje ngjarjet e përjetuara të rinisë, me protagoniste fatkeqe, hallën e tij, Sabiha Kasimati. Dyshimet e Viktorit për motivet që e bënë Sabiha Kasimatin një njeri të padëshiruar për vetë liderin e shtetit shqiptar, Enver Hoxha. Akuzat e drejtpërdrejta të saj për ish-shokun e klasës përgjegjës për disa krime të njëpasnjëshme, që po kryheshin në vend gjatë atyre viteve, sidomos mbi intelektualët. Mendimi negativ që Sabihaja kishte krijuar për Enver Hoxhën jo vetëm për intelektin, por edhe për çështje morale, gjatë viteve të studimit në Liceun e Korçës.

Sabiha Kasimati
Sabiha Kasimati (1912-1951)

Zoti Viktor, halla juaj është një prej 22 personave që u pushkatuan mesnatën e 26 shkurtit, pas bombës në ambasadën ruse në Tiranë. Si e mbani mend Sabiha Kasimatin, që në atë kohë keni qenë rreth 16 vjeç?
 Ka qenë një vajzë e zgjuar, energjike dhe tepër prerë, nga sa kujtoj unë. Ajo nuk u martua kurrë dhe për këtë po përdor fjalën vajzë. Në ato vite të para të pasluftës, kur unë isha ende fëmijë, dëgjova në familje që hallës i ishte ofruar një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga miqtë e saj me të cilët kishte studiuar në Torino. E dëgjoja kur fliste me babanë dhe i tregonte që e kishte refuzuar këtë mundësi, sepse dëshironte të punonte në vendin e saj në Shqipëri. Menjëherë në këtë kohë, me kthimin në Shqipëri, u emërua në Institutin e Shkencave që ishte institucioni më i lartë shkencor i atyre viteve, me drejtor Selaudin Toton dhe ku bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, profesor Zuber, (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri, etj.). Në këtë kohë u largua nga banesa ku jetonte me ne dhe u shpërngul në një apartament më vete, për të qenë më e lirë për të punuar.
Pra duket se në këto vite të para të pasçlirimit, Sabiha Kasimati ka pasur një pozicion të vlerësuar në shkencën shqiptare. Si ndodhi që pozicioni i saj ndryshoi? Cila qe arsyeja? 
Ç’është e vërteta, deri në vitet 1945-1946 duket se gjërat po shkonin mirë, por në fillim të viteve 1947-1948, lufta e klasave në vend nisi të ashpërsohej. Dhe ky ishte një qëndrim, me të cilin Sabihaja nuk u pajtua kurrë. Gjërat u rënduan më tepër kur filloi të dënohej dhe të goditej elita e intelektualëve, një pjesë e të cilëve ishin shokët e saj. Sidomos pushkatimi i Selaudin Totos krijoi tek ajo një zhgënjim të madh dhe e bëri të krijonte një bindje tërësisht kundër regjimit komunist. Shpesh vinte dhe bisedonte me babanë, duke u shprehur që të gjitha këto që po bëheshin ishin të padrejta dhe se shteti nuk mund të ndërtohej mbi vrasje dhe dhunë. “Kurrë nuk i kam besuar doktrinës komuniste, – shprehej ajo, – por tashmë po bindem se nuk isha gabuar!”. Kishte një guxim të jashtëzakonshëm dhe i thoshte hapur mendimet. Për më tepër ajo njihej nga afër me Enver Hoxhën.
Ku ishte njohur Sabihaja me Enver Hoxhën dhe pse mendoni që ndëshkimi i saj do të vinte nga kjo njohje e hershme?
 Kishin qenë në një klasë në Liceun e Korçës. E njihte mirë kapacitetin e tij intelektual dhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Kjo më ka bërë gjithmonë të besoj që Enver Hoxha personalisht kishte një arsye më tepër për të kërkuar eliminimin e saj. Sigurisht qëndrimi i Sabihasë, që e fajësonte hapur ish-shokun e klasës për krimet që po kryheshin në vend, i krijoi diktatorit mundësinë që të gjente shkak për eliminimin e saj, e pse jo edhe ta përfshinte në veprimtari terroriste, ashtu siç veproi. Të mbushje dosje në atë kohë, rezulton që nuk paska qenë edhe aq e vështirë, e sidomos për t’i nxirë ato ishte tepër e thjeshtë. Fare mirë në dosjen e saj mund të jetë shënuar edhe fakti se shoqëroi një gazetar laburist anglez që kishte ardhur për të vizituar vendin tonë, duke qenë se Sabihaja njihte disa gjuhë perëndimore. Por më vonë, askush nuk i pengonte organet tona të inteligjencës që ta interpretonin këtë fakt si “veprimtari agjenturore”.
Më thatë më sipër se besonit që Enver Hoxha kishte një arsye më tepër për ta eliminuar hallën tuaj. Cila qe kjo arsye?
 Gjithmonë kam menduar që Enveri i ruhej asaj. Dhe ky nuk është vetëm një hamendësim. Fakti që ajo dinte jo vetëm shkallën e tij intelektuale, për të cilën nuk kishte ndonjë konsideratë të veçantë, por edhe moralin e tij si njeri dhe si burrë, e përforcon këtë fakt. Ndonëse në praninë time halla rezervohej në bisedat rreth Enverit, kisha dëgjuar ndërsa bisedonte me tim atë se: “Udhëheqësi nuk ishte ai që shfaqej. Se, nuk ishte dhe aq tipi i luftëtarit se sa tipi i Don Zhuanit, që nuk shquhej për ndonjë moral me vlera…”. E kishte njohur drejtuesin e vendit gjatë viteve të tij të rinisë, atëherë kur ishte edhe më e lehtë për të gabuar dhe me sa duket, rinia e Enverit kishte gjëra që duheshin fshehur. Jo vetëm kaq. Enver Hoxha me shumë nga sjelljet amorale të viteve të liceut, kishte bërë një figurë jo të mirë edhe në mjediset e qytetit. Ishte kjo jetë tjetër e “udhëheqësit të lavdishëm”, për të cilën halla fliste shpesh në rrethet e afërta shoqërore dhe intelektuale. Ndërkaq, më vonë ajo filloi të fliste hapur për Enver Hoxhën, duke e akuzuar si fajtorin kryesor për goditjet që po merrte elita shqiptare. Rebelimi i saj filloi sidomos pas pushkatimit të grupit të deputetëve…
Pra ju mendoni që vetë Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor dhe protagonisti që kërkonte eliminimin e Sabiha Kasimatit. Ju thoni që ai u trembej fakteve që njihte halla juaj nga rinia e tij, si është e mundur që duhej të priste deri në vitin 1951 për ta eliminuar? Sepse së pari mendoj që duhej gjetur një shkak dhe së dyti, në Shqipëri pati një periudhë kur lufta e klasave njohu një lloj relaksi, sidomos pas rrëzimit të Koçi Xoxes dhe grupit të tij. Shkurti i vitit 1951 dhe bomba e vendosur në ambasadën sovjetike në Tiranë do të shënonin një moment të përshtatshëm për të dhënë një goditje tjetër të madhe. Dhe natyrisht pushkatimi i 22 personave brenda një nate ishte një mënyrë e mirë.

Seancë homazh në nderim të kujtimit të 22 intelektualëve
Seancë homazh në nderim të kujtimit të 22 intelektualëve

Si e kujtoni momentin e ndalimit dhe të pushkatimit të Sabiha Kasimatit?
 Ju thashë që në ato vite ajo jetonte në një apartament më vete. Një natë pas shpërthimit që ndodhi në ambasadën sovjetike, ku ishin thyer disa xhama, në apartamentin e saj kishte qenë e ftuar një mikeshë. Pikërisht atë mesnatë Sabihanë e kishin arrestuar. Të nesërmen në mëngjes shoqja e saj trokiti në shtëpinë tonë. Doli babai e pas tij edhe unë. 
“Mbrëmë kam qenë tek Sabihaja dhe atë e arrestuan”, – tha ajo.
Nuk dinte të thoshte asgjë më tepër. Askush nuk kish dhënë motivet e arrestimit. I kishin hedhur prangat dhe e kishin marrë në Degën e Brendshme, pa asnjë sqarim.
Si reagoi babai juaj, çfarë menduat në atë kohë?
 Fillimisht besonim që mund të kishte qenë ndonjë ngatërresë dhe as mund të mendonim ndonjë motiv për të cilin ishte kryer arrestimi. Ato ditë u ndaluan më tepër se 300 persona për verifikime dhe për t’u marrë në pyetje, ndaj besuam që edhe Sabihaja mund të ishte një prej tyre, por kurrë nuk na e mori mendja që do të përfundonte deri në ekzekutim. Ndërkohë nga ana tjetër diçka na linte të dyshonim: Nëna ime disa herë kishte shkuar në Degën e Brendshme për t’i çuar ushqime, por ushqimet ishin kthyer mbrapsht dhe veç kësaj, ne nuk arrinim të merrnim dot kontakte me të. Megjithatë, në radhët e miqve që kishim po përpiqeshim të mësonim diçka më tepër se si ishte puna dhe çfarë mund të bënim për ta liruar. Shumë e vështirë të merrje vesh ndonjë të re. Atëherë gjyshja ime vendosi të shkonte dhe të takohej me Omer Nishanin, me të cilin njihej personalisht. Por përgjigja e saj i zbehu shpresat dhe mendimin se kishte qenë një gabim. Fjala e Omerit kishte qene e prerë: “Nuk kam ç’të bëj. Ajo fliste shumë për komandantin!”. Atëherë e kuptuam se ku rrihte çekani. Gjërat ishin shumë më të thella nga sa dukeshin. Gjithçka ishte personale, nuk kishte pikë dyshimi. Me sa duket zemërimi i Enver Hoxhës kishte arritur kulmin. Për më tepër, ai nuk mund të lejonte që një femër, ish-shoqja e tij e klasës, të fliste për të, të tregonte hapur gjithçka që dinte dhe të dilte kundër tij, duke e akuzuar poshtë e lart për gabime e faje, të vjetra e të reja. Me këtë ndëshkim ai do të tregonte që ishte i fuqishëm dhe nuk duhej të dilnim kundër tij. Dua të shtoj, që për më tepër nuk mund të jetë aspak i rastësishëm fakti që pjesën më të madhe të atyre që u pushkatuan natën e 26 shkurtit të vitit 1951, Enver Hoxha i njihte personalisht. Gjithsesi nuk u ndalëm. Ndoshta kishte ndonjë mundësi shpëtimi, që të paktën gjërat të zbuteshin. Menduam që të provonim një herë me xhaxhanë tim, i cili kishte studiuar së bashku me Omerin. Ndoshta ai do të arrinte të nxirrte ndonjë gjë në dritë. Të mësonte më saktësisht se si ishin punët dhe deri ku rrezikonte Sabihaja. Ato ditë më kujtohet që xhaxhai po përpiqej të merrte kontaktet me ish-shokun e tij të shkollës për të lënë një takim. Por në këto përpjekje disa miq të afërm kishin mësuar se çfarë kishte ngjarë: Sabihanë e kishin pushkatuar së bashku me 21 persona të tjerë. Pra, nuk kishim ç’të bënim më tepër. Gjithçka kishte marrë fund, brenda 2-3 ditëve. Sigurisht kohë e shkurtër për të pyetur dhe për të çuar drejt vdekjes 22 persona, megjithatë, kishte marrë fund.
A pati ndonjë njoftim zyrtar në media për këtë çështje? Po juve si familje, a ju dhanë sqarime për ngjarjen?
 Asnjë sqarim. Asgjë publike. Ishin pushkatuar dhe kaq. Me një gjyq të zhvilluar në mungesë, nga sa morëm vesh vite më vonë, falë dekretit firmosur nga Omer Nishni, po ato ditë, në mos pas pushkatimit, ku lejohej të kryhej gjyqi në mungesë, për personat që akuzoheshin për veprimtari terroriste. Vendim, për të cilin fqinji ynë i atëhershëm jurist u shpreh: “Ky vendim është një dëshpërim”. Dhe ky vendim i dëshpërueshëm, disa muaj më vonë u pasua nga fjala e Enver Hoxhës: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza”…
marrë nga http://www.veriu.com 2006 

Sabiha Kasimati, në pak rreshta

Sabiha Kasimati, një nga gratë e shquara të Shqipërisë, vjen nga një familje e njohur intelektuale libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për Mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familjen deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, ku shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë.
Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15.09.1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën europiane. Ndaj, kur u kthye familja në atdhe, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse ajo zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.
Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.
Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, ajo punoi disa kohë si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët “Edukatë morale” dhe “Frëngjisht”. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte biologji.
Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e zjarrtë për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. (gazeta Panorama)

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Pak te thuash: veprim nazisti! As gjermanet nuk do te vepronin ashtu si Enveri, per nji bombe me pasoje: vec xhama te thyer… dhe te mendosh qe po perpiqen te rivendosin bustin e tij edhe nji here… Kjo do te ishte katastrofe…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.