back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Si e spiunuan grekët Naim Frashërin te Sulltani, “botoi Historinë e Skëndërbeut” – Letërkëmbimi midis Mustafa Krujës e At Paulin Margjokajt

Gazeta

Mustafa Kruja - Merlika  "Kuvend Letrash me Miqte"
Mustafa Kruja – Merlika “Kuvend Letrash me Miqte”

Si e spiunuan grekët Naim Frashërin te Sulltani,

“botoi Historinë e Skëndërbeut”

Letërkëmbimi midis Mustafa Krujës e At Paulin  Margjokajt

Letra e priftit françeskan
“Në mos u gabofsha, më 1880,
u botue e famshmja “Histori e Skënderbeut” prej Naim Frashërit.
Grekët u nxituen me i raportuem fill e për pê Sulltanit.
Dhe kishin ç’i raportojshin!
Se ajo s’ishte as histori, por nji libello
qi shfrente kundra Tyrqet vënerin e katërqind vjete
të nji populli të pushtuem ashtu siç e ndiente,
jo vetë ai popull, por auktori”,
I shkruante Kruja At Paulinit…

Kjo letër midis Mustafa Krujës dhe priftit françeskan, Atë Paulinit, është vazhdim i punës jo vetëm intelektuale, por një sensibilitet, ndjeshmëri që këto dy personalitete e kanë për të shkuarën dhe aktualitetin, asaj çfarë reflektohej jashtë kufijve shqiptarë nën regjimin komunist.
Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët.

At Paulin Margjekaj
At Paulin Margjekaj

‘Fort i dashtuni Mik’
Ket herë kam vonue do kohë për me t’i pergjegjë letrës së mbrame, me 24 tetuer. Arsyeja âsht se kjeçë n’Italí e ndêja aty mâ se pesë javë. Më patën grishë me marrë pjesë në convegno për studimet shqiptare, qi u mbajt në Palermo me 24-26 tetuer. Rruga shkuem e t’ardhun m’u pague si mue, si edhe gjith të të ftuemve prej drejtimit të convegno-s. Un prandej, mbasi rruga pague se pague, u nisa prej kndej qysh me 30 Shtatuer e ktheva vetëm me 6 nanduer ktû. Ndërkaq më kje grumbullue ktû në Graz bajagi postë, pse nuk kishin se si me m’i nisë letrat, tue m’u dashtë me ndrrue shpesh herë adresë nëpër Italí. Prandej, kur erdha, m’u desht me shkrue shum letra. E tash po i vjen rendi edhe letrës s’ate. E tue kenë kjo mâ e randsishme se tjerat, duhet me e lânë natyrisht në marim, për me u ndalë nji grimë mâ tepër në tê.
Nuk dij se kû ka me të gjetë kjo letër. Prandej jam tue t’a nisë kso here të rakomandueme. Mue më duket se më ké pasë shkrue nji herë tash vonë se keni ndër mend me e lânë Egjiptin sá mâ parë e me dalë n’Europë.
N’udhtimin t’êm për Italí pata rasë me vizitue trí gjytete qi nuk i kam pasë pá kurr, dmth. Assisi, Napoli e Palermo. Gzohem shum se edhe paçë rasë nji herë me pá dý ndër kolonítë shqiptare të Sicilís, dmth. Mezzojuso e Piana degli Albanesi. Po të kallxoj, si ndër kllapa, qi 70% të Piana degli Albanesi janë komunista. Sivjet e kanë thirrë kryetarin e Bashkís të Piana degli Albanesi në Shqypní e âsht sjellë atje për tre muej. Ka kthye në Piana e bân propagandë për komunista. Pata nafakë me e pá edhe ktê me 26 tetuer, qi kje dita e mbrame e kongresit apo e convegno-s, të cilën e kaluem në Piana degli Albanesi. Ishte nji ftyrë taman e mbrume e e pjekun për komunizëm. Njekso ftyrash zgjedhin përherë të kuqt, pse me ta munden me i ndreqë punët e tyne mâ së mirit.
Por t’i lâm të kuqt, pse sot kam për të bâ shum pyetje. Kam lexue e kopjue prej librit t’Anselmo Loreçhio, qi nuk më përket mue, shum gjâna mbi Shqipní. Prej kndej po i marr do pyetje.
Si spjegohet puna qi Turkija lêjote shkolla gjithfarësh (greke, serbe, bulgare, rumene) e pengote shkollat shqipe e mâ vonë u çue aq peshë kundra alfabetit latin. Kët punën e dytë e kuptoj mâ mirë. Vorrin Turkis i a bâne njato shtete, shkollat e të cilvet Turkija i lêjote. Shqiptarët janë kenë sugurisht miq mâ të mirë për Turkí se sá Serbët, Grekët, Bullgarët e tjerët.

Intrigat kundër shqiptarëve
Më intereson me dijtë kush janë kenë kta të huej qi kanë intrigue e e kanë influencue Turkín në dam të shkollave shqipe.
Në nji telegram qi dërgojn kapodaít prej Gilan në Stambollë, thohen kto fjalë: “In conseguenza di un malinteso i cannoni e i fucili tuonano da un mese e mezzo in tutte le parti della nostra provincia….. “. (Si pasojë e nji keqkuptimi topat dhe pushkët gjëmojnë ka nji muej e gjysëm në të gjitha anët e krahinës tonë) Ky telegram u dërgue në korrik 1912.
Il Comitato centrale Albanese “Kombi” kû e ka pasë selín?
Shka thue ti për këto fjalë: “In Albania l’interesse nazionale è sempre andato avanti alle considerazioni religiose” (Në Shqipní interesi kombëtar a âsht mbajtë gjithmonë para konsideratave fetare )
Qytet i Shkupit a mund të thirrej në kohë të Turkís qytet shqiptar? A njimend zotnonte gjuha shqipe në qytetin e Shkupit?
Aty te Gilani harrova me të plotsue pyetjen, dmth në shka përmbahet ky malinteso?
Dikund tjeter thohen prap këto fjalë: “Nel 1204 (vjetët janë alla turca, por sugurisht dhe kjo vjetë kshtu âsht gabim shtypit!) in seguito ad ordine assurdo ricevuto, Ahmet Mukhtar Pascià si pose in marcia con 20 battaglioni contro Prizreni, ma grazie alle saggie misure prese dal Pascià non fu versato sangue” (Në 1204, mbas nji urdhni absurd, Ahmet Mukhtar Pasha filloi të marshojë me njizet batalione kundër Prizrenit por, falë vendimeve të matuna të Pashës, nuk u derdh gjak). Kúr e n’ç’rasë ndodhi kjo gjâ?
Shka don me thânë fjala Merqes, psh. Merqes di Janina?
“Nel Kazá di Luros, cosi nei piani di Perlepi e Florina le terre e le case sono proprietà degli Albanesi” ase “tutte le proprietà sono degli Albanesi”. Kuzzo-valaçhi e israeliti non possiedono. (Në Kazánë e Lurës, si dhe në fushat e Përlepit e të Follorinës tokat dhe shtëpitë janë pronë e shqiptarëvet… të gjitha pronat janë të shqiptarve. Kuço-Vllehët dhe Izraelitët nuk zotërojnë.) A âsht e vertetë kjo gjâ?
Tash, prej nji gurrës tjetër, po nxjerri këto pyetje: “Janina (në kohë të luftës balkanike) rá në dorë, prejsè u thye më parë e trathtoi… (Janina durch Verrat und Bestechung gefallen – me kto fjalë tedeshke lajmonte ministrín e vet përfaqsuesi gjerman prej Istambulit). E shton edhe këto fjalë: “Ismail Kemali habe dabei seine Hände im Spiel gehabt” (Ismajl Qemali ka pasë gisht në kët punë). Shka din e shka thue ti për kët punë? E kush kje ai a kush kjén ata qi trathtuen e qi u thyen me pare në Janinë?
A janë kenë n’ushtrí t’Esat Pashës, qi luftoi në Shkodër kundra Malazezvet e Serbëvet edhe Kristjan, apor ishin të tanë ushtarët musulman? Kët pyetje po t’a bâj jo për tjetër, por vetëm pse ndër kondita qi Esat Pasha u pat vû Malazezve për dorzimin e Shkodres, kje dhe kjo qi mos me pasë të drejtë Malazezt me kontrollue çfarë elementash kristjan gjinden n’ushtrín e Esat Pashës. Se çfarë rândsijet ka mujtë me pasë kjo gjâ, un nuk e kuptoj.
Mue më duket se kët herë të kam bâ pyetje boll. Nji herë tjetër nuk di as vetë se shka me të pyetë, pse mâ i shpika sot.
Prap jam interesue me pyetë për Lambertz. Po qênka tue u shtypë blêni I përsrí, prandej kuptohet vonesa e madhe.
Kúr e ké menden me dalë n’Europë? Tash po e shof se shi në letrën e mbrame po m’a paske shkrue kët gjâ. Po të tokoi me ndejë gjatë n’Europë, m’a merr mendja se ka me na tokue me u pá ndojherë përpara se të bâjsh hapin e madh e të kalojsh përtej oqeanit të hapët. Por tashmâ edhe ky oqean i pamasë po kapërcehet me nji orë ajruer. Prandej afër se afër jemi.
Un nuk kam bâ kurr ndonji hap për me dalë n’ Amerikë. Shum e kanë bjerrë shpresën për Europën plakë. Vetë endè nuk e kam bjerrë shpresën n’Europen, qi shum e thrrasin me fjalen tedeshke “Blindarm i Azís”. Blindarm shqip âsht “zorra qorre”. Pra, simbas tyne, Europa âsht zorra qorre e Azis. Mrekullí.
Shum shndet e urime të përzemerta për vjetin e rí, sadoqi herët âsht tash. Por deri at herë ndoshta nuk do të mundem me të shkrue mâ. Letra e porositun e êmja do të ngjasë shum me të mërrijtë.
Prá edhe njiherë shndet e daulet e urime të përzemërta si per tý si edhe për motrën.
Miku i Yt.
P. Margjokaj
Ramleh, 21. 1. 1955

Mustafa Merlika - Kruja (1887-1958)
Mustafa Merlika – Kruja (1887-1958)

Fort i dashuni mik,
U kënaqa për tý për atë udhtim qi paske bâmë n’Italí prej nji skânji në tjetrin. Un mjerisht nuk munda me ardhun. Vërtet biletën do t’mâ kishin paguem edhe mue të shkuem e t’ardhun; por kisha shumë arsye tjera qi më penguen. Shëndosh për tjetër herë. Ti je vrojs i mirë e të falem nderës për ato pak rreshta aqë të interesueshëm qi më ke shkruem mbi at’udhtim.
Po kaloj te pyetjet:
Pse s’kanë dashun pushtetet othomane qi edhe Shqiptarët të kenë shkollat e veta në gjuhë të vet si gjithë popujt tjerë allogjenë të mbretnisë? Un e kuptoj kështu:
Çdo e drejtë ka konsistencë kur njeriu qi duhet t’a ketë e ndien, e din e e çëmon. Ndryshe e drejta nuk eksiston. E kanë ndiem, e kanë kuptuem, e kanë çëmuem Shqiptarët të drejtën për shkolla shqip? Njiqindmijë jo, nji po: do me thânë jo.
Na s’kemi pasun kurrë, jo shkolla, por as shkrim t’onin. Kur nji elite të vogël i rá ndër mênd për tê aty kah 1870 e sa, i pari alfabet shqip u sajue shi në Stamboll me lejën e sulltanit. Gjithashtu u çel edhe nji shkollë shqip në Korçë. Shqiptarët nisën me shkruem. Në mos u gabofsha – se s’kam burime këtu për me kontrolluem hollsitë – në 1880 u botue e famshmja “Historí e Skënderbeut” prej Neim Frashërit. Grekët u nxituen me i a raportuem fill e për pê Sulltanit. Dhe kishin ç’i raportojshin! Se ajo s’ishte as historí, por nji libello qi shfrente kundra Tyrqet vënerin e katërqind vjete të nji populli të pushtuem ashtu siç e ndiente, jo vetë ai popull, por auktori. Prûna vetëm nji shembull, por në letërsinë jugore, të botueme përjashta, ke sa të duesh edhe tjerë qi tregojnë se ç’synojshin intelektualët shqiptarë, se ku dojshin me dalë nëpër shkollat kombtare në gjuhë shqipe. Sikur shkrimi shqip, letërsija shqipe të kishte pasë nisun e vazhduem me vepra si Lahuta e Malcisë në të cilën shqiptarët gjithkund luftojnë “për mbret e troje të veta” e “të bardhën fé”, kush mundet me thânë se na nuk do të kishim pasun shkollat t’ona në gjuhën t’onë, librat t’anë e gazetat t’ona, jo vetëm lirisht, por edhe të nxitun e të subvencjonuem prej shtetit othoman? Vênu ti në thronin e Abdylit e gjyko në se ka faj, sidomos tue marrë para sŷsh se ndërsa shkrimet e Neim Frashërit me shokë ka pasun plot kush me t’i raportuem e me komentime të rafinueme, e ato të kokave të randa si Fishta me shokë jo. Un në të ritë t’em i kam kënduem me enthusjazëm e tue derdhun lot veprat e Neimit. Por sot i gjykoj historikisht. Pra këndej del edhe qi të drejtën duhet jo vetëm t’a keshë ndiem, kuptuem e çëmuem, por edhe të dijsh me e përdorë. Tjerë të huej, veç Grekët, un s’besoj qi kanë bâmë intriga kundra gjuhës s’onë. Por besoj se do të ketë pasun Shqiptarë të poshtër, këta po, qi kanë menduem vetëm për interesat personale qi mund të biershin e mâ fort ato qi do të fitojshin tue trathtuem kombin e vet. Kush ka qênë? X-i e Y-i et. a në dash thuej dreqi e i biri!
“… i cannoni e i fucili tuonano.. eç.” i referohet sigurisht kryengritjes së Kosovës. “Malinteso” këtu âsht fjala për nji shprehje diplomatike, besoj un.
Un s’besoj se ka pasun nji komitet shqiptar Kombi: gazetë me kët’ emën po, por komitet jo. Ndoshta nji patrijot a nji grusht ksish kanë mujtun me përdorë nji emën të këtillë për të impresjonuem ke ka qênë nevoja. Âsht nji systemë revolucjonare të pafuqishmish qi e kam përdorë edhe vetë në 1910.
Unë e kam besuem gjithmonë se ndër Shqiptarë instinkti racjal ka qênë mâ i fortë se ndiesija fetare, por jo “interesa kombtare”, të cilën ata s’e kuptojnë as sod. Këtu s’po shkoj mâ gjatë, se besoj se ndryshimi ndërmjet dý shprehsivet kuptohet lehtë.

Lidhja e Prizrenit dhe kundërshtarët
Shkupi, nën sûndimin othoman, ka mujtun me arsye me u quejtun qytet shqiptar. Posë qi afërsinat e tij kanë qênë me shumicë shqiptare, kujtoj se i tillë ka qênë edhe vetë. Influenca shqiptare ka qênë sigurisht mâ e fortë në Shkup se ajo e çdo elementi tjetër.
Ça i përket Ahmet-Muhtar Pashës do të ketë ndodhun kundra Lidhjes së Prizrendit (1878-1881). Me ato të dhâna qi gjêj në letrën t’ânde, un kështu mund t’a zgjidh atë problemë algjebrike.
Merqez = qêndër, kryevênd, kryeqytet, selí etj, simbas rasës.
“Nel Kazá di Luroshetc” do t’i afrohet mjaft së vërtetës.
Për Janinën un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe e që ishin në gojë të gjithë kundërshtarë të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri e sa patrijotë tjerë të panjollë.
Mbas dokumentit qi po më thue, duhet të kenë qênë ndoshta edhe të krishtênë me Esatin në Shkodër, sado pak e ushtarë (luftarë) apo civila. Un me fakte nuk dij gjâ. Rândsij’e kushtit t’Esadit âsht kjo, qi në Shkodër po hŷnte Mali i Zi e, pa atë kusht, të krishtênët qi kishin qênë në shërbim të tij do të pësojshin dame e ndëshkime.
Përgjegjet i mbarova shi ku duhet e për tjera s’po kap nji copë letër tjetër mâ, por mirë se të flasim nji tjetër herë kur të më keshë shkrue ti, e tu mirë qofsh.
Mustafa Kruja

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.