back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Shteti i ka hedhur në kosh artistët – GKA derë e mbyllur – kthyer në institucion privat!” Intervistё me Adrian Devolli nga Julia Vrapi

Gazeta

Piktori Ardian Devolli
Piktori Ardian Devolli

“Shteti i ka hedhur në kosh artistët –

GKA derë e mbyllur – kthyer në institucion privat!”

Intervistё me Adrian Devolli nga Julia Vrapi

Artistët vazhdojnë aktivitetin e tyre artistik pa mbështetjen që duhet të japin institucionet. Sipas piktorëve institucionet, që janë përgjegjëse për t’i përkrahur në jetën artistike nuk funksionojnë si duhet. Edhe ky vit, që ka nisur duket se do të vijojë me probleme për artistët në fusha të ndryshme të artit, por kur flasim për piktorët ata shprehen se as Galeria Kombëtare e Arteve apo dhe Ministria e Kulturës nuk kanë qenë pranë në ndihmë të aktivitetit artistik, që ata kanë pasur. Piktori i njohur Adrian Devolli vjen këtë muaj të parë të vitit në një rrëfim për jetën artistike, që ka nisur apo dhe projektet, që janë në plan të këtij viti.
Në intervistën për “Sot” piktori Adrian Devolli shprehet se fatkeqësisht sot artistët ndihen se janë lënë pa mbështetje dhe mund të quhen heronj, që punojnë në këto kushte. Për piktorin Adrian Devolli, GKA nuk shihet më si shtëpia e artistëve dhe Ministria e Kulturës nuk po funksion si duhet në zhvillimin e jetës artistike. Në këtë muaj të parë të vitit, piktori i njohur Adrian Devolli bën me dije se një grup i ri me piktorë po krijohet, dhe së bashku do të hapin ekspozita gjatë vitit. Ai tregon se ekspozita e parë është menduar të hapet në muajin mars të këtij viti në galerinë e artit “Kalo” në Tiranë. Piktori tregon se në planet e këtij grupimi piktorësh është që brenda një viti të hapen dy ekspozita, ku e para do të jetë ajo e muajit mars. Sipas piktorit Adrian Devolli, niveli artistik do të ketë shumë vëmendje në punën, që do të bëjnë artistët e këtij grupimi të ri, që po krijohet këtë vit. Ndërkaq që sa i takon planeve të tij personale në art, piktori Adrian Devolli tregon se bashkëpunon në fushën e artit me një kompani në Bruksel për veprat e tij në pikturë.
.
Galeria Kombetare e Arteve (GKA) - Me veshje ushtarake
Galeria Kombetare e Arteve (GKA) – Me veshje ushtarake

-Ky vit ka nisur me projekte të reja në aktivitetin tuaj me krijimtarinë në pikturë. Sa rëndësi kanë në vijim të punës suaj? Ky vit për mua ka disa projekte. Nëse flasim për muajt e parë të vitit, një projekt që është i pari ka të bëjë që jemi bërë bashkë një grup artistësh si Mustafa Arapi, unë, Marhana Goxhabelliu, Luan Boriçi, Leon Çika, Violeta Kongo, Fatmir Tufina mund të vijë dhe ndonjë autor tjetër, dhe do të bëjmë si grup një ekspozitë në muajin mars këtë vit. Ne si grup piktorësh do të kemi në plan, që të hapim dy ekspozita në vit. Projekti i dytë ka të bëjë personalisht me mua. Një kompani e madhe në Bruksel, Belgjikë, që merret me biznesin e artit, ku ata më kërkuan më parë punët e mia që të shikonin, i kanë pëlqyer shumë. Ne kemi një kontratë, që konsiston në botimin edhe riprodhimin e veprave të mia në pikturë, fragmente të veprave të mia, riprodhimet në material kanavacë, riprodhime në materiale të tjera industriale që mund të jenë stofra, etj, dhe nga kjo unë si autor do të kem përqindjen sipas rregullave që vendosen. Veç kësaj aty bëhet fjalë dhe për interiere dizajne, por dhe për ekspozitë, që nuk e kam përcaktuar ende vendin.

 
-Më herët ju jeni shprehur se për piktorët nuk ka kritikë, është vetëm një opinion i disa klaneve. Çfarë ndodh? Fatkeqësia e këtij vendi në fushën e artit është se nuk ekziston fjala kritikë. Fatkeqësia e artit është mungesa e kritikës, që unë e kam pohuar herë pas here. Për piktorët nuk ka vlerësim kritik në art, është një opinion i disa klaneve, nuk ka një vlerësim si i duhet të veprës së artit. Fakti është që institucioni i kritikës duhet të ishte domosdoshmëri. Ne ishim në diktaturë, që ishte mizerje dhe kishte ekspozita e kritikë arti, kishte gazeta artistike. Sot nuk ka. Sado që ajo kritikë ishte nën vijën e partisë së kohës, por ekzistonte. Sot tek ne nuk ekziston fare kritika në art, por ka dhe shumë probleme me aktivitetin e artistëve. Unë e kam thënë, që ata artistë që punojnë dhe sakrifikojnë këtu duhet të jenë njerëzit më të nderuar.
 
-Edhe këtë fillim viti ju vazhdoni me kritika për punën që bëjnë institucionet në vend. Çfarë prisni të ndryshojë në vijim? Shteti shqiptar duhet të stimulojë artistët, që sakrifikojnë në këtë vend, që ka mijëra probleme reale dhe virtuale.
 
-Ne kemi disa grupe piktorësh që zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ju do të krijoni dhe një tjetër grup. Çfarë do të synoni me punën tuaj? Nëse ky grup që ne po formojmë ka autorët që unë përmenda më sipër, sipas meje bëhet fjalë për një pretendim artistik të caktuar, një bosht filozofik në art, që i përshkon këta si artistë. Kjo nuk do të thotë, që këto ngjajnë me njëri-tjetrin, por mendoj niveli artistik që tek këta autorë konvergojnë me njëri-tjetrin si vlera artistike. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në grupet e tjera kemi shumë grumbullime njerёzish, që në disa raste nuk lidhen as psikologjikisht, as estetikisht, as nga pikëpamja filozofike e artit. Pra ky grup, që po krijojmë ne është menduar deri në 7-8 vetë jo më shumë. Njerëz që kanë një tendencë dhe i bashkon kjo lloj fryme e artit. Janë njerëz që punojnë në telajo, në vepra dydimensionale. Nuk ka rëndësi nëse është realist, surrealist, abstrakt, kjo është çështje personale, por janë vlerat që krijohen brenda kësaj, që quhet raporti dydimensional.
.
Avni Delvina, Adriana Kalaja, Ardian Devolli
Avni Delvina, Adriana Kalaja, Ardian Devolli
-Ju pohoni që ekspozitën e parë do ta hapni në muajin mars me këtë grup piktorësh, që po krijoni këtë vit. Por ku do të hapet ekspozita, në Tiranë ju vetë keni pohuar se ka mungesë sallash? Ne jemi një shtet, që ndoshta vjen në një pikë që ka dhe urrejtje për artin. E kam thënë dhe më parë, hidhen shumë para për lloj -lloj spektaklesh dhe nuk hidhen para për një veprimtari, e cila kërkon shumë mund për t’u bërë. Një vepër arti kërkon mund shumë, që këtu as perceptohet dhe as konceptohet. Kjo vjen në atë, që niveli artistik të bjerë dhe të mbyllen dhe ato galeri që hapen, sepse nuk ka dhe asnjë subvencionim nga shteti. Në botë kanë ndihma galeritë, tek ne jo. Por ne e kemi gjetur galerinë që do të hapim ekspozitën tonë, kemi menduar të jetë galeria e artit “Kalo”. Por është absurde dhe turpshme, që një kryeqytet si Tirana, që thuhet ka rreth 1 milion banorë të mos ketë një sallë ekspozimi. Gënjejnë në bashki të Tiranë, ka qenë që në kohën kur ishte Lulzim Basha kryetar që do bëhet një sallë ekspozimi, por të gjithë gënjejnë. Më pas erdhi kryetari tjetër dhe vijon situata siç ka qenë.
 
-Në janarin e këtij viti, në aktivitetin e Galerisë Kombëtare të Arteve çfarë prisni të ndryshojë? Nuk pres të ndryshojë asgjë tek ai institucion. Në një vend normal kur bëhet një denoncim publik siç kam denoncuar unë përmes intervistave të ndryshme në media, tek ne kanë zgjedhur një rrugë të poshtër, që është heshtja. Galeria Kombëtare e Arteve sot për ne është si puna e asaj alergjisë që ne kishim për Degën e Punëve të Brendshme dikur para viteve ’90. Pra, Galeria Kombëtare e Arteve (GKA) nuk krijon asnjë lloj atmosfere artistike. Në vend të ishte shtëpia e artistëve ajo është kthyer shtëpia e djallit. Aty edhe artistë me emër që vijnë nga Franca, si Omer Kaleshi etj, ai titullar nuk i pret as ti takojë, por dhe artistë të tjerë të njohur në Shqipëri nuk i ka pranuar. Tek ne nuk funksion as Galeria Kombëtare e Arteve, por as Ministria e Kulturës.
 
-Pse shpreheni se nuk funksionon si institucion Ministria e Kulturës? Ministria e Kulturës nuk ka mbledhur gjatë këtyre viteve asnjëherë artistët për të bërë një takim, për të diskutuar mbi problemet në art dhe kulturë. Kjo ministri është një institucion de juro, por de facto nuk bën gjë. Në momentin që ne flasim nuk kemi një ekspozitë kombëtare. Plani i ekspozitave nëse flasim për Galerinë Kombëtare të Arteve duhet të ishte shpallur që një muaj më parë, para se të vinte viti 2020, që artistët të jenë të përgatitur dhe ta dinë se çfarë do të ndodhë me atë institucion, që është kthyer në privat. Galeria Kombëtare e Arteve nuk shihet më si shtetëror, por si privat. Artistët janë të hedhur në plehra nga shteti. Artistët mundohen jo pak me punën dhe aktivitetin e tyre, por nuk gjejnë asnjë lloj mbështetje si duhet nga shteti. Ne shkojmë në vende të tjera dhe na mirëpresin dhe mbështesin për aktivitetin tonë. Ishim në Itali dhe atje angazhohen institucionet. Kjo jo vetëm në zonat, ku kam qenë unë jashtë, por dhe tek të tjerat në Itali, ku kanë qenë shokët e mi.
Pra ti shikon në këto vende, një pritje të madhe, këtu tek vendi ynë që këta njerëz që punojnë janë heronj përbuzen nga institucionet si GKA, Ministria e Kulturës, etj, që nuk kanë bërë asnjë lëvizje për artin, për të mbështetur si duhet me aktivitetin e tyre artistët. Janë institucione, që nuk kanë transparencë. Artistët janë njerëz me një shpirt dhe një botë të madhe dhe sakrifikojnë shumë, pra janë të kryqëzuar në një farë forme, por ti si shtet këtë lloj kryqëzimi si e shikon? Në vendin tonë nëse erdhën disa autorë në vitet 1920, ’30, ’40, që studionin jashtë dhe themeluan fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ata nuk kanë një kolanë me libra. Nuk i kanë themeluar as një galeri. Ky shtet qenka keq për një buxhet 20 mijë euro për t’i bërë këto? Tek ne nuk ka asgjë. Tek ne jetohet me konceptin tallava. Tallavaja në konceptin e gjerë është një situatë, ku jetohet emocioni i ulët i momentit të një grupi shoqëror njerëzish dhe ky stimulohet. Nuk mendojnë për vlera të mirëfillta.
.
Gazeta “Sot”, 12 Janar 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.