back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 10 Shkurt, 2025

Shuhet Gjeto Vocaj – Mësuesi të cilit i ndryshoi jeta pas takimit fatal me Diktatorin

Gazeta

Gjet Vocaj, "Takim Fatal me Diktatorin"
Gjeto Vocaj – “Takim Fatal me Diktatorin”
Shuhet Gjeto Vocaj –
Mësuesi të cilit i ndryshoi jeta pas takimit fatal me Diktatorin

Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare mësuesi Gjeto Vocaj, i cili vuajti dënimin me 7 vite burg nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për akuzën “agjitacion dhe propagandë” dhe familja e tij u internua. Gjeto Vocaj njihet si mësuesi, i cili u dënua sepse zbuloi një gjeni në matematikë mes nxënësve të tij, në shkollën ku ushtronte profesionin, në Dukagjin.
Mbas takimit me diktatorin Enver Hoxha në vitin 1962, i thirrur nga ky i fundit për ecurinë e fëmijës gjeni, nisi edhe përndjekja nga Sigurimi për shkak të biografisë së familjes, deri në vitin 1979 kur u arrestua dhe dënua me 7 vite burg.
Lajmin për ndarjen nga jeta të mësuesit të njohur e ka njoftuar Shoqata e Ish-të Përndjekurve Politikë, Shkodër përmes një letre homazh të shpërndarë për mediat.

Mësuesi Gjeto Vocaj në Burgun e Spaçit
Mësuesi Gjeto Vocaj në Burgun e Spaçit

In Memoriam (me rastin e ndrrimit të Jetës së z. Gjeto Vocaj)
Gjeto Vocaj, biri i nji familje nacionaliste antikomuniste, leu në Mirditë në vjetin 1939. Ndërsa po shetiste me gjyshin e tij dorë për dorë në livadhin para shtëpisë, nji krizëm automatiku shungulloi në veshët e tij dhe papritmas gjyshi ra përdhe i vdekun…
Ishte ballafaqimi i parë i nji fëmije pesë vjeçar me krimin, me të keqen dhe tmerrin, që ai, familja e tij, por i tanë populli shqiptar do të prvonte mbi kurriz për gjysë shekulli.
U rrit në vorfni me hallet e jetës, që përjetonte shtresa e deklasueme si rezultat i luftës së klasave nën diktaturën kriminale komuniste.
Me rastin e punësimit së babës së tij në rrethin e Shkodrës, Gjeto pati mundësine e arsimimit në shkollën e mesme pedagogjike dhe për nevojat e arsimit të asaj kohe u emnue mësues në zonat e thella të Dukagjinit. (Kujtojmë se ishin vjetët mbas vdekjes së baba Stalinit, kur Krushovi po eleminonte nji mbas nji udhëheqësat stalinistë të vendeve komuniste të Europës lindore dhe për kët arsye birbua i Gjirokastrës e zbuti paksa luftën e klasave)
Dashunia për profesionin dhe për fëmijtë e vorfën, por shumë të zgjuet dukagjinas i dhanë mësues Gjetos nji impuls të ri për jetën. Gjatë procesit mësimor dalloi nji fëmijë që kishte talent të lindun për matematikë, përshkrimi i aftësive gjeniale të Nikës së vogël në nji shkrim në gazetën “Mësuesi” e bani mësues Gjeton shumë të njohun në mjedisin pedagogjik shqiptar. Fjala mori dhenë, entuziazmi i zbulimit të gjeniut shqiptar të matematikës shkoi deri aq lart sa udhëheqësi suprem, Enveri, e kërkoi takim më mësuesin e ri të Dukagjinit. Me urdhër prej lart, mësues Gjeto u transferue në Shkodër, përfundoi edhe Institutin dyvjeçar për matematikë, krijoi familje me Lilin, nji grue që i qëndroi afër të tanë jetën dhe u trashigue me dy djelm, por vazhdimi i ngjarjeve vërtetoi se takimi me komandantin suprem paska pasë qenë takim fatal për jetën e tij; jehona e takimit përshkoi edhe Degen e Punëve të Brëndshme të Shkodrës, ku n/kryetari (mirditor) kishte zbulue biografinë e mësuesit Gjeto Vocaj, i cili na qenkërka nipi i armikut të partisë. Çdo gja, mbas këtij zbulimi shkoi mbrapsht në jetën e tij, mësuesi i dalluem Gjeto Vocaj u dënue me 7 vjet burg, me akuzën “agjitacion e propogandë”, në bazë të dëshmive fallco të elementeve të shitun te sigurimi i shteti. Vuejti burgun e Spaçit dhe atë të Ballshit, e shoqja Lili me dy fëmijët së bashku me të atin e Gjetos u internuen në nji fshat larg Shkodrës dhe mbijetuen me punën e Lilit në kooperativën bujqësore. I ati i Gjetos vdiq atje në internim nën kujdesin e së shoqes dhe s’e pau kurrë ma të birin. Kur Gjeto Vocaj kreu dënimin dhe u kthye në Shkodër, nuk kishte as strehim, sepse apartamentin e tij ia kishin dhanë nji familjeje tjetër. Për me e hekë qafe për kërkesën e tij në lidhje me apartamentin e internuen në zonën e Komanit, pa të drejtë takimi me familjarët e tij që vazhdojshin internimin në nji zonë tjetër. Mbas shumë kërkesash e përpjekjesh, vetëm mbas nji vjeti, mbrriti me u bashkue me familjen e tij, në nji fshat në zonën e Komanit. Pak para vjetit 1990, u lejue m’u kthye në Shkodër, por mbeti pa strehim dhe punoi si punëtor krahu.
Mbas vetëshembjes se diktaturës komuniste, familja e Gjeto Vocaj gjeti përkrahje prej pushtetit vendor, (Bashkisë), punë përsëri në sektorin e arsimit dhe strehim për familje. Por nuk paska qenë e thanë që hallet e kryqet e familjes së Gjeto Vocaj të kishin fund, gjama e madhe i mbuloi në vjetin 1997, kur djali i tij, Edi në moshën 28-vjeçare hupi jetën si rezultat i vrasjes prej njanit prej vjedhësve të makinës së tij.
Gjeto Vocaj asht shembull i qytetarit model; me kontribut për kulturën dhe demokracinë e re shqiptare dhe pjestar aktiv pranë Shoqatës së ish të Përndjekunve Politikë, Shkodër.
Kishte kulturë të gjanë dhe vizion europian, zotnonte dy gjuhë të hueja, lexonte shumë, kishte pasion pikturën, tregoi aftësi të veçantë në shkrimin e shumë artikujve në gazetat kryesore shqiptare. Si shkrimtar u ba i njohun publikisht me shkrimin e librit të jetës së tij me titull “Takim fatal me diktatorin”, i cili pati shumë sukses, u publikue tre herë, sot nuk gjindet asnji libër në librari.
Libri në fjalë asht publikue edhe në gjuhën angleze dhe po përgatitet publikimi në gjuhën italiane.
I ndjeri Gjeto Vocaj ishte njeriu me karakter të fortë, që nuk thyhet kurrë prej fatkeqësive e vështirësive të jetës. Gjithmonë me buzë në gaz, i dashun me të tanë, kurrë fjalë të randa për tjetrin, i sjellshëm dhe xhentil në familje e në shoqni. Shpirti i tij nuk njifte urrejtje as për ato që ia shkatëruen jeten, për të cilët kërkonte vetem drejtësi ligjore.
E konsiderojmë vehten me fat që u njohëm, u miqësuem dhe qëndruem së bashku me të ndjerin Gjeto Vocaj.
Ndrrimi i jetës së z. Gjeto Vocaj nuk asht dhimbje dhe hupje vetëm për familjen e tij, por për të tanë miqtë e shokët e tij e ma gjanë, për të tanë Shkodrën. Me kët rast në emnin tim dhe të Shoqatës së ish të Përndjekunve Politik Shkodër i paraqes familjes së të ndjerit Gjeto Vocaj, ngushllimet ma të ndijshme për hupjen e njeriut të tyne të dashun.
Gjeto, mbetesh i paharruem në kujtesën tonë, pushofsh në paqe!

Për Shoqatën e ish të përndjekunve politikë të Shqipnisë, Shkodër:
Zenel Drangu, Filip Guraziu, Angjelin Daberdaku, Gjek Beqi, Xhevdet Amuli, Maxhid Cungu, Luigj Mlia, Sabri Bushati, Ndoc Ashta, Lin Guri, Gjovalin Çuni, Lela Zorba, Vjollca Kapeta, Lizeta Bushati, Islam Bruçaj, Bib Tanazi, Mark Zadeja, Leopold Shkreli, Pjerin Pjalmi, Gjergj Livadhi, Skënder Bushati, Renato Xhuxha, thuhet në njoftimin e miqve të Gjeto Vocajt.
Marrë nga Portali CNA

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.