back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Si e njoha Havzi Nelën nga Bedri Çoku

Gazeta

Bedri Coku
Bedri Coku

Si e njoha Havzi Nelën

nga Bedri Çoku

…Kur i doli emri për t’u transferuar nga burgu i Burrelit, për në një burg tjetër, më pak të vështirë, Havzi Nela u shqetësua tej mase. Ndenji me mua gjithë kohën e ajrosjes, duke biseduar për të gjetur arsyen pse po e largonin nga burgu i famshëm i diktaturës më të egër në botë… E brente ndërgjegja e largimit nga shokët dhe miqtë e ditur, antikomunistë të Shqipërisë, sidomos dyshimi se mos unë dhe të tjerët e merrnim largimin e tij nga ky vend i mallkuar, si shpërblim “të moralit të thyer”…!
Kisha disa vite që jetoja në një dhomë me të. Si dy shokë të vërtetë, edhe për bindjet politike, edhe për pasionet artistike. Ai shkruante poezi, unë prozë. Edhe pse pa shumë pretendime në art, ne ngulmonim t’i rrëfeheshim njeri-tjetrit në mënyrë letrare, qoftë për bindjet kombëtare dhe antikomuniste, qoftë edhe për vuajtjet tona shpirtërore. Unë, për ato që m’u ndërprenë sapo u çelën, ai për çka kishte arritur të ndërtonte me sakrifica dhe ndjenja të pastra, sidomos për gruan e tij, Lavdijen, e cila vuante në burgun e Kosovës së Lushnjë, për të cilën ai thoshte se do të ndërtonte gjithmonë vargje, jo vetëm për hir të kujtimeve dhe jetës besnikërisht bashkëshortore, por edhe për çka ai donte dhe vlerësonte tek ajo. E kishte brengë të madhe pse Lavdija vuante në burg, ndërsa ai vetë ndjehej i kënaqur, siç e përsëriste, ngaqë bashkëvuante në një burg me patriotët e vërtetë të kombit shqiptar.
Si shok i ngushtë, gjeja tek ai jo vetëm mikun e sinqertë, bashkëvuajtësin e ndershëm e të vendosur, por mbi të gjitha mësuesin e pasionuar, që nuk reshte së foluri për nxënësit dhe nxënëset e mrekullueshme të shkollës ku kishte dhënë mësim. I kujtoheshin ata duke qarë me lot në sy, pse ai, si guximtar që ishte, në cilësinë e mësuesit të fshatit, kundërshtoi hapur përfaqësuesit e qeverisë së Tiranës komuniste, që ngulnin këmbë për të ndërtuar me përdhunë edhe në kreshpat heroike të Malësisë së Madhe, kooperativa bujqësore, si kudo në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Ishte pikërisht kjo “përplasje” e parë, e drejtpërdrejtë me pushtetin e diktaturës, që i trembi nxënësit e tij për pasojat që e prisnin mësuesin e tyre të dashur. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Ai i ndjeu shpejt përndjekjet e përditshme të Sigurimit të Shtetit dhe, së bashku me bashkëshorten e tij të dashur, përballë këtyre kërcënimeve hakmarrëse të njerëzve të diktaturës, vendosi të arratisej nga atdheu i shtrenjtë.
.
Havzi Nela...
Havzi Nela…

-Para se të kapërcenim kufirin, më tha i pezmatuar, unë e Lavdija qëndruam një copë herë duke parë me lot në sy dritat e shtëpisë tonë; puthëm tokën dhe përqafuam njeri-tjetrin. Pastaj unë shkrova letrën ku thoshim: “Po ikim me zemër të plasur për ty, Atdhe! Havziu dhe Lavdija”. Ndërsa ajo vendosi buzët e saja të kuqe mbi letrën e bardhë duke qarë, unë, pastaj, e ngeca letrën në telat me gjemba të rrethimit të klonit.

-Por kurrë nuk do ta kisha besuar pa e provuar vetë, vazhdoi ai i nervozuar, pasi thithi dy-tri herë cigaren time, edhe pse nuk e pinte duhanin, që sllavët kanë qenë e janë armiqtë tanë të përjetshëm…
Ai kishte mësuar përmendësh “Lahutën e Malcisë” dhe më citoi veçanërisht vargjet, ku Fishta thoshte për ne dhe serbët se: “Kena lè në mënin e njani-tjatrit…”
-Faqezinjtë na bënë hetuesinë dhe na dorëzuan pabesisht, burrë e grua, tek rojet e kufirit shqiptarë. E bënë këtë vetëm se pse ne u treguam të sinqertë, të ndershëm e patriotë. Nuk pranuam të shanim atdheun dhe popullin tonë, siç donin ata, madje as pranuam bashkëpunimin me ta kundra Shqipërisë. Nga inati na thanë se do të na kthenin, madje na treguan edhe shifrën e viteve burg që do të merrnim nga gjykata shqiptare… Na përmendën edhe emrat e burgjeve, ku do të vuanim dënimet tona të rënda. Po ta them si burrat, vazhdoi Havziu, daç besomë, daç jo, se nuk lëvizi asnjë presje nga ato që thanë dhe vendosën jugosllavët për ne. U dënuam po aq vite burg sa thanë ata dhe përfunduam po në ato burgje që na përmenden ata… Tani jam i bindur plotësisht që këtu, në Shqipërinë tonë komuniste, sundojnë serbët, edhe pse këta hiqen si “të prishur” me Jugosllavinë. Kjo është fatkeqësia më e madhe e popullit tonë: beson ende sikur Shqipërinë e drejton Partia e Punës e Shqipërisë… Po të shikosh dosjet e të burgosurve me vëmendje, nëpër burgjet tona, mbi gjashtëdhjetë përqind e tyre, vuajnë sepse i ka kthyer Jugosllavia. Me qindra janë malësorë të arratisur për shkak të kooperativave bujqësore që u krijuan me përdhunë në Veri të Shqipërisë. Pse?… Po të ishin jugosllavët që nuk e donin regjimin tonë, ata do ta luftonin dhe s’do të kthenin asnjë kundërshtar të arratisur nga ky regjim, duke e ditur se këtu, shqiptarët o i burgosin, o i pushkatojnë… E njëjta gjë ndodh edhe me kosovarët që ikin nga regjimi i Titos dhe vijnë për mbrojtje në tokën amë…
Havziu ishte i çiltër, i butë dhe i ngrohtë në biseda, përherë i mbante buzët duke buzëqeshur. Asnjëherë nuk e ngrinte zërin. I donte njerëzit me gjithë shpirt. Në sytë e tij bojëqielli vetëm çiltërsi dhe mirësi pasqyrohej…
Një ditë i erdhi një kartolinë, ndoshta më e çmueshmja për të që e kaloi censurën e rreptë të Burgut të Burrelit. Ai fjeti disa net me kartolinën, duke e mbajtur nën jastëk. Këtë kartolinë ma tregoi mua pas atyre ditëve që fjeti me kokën sipër saj, në ëndërrime. Ia kishte dërguar një ish-nxënës i tij, i cili ia shprehte me vargje mallin dhe respektin, gjoja i fliste axhës së vet, dhe i thoshte se ruante mbresa të pashlyeshme për të, kur ai u mësonte atyre gjëra aq të vlefshme për jetën… “Disa nga mësimet e tua, thoshte ish nxënësi, dolën siç na i mësove ti, axhë i dashur, para se të të merrnin ushtar… Nuk paska lumturi më të madhe se sa të jetosh në kooperativën tonë bujqësore!!!”
Unë kënaqesha, kur e shihja Havzi Nelën teksa qeshte me të madhe me fjalët e ish nxënësit të tij… Qeshte fort, natyrshëm dhe me lot në sy.
.
Havzi Nela i ri, me veshje tipike
Havzi Nela i ri, me veshje tipike

-Më vjen mirë, më sqaroi, që kundërshtimin tim, atëherë, më 1966-tën, për krijimin e kooperativave bujqësore në Malësinë tonë të Madhe, nxënësit e mi e paskan kuptuar drejt… dhe po më përkrahin…

Vdekja e tij për ne, të burgosurit politikë në Burgun e Burrelit, ishte dhimbje e madhe. Asnjërit prej nesh, bashkëvuajtësve të tij, nuk na besohej që Havzi Nelën e kishin varur në litar. Nuk mund ta përfytyronte njeri litarin që shtrëngonte qafën Havziut, pikërisht në ato vite që po shembej diktatura komuniste në të gjithë botën, për t’ia mbyllur përjetësisht poetit zërin dhe sytë e bukur e aq njerëzor. Se pse ai s’ishte kriminel, njeri që çnderonte, vidhte apo mashtronte… Fajin e vetëm që mund të bënte, me siguri ngaqë s’pranonte diktaturën dhe padrejtësitë çnjerëzore në Shqipëri, që kundërshtonte kooperativat bujqësore – shpikjen e varfërisë kolektive dhe të shprehte hapur dashurinë për jetën dhe atdheun, siç ia kishin lënë amanet të parët. Pse, ishin arsye këto për të varur në litar një njeri?
Unë e ndjeva shumë vdekjen e Havziut. Sepse, atë ditë që ai do të largohej nga burgu i Burrelit, nguli këmbë qysh në ajrosje që unë të pranoja si kujtim jorganin e tij. Ky ishte një veprim sipas traditës së pashkruar në burgun e Burrelit ku, cilido që lirohej apo transferohej nga ai burg, nuk duhet të merrte me vete as jorgan, as libra. Të dyja konsideroheshin mjete strategjike për mbijetesën e atyre që do të mbeteshin në atë vend të mallkuar…
Fjeta disa vjet nën jorganin e Havzi Nelës. Madje, edhe pasi mora telegramin e lirimit të tij nga burgu i Spaçit, që më gëzoi tej mase. E, për lirimin e Havziut, duartrokitën të gëzuar edhe të burgosurit e tjerë në burgun e Burrelit, sapo unë ua kumtova lajmin…
E, kur ai vdiq, jorganin e tij e mbështolla me një çarçaf të bardhë dhe e lashë në magazinën e rrobave. Por më ngeli peng që s’e gjeta aty, pasi më rikthyen për herë të dytë në burgun e Burrelit, ngaqë… jorganin e Havzi Nelës e kishin ndarë bashkëvuajtësit copa-copa, për të pasur secili një kujtim prej tij…
Marrë nga muri i FB i Bedri Çokut, 10 gusht 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.