
Shoku i jonë, Leopoldi…
nga Lukë Luka
Në vitet 1951-1955, ishim 52 nxanës që vazhduem Shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër.
Vinin të gjithë prej familjeve me emën të qytetit: Anamali, Alibali, Laca, Bushati, Gera, Shiroka, Radovani, Shkreli, Luka, Llazani, Mushani, Bala, Vila, Çurçia, Omari, Pogu, Hoti, Osmani, Krroçi, Pavaci, Mosi, Abati, Kurti etj.
Kjo përbamje shoqnore përcaktoi edhe edukatën e harmoninë në mes nesh të moshës adoleshente. Koha ma e bukur e jetës.
Deri në klasën e tretë ishte me ne edhe Leopoldi (e thirrnim Poldi). I qetë, i qeshun, i dashtun, i rregullt në paraqitje.
Në vitin e katërt, për arsye familjare vazhdoj mësimet në Durrës. Aty mori edhe dëftesën e pjekunisë.
Viti 1955-56. Të gjithë filluem punën e mësuesit në rrethe të ndryshme të vendit.
Fati e solli që për Leopoldin të fillojë një e keqe fatale.
17 vjeç. Ra viktimë e nji padrejtësie.
Akuza: Tentativë arratisje dhe burg bashkë me dy vllaznitë e tij.
Mbeti e vetme e moshueme nana e tyne në shpi.
Leopoldit iu thy andrra, shpirti e zemra e njomë.
Hetuesia: Dyshime. Fiksime. Vorbull pyetjesh. Trajtime psikologjike.
Leopoldi nuk u dorëzu.
Dënimi: Si familje me dy vllazën morën gjithsej 30 vite burg.
Nuk ka nevojë për ma shumë fjalë, falë zotit që doli gjallë.
Kreu dënimin. Shikjohesh me sy të dyshimtë.
Njeriu i fortë vuen pa u anku, sepse rruga e t’meçmit kalon përmes vuejtjeve.
Filloi punën si punëtor në Kombinatin e drunit. Aty kreu gjatë punës edhe detyrën e elekriçistit. Paralelisht mbaroi shkollën e mesme shtesë në degën elektrike.
Krijoj familje.
Komunizmi bjen nga fiku. Erdh demokracia.
Merr pronat trashëgue prej gjyshit të tij: Nik Nok Luc Shkreli, prej Shkrelit, fis i urtësisë i Malësisë.
Njihet në qytet si tregtar i ndershëm dhe i suksesshëm. Në dy dyqane tregton pajisje elektrike dhe gaz të langshëm.
Në vitin 1991, Leopoldi me shokun e tij Servet Libohova, shkojnë në Itali në Torino. Atje kontaktojnë me FIAT-in, me qëllim me i ardhë ndihmë qytetit, për një bashkëpunim me Nëshërakun. Kjo për arsye objektive të kohës nuk u realizu.
Nuk i harron shokët e tij të cilët edhe pse kohë e rrezikshme, plot kalecë, kur doli prej burgut, i qëndruan afër edhe pse ndonjeni ishte në vende pune me përgjegjësi për kohën.
Ja shpërblen këtë guxim e mirësi shokëve.
Viti 2009…
Ditëlindja e 70-të e Poldit. Organizon festimin me gjithë shokët e maturës me sponsorizimin e tij në Razëm. U kalua nji ditë shumë e bukur.
Nji ditë tjetër. Traditë. Shkundja e manit. Në Rragam.
Tjetër traditë. Pjekja e gështenjave. Në shpinë e tij.
Përsëri nji tjetër veprimtari, dhuratë e Poldit me bujari: vizitë në Kalanë e Krujës.
Në verën që shkoj, sapo kisha mbërritë në Shkodër prej Italisë.
Takimin e parë e bana me Poldin te Oborri Shkodran.
Pyetje: Pse Pold i bane gjithë ato veprimtari të bukura me shpenzime të shumta? Ai bani buzën në gaz e tha: vetëm unë që provova vuejtjet e burgut të diktaturës e kuptoj se çfarë asht dashnija dhe respekti që më bane shokët e shoqet kur të tjerët të largohen e të rrijnë ftohtë.
Ky asht Leopold Shkreli, shok i dashtun i shtrenjtë dhe i veçantë.
Sot në moshën e tretë, 87 vjeç!
Marrë nga Muri i FB Lukë Luka, 6 maj 2026