back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 20 Prill, 2026

Si u njoh autonomia e Mirditës me 5 korrik 1878, dhe pse kjo datë duhet të njihet si datë zyrtare e Mirditës! – nga Lin Kiku

Gazeta

Mirdita - Bajrakët
Mirdita – Bajrakët
Si u njoh autonomia e Mirditës me 5 korrik 1878,
dhe pse kjo datë duhet të njihet si datë zyrtare e Mirditës!
nga Lin Kiku

Legjenda për Mirditën, tashmë të njohur, e botuar në “Doke e Zakone Shqiptare” të mbledhura nga Atë Donat Kurti (Botim Françeskan) thotë se ishin tre vëllezër dhe i ati, pasi i ndau krahinat ku ai sundonte, u vendos para dy objekte: Një shalë dhe një shoshë. Vëllai i madh merr shalën dhe krahina e tij do të merrte emrin Shalë. Vëllai tjetër merr shoshën dhe krahina e tij do të merrte emrin Shoshë. Ndërsa për vëllain e vogël nuk mbetet asgjë, prandaj ai thotë “E mirë dita kjoft për mue!” e kështu, krahina ku ai shkon merr emrin Mirditë.
Por, përtej legjendës, historia e Mirditës fillon që me vendbanimet e hershme të saj, dhe këtë e dëshmon më së miri siti prehistorik me Art Rupestër i Guvës së Rubikut, që mendohet të jetë krijuar në periudhën e neolitit rreth 5500 vite më parë. Gjatë periudhës Ilire, Mirdita do të ishte pjesë e fisit të Pirustëve, një popull që merrej kryesisht me përpunimin e bakrit, argjendit dhe arit.
Gjatë shekujve të sundimit Romak popullsia u romanizua gjerësisht, modelet e jetës romake, përfshi këtu edhe gjuha u përqafuan prej popullsisë vendase. Mbarë rajoni gëzoi gjithashtu avantazhet e Pax Romana-s. Për një periudhë të gjatë popullsia nuk u prek nga pushtimet e huaja apo luftrat e mëdha shkatërrimtare. Me ndarjen e perandorisë Romake në dy pjesë në vitin 395, vija ndarëse që do të merrte një rëndësi të jashtëzakonshme historike kalonte dhe në territorin e Mirditës, dhe kufiri ndarës do të ndante në të ardhmen Kishën Ortodokse nga ajo Katolike dhe qytetërimin e lindjes nga ai i perëndimit. Kroatët, Sllovenët, si dhe një numër Boshnjakësh dhe Shqiptarësh, dhe këtu bën pjesë dhe Mirdita u vunë kryesisht nën ndikimin e perëndimit dhe kishës Katolike.
Gjuha e kishës ishte latinishtja, alfabeti ishte latin. Ndërtimet e tyre u karakterizuan nga stilet e arkitekturës perëndimore fillimisht romanesk e më pas ai gotik. Gjatë periudhës së mesjetës pushtimet bënë që begatia e madhe në kohën e pushtimit të Romës të merrte fund. Veçanërisht dyndja sllave në trojet shqiptare la gjurmë të thella. Megjithatë popullsia ilire e kësaj zone nuk u sllavizua. Meqë jetonin në male dhe ishin të organizuar në grupe fisnore, banorët ruajtën gjuhën dhe ekzistencën e tyre të pavarur dhe e tillë ishte dhe zona e Mirditës.
Në këtë periudhë të hershme vendasit e quanin veten Arbër dhe vendi Arbëri. Me krijimin e principatave, Mirdita ishte pjesë e principatës së Gjon Kastriotit. Gjatë pushtimit osman Gjon Kastrioti për të ruajtur territoret dhe privilegjet e tij pranoi të bëhej vasal i osmanëve, gjë që bëri një zbrazje të madhe për popullsinë e Mirditës, gati gjysma e popullsisë së atëhershme u zhvendos në jug të vendit, e pikërisht në zonën e labërisë së sotme, e sidomos në zonën e Himarës, dhe po të shikosh mbiemrat e sotëm të asaj zone e vërteton më së miri një prejardhje të tillë.
Popullimi masiv i Mirditës ndodh sërish në vitin 1432. Ishte pikërisht ai vit kur Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut vdes dhe rajonet që ishin nën sundimin e tij, sipas “Histori e Shqypnis” e Dom Ndoc Nikës, i marrin osmanët. Bashkë me to vijnë nga Gjakova edhe një grup njerëzish të cilët vendosen në Mirditë.
Gjatë pushtimit dhe sundimit të gjatë osman, Mirdita ka qenë përfituese e traktateve dhe marrëveshjeve të bëra nga fuqitë e mëdha europiane të kohës, me perandorinë osmane.
Traktati i Karlovicit i arritur më 1699, me Austrinë,Venedikun dhe Poloninë është një nga traktatet më të mëdha të paqes të arritur në historinë moderne të Europës, që shënon një pikë kthese në historinë otomane. Në klauzolën që favorizonte fenë katolike, e cila përfshihej në Nenin XIII thuhej se sulltani i rikonfirmonte privilegjet e mëparshme; “Kështu që besimtarët e fesë së lartpërmendur mund t’i ringrenë dhe t’i riparojnë kishat e tyre, si dhe të kryejnë ritet e zakonshme që vijnë nga kohë të hershme. Dhe që të mos pengohet ushtrimi i kësaj feje në kundërshtim me traktatet e sanksionuara dhe ligjet hyjnore, askush nuk duhet të vendosë ndonjë detyrim monetar apo t’u sjellë ndonjë lloj shqetësimi fetarëve të çdo rangu apo pozite, por të krijohet mundësia që besimtarët e saj të përparojnë dhe të ushqehen me ndjenjën e përditshme shumë të lartë të detyrës”.

Prenk Bib Doda (1860-1919)
Prenk Bib Doda (1860-1919)

Kongresi i Berlinit (13 qershor -13 korrik 1878)
Kongresi Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha. Delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.
Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Edhe shqiptarët i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cënonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonome.
Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qënien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance, edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.
Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit.
Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878, me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Në këtë kongres mori pjesë si vëzhgues me nismën e tij, edhe princi i Mirditës, Preng Bib Doda, që po ta marrësh nga ana historike është diçka e jashtëzakonshme për vetë përbërjen e atij Kongresi të marrë pjesë një princ i një krahine që ishte nën juridiksionin e Perandorisë Osmane. Falë lidhjeve dhe miqësive që kishte, por dhe falë diplomacisë që zotëronte, duke pasur edhe kundërshtinë e përfaqësuesit të Turqise, Preng Bib Doda së bashku me aleatët dhe mbështetësit e krahinës, arritën të siguronin autonominë e Mirditës.
Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, ishte përfshirja në Protokollin nr.13 të kongresit dhe kishte lidhje me Venomet e Mirditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Në emër të përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe të Francës, Konti Sen Valie bëri propozimin që u miratua në seancën e datës 5 Korrik 1878 në formën e mëposhtme. “…Popullsia e Mirditës do të vazhdojë të gëzojë venomet dhe imunitetet që zotërojnë, që do të thotë se kongresi kërkon ruajtjen e tyre”. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të cilat “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta).
Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të respektuar venomet në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar.
Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, autonominë Maqedonisë, Armenisë, Kretës dhe Mirditës. Shpallja e autonomisë së Mirditës dhe njohja e saj nga fuqitë e mëdha u bë 34 vite para se të bëhej shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Logjika historike të çon në mendimin se shpallja e autonomisë së Mirditës, ndikoi që fuqitë e mëdha të kohës të njiheshin me çështjen Shqiptare, e panjohur në atë kohë prej tyre. Njohja e autonomisë së Mirditës pengoi dhe qëllimet shoviniste të fqinjëve tanë, për copëtimin e vendit tonë.
Jo me kot Faik Konica do të shprehej “Ishte kjo Mirditë e madhe, pa kemi këtë Shqipëri të vogël”. Data 5 korrik 1878, u bë një datë që e lartësoi Mirditën në të gjitha kancelaritë europiane të kohës, dhe është një datë unifikuese dhe pa asnjë lloj kundërshtie dhe për kohën e sotme.

Guri prehistorik në Mirditë zhvendoset në Muzeun Kombëtar
Guri prehistorik në Mirditë zhvendoset në Muzeun Kombëtar

Literatura:
Ferdinant Shevill -“Ballkani historia dhe qytetërimi”.
Barbara Jelavich -“Histori e Ballkanit shekulli tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë”.
Georges Kastellan -“Histori e ballkanit”.
Teksti i traktatit të Karlovicit, Fred L. Israel – “Major peace of Modern History.1648 -1967”.
Atë Donat Kurti – “Doke e zakone Shqiptare”.
Dom Ndoc Nikaj – “Histori e Shqypnis”.
Arben Puto – “Lëvizja Shqiptare”.
Luixh Martini -“Preng Bib Doda – Princi pa fron i Mirditës”.
Shpend Bengu – “Këndvështrime të reja mbi artin e guvave në Shqipëri”.
Marrë nga Muri i FB, Lin Kiku 5 korrik 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.