back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Si shkatërrohen shoqëritë – nga Dr. Konstantinos Giakoumis

Gazeta

Dr. Konstantinos Giakoumis
Dr. Konstantinos Giakoumis

Si shkatërrohen shoqëritë

nga Dr. Konstantinos Giakoumis

Ç’ndodh kur mbrojtja e të mirave kolektive
nuk është parësi kryesore për një sistem politik të ngërthyer nga ngërçet
 
Në të famshmen “teori të evolucionit”, Charles Darwin-i thoshte se speciet e paafta të përshtaten me mjedisin e tyre natyror janë të dënuara të zhduken dhe se aftësia e përshtatjes është forca e tyre e vërtetë. Megjithatë, Charles Darwin-i nuk mori kurrë parasysh të kundërtën: ç’ndodh kur specia arrin të ndryshojë pa mëshirë edhe mjedisin natyror të saj, së bashku me veten? Përgjigjen na e jep rasti interesant i Ishullit të Pashkës (në gjuhën vendase “Rapa Nui”).
Ndërkohë flitet shumë për ndikimin e ndotjes së ambjentit në rritjen e temperatures globale, historia ka plot shembuj të ndërhyrjeve shkatërrimtare të shoqërive. Ishulli i Pashkës, një ishull i vogël i Oqeanit Paqësor, i pasur me një bimësi ku mbizotërojnë palmat dhe me tokë pjellore, arriti kulmin e shkëlqimit të tij mes shekujve XV-XVI, siç provohet nga disa statuja të mëdha prej guri të ngritura nga banorët. Kur në shekullin XVIII eksploratorët evropianë vunë këmbë në ishull, u habitën si kishin arritur këta banorë “shkurtabiqë, të dobët, të trembur dhe të mjerë” (sipas rrëfimeve të Kapiten Cook-ut) të ndërtonin ato statuja kolosale. Shoqëria e Ishullit ishte shkatërruar, çdo komunikim me botën jashtë ishte ndërprerë, deri sa ishte kthyer në izolim të plotë, popullsia kishte pësuar një rënie 70% të saj, ndërsa ata pak banorë të mbetur vuanin kaq shumë nga mungesa e ushqimit, sa ishin kthyer në kanibalë.
.
Ishulli i Pashkës - Zbulimet e Reja
Ishulli i Pashkës – Zbulimet e Reja
Ç’lidhje kanë këto statuja kolosale me banorët që përshkruhen në rrëfimet e Kapiten Cook-ut? Çfarë kishte ndikuar dhe çfarë e kishte çuar shoqërinë e Ishullit të Pashkës drejt një shkatërrimi të tillë? Në librin The Collapse (Shkatërrimi), Jared Diamond, profesor i biogjeografisë në California State University, shtjellon se banorët e ishullit zgjodhën ta përdorin vendbanimin e vet natyror sipas një mënyre shkatërruese, siç dhe provohet se ndodhi: banorët keqpërdorën lëndën drusore të pyjeve tropikale dhe tokën pjellore të këtyre pyjeve dhe, si pasojë e këtij keqpërdorimi, popullsia u rrit së tepërmi, banorët ndanë mes tyre zonat e tokave të dominuara nga grupe njerëzish që kishin mes tyre marrëdhënie rivaliteti apo luftë. Shfrytëzimi i pamasë i vendbanimit natyror të Ishullit të Pashkës minoi mundësitë e vendbanimit për të jetuar gjatë. Megjithatë, historianë të tjerë bëjnë përgjegjës për shkatërrimin e ishullit minjtë e mbartur nga të ardhurit në Ishullin e Pashkës, të cilët ndërruan në përmasa dramatike ekosistemin e ishullit, pasi përpinë sasi të mëdha farash palme, duke ndaluar kështu, rigjenerimin pemëve.
Mirëqenia e një shoqërie të organizuar varet gjerësisht tek pasja e kushteve të nevojshme materiale. Për ta thënë më thjesht, po nuk patëm tokë të punueshme, do të vuajmë nga uria; po nuk patëm ujë, do të vuajmë nga etja, po të ndotim ajrin, do të vuajmë nga sëmundjet. Natyra biologjike njerëzore ofron mjedisin e nevojshëm për të pasur një jetë shoqërore, por është jeta jonë shoqërore ajo e cila do të përcaktojë se si do t’i përmbushim nevojat tona biologjike. Njeriu shoqëror përcakton kushtet e mbijetesës së njeriut biologjik.
Diamond-i e shpjegon shkatërrimin e një shoqërie duke e lidhur atë me kushtet mjedisore, shoqërore, ekonomike dhe kulturore, por argumentet e tij nuk janë deterministe. Shkaqet e rënies së Ishullit të Pashkës nuk ishin natyrore, pra, të pamënjanueshme, por kishin prejardhje njerëzore. Zgjedhjet që bëjnë shoqëritë lidhur me mjedisin e vet natyror përcaktojnë mundësitë që kanë këto shoqëri për të mbijetuar. Diamond-i citon një varg arsyesh, si pasojë e të cilave shoqëritë mund të gabojnë në zgjedhjet e bëra. Do të përqendrohem në një nga arsyet, e cila ka interes të madh për ne. Një shoqëri konkrete mund të zotërohet nga një lloj pangopshmëri kolektive, duke u bërë, kështu, e paaftë të përballojë problemet e veta akoma edhe kur është e ndërgjegjshme çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë.
Një nga mëdyshjet më kritike të jetës shoqërore është çështja e kënaqjes së interesave afatshkurtra individuale, të vëna këto, përballë interesave afatgjata kolektive. Duke i vlerësuar sot për sot, nevojat individuale janë shtypëse dhe të drejtpërdrejta; por, duke i vlerësuar ato në planin e së ardhmes, nevojat individuale duhen kënaqur pasi t’u jenë nënshtruar kufizimeve. Kjo për arsye se kënaqja e nevojave të sotpërsotshme individuale është e shëndetshme vetëm kur kryhet brenda kornizës së zgjedhjeve, në bashkëvajtje me kriteret afatgjata dhe në dobi të mbrojtjes së të mirave kolektive. Diamond-i pyet: “Ç’i thoshte mendja banorit të Ishullit të Pashkës kur preu palmën e fundit?” Kur një shoqëri humbet mundësinë për të kuptuar rëndësinë e të mirave kolektive, arsye e cila është parakusht i kënaqjes së shëndetshme të nevojave individuale, atëherë kjo shoqëri shkatërrohet.
.
Hieronymus Bosch - Pjese nga Triptiku Kopeshti i Hijeshive
Hieronymus Bosch – Pjese nga Triptiku Kopeshti i Hijeshive
Institucionet publike janë të lidhura me të mirat kolektive. Që në krye të herës, të mirat kolektive caktojnë kornizën brenda së cilës individët mund të zgjedhin sipas nevojave të tyre. Zjarret e fundit në vend na tregojnë mjaft qartë punën e dobët të institucioneve publike. Për dekada të tëra shërbimet pyjore kanë vuajtur nga pamjaftueshmëria e personelit, mospasja e fondeve, mungesa e veprimeve të koordinuara dhe e planifikimit strategjik. Kjo ishte provë shtesë për të kuptuar se mbrojtja e të mirave kolektive nuk është parësi kryesore për një sistem politik të ngërthyer nga ngërçet.
Mos vallë po e ekzagjeroj? Vendi nuk ka ende një Kadastër Kombëtare funksionale, në një kohë kur Osmanët mbanin një kadastër në përputhje me nevojat e kohës deri në çastin e mbramë të rënies së Perandorisë Osmane. Nuk është planifikuar asnjë projekt i ripyllëzimit në shkallë të plotë. Rezervat ujore shpërdorohen pa u kujdesur kush për to, në qytete dhe në provinca, një kohë kur pakësimi i sasive ujore bëhet gjithnjë e më tepër i dukshëm. Në vend që banesave individuale t’u jepen zgjidhje brenda kornizës së vendosur nga planet urbane të hartuara nga shteti, plane të tilla shpesh krijohen a posteriori për të ligjëruar ndërtesat e ngritura paligjshmërisht. Në bllokun e pallateve ku banoj unë, banorët i hedhin plehrat në hapësirën e përbashkët, thjesht sepse u duket përçmim t’i hedhin plehrat në koshat e vendosur për këtë qëllim, ndërsa, jo rrallë, hapësirat e përbashkëta lihen pa ndriçim, pasi pjesa më e madhe e banorëve nuk paguajnë shpenzimet e caktuara për mirëmbajtjen e bllokut të banimit. Në rrugët tona automobilat lejohen të qarkullojnë, pavarësisht se nga skapamentot çlirojnë tym mbi nivelet e lejuara. Një ditë, një peshkatar po më tregonte se peshku sparus aurata, më i madh dhe më i fortë, i importuar nga Amerika, po vë në rrezik jetën e peshkut vendas. Duket qartë se interesat kolektive janë shndërruar në shumën e interesave individuale, ndërsa mosmarrja e përgjegjësisë individuale justifikohet me indiferencën kolektive apo shtetërore.
Në këtë mënyrë, aftësia e shoqërisë për të vepruar sipas një strategjie të caktuar në të mirë të mbijetesës afatgjatë të saj është zvogëluar, përderisa interesat afatshkurtra dhe objektivat afatgjata janë identike. Kështu, koha merret si shuma e shumë çasteve të shkurtra, që nuk kanë lidhje dhe pa ndryshime cilësore mes tyre, në vend që aftësia për të mbijetuar në të ardhmen të jetë pika kryesore tek e cila duhet të përqendrohen politikanët tanë. Nevojat e së sotmes ngrihen përmbi nevojat e së ardhmes.
Në çdo krizë të re politike vihet re se: institucionet publike, të dobët dhe pre të partizanizmit, pajtohen me lojën afatshkurtër politike të pushtetit dhe, kësisoj, janë të paafta të mbrojnë të mirat kolektive afatgjata. Udhëheqësit politikë shpesh i vendosin interesat e përkrahësve përmbi interesat kolektive dhe karriera e tyre politike nuk rrezikohet as pasi provohet se zgjedhjet që kanë bërë janë të dëmshme, madje dhe shkatërrimtare. Pasojat e këtyre zgjedhjeve i shohim, i nuhasim dhe i thithim me mushkëritë tona.
Autori është profesor i historisë së artit dhe qytetërimit perëndimor dhe zv-Rektor i UNYT
.
Marre nga gazeta “Shekulli” 09-10-2007

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.