
Shqipëria, ky trup me 2 litra gjak…
refleksion nga Rezart Palluqi
Dëgjoj të thuhet shpesh: Ky popull meriton vetëm diktatorë! Ky popull e ka hak kamzhikun. Nuk kemi për t’u bërë njerëz ne!!!
Kemi të bëjmë me deklarata shumë të rënda. Pesha e këtij mallkimi dyfishohet kur ato pranohen prej atyre njerëzve që gëzojnë respekt për dijetarinë e tyre. Ndaj dhe mallkimi bëhet thuajse i papërballueshëm kur ai pranohet prej elitës së një populli. Një qytetar shqiptar i thjeshtë do ta marrë tërësisht të mirëqenë se vendi ynë nuk bëhet më. Jo vetëm kaq! Ai do të urrejë vehten e tij, vendin ku lindi ose do t’ia mbathë jashtë kufijve.
Së pari, deklarata të tilla mallkuese kundrejt shqiptarëve dhe Shqipërisë kanë lindur në laboratorët e të liqve shqiptarë. Janë ata që e bëjnë këtë propagandë, fillimisht në një mënyrë tejet të rafinuar e më vonë fare hapur nëpërmjet mediave vizive dhe të shkruara. Enveristët ishin ata që krijuan shpresën e rreme të demokracisë në vitin 1991 dhe ishin po ata që e vranë këtë shpresë me duart e tyre në vitin 1997 dhe 2013. Rrjedhimisht në 30 vitet e fundit janë larguar gati 2 milion shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre janë gjaku i pastër, energjik. Nëse Shqipërinë do ta krahasoja me trupin e një njeriu, atëherë këtij trupi që vuan prej një hemoragjie 34 vjeçare, nuk i ka mbetur më shumë se dy litra gjak. Edhe ai gjak që i ka mbetur është pjesërisht i helmuar, pjesërisht i mpirë apo gjysmë i ngrirë.
Si mund të akuzojmë popullin shqiptar se ai meriton vetëm diktatorë, kërbaç, poshtërim, dhunim, kur trupi i tij jeton me vetëm dy litra gjak?
Flitet gjithkund se shqiptarët shtegëtojnë. Unë nuk jam dakord me këtë. Shqiptarët nuk shtegëtojnë, por arratisen njëlloj si kafsha që ia mbath pa humbur sekonda sapo ndjen ardhjen e një tërmeti apo zjarri! Ky veprim i kafshës, është instiktiv. I ngjashëm është edhe arratia 80 vjeçare e shqiptarëve. Ai i ngjan kafshës primitive. Ikën, fluturon drejt një vendi më të sigurt. Shqiptari është mjeshtër për të mbijetuar instiktivisht. Don të shpëtojë shpirtin.

Është terrori, mashtrimi, intimidimi, dhunimi që kasta e të liqve ushtron mbi popullin shqiptar, që i detyron ata që të ndërmarrin gurbetin.
Këtë e vërejmë edhe tek qindra mijëra prindër të vetmuar në Shqipëri që edhe pse dergjen në vetmi, i gëzohen të paktën një suksesi në jetën e tyre: “Ne e hëngrëm kullotën. Por të paktën fëmijët i shpëtuam jashtë Shqipërisë!” – thonë ata.
Përfytyroni sikur në Holandë njerëzit dinamikë do të largoheshin masivisht si në Shqipëri?! Atje do t’ish krijuar e njëjtja situatë si ajo në Shqipëri sot. Holandezët do të besonin se ai vend nuk bëhet më. Ai vend e meriton kërbaçin, kamzhikun e poshtërimin.
Ndaj më duket shumë e padrejtë t’i hakërrehesh popullit shqiptar që jeton në Shqipëri për katrahurën e tanishme. Shqipëria është një trup që po vuan prej hemoragjisë së vazhdueshme.
Unë mund të akuzoj tim atë që s’arriti të më edukojë dhe stërvisë mendërisht e shpirtërisht për të mos u arratisur kur isha në moshë adoleshente, por sëbashku me të tw përballeshim me jetë a vdekje me të liqtë shqiptarë që kanë arritur të paktën 80 vitet e fundit ta zhysin Shqipërinë në honin e ujqërve. Kjo nuk ndodhi për fat të keq.
Veçse ky këndvështrim hap një diskutim tjetër, të cilin kam dëshirë ta trajtoj në një shkrim të mëvonshëm.
I bëj thirrje të gjithë atyre shqiptarëve me shpirtin e mbushur me dritë njerëzore e dije erudite të mos bien prè e këtyre deklaratave nihiliste që gatuhen në tenxheret e diktaturës enveriste.
Sotpërsot, beteja midis së keqes dhe së mirës në hapësirën shqipfolëse është e pabarabartë: të liqtë janë shumica dërrmuese. Shpirtmirët janë në pakicë, të pambrojtur dhe braktisur prej pjesës tjetër që zgjodhi arratinë, për të mbijetuar instiktivisht ose ruajtur dritën e shpirtit dhe dinjitetin e tyre njerëzor.
28 maj 2025