
Shqiptarët, sipas qyteteve
nga Lutfi Dervishi
Beratasit, janë skraparlinj të zbritur buzë Osumit!
Mallakastriotët, janë fierakë të blinduar.
Dibranët, diplomatë edhe pa ditur gjuhë të huaj.
Pogradecarët, janë korçarë me gjol!
Mirditorët, janë shqiptarë që respektojnë shtetin, sidomos kur shteti respekton Mirditën.
Përmetarët, janë lebër që konfliktet i zgjidhin me liker.
Elbasanllinjtë, janë gegë për toskët dhe toskë për gegët.
Lezhjanët, janë shkodranë pa tangarllik!
Laçjanët, janë kurbinas që e kanë Tiranën për punë dhe Shna Ndoun për punët që Tirana nuk i zgjidh.
Krutanët, janë tregtarë që edhe kur blejnë, dinë të shesin.
Pukjani, është shkodran kur shkon në Tiranë dhe mirditor kur zbret në Shkodër!
Devollinjtë, janë korçarë që romantizmin e konsiderojnë humbje kohe pune.
Shijakasit, janë durrsakë që detin ua zunë të tjerët.
Skraparllinjtë, janë beratas ballë kazani!
Kavajasit, janë durrsakë pa det dhe tiranas pa kompleks kryeqyteti.
Kolonjarët, janë korçarë që lanë serenatat për të qenë “kudo të parë”.
Tropojanët, janë vlonjatë të Malësisë së Gjakovës!
Hasjanët, janë shqiptarë që në Has kanë vendlindjen dhe në Londër lagjen.
Lushnjarët, janë fierakë që mendojnë se Fieri e ka tepruar me urbanizimin.
Matjanët, janë dibranë që, në vend të diplomacisë, zgjodhën monarkinë.
Sarandiotët, janë shqiptarë që dhjetë muaj jetojnë në Sarandë dhe dy muaj prej Sarandës.
Himariotët, janë grekë me fjalë e shqiptarë me vepra.
Korçarët, janë parisienë që, për arsye emigrimi, jetojnë në Shqipëri.
Tepelenasit, janë vlonjatë që i janë betuar Bajronit të mos e shohin detin me sy!
Kuksianët, janë prizrenalinj me pasaportë britanike.
Durrsakët, janë ilirë që prej 2500 vjetësh presin të mbarojë sezoni.
Tironsit, janë refugjatë që nuk janë larguar nga qyteti i tyre.
Shkodrani, ka humorin për të tjerët, tangarllikun për vete dhe “ta marrsha” për ata që do.
Gjirokastritët, janë korçarë të përzënë nga qyteti si dorëlëshuar!
Vlonjatët, janë shqiptarët më empatikë. Të shprehin ngushëllimet më të sinqerta kur u thua se nuk je nga Vlora.