back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Shtëpitë e Rrënuara të Ndërgjegjes sonë… nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Shtëpitë e Rrënuara të Ndërgjegjes sonë…

nga Jozef Radi

Shumë flitet ndër ne për patriotizëm! Shumë tituj “Heronjsh të Popullit” janë shpërndarë ndër vite… shumë “Ndere të Kombit” shpërndahen përditë… aq sa shpesh të kap frika mos vlera e tyre nji ditë barazohet me ato të kaqolave… Shumë heroizma rrëfehen e shumë bëma zulmëmëdha shpallen… e shumkush prej nesh ka pa mjaft prej atyre gjoksrrahsave që premtojnë t’u dalin zot fateve të atdheut dhe kombit…!!  Shumë janë ata… Vërtet shume!!!
Po, le t’i pranojmë të gjitha… e le të kapërcejmë pak përtej fjalëve… le të dalim te ajo e shkretë betejë me faktet… Këtu po sjell nji shembull tejet të thjeshtë e të verifikueshëm, po që dhemb shumë… nji shembull që mund ta quhet Dinjiteti i Nëpërkëmbur i nji Kombi… Janë disa foto të shtëpive të Njerëzve më të mëdhenj që ka nxjerrë ky komb, të atyre që kanë gjurmë të pashlyeshme në kulturë, në histori, në dinjitet e në sakrifica… Kam sjellë vetëm disa prej tyre… Ato janë banesat e Personaliteteve që do vazhdojnë t’i bëjnë dritë sot e kësaj dite këtij kombi, i duam apo s’i duam ne… i respektojmë apo nuk i respektojmë ne… Ata janë gjithnji në këmbë… Ata mbeten shpirti i kësaj gjuhe dhe i kësaj kulture, shpirti i këtyre trojeve dhe i këtij kombi… Ato janë identiteti ynë i përbashkët… janë pasaporta jonë… për fat të keq, shfaqen sot para nesh përmes ketyre pamjeve të trishta, të shëmtuara, rrënuese…
Secili prej këtyre Emrave që përmenden personifikon dashuri për gjuhën shqipe, (të ardhur herët e ndër të parat), personifikon dashuri për kulturën dhe traditën, përfaqson histori dhe sakrifica të shumta… secila prej këtyre banesave mund të ishte nji muze i vërtetë, ku te gjeneronin vlera, kujtese dhe dashuri… sepse secila prej këtyre shtëpive na nderon bashkarisht të gjithëve si komb, po qe pamja e tyre dëshmon se sa të paturp ne jemi dhe mbetemi… Askush të mos harrojë, se nji ditë do të gjykohemi prej brezave që vijnë, ashtu si ne e meritojmë…!!! Të paftyrë!!!!
janar-shkurt 2015

Shtepia e Poetit Kombetar Gjergj Fishta
Shtepia e Poetit Kombetar Gjergj Fishta

Kjo është shtëpia i Poetit Kombëtar,
At Gjergj Fishtës,
Njeriu i gjurmëve të pashlyeshme
në kulturën dhe historinë shqiptare…
Poeti i “Lahutës së Malcis” – Epopesë së kombit shqiptar

Sot kjo shtëpi asht diçka në kufijtë e trishtë të nji rrënoje!!

No Comment!!

Sarajet gërmadha të Faik Konicës..
Sarajet gërmadha të Faik Konicës…

Këto janë Sarajet e Faik Bej Konicës
intelektualit brilant,
enciklopedistit të pashoq,
gjigandit të gazetarisë dhe dipllomacisë,
njeriu që ia kushtoi gjithë jetën çeshtjes shqiptare…

Këto saraje legjendë, rrënohen përdita e sot askush s’kujtohet për to!

No comment!!!

Kulla e Prek Calit
Kulla e Prek Calit 

“Ku fluturojnë shqipet e Malit…
njatje asht Kulla e Prek Calit!”
Fisniku malësor që s’lejoi Fuqitë e Mëdha me ja shty kufijtë
por e pranoi vdekjen, në emër të burrnisë shqiptare

Prej ma shumë se shtatëdhjetë vitesh, askush s’ka vu dorë në të…

No comment!!!

Shtepia e Lasgushit
Shtepia e Lasgushit 

Kjo ka qenë “Kulla e Fildishtë”
e Lirikut më të madh Shqiptar,
Lagush Poradecit
që i thuri aq hymne bukurie dashurisë dhe qytetit të vet…

Asnji gjurmë e saj sot nuk gjendet…

No comment!!!

Kulla e djegur e Musine Kokalarit
Kulla e djegur e Musine Kokalarit

Kjo është Kulla e Musine Kokalarit, që vdiq në nji barrakë interrnimi!
E para grua shkrimtare shqiptare,
e para femër që foli n’emër të lirisë duke u futur në politikë!
Shtëpia e intelektuales gjitokastrite, që pranoi sfidën e mosnënshtrimit
përballë diktaturës së përbindshme!

Kjo kullë mbas nji zjarri të beftë në 2014, u katandis në kët gjendje!!!

No comment!!!

Shtepia e Luigj Gurakuqit
Shtepia e Luigj Gurakuqit

Kjo ishte shtëpia e Luigj Gurakuqit
Njeriut të Pavarsisë së Shtetit Shqiptar
e politikanit që jeton në themele të kulturës dhe historisë shqiptare…
Dikur kjo shtëpi Muze
ishte ndër ma karakteristiket e Shkodrës…

Asnji gjurmë e saj kund!

No comment!!!

Shtëpia e Sokolëve - Shkodër
Shtëpia e Sokolëve – Shkodër

Kjo është shtëpia e Sokolajve në Shkodër
(Hodo Begut, Ibrahimit, Ramadanit, Hodos jr., Safetes)
Familje dhe derë e Traditës. Për ironi në derë të kësaj shtëpie
asht tabela: “Monument Kulture Mbrohet nga Shteti”!!!

Po ç’është ky shtet që Mbron veç me tabela?!?
Mbasi u dogj gjysma, tash e kanë mbuluar ferrat deri në kat të dytë!

No comment!!!

Rastësi?! Jo kurrë!!!
Sepse shumë rastësi bashkë, lenë aq shumë të dyshosh…!!!
Pa harruar sa e sa shtëpi të tjera të Legjendave Shqiptare
tkurren bashkë me Ndërgjegjet tona të Rrënuara…?!?

No comment!!!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shkrimi i mësipërm, do të vazhdojë të plotësohet edhe me Shtëpi të tjera te Rrënuara të Ndërgjegjes sonë… Asht i lutur kushdo që e sheh të arsyeshme kët inisiativë, të çojë nji (ose ma shumë) foto, me tria katër rreshta shpjegim, dhe ajo të bëhet pjesë e kësaj faqeje në plotësim e sipër… (Gjithnji asht vlera e personalitetit apo personaliteteve që lidhet me emrin e shtëpisë)
    Ju falenderoj per mirkuptimin…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.