back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Shpifja si parzmore e krimit – nga Luan Myftiu

Gazeta

Luan Myftiu
Luan Myftiu

Shpifja si parzmore e krimit –

nga Luan Myftiu

Të privilegjuar në diktaturë, vetë, a prindërit e tyre, socialistët nuk janë mësuar që mbi ta të bjerë forca e ligjit. Asnjëherë ata nuk kanë besuar se mund ta pësonin. Madjé, as kur u ndodhte rastësisht të merrnin dënim kapital. Ndoshta prandaj dhe klithnin para togave të pushkatimit: “Rroftë sh. Enver!” Ata e ndienin veten si një shkëndi e shpirtit shkatërrues të djallit, ndaj dhe mendonin se ishin të paprekshëm. “Partia ime më dënon!” – klithte me krenarí njëri prej drejtuesve komunistë, duke mos e shkuar ndër mend se “qoftëlargu”, para ekzekutimit, do t’i shkulte edhe dhëmbët. Komunistët që gabonin, në fillim patën menduar se mjaftonte të forconin besnikërinë ndaj partisë, kurse “kopaçet” le t’i hante populli. Këtë ndjenjë të trashëguar paprekshmërie dhe vetëbesimi arrogant ata e ruajnë edhe sot. Kush qënka mësuar vetëm të komandojë, e paska të vështirë të pranojë edhe ta këshillojnë. Demokracia nuk duhet të merret me të tilla deliranca. Ajo lufton e duhet të luftojë më fort t’i bëjë të gjithë të barabartë para ligjit.
Socialistët e kanë të vështirë barazimin me ata, me jetën e të cilëve komunizmi ka lozur si me një “cingël”. Nuk mund të pranojnë “gjeneralët” të barazohen para ligjit me “ushtarët”. Nuk mund të pajtohet me lartësinë morale të një ish-kulaku, ai që dje atë e shau, e rrahu, apo e dënoi pa faj. E kanë të vështirë socialistët të qeverisin vendin me kundërshtarë. Ky arbitraritet i bërë zakon, ky shpirt komandimi i kthyer në ves, nuk e pranon që kundërshtarët t’ia marrin pushtetin me ca copa letrash (vota). Prandaj u duket normale të manipulojnë zgjedhjet, të dëbojnë nga puna kundërshtarët, të rrëmbejnë pronën e pronarit të ligjshëm, etj.
Socialistët janë mësuar herët me shpifjen. Me dekada Shqipëria u masakrua me shpifje. Madje, ajo u detyrua me “kopaçe” të sajonte kundër vetes fajësí të paqena. Gjithë kalvari komunist ka qenë pasojë e një shpifjeje të madhe. Socialistët dalëngadalë u edukuan që këto shpifje t’i merrnin për të vërteta, edhe kur ishin të bindur për të kundërtën. Shpifja u bë kështu “paradhoma” e krimit komunist.
Socialistët u edukuan ta shihnin atë si një nevojë për eleminimin e armikut “që në vezë”. Por, edhe pse askush nuk ishte i imunizuar nga rreziku i një dënimi të padrejtë, komunistët dhe pinjojtë e tyre socialistë u mësuan të mos e pranonin këtë për veten e tyre. Ata erdhën në demokrací pa atë kompleksin e frikës së një padie për krime imagjinare! Ata në fillim patën tronditjen e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e viktimave. Por koha provoi se vuajtja e heronjve të demokracisë vlente njëmijë herë më shumë se banalizimi i saj me çdo gjest kundër një ish-krimineli. Heronjtë e demokracisë kurrsesí nuk mund ta barazonin veten me xhelatët e tyre. Duke i besuar ligjit, ata ia dhuruan vuajtjen e tyre demokracisë për të ndërtuar Shqipërínë europiane. Kështu që socialistët u çliruan herët nga kjo frikë e kotë. E, megjithatë, ata nuk hoqën dorë nga shpifja. Megjithatë, ata prapë kanë frikë. “Kriminelin, thotë Shekspiri, e tremb edhe zëri i kukuvajkës!” Ata i tremben ndershmërisë së një populli të vuajtur. I tmerron vendosmëría e mazhorancës për ta luftuar seriozisht korrupsionin. Ata i ndjek nga pas hija e zezë e zullumit të tyre. Ata nuk i besojnë as “solidaritetit” të tyre në krim. Ata ndjekin taktikën e lashtë: “Mbrohu duke sulmuar!” Ndaj drejtuesit socialistë, si të pacipë, përsëri shpifin ndaj kundërshtarit. Ata janë bërë mjeshtër për të bërë mizën buall. Mjeshtra për të ta lënë kopilin në derë. Tërë lufta e tyre në këto dy vjet, nuk ka qenë tjetër veçse një “cunam” sherresh, grindjesh, britmash, bilbilësh, dajresh, thyerje vazosh e mikrofonash, grushtesh e kërcënimesh qesharake edhe ndaj grave. Tërë “beteja” e tyre opozitare ka qenë vetëm sabotimi i reformave të mazhorancës dhe afirmimi prepotent i të “drejtës” së tyre për të diktuar. Gandi ka thënë: “Toleranca është maja e trimërisë!” Vetëm me një tolerancë të admirueshme arriti mazhoranca të miratonte dhjetra ligje, duke i lënë socialistët me gishtin në gojë. Ishte kjo tolerancë që ia hoqi petët lakrorit të papajtueshmërisë së socialistëve me rënien e tyre nga fiku. Ajo tolerancë i diskreditoi ata më shumë, sesa akuza e ngritur për mëkatet e pafalshme të qeverisjes së tyre të dështuar. Socialistët, duke u sjellë ashtu, ia nxorrën vetes bojën. Ata humbën edhe atë pak besim që gëzonin te njerëzit e nderrshëm të elektoratit të tyre. Ata janë katandisur sot për t’u qarë hallin. Atyre s’u ka mbetur mjet tjetër për t’u mbrojtur veç shpifjes. Gjithçka që bënë vetë, kur qenë në pushtet, e trillojnë sot kundër Koalicionit të Djathtë. Duke qenë në opozitë, sillen sikur janë mazhorancë. Vodhën tokat turistike dhe akuzojnë të djathtën si hajdute të tyre. Klithin për komisione hetimore, për tendera, të bëra me firmat më prestigjioze në botë. Akuzojnë ministra dhe farefis drejtuesish të lartë, për afera korruptive dhe për grabitje trojesh në zonat bregdetare. Shpifin për blerje postesh me lekë. Të lavdërojnë në mëngjes e të shajnë në darkë. Nga fisnik, të aftë e personalitet serioz që të shpallin sot, nesër të nxjerrin njeri pa dinjitet, demagog e hipokrit, nëse nuk ua shpie ujin në mullirin e tyre.

Shpifja socialistëve u është bërë ves. Ajo për ta është sot “parzmorja” e vetme për të mbuluar krimet dhe pisllëqet e tyre. Shpifja është bërë protektorja e paturpësisë së tyre. Dhe kanë shkuar aq larg në këtë “zanat”, sa nuk besojnë as vetë se mund të bëhet politikë pa shpifur. Ndaj kanë nisur të trillojnë njëmijë e një të palara dhe ndaj njëri- tjetrit.
Socialistët nuk e kuptojnë që kanë një mision të lartë si opozitë. Aq të lartë, sa nuk mund të ketë pluralizëm pa një opozitë serioze, e cila me drejtësi “t’i zbërthejë brinjët” kujtdo që guxon të marrë mandatin e qeverisjes së vendit. Por socialistët nuk shqetësohen për përgjegjësira të tilla, as para elektoratit të tyre. Ata e shohin këtë elektorat si një “legjion”, me të cilin mund të sigurojnë vjedhjen e votave, grabitjen e pasurisë kombëtare, shndërrimin e Shqipërisë në “çiflik” të tyrin. Ndoshta dhe për ta mbajtur këtë elektorat të lidhur pas qerres së tyre, shpifin pa kandar kundër mazhorancës. Shpifjen socialistët e kanë shndërruar në mjetin kryesor për të mbuluar krimet, zullumet, gjithë mëkatet e tyre të pafalshme. Poeti latin, Virgjili, ka thënë: “Vesi jeton dhe rritet më shumë kur mbulohet…!”
.
03.11.2007 (55)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.