back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Shqipëria një çmendinë, ku vrasësit janë deputetë dhe hajdutët ordinerë ministra… – nga Edison Ypi

Gazeta

Cmendinë
Cmendinë

Shqipëria një çmendinë, ku vrasësit janë deputetë

dhe hajdutët ordinerë ministra…

nga Edison Ypi

Një çmendinë… e quan gazetari Edison Ypi,
Shqipërinë, duke uruar që të mos kthehet në kasaphanë.
Në një shkrim për Ypi.al,
ai thotë se vrasësit që duhej të ishin në burg janë deputetë.
.
Edison Ypi
Edison Ypi
Hajdutët ordinerë pa asnjë zotnillik, asnjë aftësi dhe asnjë talent janë ministra. Ministri i brendshëm është vëllai i një trafikanti droge. Katundarë ordinerë trashanikë ambiciozë të sëmurë ardhur nga an’e anës që duhet të kultivonin tokën dhe vilnin ullinj ose portokalle atje ku kanë lindur dhe dashnore të parë kanë pasur cjapin e katundit, janë në pikat kyçe të Administratës.
Gazetarë sedentarë pa pikë talenti dhe pa asnjë yndyrë në karakter, tipa të përvjellur që nuk e luajnë bythën nga kafeneja për orë e orë të tëra bëjnë shkrime monotone deri në tmerr. Një vend i tillë, ku budallenjtë janë opinionistë, injorantët mbajnë tituj shkencorë, frikacakët inkurajohen, trimat përbuzen, një vend pra, ku pothuajse askush nuk bën punën e vet, por të një tjetri, nuk mund të jetë tjetër veçse çmendinë.
Çfarë tjetër veçse çmendinë mund të quhet një vend me paligjshmëri aq të pranishme, aq të difuzuar, sa e ka mbjellë vendin tejpërtej me drogë?
Mjetet e sotme teknike të gjetjes së vendndodhjes janë sofistikuar aq tepër sa satelitët të lexojnë edhe targën e makinës, edhe gazetën që mban në dorë. Teknologjitë e sotme edhe në brimë të miut të futesh, të gjejnë. Megjithatë vendi anëtar në NATO nuk kap dot një protagonist të botës së krimit që kërkohet nga policitë e disa vendeve europiane. Epo sado e pakëndshme të tingëllojë, një vend i tillë nuk mund të cilësohet ndryshe veçse çmendinë.
Këtu sa më tepër rrugë t’u ndërtosh, sa më tepër tunele t’u çposh, sa më tepër ullinj, arra, bajame, lajthia, të mbjellësh, aq më pak vota të japin, dhe nga ana tjetër, sa më tepër hashash të kultivosh e trafikosh aq më tepër vota të japin. Kjo nuk mund të ndodhi kurrën e kurrës kurrkund tjetër veçse në një çmendinë.
Si mund të mos jetë çmendinë një vend ku portalet, gazetat, televizionet, i ushqen korrupsioni, i paguan mafia, i mban gjallë politika.
Në këtë vend populli delirant i telefonon çdo mëngjez televizioneve. Gjoja për të qarë halle, për të zgjidhur probleme. Për puseta të bllokuara, për pensione të papaguara, për ilaçe të skaduara. Pa asnjë impakt, pa asnjë efekt, tamam si në një çmendinë.
Turlilloj derdimenësh budallenj me brirë, injorantë lëkurëtrashë që organizojnë evente artistike, letrare, poetike, sillen në të katër anët dhe në të gjitha qoshet si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina, krejt si në çmendinë.
Rrëshqanorë gjirizash burokratikë, butakë pa kocka, pa shtyllë kurrizore, vetëm me tul, gjallesa primitive pa absolutisht asnjë asnjë ndjeshmëri apo dashuri njerëzore, mbijetuesa ordinerë që mbahen për artistë, shkrimtarë, për poetë, që zhgarravisin neverira estetike, bëjnë promuovime pështirosëse me fonde të xhvatura, si në një çmendinë.
Asnjë meritokraci, krejt si në një çmendinë, administrata shtetërore e këtij vendi është plot e përplot me nepotikë dhe partiakë pa asnjë etikë sjelljeje dhe asnjë shtysë morale për punë. Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike, as që bëhet fjalë.
Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por një spiun i ndyrë këtu quhet me plot gojën “zotëri i nderuar”, ndërsa plot të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin pseudonime, si në një çmendinë.
.
Cmendina...
Cmendina…

Ulesh para televizorit dhe sheh, për shembull, një reportazh për lumin Osum. Pret që teksti i këtij reportazhi të jetë pak më tepër sugjestiv se një udhëtim me makinë anës atij lumi. Se po nuk qe kështu, pse ekzistojnë reportazhet pastaj. Gabim trashanik. Absolutisht asgjë prekëse, asgjë alternative, asnjë vrojtim apo konstatim inteligjent, asnjë e dhënë për gjëra që udhëtari nuk mund t’i shohi por atij që bën reportazhin nuk i falet të mos i dijë. Thjesht rrëfim linear, deskriptim analog i asaj që sheh syri. Këta farë tekstesh të fundosin thellë e më thellë në baltën e trurit primitiv të mender gazetarit si drejt humbellave të truve të çkurdisur të banorëve të një çmendine.

Të gjithë filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë neveritë propagandistike më absurde dhe më qesharake që ka njohur bota, këllirat estetike me efekte dramatike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan. Megjithatë në këtë çmendinë, trutharë të njohur që mbahen për eksperta, pa ua bërë tërr syri thonë se ato filma janë luajtur nga aktorë të mëdhenj dhe nuk duhen prekur, nuk duhen klasifikuar, kurrsesi ndaluar, përkundrazi duhen restauruar.
Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje. Teoricienët konservatoristë të çmendinës tonë janë ndryshe. Budallenjtë ku i kemi varur shpresat, janë ca halldupë trashanikë, ca hajvanë ngrehalucë, ca derra të ndyrë, ca dallamango me tul në ballë e në qafë, ca kërrmij me jargë, që mezi presin të shtrohet dreka dhe darka, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.
Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e llamburitur, diçka e ndryshme, diçka alternative, që tek dishepujt e vet provokon emocion, ngjall shpresë. Në këtë çmendinën tonë liberalizmi është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë nëpërkat dhe gjarpërinjtë e korrupsionit.
Në këtë çmendinë këndohet kënga e hidhet vallja. Madje kjo çmendinë është një ahend pafund. Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve të kësaj çmendine janë aq pa lidhje, sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm.
Në Shqipëri erdhi demokracia sepse shkak u bënë viktimat, ata që vuajtën në diktaturë tmerre që nuk ia ka parë bota. Duhej të ishin të vuajturit pra ata që Shqipërinë ta qeverisnin për nja njëmijë vite rrjesht. Nuk doli gjë kjo profeci. Shqipërinë po e çqeverrisin ata që e bënë çmendinën, bijtë e etërve kriminelë.
Nuk kanë fund çmenduritë e çmendinës tonë ku asnjë premtim nuk mbahet, asnjë afat nuk respektohet, asnjë parashikim nuk mund të bëhet. I vetmi ngushëllim është shpresa e vakët se inshallah kjo çmendinë nuk do na kthehet në kasaphanë.
Marrë nga voal.ch, Mars 22, 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.