
Si u devijua programin për zhvillimin e bujqësisë
nga Edmond Skënderi
(anëtar i grupit të punës për reformën bujqësore)
Po ju jap unë përgjigjen e pyetjes nëse ishte një gabim apo…?! Sepse jam një nga anëtarët e grupit që bëri projekt programin për zhvillimin e bujqësisë së PD.
Në vitin 1991, z. Rexhep Uka vjen në Katedrën e Mekanizimit Bujqësor të Universitetit Bujqësor Tiranë, dhe takon shefin e katedrës z. Gjergj Borova dhe i thotë:
-Profesor Gjergji, na kërkohet nga z. Gramoz Pashko të bëjmë programin për zhvillimin e bujqësisë, sepse do ta shpalosim në Kongresin e PD, para se të bëhen zgjedhjet e përgjithshme.
Menjëherë krijohet grupi i punës i përbërë nga: Rexhep Uka, Gjergj Borova, Edmond Skënderi dhe Fatos Harizaj, i cili punoi përreth 4 ditë rresht në këtë katedër.
Programi mbështetej në dy këmbë themelore:
1.Toka do t’u jepej pronarëve të ligjshëm që njiheshin me dokument para reformes agrare të bërë nga sistemi komunist, dhe pronarët e ligjshëm nuk do të kishin më shumë se 100 ha. Toka arë e mbetur sëbashku me tokat shtetërore të përfituara nga bonifikimet do t’u shpërndahesh familjeve fshatare pa tokë. Në program u përfshinë pyjet edhe kullotat.
2.Programi përfshiu investimet dhe mekanizimin bujqesor. Toka do konsiderohej si mall dhe do të lejohej shitja, blerja dhe ruajtja me ligj, që të mos i ndryshonte arbitrarisht destinacioni i saj (pyll, kullotë dhe tokë arë).
Programin e dorëzuam te Gramoz Pashko, i cili na tha se do ta paraqiste për konsultim me specialistë të komunitetit Europian…
Pas rreth dy javësh, me porosi të PD organizohet një takim me gjithë specialistët e bujqësisë që përkrahnin në atë kohë PD. Referatin për zhvillimin e bujqësisë e mbajti z. Rexhep Uka, si një nga drejtuesit e kryesisë, i ngarkuar për programin për fshatin.
Më kujtohet si tani dhe nuk kam për ta harruar ligjëratën e tij të parë. Ja si u shpreh ai: “Të nderuar zonja e zotërinj, po ju sjell programin për zhvillimin e bujqësisë të PD – dhe vazhdoi – ju lutem mos adresoni asnjë pyetje sepse kjo është forma përfundimtare. Z. Uka lexonte dhe ne në sallë nuk na besonin veshët, shikonim me habi shokët apo shoqet që kishim në krah. Programi qe transformuar 100 %. Programi që paraqiti z, Uka ishte një reformë e re agrare e sistemit të Qoftëlargut, për mos të thënë edhe më e keqe.
Pjesëmarrësit në sallë u ngritën të revoluar dhe e braktisën takimin, duke e quajtur programin si tradhëti ndaj së djathtës dhe pronarëve të ligjshëm. Ky ishte momenti që unë e shumë të tjerë u distancuam përfundimisht nga PD-ja sepse nuk na lidhte asgjë me të.
Nga ai moment fillova të kuptoja se PD ishte një zgjatim i bushtrës PPSH. Më pas u aprovua edhe ligji famëkeq vëllavrasës 7501, që u kundërshtua nga z. Baleta e z. Kalakula. Ky ligj u bë për të sjellë përçarje dhe për të bërë pronarë tokash të zonave turistike, drejtuesit e PD dhe PS dhe për të eleminuar krijimin e një të djathtë të vërtetë në Shqipëri…
Marrë nga Lushnja Underground, 9 tetor 2025