back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 12 Dhjetor, 2025

Shqiptarje më e arrirë e shekullit të 20-të – Musine Kokalari

Gazeta

Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)
Shqiptarje më e arrirë e shekullit të 20-të – Musine Kokalari

Shqiptarje më e arrirë e shekullit të 20-të
ishte Musine Kokalari
42 vjet të shkuara merrte frymë për herë të fundit.

13 gusht 1983,
temperaturat e regjistruara në Itali ishin rreth 40 gradë celsius. Po kaq duhej të ishte edhe në Rrëshen. Nëse pyjet atë ditë digjeshin si sot, propaganda komuniste nuk do jepte “lajme” të këqija. Lajmet e këqija jepeshin vetëm për vrarjen, likujdimin fizik e shpirtëror të “armikut” të popullit.

13 Gushti 1983,
ishte dita e fundit e vuajtjes së Musinesë. Sëmundja kanceroze që po i merrte jetën në fund është edhe më e dhimbshme. Plaga e operacionit në gjoks rridhte për më shumë se një vit ashtu si gruaja e murosur e legjendës së Kështjellës së Rozafës.
Gjiri i djathtë i Musinesë, i pamjekuar prej 18 muajsh nga ku pikonte gjaku i themeleve të demokracisë. Ajo mjekohej vetëm me rifocin e vaj peshku. Edhe për mjekimin e saj defiçient ishte shteti që kishte vendosur. Doktoresha e saj, Adelina Mazreku përmendet nga shtypi dhe njerëz me profil publik si një intelektuale e Tiranës. Nuk është kush i/e interesuar të shohë pikturën e plotë “të këtyre intelektualëve” që nuk kanë vrarë ndoshta me pushkë, por me bisturitë e tyre, duke e ndaluar mjekimin, si në rastin e Musinesë apo mbylljen e njerëzve të pafajshëm në spitalet psikiatrike nën udhëzimet e partisë që shumica këtyre intelektualëve aderonte.

Dita fatale e Musinesë, ishte dita që ajo vetë e kishte pritur me muaj të tërë me radhë. Por vdekja kishte fjetur çdo ditë e natë me të që prej 13 Nëndorit 1944, në qelitë e burgjeve komuniste. Ndoshta ditën e fundit mbi dhè, ajo nuk zgjati më duart e saj të merrte gotën me ujë nëse e kishte afër vetes. Ajo e ftoj vdekjen të hynte thellësisht në trupin e saj. Ndoshta, bisedoi me vdekjen dhe filloi të komunikonte me vëllezërit e saj, të cilët i vajtoi në heshtje çdo ditë të jetës së saj.
Askush nuk ishte pranë që ta dëgjonte në psherëtimat e saj të fundit. Askush nuk ishte aty t’i mbante dorën t’ia lehtësonte momentet e bashkimit të trupit të saj me vdekjen e akullt e të përjetshme.
Atë ditë gushti, Musineja ka dëgjuar fëmijët që luanin jashtë. Zëra jete, fijet e lidhjes së saj me të shkuarën, vitet e fëmijërisë, vitet e shkollës si mësuese.

14 Gusht…
Rrësheni i vogël ishte pa Musinenë. Polici i qarkullimit kishte një detyrë më pak, nuk do ta survejonte më Musinenë. Ajo ishte “spektakli” për publikun në Rrëshen me dramën e saj që e shkruante, drejtonte dhe e luante në heshtje. Drama e saj nuk merrte duartrokitje si merrnin artistët e rritur e të brumosur me ideologjinë komuniste. Publiku i Musinesë shkruante letra, informonte tek zyrat famëkeqe të Sigurimit, e linte pa ushqime; kur i vinte radha në dyqane, për të ushqimet ishin mbaruar!! Fëmijët e shkollave nën drejtimin e mësuesve i hidhnin epitete kur ajo kalonte afër. Vajza të reja e djem i thërrisnin: Balliste, Fultze, Amerikane…
Asnjë kafe e zezë nuk u shërbye për Musinenë me 14 gusht. Asnjë vizitë ngushëllimi, asnjë varg vajtimi. Edhe nën dhè, ajo vazhdonte të ishte e prangosur nga vdekja dhe totalitarizmi, por tani prangat totalitariane e kishin të pamundur ta lëndonin më.
“Gjirokastra ime e dashur që ngule idetë e para përparimtare tek unë. Të lashë e më s’të pashë…
Sokaket e nxehta të Gjirokastrës atë ditë gushti kishin humbur një njeri që e deshi dhe nderoi ato. Vajza që përjetoj me pasione epokën historike të viteve ‘30-‘40-të të Belle Époque.
Asnjë gazetë nuk do shkruantë për veprën e saj. Asnjë shkrimtar i kohës nuk do guxonte të shkruante për vdekjen e saj. Do të ishte e kotë, sepse do të thoshte mijëra burgosje ekzistuese plus një viktim tjetër.
Rrësheni e dinte qe humbi Musine Kokalarin, gruan që kishte sfiduar çdo paragjykim politik dhe social për katër dekada rresht. Trupi i saj ulur në stol, me libër në dorë, nuk do shihej më në lulishten e qytetit të vogël. Fqinjëve të saj ju shtua një dhomë e kyçur, e cila nuk u hap më kurrë.
Shqipëria nuk e dinte fatin e saj e përfundimisht mësoi vdekjen e saj vetëm pas shkallmimit të sistemit gjakatar që urrente çdo mendim liberal e demokratik.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.