
Si u dogjën mjediset e shkollës së parë shqipe (1632)
në Abacinë Benediktine të Shna Prendes në Kurbin në vitin 1989?
nga Kastriot Marku
Kur zjarri bolshevik do të shndërronte në hi shkollën e parë në gjuhën shqipe në Kurbin
Gjatë kësaj vere, shpërthimi i zjarreve në mënyrë të pazakontë, ngjalli një lloj kundërshtie dhe dyshimi në opinionin publik. Përtej papërgatitjes së institucioneve përkatëse në nivel kombëtar dhe vendor, u shumuan njëkohësisht zërat që pretendonin se gjatë periudhës së diktaturës nuk kishte zjarre të këtyre përmasave. Në fakt nuk ishte ashtu si thuhej. Edhe gjatë diktaturës, përkundrejt sistemit alarmus të organizuar për të tilla raste dhe sidomos urdhërit detyrues për të gjithë punonjësit, kryesisht në zonat ruarale për të marrë pjesë me zor me dije apo pa dijeni në fikjen e zjarreve, gjithsesi dëmet në ekonominë kombëtare, madje edhe në njerëz nuk ishin të pakta. Nuk kam ndërmend të bëj historinë e për më tepër të ngreh statistikat e kësaj tematike, për të cilat jo vetëm unë, por besoj askush nuk do të ishte në gjendje të bënte një raport të besueshëm, mbasi kjo çështje i fshihej publikut edhe pse ajo shihej në dritë të diellit nga kushdo, por duhet të ndalem në një zjarrvënie aksidentale të rrallë që meriton të njihet nga publiku shqiptar. Është fjala për zjarrin revolucionar marksist, i cili shkrumboi mjediset kishtare të Argjipeshkvisë së Durrësit në fshatin Gallatë të Kurbinit, më 28 shkurt 1989.
Atë natë u shkrumbua një pjesë e mbetur ende gjallë e kujtesës historike dhe kulturore të popullit shqiptar, e cila kishte mbërritur t’i mbijetonte zjarrit dhe dhunës përgjatë sundimit të gjatë osman. Ngjan si e pabesueshme, por kishën abaciale të Shna Prendes së Kurbinit me gjithë mjediset ndihmëse të saj, shteti terrorist antiperëndimor dhe antikatolik njëherësh, shteti bolshevik (1945-1990), e kishte shndërruar në stallë për dhitë e kooperativës. Nuk kishte gjetur mënyrë më të shëmtuar për të profanuar një institucion mijëvjeçar që i kishte fillesat e tij që në shekullin IX, kur edhe qe themeluar me gjasë abacia bendetiktine e Shna Prendes, më pas Seli e Dioqezës së Arbnnit e më pas Seli e Argjipeshkvisë së Durrësit. Kaq shumë e kishte vlerësuar komandanti legjendar gjirokastrit, nipi i hoxhës, trashëgiminë historike dhe kulturore të bashkëvllazënve të vet në gjak, gjuhë e zakone. U dogjën aty shtatore, ikona, orenditë dhe enët e meshës, veshjet liturgjike të meshtarëve, libra liturgjikë, studimorë dhe letrarë, dorëshkrime, ditare, ndonjë praktikë dokumentare me apo pa rëndësi etj., që kishin përfunduar në një dhomë të vogël tip magazine me përmasa dikund 3.5 me 4 metra, qysh prej aksionit famëkeq të mbylljes dhe shtetëzimit të institucioneve fetare në vend në vitin e mbrapshtë 1967. Vendin e seminaristëve dhe studentëve kishtarë që vinin nga Shkodra për verim aty në kodrën kundruese në zemër të Malit të Skënderbeut, me vendimin më përçmues dhe njëkohësisht më të pabesueshëm e zunë tufat e dhive të kooperativës malore të Gallatës. Kështu në një natë dimri, më 28 shkurt të vitit 1989, ndërsa barinjtë e gjorë, natën pa dritë elektrike, nën dritën e pishës dhe qirinjve, teksa i shërbenin gjësë së gjallë në një periudhë të vështirë dhe intensive pune sikurse ishte lindja e kecave, u gjetën të rrethuar nën flakët e zjarrit, krejt aksidental të befasishëm dhe kërcënues njëherësh që përpiu të gjithë ndërtesën dyakatëshe me gjithçka brenda saj, bashkë me kafshët e gjora, por për fat të mirë pa marrë jetët njerëzore të barinjve që shpëtuan për mrekulli falë Zotit. U shkrumbua një institucion; një pasuri kulturore e rrallë dhe unike njëherësh, në të cilën kishin shërbyer për tre shekuj e gjysëm një vargan burrash, klerikë emërmëdhenj të botës shqiptare si Imzot Gjon Koleci, Imzot Mark Skura, Imzot Nikollë Karpeni, Imzot Gerard, Gjon e Pal Gallata, Imzot Nikollë Radovani, Tomë Marjani, Rafael D’Amrosio, Prend Bardhi, Francsesco Melkiori, Pjetër Gjura dhe Imzot Vinçenc Prennushi deri tek famullitari martir si Imzot Frano Gjini apo Imzot Frano Illia.
Ishte humbja e dytë e rëndësishme e kësaj Argjipeshkvie, pas asaj të vitit 1914, kur karaosmani Haxhi Qamili në kryengritjen e tij dumbabiste kundër Princ Vidit, dogji rezidencën argjipeshkvore të Delbnishtit. Mbas fiks 75 vjetësh, të njëjtën gjë bëri regjimi komunist ndërkohë që asokohe historiani dhe mbrojtësi i vlerave historiko-kulturore të rrethit të Krujës Haxhi Goci, vite më herët kishtë shkruar për rëndësinë e kësaj shkolle, e cila u bë shkrumb e hi në pak orë brenda një natë të errët, vetëm dy vjet para se shtatorja e diktatorit komunist të shembej përtokë një herë e përgjithnjë.
[© by Kastriot Marku (Shkurt-Mars 2002)]
Dedë Margjoni
Ke shkruajtur shkurt po tepër saktë. Qëndrimi ndaj Kishës së Shna Prendes Gallatë, ka qenë një çmenduri e papërshkrueshme nga sistemi komunist. Ai sistem, këtë sjellje manifestoi gjithandej por ajo ishtë rezidenca e prelateve që kë përmendur. Vetëm ky fakt historik duhej të mjaftonte.
Kastriot Marku
E kam përshkruar vizitën time kur kam qënë 14 vjeç (1984), bash brenda në atë dhomë ku kam pa me sytë e mi çdo gjë. Kemi qënë mbi 10 persona bashkë. Besoj se do të kesh rast të njihesh me të. është një nga mbresat më të forta e mahnitëse të jetës sime.
