
Si e gjeta vedin, pol i katërt i nji figure gjeometrike
pasthanie nga Ervina Toptani
Dikur, kam shkruar pasthënien e një libërthi me esse poetike të mrekullueshme,
të një poeti fatkeqësisht të panjohur
e kjo është pasthënia e këtij libërthi shkruar prej meje.
E gjithë ndjesia u hodh në letër me sy mbyllur në gegnisht
se siç duket kur shpirti do me u kuptu e ka gjetë gjuhën e vet.
Duhet ta pranoj, jam me fat.
Dashnia m’ndjek kudo, n’mos e kërkofsha ka me m’gjetë ajo, me shtigjet e saj të pafundme me mbrritë te shpirti ku përket, tue flatrue mendimeve majgishtash që t’mos kuptohet se ka goditë n’mendje ma parë se n’zemër. Lojcake e madhe, e mue m’ka gjetë tana herët tue pritë me kenë n’vend të parë, a n’nji kand krejt temin, ku dashnia ka me u dashuru me mue, si unë me tè…
Ky ishte i pari mendim që ma pushtoi qenien tue përjetue dashninë e jetës ndër esse t’nji poeti t’panjoftun, nji mbramje t’florinjtë vjeshte.
Përhumbë andshëm n’nji filozofi të pastër poetike që n’themel t’mendimit i paraprin dashnisë dhe fatit, e gjeta vedin ndër labirinthet poetike t’nji mendimi t’kulluet, qi ma s’shumti asht frut i t’jetuemit n’shkallë t’epërme t’atij njeriut që ka krijue botën e tij t’magjishme, tue kenë i lindun n’nji botë krejt normale.
Pikërisht ky asht caku ku ndahet e zakonshmja prej sublimes.
Njeriu din ku përket, qysh se çka i dikton zemra ia rrok mendja deri n’afinitetet ma të nalta, me nxjerrë prej të dyjave balsam të kulluet.
A mundet me kenë dashnia art?
N’se mundet, ajo kërkon punë e urti të madhe.
A mundet me kenë veç ndjenjë t’cilën n’se e rastisim asht thjesht çeshtje fati?
Tue u përhumbë ndër vargje t’nji njeriu t’panjoftun që jetës ia ka shkrue kuptimin përmes aftësisë me dashtë, që njeriun e ka njoftë tue zbulue vedin e gruen, t’cilën e ka vu n’bërthamë të jetës që çil, kam kuptue se dashnia fillon me teorinë e ekzistencës njerzore.
Njeriu mundet m’u naltsue vertikalisht veç tue kërkue harmoninë midis shpirtit e mendjes. Tue dashtë me kuptue botën, ai mundet me ia nxjerrë kuptimin jetës, tue kqyrë vedin e gruen n’lupën e shkëlqyeme të dashnisë, mundet me kapërcye horizontet.
S’asht njeriu i zakonshëm, domosdo. Asht Njeriu që nuk vdes kurrë, ai që ka jetue veç prej dashnisë e që fatin e shef t’lidhun dy cepash me t’njajtën fjongo t’artë me shpirtin e dikujt tjetër, t’nji grueje (n’mos edhe temin) e rrëmben krejt botën n’trajektoren që përshkon. Me jetue me dashninë asht me jetue me zemrën e tjetrit n’vend tandes, poezia në kët rast asht pasojë direkte e dëshmitare e nji fenomeni ksisoji. Ajo kthehet n’krijimin e diçkaje që s’ka jetue ma parë e bahet streha ma e ngroftë e ma e sigurt e dashnisë.
Poetët gjenerojnë at çka i ban ma të afërt me Zotin, përgjithësisht prej vuejtjes, prej boshllëkut t’asgjasë, prej kaosit e padrejtësisë, por me kenë i pavdekshëm, Njeriut që shkruen, s’i mjafton ndjesia, as përjetimi i fortë i dashnisë. Duhet me kenë n’gjendje me lundrue n’ujnat e nji deti t’tallazuem mendimesh t’thella e m’u shkputë prej stuhisë s’mendimit që godet mendimin e kulluet t’filozofisë ma kuptimplote t’jetës. Duhet ta keshë jetue intensivisht, ta keshë provue gjuhën e saj n’çdo milimetër të trupit tand, tue t’u fut në l’kurë e tue të mbrritë n’shpirt, me mujtë me e nxjerrë kët t’fundit krejt t’lakuriqtë përmes fjalës.
S’asht meritë me kenë Poet, asht dënim o bekim prej Zotit, me kenë i tillë!
Duhet me dijtë me vuejtë deri n’grahmë t’fundit pa u ankue, tue e pranue paqsisht; duhet me dijtë me dashtë deri n’asht e përtej tij, me mujtë me e ndërtue prej asgjasë edhe njat herë kur ajo asht ajër, njat herë kur ajo nuk gjendet, kur syni s’ta shef po veç zemra ta ndjen. Duhet t’gjindesh në tjera paralele me e sjellë nji filozofi të tillë n’esse t’kamuflueme vargjesh.
Jam e bindun se njeriu s’e njef dashninë, pse njeriu mendon se din me dashtë!
Njeriu i burgosun n’rutinë të s’përditshmes së jetës e ka t’vshtirë t’kujtohet se asht Ai, individi i përveçëm, nji qenie që i asht dhanë mundësia e vetme me jetue, që ka mbrenda saj shpresa e zhgënjime, dhimbje e sfida, ndjenjë e dëshirë me dashtë, po ma s’shumti ka frikë prej vetmisë e asgjasë.
Tue lexue poetin e panjoftun, munda n’fare pak rreshta me mbrritë n’pikën ma t’naltë t’ndërgjegjes shpirtnore. Në kët rast, esseja e shkurtë poetike, s’asht veçse formë e artit suprem letrar, por ajo bahet pasqyrë e mbrendisë s’nji shpirti që jetën e ka jetue n’përqafje t’plotë me t’bukurën, me dashninë e që ka mbrritë n’këto koncepte tue mos gjykue kurrkend e aq ma pak vedin, veç tue dashtë. K’shtu e ka shndërrue dashninë n’katarsis t’shpirtit t’vet, i shtymë prej dëshirës e privilegjit të t’jetuemit t’dashnisë, me e portretizue ate si kulmin e përmbushjes s’nji jete të tanë.
Kam dëshirë m’u ndalë n’nji moment të veçantë, te raporti i poetit me t’papritunën, me kërkimin e fatit te dashnia e si ktë t’fundit e ban motiv kryesor të bindjes se fati asht ajo vetë. Sa herë jeta na sjell me eksperimentue hidhsinë që lind fillimisht prej nji pritshmënie, e krejt në t’kundërt, na shndërrohet në zhgënjim t’thellë? Sa herë e kemi konstatue n’person t’parë se jeta nuk shkon hiç njashtu siç do ta kishim dashtë a siç njeriu n’padituni të vet me lexue Fatin, e ka parashikue. Mija herë besoj.
Ideja e përgjithshme qëndron n’faktin se vetëm n’pranimin e plotë t’eksperiencave tona përballë jetës, fatit e zgjedhjeve që kemi ba t’detyruem a t’dëshiruem në momente t’caktueme, n’dhimbje a dëshpërime, n’apatì a gëzime, në t’kërkuemit ma në thellësi t’vetvedit, tue kqyrë me nxjerrë mend prej zemrës, e cila e ka ndje peshën ma t’madhe t’vlimit, kena mujtë me kuptue e perceptue natyrën tonë t’vërtetë, t’qenit multidimensionalë, në ndryshim e rritje t’vazhdueshme.
Kur dyert, që njeni i mendon t’hapuna, madje shpesh edhe krahët e atyne që i mendoje t’çiluna si dyer parajse për t’vuejtunin, papritun të mbyllen në ftyrë, e gjen vedin të ndrymë edhe ti te pragu i mbramë ku pritshe me mbrritë. At çka ban poeti n’kët rast s’mundet me e ba njeriu i zakonshëm. Poeti bahet dëshmitari ma i kujdesshëm, ma i kthjelltë e ma i vërtetë i njasaj çka e ka përthithë n’vorbullën e saj t’fatit që ai s’mundet me e ndryshue, po mundet edhe me e kallzue me fjalë që emocionojnë, frymëzojnë, ushqejnë e mbi të gjitha, n’se e mendon mirë ndryshojnë trajektore jetësh.
N’nji libërth të tillë, t’nji autori të panjohun, pa e dashtë, po tue dëshrue që t’mundesha, un u bana vetë poeti. E gjeta vedin n’polin e katërt t’nji figure gjeometrike me katër kande të barabarta ku nji qoshe e së cilës tash m’përkiste edhe mue. Si padashtas, kam simbolizue “gruen” n’essetë e poetit të panjohun, e privilegjueme me e përkit kët qoshe të shpirtit të poezisë filozofike e t’nji prumjeje derdhë kaq ambëlsisht, paqsisht e artistikisht.
Un s’e di kur ky libërth asht shkrue, mbasi duke mos e njoftë autorin e këtyne esseve t’mrekullueshme, s’kam as mundsinë me dijtë për jetën e tij e as mundem me ndërtue me mend nji filozofi përshtatjeje përmes përjetimeve e botkuptimeve të tij, me e paraqitë realitetin edhe t’vërtetën e tij siç ai e ka ba n’kët libërth. Un veç mujta me e prekë nji copë shpirti t’nji njeriu që e pagzova me emnin “Incognito”, e tue ardhë kaq kandshëm n’nji gegnishte t’butë e t’langshme ndjesish, munda me përthithë vetëdijen e shprehun ndërmjet rreshtash.
Tash, me dashtë me i hy edhe ma thellë filozofisë s’përshkrueme n’katërkandëshin që përmenda ma nalt e me dashtë me e pa si bashkangjitje analogjike me veprën e autorit të panjohun n’fjalë, do t’kisha guxue me mendue se këto katër qoshe t’kësaj figure gjeometrike ndërtue n’mendjen teme, n’pamje t’parë, janë të baraslargueme prej njena tjetrës, pse në t’njajtën kohë i përkasin epokave e përvojave krejt të ndryshme.
Kur ky libër asht sjellë n’shqip e trajtue n’mënyrën ma të dashun e ma të kujdesshme t’mundun, pikërisht n’at vjet un kam lshue klithmën e parë të jetës.
Me dashtë me i vëzhgue gjanat n’lupë t’mendimeve, dashnia shkon vetë atje ku përket, atje ku gjen strehë të butë, si në rastin e katër shpirtnave n’at figurë imagjinare të mendjes seme.
Tue mbetë ndër vargje që përpiqem me i ilustrue me pamje konkrete, mendoj për essenë poetike n’nji tjetër rrafsh. Mund të ketë kritikë e studiues të saj që përpiqen me e zhbirilue vlerën e saj artistike si landë t’mirfilltë studimi e si zhanër letrar. Un nuk mujta me e pa ftoftë. Kështu që e kam përcjellë kët libërth të veçantë n’aspektin ma t’rafinuem të ekspresivitetit njerëzor, madje n’nji dimension antropologjik tue kuptue se n’thelb të tij asht njeriu.
Së fundmi asht edhe formë emocionalisht e naltë çliruese e aftësive personale t’komunikimit të secilit prej nesh. Esseja poetike në kët libërth dashnie asht kthye n’impulsin ma jetik që kam përjetue.
N’se do e shifja filozofinë e shprehun n’vargjet e poetit t’panjohun prej kandit tim, n’qoshkun ku e kam vendosë vedin n’katërkandshin imagjinar, e mendoj si me perceptue nji metaforë sugjestive. Njerëz që janë t’lidhun prej nji filli të padukshëm, t’angazhuem gjithsecili n’meditimin e synuem si formë refleksioni mbi jetën e botën, për me i dhanë liri mendimit e fantazisë si pikënisje e trashendencës. Njeriu i ditëve të sotme ka humbë e asht largue mjaft prej asaj çka përmban kuptimin e vërtetë të jetës.
E kena mundësinë, pavarsisht jetës a rutinës së përditshme që nuk ofron ndonji gja t’madhe në përsritjen e saj, me marrë nji dozë të s’bukurës, përmes essesh të tilla, që lundrojnë thellë ndër ujnat e mendimit e ndjesive t’kullueme, e tue veprue kësisoj “ka rrezik” me provue me kenë t’lumtun, e me u ndjeh thellsisht mirë brendë vetvedit.
Thonë se njerzit e lumtun nuk smuhen!
Ndoshta e kanë kuptue para tjerve se cila asht mënyra me kenë t’shndetshëm gjithnji… nis me nji libër t’parë…
Ervina Toptani