
Si ka mundësi që ndërgjegjja e këtij populli nuk zgjohet?
nga Ilir Dedaj
Ka një pyetje që më vret përditë:
Si ka mundësi që një vend i tërë po varfërohet, po vidhet, po boshatiset, dhe ne heshtim si të ishim pa shpirt, pa nerv, pa dinjitet?
Këtu nuk bëhet fjalë për një skandal, as për një aferë.
Këtu bëhet fjalë për kapjen totale të shtetit, për një sistem që ka tri dekada duke na pirë gjakun, për një kastë që bashkë me të majtën dhe të djathtën, me qeverinë dhe opozitën, me ministrat dhe oligarkët, janë kthyer në një strukturë të përbashkët grabitjeje.
Dhe ngjarja e fundit, zgjedhja e Avokatit të Popullit nga PS dhe PD, e shpërfaqi lakuriq atë që e dimë prej kohësh: Këto dy parti nuk janë kundërshtarë – janë bashkë.
Janë ortakë.
Janë pjesë e të njëjtit mekanizëm që jeton nga vjedhja e Shqipërisë.
Aq shumë është banalizuar korrupsioni, sa edhe marrëveshjet e pista bëhen hapur, pa turp, pa frikë, sepse e dinë që populli nuk reagon.
Sepse e dinë që populli është lodhur, trembur, nënshtruar.
Sepse e dinë që populli është më i zënë me kafene, me llafe, me tallje ndaj atyre pak njerëzve që guxojnë të dalin në protestë.
Të tallësh protestuesin është akt skllavi.
Të heshtësh përballë padrejtësisë është bashkëpunim me të keqen.
Të rrish në divan ndërsa vendi po grabitet është vetëvrasje kolektive.
Ne kemi tre dekada që po vidhemi në çdo sektor:
• pasuritë kombëtare të shituara për copë bakri;
• industria e shkatërruar;
• bujqësia e asgjësuar;
• prodhimi i brendshëm zero;
• naftë eksportojmë të papërpunuar dhe e blejmë të përpunuar;
• detin po e betonojmë;
• lumenjtë po i kthejmë në tubacione;
• pyjet i kemi masakruar;
• të rinjtë po ikin me ritmin më të madh në Europë.
Kjo nuk është rastësi.
Kjo është politikë e qëllimshme shpopullimi dhe varfërimi.
Pushteti sot nuk është drejtues i shtetit – është kompani private, me aksionerë partiakë, me menaxherë oligarkë, me punonjës militantë.
Vendimi për të mos hetuar Ballukun ishte shembulli më i pastër se si drejtësia përdoret si çadër mbrojtëse për njerëzit e pushtetit.
Kryeministri i vendit nuk drejton shtetin – ai drejton mbulimin e aferave të veta.
Dhe përpara se të gënjehemi me iluzione, të kujtojmë çfarë ndodhi në 2008:
marrëveshja Rama-Berisha, akti i lindjes së sistemit të njëshit, momenti ku zakoni dhe zakonet e kastës u bënë më të forta se vota e popullit.
Që prej asaj dite populli humbi zërin, deputetët humbën përfaqësimin, partitë u bënë fe të pushtetit, ndërsa qytetari u kthye në spektator të vuajtjes së vet.
Sot jemi në këtë gjendje sepse kemi heshtur.
Sepse kemi duruar.
Sepse kemi nënshtruar veten.
Sepse kemi pranuar talljen si normalitet.
Dhe kur populli humb nervin, kur populli humb reagimin, kur populli humb ndërgjegjen -atëherë politika bëhet monstër.
Shikoni çfarë bëjnë popujt vitalë: protestojnë masivisht për çdo padrejtësi.
Grekët sot.
Bullgarët dje.
Europianët çdo javë.
Ata nuk presin që dikush tjetër t’u zgjidhë hallet – ata reagojnë, bashkohen, flasin, ngrihen.
Ne?
Rimarrim frymë vetëm për të thënë:
“Po ça fituat duke dalë?”
“Le t’i zgjidhin politikanët punët.”
“Ça na duhet ne?”
Kjo nuk është mentalitet – kjo është sëmundje kolektive, është dështim si shoqëri.
Populli që nuk proteston kur grabitet, nuk është popull – është turmë e nënshtruar.
Prandaj unë flas.
Prandaj bëj thirrje.
Jo se jam i dikujt.
Jo se kam parti.
Jo se dua pushtet.
Flas si një qytetar i këtij vendi, si njeri që e ndjen poshtërimin, që sheh shkatërrimin, që e di se ku po shkon Shqipëria nëse heshtja vazhdon.
Pa reagim masiv popullor, ky vend nuk ndryshon.
Pa lëvizje qytetare, korrupsioni nuk bie.
Pa një zgjim të vërtetë, nesër do të jetë shumë vonë.
Unë kërkoj vetëm një gjë: qeveri teknike, zgjedhje të lira, reformë reale, jo fasadë.
Kërkoj që populli të marrë fatin në dorë – jo me dhunë, por me numër, me qëndresë, me presion demokratik, si çdo komb normal.
Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe brutale: Nëse nuk reagojmë sot, mos qani nesër. Nëse nuk ngrihemi sot, mos pritni mrekulli.
Nëse nuk zgjohet ndërgjegjja sot, Shqipëria nesër nuk do të ketë kë të zgjojë.
#idedaj
Marrë nga Muri i FB Ilir Dedaj, 12 dhjetor 2026